Udhëzimi Nr. 9/2026 për Tatimin mbi të Ardhurat dhe profesionistët e lirë

Udhëzimi Nr. 9/2026 për Tatimin mbi të Ardhurat dhe profesionistët e lirë

Ministria e Financave ka publikuar Udhëzimin Nr. 9, datë 12.03.2026, i cili sjell ndryshime dhe saktësime të rëndësishme në zbatimin e Udhëzimit të Përgjithshëm Nr. 26, datë 8.9.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Ky akt është pjesë e harmonizimit me Ligjin Nr. 81/2025 dhe synon të rrisë qartësinë, drejtësinë dhe sigurinë juridike në trajtimin tatimor të disa kategorive të të ardhurave, duke përfshirë profesionistët e lirë, individët e vetëpunësuar, artistët jorezidentë dhe të ardhurat nga sponsorizimet.
Udhëzimi i ri hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke filluar nga data 2 prill 2026.

Nisur edhe nga analiza të ekspertëve seriozë, ky udhëzim merr shkas nga nevoja për të harmonizuar praktikat tatimore me realitetin ekonomik dhe për të siguruar një qasje më të drejtë dhe të qëndrueshme për profesionistët e lirë dhe individët me aktivitet të vetëpunësuar.

Artistët jorezidentë (Pika 8.9)
Ky udhëzim parashikon që artistët që nuk janë shtetas shqiptarë dhe hyjnë për herë të parë për të ushtruar veprimtari artistike në Shqipëri konsiderohen jorezidentë tatimorë për 24 muaj. Pas përfundimit të periudhës, statusi përcaktohet sipas rregullave të përgjithshme.
Shembull
Një këngëtar nga Italia që zhvillon turne koncertesh në Tiranë për 18 muaj trajtohet si jorezident dhe tatohen vetëm të ardhurat me burim në Shqipëri. Një balerin spanjoll që merr pjesë në produksione teatrale dhe masterklase të përkohshme konsiderohet gjithashtu jorezident për periudhën e parashikuar.
Zgjidhja e udhëzimit të ri
Ky udhëzim siguron qartësi për periudhën e përjashtimit dhe dokumentacionin e nevojshëm që provon hyrjen dhe periudhën e qëndrimit, duke shmangur paqartësitë dhe kontestimet me administratën tatimore.

Të ardhurat nga sponsorizimet (Pika 11.10 dhe 40.1.1)
Për persona fizikë dhe entitete, përjashtohen nga tatimi vetëm të ardhurat që përputhen me kufijtë ligjorë dhe dokumentohen sipas kontratave dhe pagesave nga sponsorizuesi.
Shembull
Një sportist i ekipit kombëtar merr sponsorizim 1,200,000 lekë ku kufiri ligjor është 800,000 lekë. Vetëm 800,000 lekë trajtohen si të ardhura të përjashtuara, ndërsa pjesa mbetur tatohen. Një piktor i njohur merr sponsorizim nga një kompani për një ekspozitë dhe dokumenton të gjitha pagesat; vetëm shuma brenda kufirit përjashtohet nga tatimi.
Zgjidhja e udhëzimit të ri
Siguron që përjashtimet tatimore të bazohen në dokumentacion dhe rregulla të qarta, duke eliminuar arbitraritetin dhe mundësitë për interpretim të ndryshëm.

Vetëpunësimi i profesionistëve (Pika 12.8.1)
Udhëzimin nr. 26/2023, individët që merrnin më shumë se 80% të të ardhurave nga një klient ose 90% nga më pak se 3 klientë, klasifikoheshin automatikisht si punëmarrës. Ky mekanizëm penalizonte profesionistët e lirë që punonin me pak klientë të mëdhenj, përfshirë programues, gazetarë, mjekë privatë dhe konsulentë financiarë, duke i detyruar të paguanin tatime dhe kontribute më të larta.

Çfarë ndryshon me Udhëzimin Nr. 9/2026?

Individët e vetëpunësuar mund të vetëdeklarojnë statusin e tyre përmes formularit të posaçëm “Deklarata e Statusit të Vetëpunësuarit”.

Formulari dorëzohet pranë Drejtorisë Tatimore Rajonale brenda muajit mars së bashku me deklaratën vjetore të biznesit.

Administrata tatimore mund ta verifikojë më vonë duke analizuar kontrollin mbi punën, mjete të përdorura, rrezikun financiar dhe aftësinë për të deleguar ose zëvendësuar punën.

Shembuj të ndryshimit janë dy rastet tipike më poshtë:

Pavarësi e plotë. Një arkitekt i pavarur që zgjedh projektet, përdor softuer dhe pajisjet e veta, vendos ritmin dhe vendin e punës dhe merr pagesa sipas marrëveshjeve mbetet vetëpunësuar edhe nëse ka një klient kryesor. Një konsulent marketingu që menaxhon disa klientë ndërkombëtarë, përdor ekipin e tij dhe vendos oraret e punës, mbart rrezik financiar dhe klasifikohet gjithashtu si vetëpunësuar.

Varësi nga punëdhënësi. Një mjek që përdor aparaturat e spitalit, pacientët sigurohen nga institucioni dhe orari vendoset nga administrata, nuk mban rrezik financiar. Një inxhinier në kompani ndërtimi që përdor pajisjet dhe ndjek udhëzimet e punëdhënësit trajtohet si punëmarrës.

    Zgjidhja e udhëzimit të ri
    Ofron një qasje më të drejtë dhe fleksibile, duke u bazuar jo vetëm në përqindjen e klientëve, por në pavarësinë reale funksionale dhe ekonomike, duke rritur sigurinë juridike për profesionistët e lirë.

    Ndryshime dhe saktësime të tjera
    Kontributet në fondet e pensionit vullnetar përfshijnë qartësime mbi rolin e punëmarrësit dhe punëdhënësit.
    Terminologjia “mjete virtuale” zëvendësohet me kripto-aset.
    Janë bërë edhe disa rregullime teknike në deklarimin e EBITDA dhe fitimit para tatimit.

    Janë bërë edhe disa shtesa për situatat kur punëmarrësi ka më shumë se një punësim. Kjo do të thotë që individët që punojnë në dy ose më shumë vende pune ose kombinojnë punësim me aktivitet të vetëpunësuar nuk klasifikohen automatikisht sipas të ardhurave nga punësimi kryesor. Administrata tatimore tani vlerëson pavarësinë e secilit aktivitet, rrezikun financiar dhe kontrollin mbi mënyrën e punës për secilën marrëdhënie pune.
    Shembuj tipikë përmblidhen më poshtë:
    Një mjek që punon në spital si punëmarrës dhe në të njëjtën kohë ofron shërbime private në klinikën e tij konsiderohet punëmarrës për aktivitetin në spital dhe vetëpunësuar për aktivitetin privat, duke aplikuar tatimin dhe kontributet për secilin aktivitet sipas rregullave të përcaktuara.

    Një programues që punon si punonjës i një kompanie IT dhe zhvillon projekte të pavarura për klientë të ndryshëm trajtohet si punëmarrës për aktivitetin në kompani dhe si vetëpunësuar për projektet e tij të pavarura, duke ruajtur autonominë dhe duke aplikuar tatimin 15% mbi fitimet deri në kufirin ligjor.

    Një dizajner grafik që menaxhon tre klientë të mëdhenj dhe një projekt të vogël privat konsiderohet vetëpunësuar dhe paguan tatim 15% mbi fitimin deri në 14 milion lekë sipas lehtësive ligjore pa ri-klasifikim si punëmarrës, ndërsa një fotograf profesionist që merr projekte për evente dhe kompani të ndryshme mban autonomi dhe rrezik financiar dhe trajtohet gjithashtu si vetëpunësuar.

    Administrata tatimore ruan të drejtën e kontrollit dhe vlerësimit cilësor, duke garantuar që shmangiet tatimore të minimizohen.

    Praktikat e reja harmonizohen plotësisht me Ligjin Nr. 81/2025 dhe amendimet e tij, duke ofruar një qasje më të drejtë dhe fleksibile për individët realisht të pavarur.

    Qartësia dhe fleksibiliteti i ri sigurojnë një trajtim të drejtë fiskal dhe ruajnë mekanizmat e kontrollit për rastet e abuzimit, duke krijuar një sistem më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

    Në këtë mënyrë, Udhëzimi Nr. 9/2026 konsolidon praktikat tatimore, harmonizon legjislacionin me realitetin ekonomik, siguron autonominë e profesionistëve të lirë dhe individëve të vetëpunësuar dhe ruan instrumentet e administratës tatimore për vlerësim dhe kontroll, duke e bërë sistemin më të drejtë, fleksibël dhe të qëndrueshëm.

    Shpërndaje këtë postim

    Leave a Reply


    error:
    Rreth Politikës së Privatësisë

    Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.