Vendosja e sanksioneve ndaj NIS në Serbi dhe ndikimet brenda dhe jashtë Serbisë
Vendosja e sanksioneve nga SHBA ndaj industrisë së naftës në pronësi ruse në Serbi (kompania serbe NIS (Naftna Industrija Srbije), pritet të ketë ndikime të konsiderueshme në industrinë e naftës në Ballkan.
Sanksionet ndaj industrisë së naftës ruse dhe kompanisë serbe NIS do të kenë një efekt zinxhir në industrinë e energjisë në Ballkan, por kryesisht në Serbi duke përfshirë rritjen e kostove, sfidat në furnizim dhe ndikimet politike.
Sanksionet e vendosura ndaj NIS, një nga kompanitë më të rëndësishme në Serbi, duke qenë një kontribues i madh në të ardhurat kombëtare përmes taksave dhe eksportit të produkteve të naftës, mund të shkaktojnë ndërprerje në prodhim, zinxhirët e furnizimit dhe rritje të çmimeve të energjisë.
Investimet e reja nga NIS, sidomos në teknologji dhe zgjerim, mund të pezullohen për shkak të kufizimeve financiare dhe teknologjike.
Serbia mund të detyrohet të diversifikojë furnizuesit e saj të energjisë, duke kërkuar alternativa për NIS dhe duke rritur importet nga vendet e tjera, çka mund të rezultojë më e shtrenjtë.
Të ardhurat nga taksat e paguara nga NIS do të reduktohen ndjeshëm. Kjo do të ndikojë negativisht buxhetin e Serbisë, pasi NIS kontribuon ndjeshëm në të ardhurat e shtetit. Po ashtu, NIS punëson mijëra njerëz në Serbi. Reduktimi i aktivitetit të kompanisë mund të çojë në pushime nga puna dhe rritje të papunësisë. Po ashtu, pasojat në një nivel të caktuar do të ndihen edhe për gjeopolitikën dhe ekonominë ruse.
Rusia, përmes Gazprom dhe Gazprom Neft, ka kontroll të madh mbi NIS dhe e përdor kompaninë si një mjet strategjik në rajonin e Ballkanit.
Për Rusinë, Ballkani është një zonë strategjike për ndikimin ekonomik dhe politik. Reduktimi i fuqisë së NIS do të dobësojë ndikimin e saj në rajon dhe do të kufizojë kapacitetin për të ushtruar presion ekonomik.
NIS është një burim i rëndësishëm të ardhurash për kompanitë ruse. Kufizimet mbi NIS do të ndikojnë negativisht bilancet e këtyre kompanive.
Sanksionet do ta izolojnë gjithnjë e më shumë ekonominë ruse nga tregjet ndërkombëtare. Kjo do të çojë në ulje të investimeve dhe teknologjive nga jashtë.
Kjo situatë mund të përshpejtojë diversifikimin energjetik dhe investimet në burime të rinovueshme, por do të kërkojë mbështetje të madhe ndërkombëtare për të minimizuar pasojat e menjëhershme ekonomike dhe sociale në rajon.
Kompania NIS, e kontrolluar në pjesën më të madhe nga Gazprom Neft[1] (me pronësi shtetërore ruse), është një nga lojtarët kryesorë në tregun e naftës në Ballkan, veçanërisht në Serbi, Bosnje dhe rajone të tjera. Sanksionet mund të kufizojnë aksesin e kompanisë në teknologji, kapital dhe burime ndërkombëtare, duke vështirësuar operacionet dhe furnizimet.
Gjysma e vendeve të Ballkanit Perëdnimor[2] kanë një varësi të moderuar deri në nivele të larta nga nafta dhe gazi rus nëpërmjet Serbisë dhe nisur nga ky vendim mund të përballen me mungesa të përkohshme ose çmime më të larta të karburanteve, derisa të gjenden burime alternative.
Kufizimi i furnizimeve nga NIS mund të rrisë kostot e prodhimit dhe të importit të naftës dhe nënprodukteve të saj në Ballkan. Si pasojë, çmimet e karburanteve për konsumatorët e zakonshëm dhe bizneset mund të rriten.
Kjo mund të shkaktojë inflacion të mëtejshëm në rajon, duke ndikuar sektorë të tjerë si transporti, bujqësia dhe industria.
Shtysë për ndryshim në Ballkan?
Sanksionet mund të detyrojnë vendet e Ballkanit të kërkojnë burime alternative furnizimi për naftë dhe gaz, si nga tregjet e BE-së, Lindjes së Mesme ose SHBA. Kjo mund të përshpejtojë përpjekjet për të reduktuar varësinë nga Rusia.
Gjetja e burimeve të reja mund të kërkojë kohë dhe investime të mëdha në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin e terminaleve LNG, tubacioneve të reja dhe marrëveshjeve afatgjata me furnizues të rinj.
Serbia, si një nga aleatët më të afërt të Rusisë në rajon, mund të ndodhet nën presion të shtuar për të distancuar veten nga ndikimi rus në industrinë e energjisë. Kjo mund të çojë në tensione të reja politike brenda vendit dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Ky vendim, i cili lidhet me vendime të tjera të motivuara politikisht nxitin padyshim përshpejtimin e tranzicionit energjetik
Kriza energjetike e krijuar nga sanksionet mund të inkurajojë vendet e Ballkanit të investojnë më shumë në energji të rinovueshme dhe efikasitet energjetik. Kjo do të ndihmonte në reduktimin e varësisë nga nafta dhe gazi.
Investimet në energji të gjelbër kërkojnë kohë dhe mbështetje financiare që shumë vende të Ballkanit mund të mos e kenë në periudhë afatshkurtër.
Sanksionet e vendosura nga SHBA ndaj industrisë së naftës ruse dhe përfshirja e kompanisë serbe NIS (Naftna Industrija Srbije), në një analizë më të ngushtë rajonale do të kenë ndikim edhe mbi furnizimet dhe ekonominë e Kosovës.
Kosova importon pjesën më të madhe të naftës dhe derivateve të saj nga Serbia, ku NIS është një nga furnizuesit kryesorë. Sanksionet mund të pengojnë aftësinë e NIS për të importuar naftë të përpunuar nga Rusia, duke ulur furnizimet e saj dhe ndikuar në dërgesat drejt Kosovës.
Nëse NIS nuk arrin të përmbushë kërkesën për Kosovën, çmimet e karburanteve mund të rriten për shkak të nevojës për të gjetur furnitorë alternativë nga tregje të tjera, të cilët zakonisht janë më të shtrenjtë.
Çmimet më të larta të karburanteve do të ndikojnë në rritjen e kostove të transportit, çka mund të përshkallëzojë kostot për sektorët që varen nga logjistika, si ndërtimi, bujqësia dhe tregtia.
Çmimet e larta të karburanteve do të përkthehen në rritje të çmimeve për mallra dhe shërbime, duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe mirëqenien e përgjithshme ekonomike.
Në këto kushte deri diku me ndikim direkt:
– nëse furnizimet e Kosovës me naftë ndërpriten për shkak të sanksioneve ndaj NIS, kjo mund të krijojë tensione të reja politike dhe ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Një situatë e tillë mund të përkeqësojë marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve dhe të nxisë destabilitet rajonal.
Kosova mund të jetë e detyruar të diversifikojë furnizuesit e saj të naftës, duke u orientuar nga tregjet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut apo vende të tjera, por kjo mund të ketë kosto më të larta logjistike dhe çmime më të shtrenjta.
Është Shqipëria, e cila duhet të luajë një rol si furnizues alternativ për Kosovën, duke përdorur kapacitetet e saj të rafinimit dhe tregtisë për të mbushur vakumin që mund të krijohet nga mungesa e furnizimeve nga Serbia. Shqipëria si vendi më i afërt me Kosovën importon një pjesë të madhe të karburanteve nga ndërkombëtare dhe shumë më poak nga ato rajonale, përveç tregtisë ndërkufitare që nuk mban peshë në volumin tregtar të përgjithshëm.
Megjithëse të dy vendet me popullsi shqiptare kanë ende nivel mesatar të bashkëpunimit me tashmë ky vendim sanksionues për naftën ruse të përpunuar në Serbi, duhet të tejkalojë të tashmen për krijimin e një tregu të përbashkët energjetik.
Shqipëria ka burime të rëndësishme të naftës, kryesisht në Patos-Marinëz. Sanskionet mund të krijojnë një shtysë për të planifikuar dhe rritur kapacitetin e prodhimit vendas dhe përpunimin e naftës për të mbuluar një pjesë të kërkesës, një qasje kjo që në të kaluarën e afërt është vepruar në dëm të këtyre interesave gjeopolitike dhe ekonomike.
Për të minimizuar kostot e shkaktuara nga kufizimet ndaj industrisë ruse energjetike dhe për të siguruar stabilitet në furnizimet dhe ekonominë e Kosovës, duhen ndërmarrë masa strategjike, si afatshkurtra, po ashtu edhe afatgjata.
Më poshtë paraqiten disa rekomandime që nuk janë zbatuar mjaftueshëm deri më tani dhe që mund të adresojnë këto sfida.
Masat afatshkurtra lidhen direkt me diversifikimin e burimeve të furnizimit. Kjo qasje kërkon Marrëveshje emergjente me furnitorë alternative. Kosova duhet të sigurojë marrëveshje tregtare me vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Greqia për furnizimin me naftë dhe derivate të saj. Kjo mund të bëhet duke përdorur rrugë alternative logjistike për të shmangur varësinë nga Serbia. Nga ana tjetër, në raste të tilla nevojitet shfrytëzimi i kapaciteteve shqiptare. Porti i Durrësit dhe pjesërisht ai i Shëngjinit duhet të përdoren si pika hyrëse për naftë, duke forcuar në nivel politikash edhe bashkëpunimin strategjik me Shqipërinë.
Një shembull për tu ndjekur është Polonia, e cila më parë ishte shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse, nisi një strategji agresive të diversifikimit pas krizës energjetike të vitit 2009. Investoi në terminalin e gazit të lëngshëm (LNG) në Sëinoujscie, duke mundësuar importet nga vende të tjera si SHBA dhe Katari.
Edhe Kosova mund të përdorë portet e fqinjëve si Durrësi për importimin e naftës nga burime të tjera jashtë rajonit.
Ulja e tarifave doganore dhe tatimeve për produktet energjetike të importuara nga vendet fqinje dhe aleate mund të shihet si opsion afatshkurtër për të ulur kostot për konsumatorët, por gjithmonë bazuar mbi fizibilitetin e qasjes.
Në këto momente, nevojitet verifikimi dhe mbajtja e rezervave të emergjencës. Kosova në fakt duhet të kishte investuar në vite në zgjerimin dhe menaxhimin e rezervave strategjike të karburanteve për të përballuar situata të papritura dhe ndërprerje të furnizimeve. Ndërtimi i infrastrukturës për magazinimin dhe transportin e karburanteve është një qasje afatgjatë, por krijimi i pikave të reja magazinimi dhe përmirësimi i rrjeteve rrugore dhe hekurudhore për të lehtësuar importet nga fqinjët duhet të shihet tani, si një projekt afatshkurtër.
Një tjetër shembull për tu studiuar në këtë drejtim është rasti i vendeve të mëdha të BE-së. Pas fillimit të luftës në Ukrainë, BE-ja detyroi vendet anëtare të rrisin rezervat strategjike të gazit dhe karburanteve. Si rezultat, disa vende, si Gjermania dhe Franca, krijuan rezerva që mbulojnë mbi 90 ditë konsum kombëtar. Aktualisht, Kosova nuk ka rezerva të mëdha strategjike dhe mbështetet në importet ditore. Kjo e bën tregun të ndjeshëm ndaj ndërprerjeve.
Ndërtimi i infrastrukturës për magazinimin e naftës dhe gazit do të siguronte që vendi të përballojë ndërprerje të furnizimeve për të paktën disa muaj.
Në të njëtjën kohë nevojitet edhe një politikë e përkohshme për mbështetjen me kredi për furnizuesit lokalë, ndihmë logjistike dhe ripërcaktim kuadri rregullator, në rast se rezulton nga studimi se kanë pamundësi financiare dhe kapacitetesh fizike. Ofrimi i fondeve është jetik për operatorët e tregut që të sigurojnë sasi të mjaftueshme të produkteve energjetike.
Duke u nisur nga përvoja në situate të ngjashme, nevojitet që autoritetet financiare dhe rregullatore duhet të monitorojnë tregun për të parandaluar rritje të pajustifikuara të çmimeve nga tregtarët e naftës në lidhje me spekulime dhe informalitet.
Një shembull për tu analizuar për këtë masë është reagimi nga qeveria hungareze apo shqiptare, të cilat vendosën kufizime mbi çmimet e karburanteve për të mbrojtur konsumatorët gjatë krizës së 2022. Edhe pse masat ishin të diskutueshme, ato shmangën rritjen e menjëhershme të kostove për familjet dhe bizneset. Autoritetet e Kosovës mund të monitorojnë tregun dhe të kufizojnë spekulimet për të parandaluar rritje të pajustifikuara të çmimeve
Ky moment vlen të jetë pjesë edhe e një fushate për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe bizneseve mbi kursimin e energjisë dhe përdorimin e karburanteve.
Gjithsesi, pertej masave afatshkurtra, Kosova duhet të zhvillojë politikat afatgjata nën këndvështrimin emergjent, me ritëm më të shpejtë kapacitete shtesë për energji të rinovueshme si dielli, era dhe biomasa për të zvogëluar varësinë nga importi i karburanteve dhe fosileve për energji. Qasja drejt energjive të rinovueshme, Kosova e ka nisur me projekte të shumta për të shfrytëzuar energjinë diellore. Dy nga shembujt më të mëdhenj janë Ferma Diellore e Gjakovës dhe Ferma Diellore e Ferizajit, të cilat janë investime të mëdha në ndërtimin e sistemeve solare për prodhimin e energjisë elektrike. Ky sektor ka tërhequr investime të jashtme dhe ka mundësuar zhvillimin e kapaciteteve të energjisë diellore në rajon.
Studimi i fizibilitetit për ndërtimin e fermave të vogla energjetike ose bashkëpunimi rajonal me Shqipërinë për përpunimin e naftës duhet të riaktivizohet, me qëllim që të shterohen zgjidhjet oportune për të ardhmen dhe vijimësia e diversifikimit të burimeve energjetike.
Përfshirja e Kosovës, në gjithë politikat e saj afatgjata natyrisht që bazohen në iniciativat rajonale për siguri energjetike si pjesë e një strategjie më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Greqinë për importin e gazit përmes Korridorit të Adriatikut mund të jetë zgjidhje e qëndrueshme. Korridori i Gazit nga Azerbajxhani drejt Evropës përmes Turqisë është një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit rajonal për të diversifikuar burimet energjetike. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e këtij rrjeti përmes TAP (Trans Adriatic Pipeline). Kosova mund të përfitojë nga bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të hyrë në burime alternative energjie.
Krijimi i një strategjie rajonale për sigurinë energjetike dhe uljen e varësisë nga furnitorët individualë.
Këto qasje do të kërkojnë edhe rishikimin e Strategjisë për energjinë, planin e masave për energjinë dhe projektet e terminalit të gazit dhe përmirësimit të infrastrukturës dhe kapaciteteve të energjisë.
Ndërsa masat afatshkurtra mund të adresojnë emergjencën aktuale, strategjitë afatgjata janë thelbësore për të siguruar që Kosova të mos mbetet e ekspozuar ndaj krizave energjetike në të ardhmen. Kjo kërkon planifikim të mirëfilltë dhe investime të qëndrueshme për të reduktuar varësinë nga importet dhe për të krijuar një ekonomi më të qëndrueshme energjetike.
Në rastin kur Kosova ka varësi të caktuar nga importet e naftës nga Serbia, çmimi i karburanteve mund të ndikojë në kostot e jetesës. Çmimet e larta të naftës mund të shkaktojnë rritje të inflacionit, që do të ndikojë drejtpërdrejt tek qytetarët. Kjo mund të jetë një çështje e rëndësishme në fushatën zgjedhore, pasi qytetarët mund të kërkojnë politika që garantonin stabilitet të çmimeve të karburanteve.
Në një periudhë zgjedhjesh, varësia nga nafta serbe mund të bëhet një temë e nxehtë që do të ndihmojë në mobilizimin e elektoratit, veçanërisht atij që është i shqetësuar për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe pasigurinë energjetike.
Politikat populiste mund të përfshijnë kritikën e varësisë nga Serbia dhe ofrimin e premtimeve për të ulur varësinë energjetike dhe për të siguruar një rritje të mëtejshme të pavarësisë energjetike. Opozita mund të kërkojë një politikë më të ashpër ndaj Serbisë, duke përfshirë masat për të ndalur importet e naftës nga ky vend dhe të kërkojë alternativa të tjera.
Egziston rreziku, që partitë politike mund të përdorin këtë çështje për të nxitur ndjenja nacionaliste dhe për të krijuar një narrativë që Kosova duhet të dalë nga nën ndikimin e Serbisë dhe të sigurojë një të ardhme energjetike më të pavarur.
Çështja e energjisë është një nga aspektet e rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe. Nëse Serbia përdor furnizimin me naftë si një mënyrë për të ushtruar ndikim politik ndaj Kosovës, kjo mund të ndihmojë ose dëmtojë politikat e udhëheqësve që synojnë një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Pushteti aktual mund të përpiqet të shpjegojë nevojën për marrëveshje të thella me Serbinë për të garantuar furnizime, ndërsa opozita mund të kërkojë alternativa që do të ulte varësinë nga Serbia.
Nga ana tjetër, BE-ja dhe SHBA-ja mund të ushtrojnë presion për të mbështetur pavarësinë energjetike të Kosovës dhe për të kërkuar reforma të brendshme që do ta bëjnë Kosovën më pak të varur nga Serbia. Kjo mund të jetë një temë që partitë politike mund të përdorin në fushatat e tyre për të tërhequr mbështetje nga qytetarët që kërkojnë që Kosova të zhvillohet dhe të bëhet më e pavarur nga ndikimet e jashtme.
Nga gjithë ky parashtrim, mendojmë se për të siguruar një të ardhme energjetike të qëndrueshme dhe të pavarur, bazuar te e tashmja me dritë hijet e saj, Kosova duhet të rrisë përpjekjet për zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime.
[1] Kompania ruse zotëron 50 për qind të aksioneve në NIS, derisa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve dhe kompania Gazprom ka 6.15 për qind të aksioneve.
[2] Mali i Zi, tradicionalisht ka pasur lidhje të forta tregtare me Serbinë për furnizim me karburante, për shkak të lidhjeve historike dhe gjeografike.
Bosnjë – Hercegovina, ku pjesë të këtij vendi, si Republika Srpska, kanë marrëdhënie të ngushta me Serbinë për furnizim energjetik.
Maqedonia e Veriut, e cila një pjesë të furnizimeve me naftë dhe gaz vijnë nga Serbia përmes rrjeteve të transportit rajonal.
Kosova, për shkak të lidhjeve logjistike dhe varësisë nga infrastruktura rajonale, një pjesë e naftës vjen nga Serbia, ndonëse kjo ndikohet nga marrëdhëniet politike.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.