Transaparencë dhe rritje e besimit të profesionit të audituesit ligjor sipas interesit publik

Transaparencë dhe rritje e besimit të profesionit të audituesit ligjor sipas interesit publik

Gjatë muajve të sezonit veror 2024 Ministria e Financave me synimin e “përmirësimit të raportimit financiar në përputhje me standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare, me mbështetjen e Bankës Botërore (BB), prezantoi për konsultim publik[1] një projekt ligj , që revizion pothuajse të gjithë ligjin aktual për auditimin ligjor dhe kontabilistit të miratuar përforcimin e funksioneve të komitetit të auditimit dhe rregullave lidhur me përcaktimin e bizneseve që detyrohen të kryejnë auditim ligjor sipas kritereve që përcaktohen nga qeveria.”

Sipas relacionit të projekt ligjit “Një element i rëndësishëm që vjen si risi, mbështetur në direktivat e BE në lidhje me auditimin ligjor dhe të kontabilitetit të sektorit privat, është përfshirja e detyrimit ligjor për audituesit ligjorë të dhënies së sigurisë për raportimin e qëndrueshmërisë (sipas direktivës përkatëse të kontabilitetit, raporti do të përgatitet nga njësitë ekonomike të mëdha, duke hyrë në fuqi gradualisht deri në vitin 2028). Aktualisht, një raportim i tillë në vendin tonë është përfshirë pjesërisht në ligjin nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.

Në pamje të parë projekt ligji ka objekt të tij me ndryshimet që propozohen në:

  • Përafrimin e legjislacionit me atë të BE, në mënyrë që të përmbushë kërkesat e përcaktuara në Kapitullin 6 të acquis communautaire;
  • Përcaktim më të qartë të njësive që janë të detyruara të kryejnë auditimin ligjor;
  • Përmirësimin e implementimit të mëtejshëm të ligjit, duke përmirësuar dhe forcuar rregullat për kryerjen e auditimit ligjor të njësive me interes publik (NJEIP);
  • Përcaktimi i detyrimit për dhënien e sigurisë mbi raportimin e qëndrueshmërisë nga shoqëritë e auditimit;
  • Qartësim më të plotë në lidhje me realizimin e disa procedurave bazë të punës që duhet të kryhen nga audituesit ligjorë, në mbështetje të përcaktimeve që ka dhe direktiva përkatëse; si dhe
  • Qartësimin e terminologjive përkatëse ku janë hasur problematika, me synim unifikimin dhe përmirësimin e zbatueshmërisë së këtij ligji.

Realizimi i këtyre objektivave, në kuadër të ndryshimeve përkatëse, do të bëjë të mundur rritjen e cilësisë dhe përgjegjshmërisë së audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, duke forcuar qeverisjen e brendshme të njësive ekonomike me interes publik, përmirësuar punën e audituesve ligjorë, duke krijuar në këtë mënyrë një treg më profesional dhe transparent të auditimit ligjor.

Por, përtej sqarimeve dhe kontekstit mbi të cilin është nxitur Ministria e Financave për të bërë përmirësimin e profesionit të audituesit ligjor, sipas modelit të konsultimeve me palët e interesit duket se nuk ka ngjallur më tej interes për qartësime përtej atyre që propozohen nga qeveria, e cila e ka nxitur këtë nismë ligjore jashtë kalendarit të miratuar për vitin 2024.

Nga kjo kuptohet se nevoja kryesore për propozimin e ligjit vjen thjesht nga që i ka ardhur radha harmonizimit të plotë të rregullave të auditimit për përgatitjen e pasqyrave dhe raportimit financiar, sipas detyrimit nga Kapitulli 6 i acquis communautaire “Legjislacioni tregtar”.

Por, përpara se ky ligj që riformaton jo vetëm funksionin e audituesve ligjorë, por edhe të vetë Bordit të Mbikqyrjes Publike, nevojitet që të ketë një analizë lidhur me sfidat ende të cilat nuk krijojnë ato premisa për të cilat është krijuar ky funksion.

Në ditët që përjeton biznesi dhe ekonomia shqiptare në tërësi, kontabilistët dhe audituesit e sektorit publik dhe privat po përballen me çështje shumë specifike etike.

Këto janë kryesisht konflikte interesi, veçanërisht në qeverisjen qendrore, ku kultura të vjetra dhe autokratike të punës në fakt e dekurajojnë të folurit për çështje etike. Megjithatë, sfidat më të mëdha etike vijnë nga presioni politik.

Strategjia e qeverisë shpesh drejtohet për të arritur qëllime politike dhe vendoset nga njerëz që nuk janë ekspertë në këtë fushë. Presioni për të treguar arritjet e politikave në një dritë të suksesshme jo vetëm rrjedh poshtë linjës së raportimit nga institucioni, por lind nga pritshmëritë e publikut të ngritura nga deklaratat politike.

Në rrethana të tilla, mund të ketë pritshmëri nga të gjithë bizneset dhe qytetarët, se me ndryshimin e një ligji dhe sidomos kur përmendet edhe përafrimi me standartet e BE-së ajo do të përmbushen detyrimet e performancës të deklaruara publikisht, duke çuar kështu në momente optimizmi lidhur me një siguri më të plotë për drejtësi kur vendosen buxhetet, programet e kostos ose vlerësimi i performancëns financiare të bizneseve duke u bazuar në këto parime.

Në fakt, përtej tekstit të ligjit, i cili nga sa duket është një përshtatje e praktikave europiane lidhur me forcimin e rolit të Bordit të Mbikqyrjes Publik , duket se nuk merret parasysh ende roli që audituesi ligjor duhet në radhë të parë të ndikojë në pastrimin e deklarimeve informale të pasqyrave financiare duke kërkuar së pari një verifikim (vetting) të audituesve ligjorë që në vite kanë patur rolin e certifikuesve të raportimit financiar dhe rritjes së një ekonomie transparente dhe në përshtatje me standartet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Misioni i audituesit ligjor duhet të matet me rritjen e besimit të publikut

Në realitetin që ne jetojmë duket se ky mision shumë i rëndësishëm i audituesve ligjorë dhe institucioneve private dhe publike që monitorojnë integritetin e tyre profesional dhe moral nuk ka patur përmbushjen e kërkuar[2].

Ajo që do të konsiderohej se detyrat që kanë marrë përsipër për ti përmbushur do të kishte efekt direkt në frenimin e tendencës së informalitetit duke orientuar bizneset për pasqyra që reflektojnë realisht aktivitetet e tyre.

Nga ana tjetër, pesha e audituesve ligjorë do të konsiderohej si një përmbushje e etikës profesionale nëse do të kishte po ashtu frenim të pastrimit të parave informale në pasqyrat financiare, e cila arrihet nga një zbatim korrekt i ligjit në fuqi për auditimin, por edhe ligjeve të zbatuara nga bizneset dhe që janë objekt auditimi.

Ndërkohë, modeli i patronazhimit politik që ka shoqëruar proceset e përvitshme të testimit të audituesve, si dhe përfoljet për cënim të integritetit etik të institucioneve testuese dhe mbikqyëse, natyrisht nuk përkojnë me interesin publik dhe kanë ndihmuar që të ulet vigjilenca financiare.

Në këtë kuptim, miratimi i ligjit të ri duhet të kërkojë më shumë garanci nga të ngarkuarit për zbatimin e ligjit (nga sektori publik dhe privat), që të rritet cilësia dhe kërkesat për një ridimensionim të rolit të audituesit ligjor, jo thjesht si certifikues i pasqyrave financiare, por si një vezhgues inteligjent në përputhje me kërkesat e profesionit për të analizuar fenomenet e informalitetit, pastrimit të parave dhe evazionit fiskal pikërisht nga manipulimi dhe fshehja e të dhënave financiare të bizneseve që ata i çertifikojnë.

Një ndihmë nga audituesit me integritet dhe me përvojë profesionale mundet të parandalojë dhe frenojë veprime të mundshme të paligjshme që mund të kenë një efekt material indirekt (mashtrime me të dhënat, me klientët etj) në pasqyrat financiare të njësisë ekonomike, thjesht nga zbatimi i procedurave të auditimit të dizajnuara posaçërisht për të konstatuar nëse një aktivitet i tillë ka ndodhur.

Nëse audituesit ligjorë do të ishin në këto pozita, atëherë edhe skandali me mikrokreditë, apo mashtrimet me TVSH-në, si dhe të tjera veprime të krimit financiar që ndodhin përditë në Shqipëri do të kenë efekt dëmtues minimal, si për qytetarët, por po ashtu edhe për buxhetin. Nga ana tjetër, ata ndikojnë direkt edhe në luftën ndaj korrupsionit, pasi auditimi financiar ndikon në tendencat për të pastruar paratë politikanët dhe zyrtarët që tentojnë ta bëjnë këtë duke mos zbatuar standartet e raportimit financiar.

Parlamenti shqiptar ndoshta do të duhet të kërkonte një vlerësim të ndikimit financiar të masave të politikave mbi institucionet financiare dhe koston e ofrimit të këtij ligji edhe nga grupet e interesit dhe mendimi i pavarur i organizatave të biznesit.

Sot për sot, një auditim nuk është garanci që pasqyrat financiare të jenë të sigurta nga ndonjë mashtrim apo fshehje parash informale. Aq më tepër të shërbejë edhe si një pikë e fuqishme ndikuese në luftën ndaj krimit ekonomik dhe parandalimit të pastrimit të parave nga korrupsioni dhe evazioni e trafiqet e paligjshme.

Ne mendojmë, se qëndrimi i suksesshëm ndaj krimit financiar varet nga një përpjekje e përbashkët nga të gjitha palët përkatëse, duke përfshirë drejtuesit e biznesit, profesionin e kontabilitetit, rregullatorët, vendosësit e standardeve dhe sektorin financiar.

Në analizën tonë sugjerojmë për një qasje të koordinuar nga të gjithë aktorët kryesorë për të arritur rezultate të prekshme, por edhe shteruese në nivelin e konsultimeve përtej nxitimit për të miratuar një ligj të ri. Bashkëpunimi dhe vullneti i palëve në përshtatje me ambjentin ekonomik dhe financiar është thelbësor dhe duhet të prevalojë ndërhyrjet e politikës si dhe tendencat për kapjen e profesionit nga interesa të ngushta afatshkurtra në hapjen e profesionit të çmuar të audituesit ligjor drejt interesit publik.

[1] https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/741

[2] https://www.researchgate.net/publication/323833672_The_Role_of_Auditors_Against_Money_Laundering-_Albania_Case

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.