Fiskalizimi si teknologji me pritshmëri të mëdha dhe një transformim që ende nuk ka ndodhur
Kur Shqipëria nisi fiskalizimin, pritshmëritë ishin të mëdha. Reforma u prezantua si ndërhyrja që do të mbyllte kapitullin e informalitetit kronik, do të ulte evazionin fiskal dhe do të vendoste një marrëdhënie të re besimi midis shtetit dhe tatimpaguesit. Në letër, gjithçka dukej bindëse: faturim elektronik, raportim në kohë reale dhe një administratë tatimore më moderne, më e shpejtë dhe më pak e varur nga ndërhyrja njerëzore.
Por pas disa vitesh zbatim real, veçanërisht nga viti 2022 e në vijim lind nevoja për një pyetje më të ftohtë dhe më të sinqertë: çfarë ka ndryshuar realisht dhe çfarë jo?
Në thelb, fiskalizimi është ndërhyrja më e thellë teknologjike në sistemin tatimor shqiptar gjatë dekadës së fundit. Ai synoi të adresojë tri dobësi strukturore të trashëguara, si: informalitetin e lartë, kontrollin e bazuar në prani fizike dhe mungesën e gjurmueshmërisë së transaksioneve.
Megjithëse u lançua ligjërisht në vitin 2021, ndikimi real fillon nga viti 2022, kur përdorimi i sistemit u bë praktikisht i detyrueshëm për shumicën e bizneseve. Kjo e bën analizën sot më kuptimplote, sepse nuk jemi më përballë premtimeve, por përballë rezultateve.
Nga pikëpamja teknike, fiskalizimi ka funksionuar.
Ai ka standardizuar komunikimin mes bizneseve dhe administratës tatimore, ka krijuar një rrjedhë të vazhdueshme informacioni dhe ka reduktuar mundësinë për manipulim bazuar në perceptime të pasakta.
Automatizimi i faturimit ka ulur ndërhyrjen diskrecionale në disa procese dhe ka rritur ndjesinë e kontrollit.
Por ky përparim teknik nuk është shndërruar automatikisht në përparim institucional.
Përshtatja ka qenë e pabarabartë. Bizneset e mëdha dhe subjektet urbane janë përshtatur relativisht shpejt, shpesh sepse kishin tashmë sisteme të dixhitalizuara. Në anën tjetër, bizneset e vogla, veçanërisht në zona periferike janë përballur me kosto shtesë, mungesë kapacitetesh dhe varësi nga ndërmjetës teknikë.
Për shumë prej tyre, fiskalizimi nuk u perceptua si mjet modernizimi, por si një detyrim formal për të shmangur penalitete.
Në plan krahasues rajonal, Shqipëria ka bërë përparim në raport me vende me informalitet të ngjashëm, por mbetet pas atyre që e kanë shoqëruar fiskalizimin me auditime të bazuara në risk dhe përdorim inteligjent të të dhënave.
Në këto raste, teknologjia nuk shërben thjesht për të mbledhur informacion, por për të ndryshuar mënyrën se si kontrollohet dhe vlerësohet sjellja tatimore.
Ndikimi në të ardhurat tatimore ka qenë real, por duhet lexuar pa iluzione.
Pas vitit 2022, raporti i të ardhurave tatimore ndaj PBB-së është rritur, veçanërisht për TVSH-në dhe tatimet indirekte. Fiskalizimi ka ndihmuar në zgjerimin e bazës deklaruese dhe në reduktimin e nën-deklarimit në sektorë me qarkullim të shpejtë monetar.
Në këtë kuptim, ai ka dhënë rezultate konkrete.
Por kjo rritje nuk është ekskluzivisht produkt i fiskalizimit. Inflacioni, rritja e çmimeve, rimëkëmbja pas pandemisë dhe masa të tjera fiskale shtrënguese kanë luajtur rol të rëndësishëm.
Fiskalizimi ka qenë një kontributor i rëndësishëm, por jo faktori transformues për ndryshimin e strukturës së sistemit tatimor. Ndikimi i tij ka qenë më shumë në disa ndryshime të vogla, sesa sistemik.
Këtu shfaqet një nga problemet më thelbësore, që tregon mënyrën se si matet suksesi.
Performanca vazhdon të vlerësohet kryesisht përmes realizimit ose tejkalimit të planit buxhetor. Por arritja e objektivave të të ardhurave nuk është e njëjtë me uljen e evazionit. Nëse nuk ka matje të rregullta të hendekut tatimor, si dhe analiza sektoriale dhe transparencë mbi zonat problematike, me gjasa rritja e arkëtimeve mund të krijojë vetëm një iluzion suksesi.
Në praktikë, fiskalizimi ka ndikuar më shumë në sjelljen procedurale sesa në atë strukturore.
Ai ka rritur perceptimin e kontrollit dhe ka ulur shkeljet e vogla dhe spontane. Por ka pasur ndikim shumë më të kufizuar në skemat komplekse të shmangies, në zinxhirët e furnizimit me fatura fiktive dhe në trajtimin selektiv të tatimpaguesve përmes rimbursimeve.
Sistemi prodhon më shumë të dhëna, por jo domosdoshmërisht më shumë drejtësi fiskale.
Në këtë pikë bëhet e domosdoshme të analizohet raporti kosto–përfitim i fiskalizimit.
Reforma nuk ka qenë neutrale financiarisht. Ajo ka kërkuar investime të konsiderueshme publike në infrastrukturë teknologjike, zhvillim platformash, mirëmbajtje sistemesh, trajnime dhe mbështetje operative.
Paralelisht, bizneset, veçanërisht ato të voglat kanë përballuar kosto për pajisje, softuerë, licenca, konsulencë teknike dhe ndërprerje operative gjatë tranzicionit, përfshirë edhe anomalitë dhe ndërprerjet edhe aktualisht në 2026.
Këto kosto do të ishin plotësisht të justifikuara nëse fiskalizimi do të kishte prodhuar një ulje të qartë dhe të matshme të evazionit fiskal, rritje të besimit dhe një administratë më të drejtë dhe më të parashikueshme.
Por pas disa vitesh zbatim, pyetja mbetet e hapur: a janë përfitimet proporcionale me investimet e kryera?
Në terma të të ardhurave, rritja ekziston, por jo në nivelin që justifikon pretendimin për “ndryshim paradigme”.
Në terma të eficiencës, sistemi prodhon më shumë informacion, por jo domosdoshmërisht vendimmarrje më të mirë.
Në terma të kostos sociale, fiskalizimi ka rritur barrën administrative për subjektet e vogla, pa u shoqëruar me lehtësime reale apo stimuj për pajtueshmëri afatgjatë.
Akoma më problematike është çështja e korrupsionit.
Investimi në teknologji nuk e ka eliminuar atë, siç u premtua.
Përkundrazi, perceptimi publik dhe sinjalet nga terreni sugjerojnë se korrupsioni nuk është zhdukur, por është transformuar dhe në disa raste është rritur.
Kur kontrolli formal automatizohet, hapësira për abuzim zhvendoset nga momenti i faturimit te fazat e interpretimit, përzgjedhjes për kontroll, rimbursimit dhe trajtimit preferencial të subjekteve.
Teknologjia kufizon kontaktin e drejtpërdrejtë, por nuk zëvendëson integritetin institucional.
Për këtë qëllim duhen mekanizma të fortë llogaridhënieje, transparencë në analizën e riskut dhe ndëshkim real të abuzimit administrativ, pasi ndodh si faktet që i vuajnë bizneset e vogla e të mesme, që sistemi dixhital mund të shërbejë si mbulesë moderne për praktika të vjetra. Fiskalizimi ka reduktuar disa forma të korrupsionit të vogël, por nuk ka prekur korrupsionin strukturor, i cili është edhe më i kushtueshmi për ekonominë.
Kjo e thellon hendekun midis objektivave të shpallura dhe rezultateve reale.
Fiskalizimi u promovua si mjet për të ulur evazionin, për të rritur transparencën, për të forcuar besimin dhe për të krijuar një fushë loje të barabartë. Sot, këto objektiva janë përmbushur vetëm pjesërisht. Evazioni nuk është zhdukur, por është bërë më selektiv dhe më i sofistikuar. Transparenca është rritur në nivel teknik, por jo në nivel vendimmarrjeje. Besimi i bizneseve mbetet i ulët dhe ndjenja e pabarazisë fiskale vazhdon.
Në përfundim, fiskalizimi në Shqipëri ka sjellë përmirësime reale, por nuk ka prodhuar transformim fiskal.
Ai ka ndihmuar në rritjen e të ardhurave dhe në formalizimin e pjesshëm të ekonomisë urbane, por nuk ka ndryshuar ende thelbin e marrëdhënies mes shtetit dhe tatimpaguesit. Në kontekstin e integrimit europian, fiskalizimi është një hap i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm.
Sistemi ka kërkuar reforma plotësuese në auditim, matje reale të evazionit dhe llogaridhënie institucionale dhe në një mungesë të caktuar të tyre potenciali i tij ka mbetur i pashfrytëzuar.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.