6.7 miliardë Euro në vit kostoja e padukshme e korrupsionit që po frenon Ballkanin Perëndimor

6.7 miliardë Euro në vit kostoja e padukshme e korrupsionit që po frenon Ballkanin Perëndimor

“Indeksi i Kostos së Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor 2025” është publikimi i parë rajonal i këtij lloji i realizuar nga ALTAX Observatory, i cili ndërton për herë të parë një instrument analitik që mat jo vetëm perceptimin e korrupsionit, por koston reale ekonomike që korrupsioni i imponon vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përmes WB6 Corruption Cost Index (WB6-CCI), ALTAX sjell një qasje të re rajonale që e trajton korrupsionin si një taksë të fshehtë mbi zhvillimin ekonomik, produktivitetin institucional dhe potencialin afatgjatë të rritjes.

Korrupsioni në rajon është trajtuar tradicionalisht si një problem etik, juridik apo reputacional.
Edhe pse këto dimensione mbeten të rëndësishme, ato nuk arrijnë të shpjegojnë plotësisht dëmin ekonomik strukturor që korrupsioni prodhon çdo vit mbi ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, publikimi ngre një pyetje thelbësore, jo pse korrupsioni ekziston, por se sa euro i kushton ai ekonomisë rajonale dhe si ndikon mbi të ardhmen ekonomike të rajonit.

WB6 Corruption Cost Index ndërtohet pikërisht për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.
Instrumentet ekzistuese ndërkombëtare, si Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International, BEEPS i BERZH-it apo Treguesit e Qeverisjes Botërore, ofrojnë perspektiva të rëndësishme mbi perceptimin e korrupsionit dhe cilësinë institucionale përtej ballkanit Perënmdimor.
Megjithatë, ato nuk arrijnë të prodhojnë një vlerësim monetar të humbjeve ekonomike dhe nuk identifikojnë mekanizmat konkretë përmes të cilëve korrupsioni dëmton zhvillimin. WB6-CCI mbush këtë boshllëk, duke e zhvendosur analizën nga dimensioni perceptues drejt matjes ekonomike të kostos reale të korrupsionit.

Arkitektura analitike e indeksit është ndërtuar mbi qasje të përdorura në diagnostikimin e qeverisjes nga FMN, OECD dhe Banka Botërore, duke e ngritur analizën nga një commentary institucional në një vlerësim makroekonomik strukturor. Në këtë kuadër, korrupsioni trajtohet si faktor që redukton produktivitetin ekonomik, rrit kostot operative të biznesit, dobëson eficiencën e financave publike, pengon investimet dhe ul potencialin zhvillimor të rajonit.
Synimi i ALTAX është që WB6-CCI të shndërrohet në instrumentin referues vjetor rajonal për institucionet europiane, organizatat ndërkombëtare, donatorët, mediat investigative dhe politikëbërësit.

Sipas skenarit mesatar referues të WB6-CCI 2025, korrupsioni i kushton rajonit të Ballkanit Perëndimor deri në 6.7 miliardë euro çdo vit, ekuivalente me 3.5–4.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto rajonal.
Serbia përfaqëson riskun më të madh absolut, duke mbajtur rreth 48% të kostos totale rajonale, ose afërsisht 3.2 miliardë euro në vit, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina paraqet riskun institucional më kritik si rezultat i fragmentimit të saj të thellë qeverisës dhe administrativ.

Studimi evidenton gjithashtu se korrupsioni strukturor i kushton rajonit 0.8–1.4 pikë përqindje rritje reale të PBB-së çdo vit. Nëse trendi aktual vazhdon pa reforma të thella, deri në vitin 2035 ekonomitë e rajonit mund të humbasin në mënyrë kumulative 18–28 miliardë euro GDP të pafituara, një kosto që publikimi e konsideron ekuivalente me humbjen e një brezi të tërë zhvillimi ekonomik.

Një dimension tjetër kritik që trajton publikimi është largimi strukturor i kapitalit njerëzor. Çdo vit, rreth 40,000–60,000 të rinj me arsim të lartë (neto) pakësohen nga rajoni, duke gjeneruar një humbje të kapitalit njerëzor me vlerë 2–3 miliardë euro në vit. Sipas analizës, kjo humbje mbetet pothuajse e papasqyruar në statistikat zyrtare fiskale dhe buxhetore, megjithëse ndikimi i saj mbi produktivitetin dhe potencialin afatgjatë të zhvillimit është thelbësor.

Publikimi analizon gjithashtu paaftësinë relative të vendeve të rajonit për të absorbuar në mënyrë efektive fondet europiane. Sipas WB6-CCI, rajoni absorbon vetëm 45–55% të potencialit të disponueshëm të fondeve europiane, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina regjistron nivelin më të ulët, me vetëm 35–40% absorbim. Humbja efektive ekonomike, duke përfshirë efektin e multiplikatorit fiskal, vlerësohet të arrijë 1.3–2.4 miliardë euro GDP çdo vit.

Një nga konkluzionet më të forta të publikimit është se Ballkani Perëndimor mbetet 8–22 vite larg konvergjencës me standardet europiane të qeverisjes dhe integritetit institucional. Diferenca prej rreth 25 pikësh në treguesit e korrupsionit midis rajonit dhe mesatares së Bashkimit Europian përkthehet në deri 13,400 euro GDP potencial të pafituar për çdo qytetar të rajonit deri në vitin 2035.

Megjithatë, publikimi thekson se lufta kundër korrupsionit nuk duhet parë vetëm si domosdoshmëri politike apo morale, por si investimi ekonomik me kthimin më të lartë strategjik për rajonin. Sipas modelimit të WB6-CCI, çdo euro e investuar në mënyrë efektive në reforma anti-korrupsion mund të gjenerojë 3–5 euro shtesë PBB në afat dhjetëvjeçar.

“Indeksi i Kostos së Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor 2025” përfaqëson kështu një përpjekje të parë për të ndërtuar një instrument të matshëm ekonomik mbi ndikimin real të korrupsionit në rajon.
Përmes një metodologjie të integruar ekonomike dhe institucionale, publikimi synon të krijojë një bazë të re debati publik dhe politik mbi koston reale të qeverisjes së dobët, pengesat e zhvillimit dhe nevojën për reforma strukturore në Ballkanin Perëndimor.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.