Tipet e kontrollit tatimor në Shqipëri

Tipet e kontrollit tatimor në Shqipëri

Bazuar në orientimin e administratës tatimore sipas funksioneve, programet e kontrollit duhet të përfshijnë këtë renditje dhe tip kontrollesh:

Kontrolli për regjistrimin dhe çregjistrimin: Ky tip kontrollesh të shpejta hartohet për verifikim nëse bizneset janë të regjistruara për gjithë detyrimet tatimore, përfshirë dhe TVSH-në. Informacionet nga palët e treta (doganat, institucionet e licencimit, etj.), por dhe informacionet nga kontrollet e funksioneve të tjera mund të sinjalizojnë administratën tatimore për kryerjen e këtij tip kontrolli. Ky kontroll, sipas ndarjes funksionale i përket grupit të bizneseve të regjistruara fillimisht në grupin e tatimpaguesve që kanë vetë deklaruar një xhiro nën 8 milion lekë.

Kontrolli për korrigjim vetë deklarimesh: Ky tip kontrolli përfshin vizitat në të porsa regjistruarit për ti korrigjuar dhe këshilluar ata mbi detyrimet dhe të drejtat e tyre, duke mbuluar fusha të tilla si: deklarimi dhe pagesa, kërkesat për rimbursim, regjistrimi i të dhënave, rreziqet nga kontrolli dhe sanksionet si rrjedhojë e mos deklarimit korrekt. Këto kontrolle janë mjaft të përshtatshme kur kemi prezantime të ligjeve dhe udhëzimeve të reja.

Kontrolli për regjistrimet e të dhënave: Ky lloj kontrolli është në kuadrin e vizitës fiskale te tatimpaguesi për të verifikuar regjistrimet e mbajtura prej tij dhe faturat e TVSH-së që janë lëshuar e marrë.

Kontrolli nga zyra: kontrollorët zakonisht kryejnë kontrolle në terren. Gjithsesi, duke patur parasysh organizimin e administratës shqiptare investigatoret mundet që të ndërmarrin disa verifikime nga zyra. Këto verifikime mund të përfshijnë kontrollin e situatës nga informatika të TVSH-së dhe formularët e Deklarimit dhe pagesës duke patur parasysh dhe kryqëzime të informacioneve dhe ta orientojnë kontrollin në analiza të raporteve financiare e të menaxhimit. Kontrolli nga zyra zakonisht aplikohet në fusha specifike të investigimit dhe në bizneset e vogla dhe individuale duke iniciuar investigime të mëtejshme.

Kontrolli tematik për çështje të caktuara: këto kontrolle përqëndrohen në një tip tatimi, apo për një periudhë specifike fiskale (zakonisht të kufizuara). Për TVSH-në, ky tip kontrolli mund të mbulojë një apo dy deklarata.

Kontrolli për rimbursim TVSH-je: këto kontrolle përfshijnë verifikimin e shumës së kërkuar për rimbursim të tatimpaguesit duke kontrolluar dokumentacionin mbi të cilën argumentohet kjo kërkesë. Kontrolle të tilla zakonisht iniciohen me kërkesën për rimbursim të tatimpaguesit, por dhe në raste të akumulimit të TVSH-së kreditore, që është një precedent për kërkesë për rimbursim. Tatimpaguesit duhet tu provojnë autoriteteve tatimore me kopjet e faturave që disponojnë kërkesën e tyre për rimbursim.

Projektet e kontrollit: Kontrollet mund të menaxhohen bazuar mbi projekte duke mbuluar një grup specifik tatimpaguesish. Projektet e kontrollit mund të mbulojnë një industri (p.sh. Ndërtimi) apo një segment aktiviteti (p.sh. Shitësit me pakicë)  dhe/ose çështje të caktuara nga deklarimet. Ato përfshijnë verifikime të caktuara që kanë një rrisk të veçantë apo që të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit me tatimpaguesit.

Kontrolli i plotë: këto kontrolle mbulojnë gjithë detyrimet tatimore për një numër periudhash fiskale dhe veçanërisht ndërmerren për të zbuluar mangësitë e diktuara gjatë periudhës që shqyrtohet. Ato janë një harxhim i madh kohe dhe gjithëpërfshirëse dhe duhet të zbatohen vetëm te ata tatimpaguesë që prezantojnë tentativa të fshehjes së të ardhurave dhe pagesa në nivele të ulta të TVSH-së, tatim fitimit, tatimeve mbi të ardhurat personale e tipe të tjera tatimesh.

Investigimet e mashtrimit: këto investigime përfshijnë rastet më serioze të mosbashkëpunimit dhe kanë tendenca të fshehjes së vazhdueshme dhe me qëllim të detyrimeve ligjore administratës tatimore. Këto investigime kërkojnë punonjës me aftësi të veçanta në investigim duke përfshirë analiza profesionale të dokumentacionit të tatimpaguesit, si dhe investigim në terren duke ballafaquar dyshimet me marrjen e dëshmive nga punonjës të tatimpaguesit apo atyre që kanë patur marëdhënie pune me të. Gjithë këto matëriale janë të nevojshme të jenë sa më të kompletuar sipas këndvështrimit juridik, për të shërbyer për vënien para drejtësisë të kësaj kategorie tatimpaguesish.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: