Tranzicioni i statusit dhe arkitektura reale e portofolit të investimeve publike në Shqipëri

Tranzicioni i statusit dhe arkitektura reale e portofolit të investimeve publike në Shqipëri

Analiza e 30 projekteve të përputhura plotësisht mes dy Dokumenteve të Planifikimit të Projekteve (DPP 2026–2028 dhe 2027–2029)[1] ofron një dritare të qartë mbi mënyrën se si funksionon realisht sistemi i investimeve publike në Shqipëri. Ky kampion, që përfaqëson rreth një të katërtën e portofolit total është përtej fotografimit statistikor dhe shërben si një diagnozë dinamike e ciklit të jetës së projekteve publike, nga konceptimi deri te maturimi dhe potenciali i zbatimit.

Ajo që del menjëherë në pah është një inercí strukturore, ku 73% e projekteve nuk ndryshojnë status nga një periudhë në tjetrën. Ky nivel i lartë stagnimi nuk mund të shpjegohet me faktorë të rastësishëm apo vonesa teknike të izoluara. Përkundrazi, ai reflekton një kufizim sistemik të kapacitetit institucional për të çuar përpara projektet në ciklin e tyre të maturimit. Projekte strategjike si hekurudhat ndërkombëtare, korridoret kryesore rrugore apo investimet madhore në energji mbeten të bllokuara në të njëjtin nivel për vite me radhë, duke e kthyer portofolin nga një instrument zhvillimi në një inventar statik projektesh.

Në kontrast me këtë stagnim të gjerë, vetëm 20% e projekteve arrijnë të përmirësojnë statusin e tyre. Por edhe këtu modeli është selektiv dhe domethënës. Përparimi ndodh kryesisht në projekte me kompleksitet relativisht të ulët, si digjitalizimi i shërbimeve publike, zgjerimi i rrjeteve IT apo sisteme të menaxhimit inteligjent të transportit. Këto projekte kanë një karakteristikë të përbashkët janë më të lehta për t’u strukturuar financiarisht, kanë varësi më të ulët nga koordinimi ndërinstitucional dhe kërkojnë më pak ndërveprim me faktorë të jashtëm si marrëveshjet ndërkombëtare apo tregjet globale. Kjo sugjeron se sistemi aktual favorizon projekte “të realizueshme shpejt”, por jo domosdoshmërisht ato me impaktin më të lartë ekonomik dhe strategjik.

Në anën tjetër të spektrit qëndrojnë projektet që përkeqësojnë statusin e tyre. Edhe pse përbëjnë vetëm 7% të kampionit, rëndësia e tyre është disproporcionale. Rënia e statusit të projekteve si TEC Vlora apo interkoneksioni HVDC Vlorë–Brindisi nuk është thjesht një vonesë administrative. Ajo sinjalizon një krizë më të thellë të fizibilitetit strategjik në sektorin energjetik. Këto projekte janë të ekspozuara ndaj pasigurive gjeopolitike, ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe riorientimit të politikave pas krizës energjetike europiane të vitit 2022. Pra, downgrade-i nuk është dështim operacional, por korrigjim i detyruar i një ambicieje që nuk mbështetet më nga realiteti ekonomik dhe strategjik.

Kur kjo analizë e tranzicionit vendoset në kontekstin më të gjerë të strukturës sektoriale të portofolit, del në pah problemi themelor i përqendrimit të lartë në disa sektorë dhe neglizhimi i të tjerëve. Transporti rrugor dhe energjia dominojnë mbi gjysmën e vlerës totale të investimeve, duke krijuar një ekspozim të lartë ndaj risqeve të vonesave dhe mbikostove. Veçanërisht sektori energjetik paraqet një kontradiktë të forte, ku nga njëra anë është prioritar dhe voluminoz, por nga ana tjetër ka nivelin më të lartë të projekteve të pamaturuara, duke e bërë pipeline-in e tij thelbësisht të pasigurt.

Në kontrast të fortë qëndron sektori i digjitalizimit, ku shumica e projekteve janë tashmë të maturuara plotësisht. Ky sektor funksionon si një “provë koncepti” për systemin. Kur projektet janë të qarta, të strukturuara mirë dhe të mbështetura financiarisht, ato avancojnë. Kjo nënkupton se problemi nuk është mungesa e kapacitetit në mënyrë absolute, por shpërndarja dhe përdorimi joefektiv i tij në projekte me kompleksitet të lartë.

Ndërkohë, sektori social (arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi social) mbetet i nënfinancuar në mënyrë kronike, me një peshë shumë më të ulët se standardet rajonale dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Ky hendek nuk është vetëm çështje prioritetesh politike, por ka implikime të drejtpërdrejta në produktivitetin afatgjatë të ekonomisë dhe në kohezionin social.

Një dimension tjetër kritik është mënyra se si projeket e reja futen në portofol. Shtimi i projekteve të reja direkt në statusin “i pamaturuar”, pa kaluar ciklin e plotë të vlerësimit dhe filtrimit, tregon për ekzistencën e një “pipeline artificial”. Institucionet vazhdojnë të prodhojnë projekte të reja pa një bazë të konsoliduar teknike dhe financiare, duke rritur diferencën mes ambicies dhe kapacitetit real. Kjo është veçanërisht e dukshme në projektet energjetike dhe ato të inovacionit, ku ambicia strategjike nuk shoqërohet me infrastrukturën institucionale dhe tregtare të nevojshme.

Kur të gjitha këto elemente bashkohen në një analizë financiare, problemi bëhet edhe më i qartë. Portofoli total i investimeve është më shumë se dyfishi i kapacitetit real financiar të vendit. Ky mbiprogramim krijon një iluzion zhvillimi, por në praktikë prodhon presion mbi borxhin publik, rrit detyrimet kontingjente dhe zvogëlon hapësirën fiskale për politika të tjera prioritare. Në të njëjtën kohë, kapaciteti historik i ekzekutimit tregon se edhe projektet e maturuara kërkojnë shumë më tepër kohë për t’u realizuar sesa parashikohet, duke e bërë planifikimin aktual thelbësisht jorealist.

Në nivel makroekonomik, kjo situatë përkthehet në një zinxhir efektesh negative. Mbiprogramimi ushtron presion mbi borxhin, rritja e borxhit kufizon hapësirën fiskale, kufizimi fiskal redukton investimet sociale dhe në fund, kjo ndikon negativisht në rritjen ekonomike dhe mirëqenien. Paralelisht, kapaciteti i kufizuar administrativ i shtetit, kur mbingarkohet me një portofol të tejzmadhuar, krijon efektin e “crowding-out”, duke penguar edhe investimet private.

Në thelb, problemi nuk qëndron vetëm te cilësia e projekteve individuale, por te mënyra se si funksionon vetë sistemi. Ai prodhon një cikël të mbyllur ku mbiprogramimi çon në mungesë prioritizimi. Mungesa e prioritizimit çon në hyrje të projekteve të pamaturuara. Këto projekte ngecin dhe ngecja e tyre justifikon shtimin e projekteve të reja. Rezultati është një portofol që rritet në volum, por jo në realizueshmëri.

Zgjidhja, për rrjedhojë, nuk mund të jetë thjesht teknike. Ajo kërkon një ndryshim të rregullave të lojës me vendosjen e një tavani fiskal detyrues për portofolin, krijimin e një ndarjeje të qartë mes projekteve prioritare dhe atyre rezervë, lidhjen e çdo projekti me një burim real financimi dhe me ndalimin e hyrjes së projekteve pa analiza të plota fizibiliteti. Po aq e rëndësishme është ngritja e një kapaciteti institucional të pavarur për filtrimin dhe monitorimin e projekteve, si dhe rritja e transparencës përmes raportimit të rregullt publik. Përvoja ndërkombëtare tregon se këto reforma janë të realizueshme dhe japin rezultate brenda një horizonti relativisht të shkurtër kohor. Por pa një ndërhyrje të tillë strukturore, sistemi aktual do të vazhdojë të prodhojë më shumë projekte sesa mund të realizojë duke e mbajtur zhvillimin ekonomik në nivel potencial, por jo real.


[1] Permbledhje e raportit Analizë e portofolit të investimeve publike

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.