Transparenca tatimore: Nga kush dhe për kë?

Transparenca tatimore: Nga kush dhe për kë?

Besimi që ndërton një kompani karshi klientëve dhe aksionerëve të saj është në ditët e sotme tema më kritike për diskutim publik. Pjesa kryesore e besimit që percepton publiku për kompanitë janë tatimet që ato paguajnë si pjesë e detyrimit korrekt për ekonominë. Publiku po e kërkon me forcë këtë transparencë nga të gjitha kompanitë që kanë impakt publik, por edhe te kompanitë që kanë një traditë dhe një emër në vendet e tyre. Pa këtë cilësi të re të quajtur transparencë tatimore kompanitë nuk e kanë më të lehtë si më përpara të jenë liderë të tregut vendas dhe ndërkombëtar.

Debatet e viteve të fundit mbi “taksën e ndershme” e kanë futur dialogun e publikut me biznesin në dimensionin e informimit fiskal mbi ndershmërinë fiskale të biznesit. Dhe publiku pret përgjigjen e kompanive.

Plani i Veprimit mbi Erozionin e bazës tatimore dhe Transferimit së Fitimit (EBTF), apo i quajtur në literaturën e huaj si “Base Erosion and Profit Shifting” (BEPS), i miratuar nga OECD dhe vendet e G20 në vitin 2013 pranoi se rritja e transparencës për administratat tatimore duke u ofruar atyre informacion të mjaftueshëm për të vlerësuar nivelin e lartë të transferimit të çmimit dhe BEPS rreziqe të tjera të lidhura me EBTF është një aspekt i rëndësishëm për trajtimin e problemeve që kalojnë këto vende.

NË vijimësi të koordinimit botëror për të luftuar shmangien tatimore dhe për të ndikuar në një rishpërndarje të të ardhurave duke u bazuar mbi juridiksione ndërkombëtare që shkojnë përshtat me përhapjen e shoqërive ndërkombëtare, prej të paktën dy vitet e fundit është përhapur në vendet kryesore në Evropë nisma për transparencën Tatimore.

Një nga çështjet që përfshihen në raportimin e shoqërive të mëdha, detyrimet tatimore tërheqin vëmendje më të madhe të medias dhe publikut. NË këtë kohë të vështirësive dramatike të financave publike dhe të një rritje të borxhit publik vit pas viti interesi publik nuk ka qenë ndonjëherë më i përqëndruar te politikat qeveritare ndaj barrës tatimore dhe transparencës së saj. Publiku dhe shoqëria civile e përforcuar nga media kanë kohë që kërkojnë të njihen në një transparencë të plotë nëse kompanitë e huaja dhe vendase janë duke paguar shumën e saktë të tatimeve dhe nëse paguajnë të gjitha tatime.

Në këtë klimë të re të krijuar në botën e zhvilluar, çështja e transparencës po bëhet një temë e reputacionit të markave tregtare që lidhen me kompanitë që i mbajnë të drejtat e tyre. Disa nga kompanitë më të mëdha botërore janë duke e shndërruar transparencën në favor të biznesit të tyre duke e shndërruar në një standart të ri faktin e të qenurit sa më transparent në raport me publikun e gjerë, ku janë edhe pjesa më e madhe e konsumatorëve të mallrave dhe shërbimeve të tyre.

Raportimi fiskal është duke pësuar ndryshime ligjore nga njeri vend në tjetrin. Transparenca tatimore nuk është duke përmirësuar detajet teknike të raportimit, por është duke përmirësuar vizionin e hapjes së kompanive ndaj publikut me një qasje më të mirë të strategjisë tatimore, menaxhimit të rriskut dhe efektit të menaxhimit financiar.

Por a ka arsye për këtë hapje ndaj publikut dhe vetvetes?

Ndryshimi drejt zbardhjes tatimore apo transparencës së pagesave për shtetin është duke ardhur gjithsesi. Një lëvizje nga shteti në këtë drejtim do t’i bënte më mirë shëndetit të ekonomisë dhe formimit të standarteve të reja të transparencës fiskale në vend. Por arsyet për transparencë nuk mbarojnë më këtë argumentim. Edhe vetë bankat, të cilat notojnë në mjegullën e dendur të kredive të këqija do të ishin edhe më të motivuara të zgjeronin portofolin e kredidhënies nëse do të operonin në një treg më transparent, ku do të njihnin edhe më mirë se cilët janë klientët e tyre dhe si është qasja e tyre në raport me detyrimet për buxhetin.

NË vitin 2016, shumë vende të zhvilluara filluan të detyrojnë me ligj gjithë shoqëritë e mëdha dhe shumëkombëshe si: Google, Aple, Starbucks, Samsung etj. Për transparencë për njohje publike të llogarive të tyre tatimore. Kjo nismë është në një përpjekje për të sjellë transparencë në një sistem fiskal, që është kritikuar shumë në dritën e fakteve të prezantuara në media mbi shmangiet tatimore të këtyre shoqërive shumëkombëshe.

Transparenca për taksat që i paguhen shtetit, në formën e raportimit vend pas vendi, tashmë është në zbatim për institucionet financiare në BE sipas direktivës së kërkesës për kapital me synimin për të rifituar besimin e publikut në sektorin financiar.

Por, shtytja më e madhe për hapje ndaj publikut ka ndodhur në industrinë nxjerrëse. Nuk është surprizë për këto shoqëri që të thuhet se gjithë egzistenca e tyre është shoqëruar nga korrupsioni. Por, progresi në lidhje me transparencën e industrisë nxjerrëse tashmë ka disa vite që ka filluar të japë frytet e tij. NË disa shtete të Evropës kanë filluar të kthehen në normë standartet e raportimit financiar dhe veçanërisht pagesat që bëhen për shtetin nga shoqëritë e këtij sektori.

Nisma e transparencës së industrisë nxjerrëse, apo ndryshe si quhet EITI ka hapur tashmë dritaret e informacionit edhe për industrinë nxjerrëse shqiptare. Jo më larg se para dy muajsh, u bënë publike të dhënat operacionale të industrisë bashkë me llogaritjen e barrës tatimore të sektorit si dhe gjithë pagesat për shtetin.

Nisma e fundit e qeverisë shqiptare për rritjen e formalizimit të ekonomisë nëpërmjet luftimit të evazionit fiskal është fillimi i një dialogu të ri me biznesin për ta detyruar me forcën e ligjit që të bëhet më transparent në lidhje me detyrimet e tij tatimore.

Ndërsa lidhur me nismën e transparencës për kompanitë e mëdha në vend është hedhur ideja e ndërthurjes së kontrollit të tyre nga kompani auditimi me integritet të lartë profesional, por që ende mbetet për ta qartësuar më mirë modelin e transparencës tatimore.

Por ndërsa industria nxjerrëse është mjaft më transparente se më parë në gjithë ekonominë shqiptare dhe ky është një model që vlen për tu pasuar edhe nga industritë e tjera të ekonomisë është ende detyrë e shtetit bashkë me shoqërinë civile që të hapin frontin për një transparencë të gjithë ekonomisë.

Kompanitë e mëdha apo VIP, përfshirë dhe kompanitë e shërbimit financiar, që konsiderohen ndër bizneset më të mëdhenj në vend, janë pjesë të sektorëve ekonomikë që nuk e njohin ende këtë mënyrë transparence. Edhe pse standartet e raportimit janë të bazuara te kontabiliteti dhe rregullat tatimore në vend, është një qasje e re që duhet të fillojë të bëhet pjesë e nismës nëpërmjet mekanizmave ligjore, të cilat do të bëjnë të mundur fillimin e zbardhjes së ekonomisë informale.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: