Nga Rilindja Urbane 1.0 te Rilindja Urbane 2.0

Mesazhet kryesore
► Rilindja Urbane 2.0 (1.5 miliardë euro, prezantuar më 9 korrik 2026) vjen pa një bilanc publik të plotë të fazës së parë.
► Shqipëria mbetet vendi me të ardhurat vendore për banor më të ulëta në Ballkanin Perëndimor (174–274 €), apo rreth 3 herë më pak se fqinjët e BE-së në Evropën Juglindore (874 €).
► Të dhënat e papunësisë të deklaruara nga qeveria (rënie e ndjeshme në Durrës, Fier, Gjirokastër, Shkodër) bien ndesh, ose të paktën kërkojnë kontekst shtesë, me tkurrjen demografike të dokumentuar në të njëjtat qytete (Gjirokastër -21.9%, Vlorë -18.5%, Durrës -12.1% e popullsisë brenda një dekade), si një gjetje qendrore e këtij versioni.
► Rreziku i “kapjes së shtetit” në prokurimet e mëdha urbane nuk është hipotetik, pasi hetimi i SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe kompanive të lidhura me të (2025–2026), si dhe rastet e mëparshme të fondit të rindërtimit, përfshirë edhe hetimet për kryebashkiakë dhe stafe vendore për prokurimet tregojnë se qeverisja e centralizuar e investimeve urbane krijon pika konkrete cenueshmërie ndaj favorizimit klientelist.
► Raporti propozon 10 rekomandime konkrete, secili me përgjegjës institucional dhe afat orientues, të organizuara rreth katër shtyllash: decentralizim fiskal, financim i përzier, matje e rezultatit, dhe integritet institucional.
Më 9 korrik 2026, kryeministri Edi Rama prezantoi programin kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, si vazhdim i drejtpërdrejtë i “Rilindjes Urbane 1.0” që ka dominuar investimet publike vendore që nga viti 2015. Programi u shoqërua me angazhime sektoriale rreth150 milionë euro deri në 2030 për menaxhimin e mbetjeve, mbi 100 milionë euro projekte në vazhdim për ujësjellës-kanalizime dhe rreth 94 milionë euro për infrastrukturën bujqësore.
Ky version i analizës adresohet në katër drejtime: (i) një vlerësim paraprak i impaktit ekonomik real, me krahasim before-after në katër bashki; (ii) një seksion i posaçëm mbi riskun institucional të prokurimit dhe kapjes së shtetit, i informuar nga hetime aktuale gjyqësore; (iii) digjitalizimi/qytetet inteligjente dhe përfshirja gjinore e sociale dhe (iv) rekomandime dukshëm më konkrete, me përgjegjës institucional dhe afat kohor për secilën.
Ky raport bazohet në burime publike të konsultuara deri më 12 korrik 2026, përfshirë deklarata zyrtare, raporte monitorimi, hetime gazetareske dhe reagime institucionale. Rastet ligjore në vazhdim (p.sh. hetimi ndaj kryebashkiakut të Tiranës) përshkruhen sipas akuzave zyrtare të bëra publike nga SPAK, pa gjykuar fajësinë, e cila mbetet çështje e gjykatës.

Përshkrim

Ky raport analizon evolucionin e modelit të zhvillimit vendor në Shqipëri nga programi “Rilindja Urbane 1.0” (2015–2025) drejt programit të ri “Rilindja Urbane 2.0” (2026–2030), duke shqyrtuar nëse ky tranzicion përfaqëson një vazhdimësi të investimeve të centralizuara publike apo një lëvizje drejt qeverisjes vendore të bazuar në rezultate, autonomi dhe llogaridhënie.

Analiza mbështetet në literaturën e decentralizimit fiskal, subsidiaritetit, qeverisjes bashkëpunuese (New Public Governance), zhvillimit të orientuar nga territori dhe buxhetimit sipas performancës, duke kombinuar evidenca nga raportet institucionale shqiptare, vlerësimet e Bashkimit Evropian, të dhënat e NALAS, auditimet sociale të ALTAX dhe burime të tjera të pavarura vendase dhe ndërkombëtare.

Gjetjet tregojnë se Rilindja Urbane 1.0 prodhoi transformime të rëndësishme fizike dhe estetike në shumë qendra urbane, por ndikimi ekonomik, social dhe territorial i investimeve mbetet i pamatur në mënyrë sistematike për shkak të mungesës së mekanizmave të monitorimit të rezultateve dhe të analizave të plota kosto–përfitim. Shqipëria vazhdon të karakterizohet nga nivele të ulëta të autonomisë fiskale vendore, varësi e konsiderueshme nga transfertat qendrore dhe një tendencë drejt centralizimit institucional, pavarësisht objektivave formale të decentralizimit.

Raporti argumenton se sfida kryesore nuk lidhet me nivelin e financimit publik, por me arkitekturën e qeverisjes dhe mënyrën e konceptimit të investimit publik. Kalimi nga një model i orientuar drejt inputeve dhe produkteve fizike drejt një modeli të bazuar në rezultate, ndikim dhe krijim vlere publike përbën kushtin kryesor për suksesin e Rilindjes Urbane 2.0 dhe për afrimin e Shqipërisë me standardet evropiane të qeverisjes vendore.

Fjalë kyçe: Rilindja Urbane, decentralizim fiskal, qeverisje vendore, investime publike, buxhetim sipas performancës, subsidiaritet, autonomi vendore, zhvillim territorial, qeverisje e bazuar në rezultate, transparencë dhe llogaridhënie, Shqipëri.

JEL Codes: D73, H70, H71, H72, H76, O18, R58, P35