Treguesit mbi tregun e punës në Shqipëri – Tremujori IV, 2024
Sipas të dhënave zyrtare mbi tregun e punës për tremujorin e katërt të vitit 2024 duket se ofrojnë disa sinjale të rëndësishme për ekonominë dhe politikat e punësimit në Shqipëri.
Më poshtë, pas një shqyrtimi të kujdesshëm dhe të parë në krahasim edhe me disa statistika të vendeve fqinje po prezantojmë disa komente mbi pikat kryesore të bazuara në këto statistika.
1. Tendencat e Punësimit tregojnë përmirësim, por jo të qëndrueshëm
Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç në tremujorin e katërt të vitit 2024 është 68,3%, duke shënuar një rritje vjetore prej 1,6 pikë përqindje. Megjithatë, në krahasim me tremujorin e tretë, punësimi ka rënë me 0,8 pikë përqindje. Kjo luhatje sugjeron një rritje vjetore pozitive, por një mungesë të stabilitetit tremujor, duke ngritur pikëpyetje mbi faktorët sezonalë apo të përkohshëm që ndikojnë në këtë tendencë.
Krahasuar me vitin 2023, sektori i industrisë ka pasur rritjen më të madhe (+3.6%), ndërsa bujqësia dhe shërbimet kanë parë rritje modeste. Sidoqoftë, në nivel tremujor, të tre sektorët kanë pësuar rënie, duke sugjeruar një ngadalësim të përgjithshëm të tregut të punës. Ky është një tregues që ekonomia po has në pengesa për të mbajtur normën e punësimit në rritje të qëndrueshme.
2. Papunësia duket se tregon sinjale përmirësimi të përziera
Shkalla e papunësisë është ulur në 8,8% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023 (-0,8 pikë përqindje), por është rritur krahasuar me tremujorin e tretë 2024 (+0,7 pikë përqindje). Kjo tregon se, ndonëse ka një përmirësim vjetor, rritja e papunësisë brenda vitit ngre shqetësime mbi qëndrueshmërinë e tregut të punës.
Një tjetër problem evident është papunësia e lartë tek të rinjtë (15-29 vjeç), e cila arrin në 19,1%. Edhe pse ka një rënie vjetore me 2,1 pikë përqindje, rritja tremujore (+1,4 pikë përqindje) tregon se të rinjtë përballen me sfida të vazhdueshme për gjetjen e vendeve të qëndrueshme të punës.
3. Pjesëmarrja në forcat e punës na tregon se hendeku gjinor vijon ende ti rëndojë familjeve dhe ekonomisë
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për grupmoshën 15-64 vjeç është 75,5%, me një rritje vjetore të moderuar (+1,2 pikë përqindje), por me një ulje tremujore (-0,4 pikë përqindje).
Megjithatë, diferenca midis burrave (82,2%) dhe grave (69,1%) mbetet e lartë, me një hendek prej 13,1 pikë përqindje. Kjo tregon se gratë ende përballen me barriera strukturore në tregun e punës, qoftë nga mungesa e politikave lehtësuese për angazhimin e tyre në punë apo nga ndikimi i roleve tradicionale gjinore.
4. Popullsia ekonomikisht Jo-aktive mbartet edhe në 2024 si një problematikë e nënvlerësuar nga tregu dhe politikat e qeverisë.
Pjesa e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (mosha 15-64 vjeç) vijon të jetë e lartë dhe ndikohet nga disa faktorë kryesorë:
- 17,8% e kësaj popullsie është e angazhuar në detyra shtëpiake.
- 10,6% është në pension apo pension të parakohshëm.
- 14,9% ndodhet në paaftësi të përhershme për punë.
Një tjetër element shqetësues është përqindja e të papunëve të dekurajuar (4,1%), të cilët nuk kërkojnë më punë pasi besojnë se nuk ka mundësi të disponueshme. Ky fenomen sugjeron një mungesë besimi në tregun e punës dhe është tregues i një ekonomie që nuk po krijon mjaftueshëm vende tërheqëse pune.
Krahasimi me vendet e rajonit
Duke e krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria vijon të ketë një shkallë më të ulët të papunësisë krahasuar me Maqedoninë e Veriut (~13%) dhe Bosnje-Hercegovinën (~14%), por më të lartë se Serbia (~7%). Përsa i përket shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës, Shqipëria ndodhet në mes të klasifikimit, por prapa Malit të Zi dhe Serbisë. Megjithatë, problemi kryesor që e veçon është hendeku i lartë gjinor dhe niveli i lartë i papunësisë së të rinjve.
Nga sa më lart, vërehet se:
Rritja ekonomike e paqëndrueshme po reflektohet në tregun e punës, ku pavarësisht përmirësimeve vjetore, tendencat tremujore tregojnë luhatje të theksuara.
Hendeku gjinor në punësim dhe pjesëmarrje në forcat e punës mbetet problematik, duke kërkuar politika të dedikuara për nxitjen e përfshirjes së grave.
Papunësia e të rinjve është një sfidë madhore, dhe tregu nuk po ofron punësim të qëndrueshëm për këtë kategori. Politikat për lidhjen më të fortë mes arsimit dhe tregut të punës janë të domosdoshme.
Papunësia e dekurajuar dhe popullsia ekonomikisht jo-aktive sinjalizojnë nevojën për reforma më të thella në tregun e punës dhe rritjen e investimeve në sektorë me potencial punësimi afatgjatë. Ndërsa treguesit sugjerojnë përmirësime të moderuara, struktura e tregut të punës në Shqipëri mbetet ende problematike, duke kërkuar ndërhyrje më të fokusuara për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të punësimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.