Tërheqja e hershme e kursimeve për pensione dhe bashkëpunimi i dobët mes palëve
Ndonëse nuk është në kundërshtim me ligjin për të tërhequr fondet e investuara në fondet e administrimit të pensioneve sipas objektivit individual për të marrë një pension para moshës mbi 65 vjeç, kjo lëvizje nuk rekomandohet të bëhet për dy arsye kryesore:
Së pari, nisur nga projekt rregullorja e re çdo individ që ka depozituar fonde për pensionin e ardhshëm do të tarifohet 10 deri në 15% “tarifë” mbi shumën që kërkohet të tërhiqet.
Së dyti, kjo lëvizje e nxituar financiare e individit do të ndikojë ndjeshëm në lidhje me shumën përfituese të pensionit që do të marrë në të ardhmen.
Përvoja nga vendet me plane të hartuara mirë midis skemës publike dhe skemës private ka treguar se atyre u duhet tashmë të luftojnë me përfitimet e pamjaftueshme të pensionit për një ose më shumë nga arsyet e njohura (masë e ulët kontributi, madje më e ulët se sa kërkohet, normat e kontributeve të palëvizshme, lëvizja brenda/jashtë fuqisë punëtore (veçanërisht për gratë dhe zonat rurale), norma të ulëta përfitimi, diferenca negative ndërmjet normave reale të interesit dhe normave reale të rritjes së pagave, moshimi i shpejtë i popullsisë, rënia e lindjeve dhe ulja e fuqisë punëtore të ardhme etj.).
Mirëpo, në gjithë nismën e ndërmarrë në mënyrë të njëanshme nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), që duket se kërkon të rregullojë disa marëdhënie të caktuara për tërheqjen e fondeve para kohe nga kursimet që ata investojnë në fondet private shihet se ende mendësia e vjetëruar e mos konsultimit me të gjithë palët dhe aq më tepër me aktorët kryesorë është pengesa më e madhe në zbatimin e ligjit dhe funksionalitetin e tij.
Implikimi në këtë mënyrë dhe në këtë rast i AMF konsiderohet negativ sepse funksionon kundër favorit të alternimit të skemave duke ndërhyrë në këtë treg të brishtë ende pa krijuar bazat e nevojshme për funksionim.
Mund të duket se përpjekja është me sens pozitiv dhe në mbështetje të arritjes së një parandalimi për rrjedhje fondesh nga skema private.
Por pyetja në këtë mes është se çfarë llogaritet si “deficit: në zbatueshmërinë ende fillestare të ligjit për fondet e pensioneve private?
Në këtë moment por edhe në të ardhmen politika për pensionet private mund të dështojë për shkak të nxitimeve dhe mungesës së konsultimeve dhe analizave zyrtare ndaj ligjit dhe dështimit për të përmbushur objektivin afatgjatë, atë të garantimit të një tregu të shëndoshë dhe jo paralel me tregun publik të pensioneve, por pjesë e përbashkët e tregut të ardhëm.
Objektivat mbi të cilat po synohet drejt investimit për pensione private, që aktualisht ende nuk konsiderohen plotësuese të pagesës së detyruar të fondeve drejt sistemit aktual të pensioneve shtetërore është që të arrihet në një të ardhme që vjen shpejt drejt një sistemi pensionesh të mirë-projektuar si treg i plotë funksional. Parashikimet e të ardhmes nëpërmjet skemës së kombinuar të pensioneve private dhe atyre shtetërore janë që pensionisti i ardhëm të mos ta njohë varfërinë në pleqëri dhe nga na tjetër të shërbejë si një fond për shpenzime duke zbutur pasiguritë ekonomike të të ardhmes. Një nga pasiguritë e mëdha që zbutet nëpërmjet pjesëmarrjes në to është se ato azhornojnë interesat dhe mbajnë në dijeni individin për çdo “dridhje” financiare të tregut ndërkombëtar duke shërbyer në këtë rast edhe si rojtarë profesionistë të parave që detyrimisht janë të sigurta kur ato besohen në ambjente dhe vendet që janë krijuar ti mbajnë ato të sigurta.
Nëpërmjet përfshirjes në këto fonde që janë produkte ende të panjohura masivisht për tregun e punës dhe individët vlen shumë fakti i sigurisë së parave që investohen në këto fonde. Mirëpo, pikërisht siguria e parave që investohen në to është në të njëjtat nivele që ka siguria e parave në bankat shqiptare, ku individët depozitojnë kursimet e tyre. Ndërkohë, me futjen e parave në fondet e pensioneve, natyrshëm që kjo ndikon pozitivisht mbi të ardhurat personale gjatë gjithë jetës së një individi, pasi ato kanë një vlerë të shtuar edhe më të lartë se në bankat tregtare, por nga ana tjetër kanë edhe funksionin për të cilin janë vendosur me dedikim, ti shërbejnë mirëqenies së ardhme të individit, por pse jo edhe të familjes ku ai jeton.
Në njëfarë mënyrë, depozitimet në fondet e pensioneve private konsiderohen si “kapsula financiare në kohë”, të cilat kur të hapen pasi të jenë përmbushur kushtet e kohës së menaxhimit të tyre do të vlejnë shumë më tepër se sa do të ishin konsumuar për shpenzime të momentit, apo edhe për ti ruajtur nëpër banka ashtu si ndodh deri më sot.
Megjithatë, ashtu si shprehet edh në një studim Banka Botërore[1], “një sfidë në rritje ka qenë balancimi i nevojave të vërteta për njëfarë likujditeti paraprak, aksesit në kursimet e depozituara dhe sigurimit të përshtatshëm për të përmbushur nevojat pas daljes në pension për individët”.
Mirëpo, ajo që ndihet fuqishëm sot në tregun financiar të pensioneve është edhe adresimi dhe përmbushja e nevojës për përfshirje në skemat private veçanërisht kategoritë e individëve që kanë paga të ulët dhe kryesisht janë afër 60% e tregut të punës, por edhe kategoria e punonjësve në fshat dhe përreth, të cilët kanë probleme me mospjesëmarrjen në tregun e punës dhe të skemës, për arsye të pamundësisë dhe kulturës së ulët financiare, por po ashtu edhe pamundësia që skema shtetërore u jep pak dhe do tu japë edhe më pak, nëse kontributet e tyre do të mbeten në nivelet e pagesave si deri më sot.
Është pikërisht momenti, që qeveria së bashku me operatorët e tregut të diskutojë për adresime të kësaj situate për të marrë si duhet vendime shtesë, përtej ligjit për fondet e pensioneve private dhe rregulloreve dhe akteve në zbatim të tij. Tashmë është nevoja që skema e pensioneve të ketë harmonizim të detyrueshme në formatin e një modeli balancues, ku gjithnjë e më shumë si mbulim i sigurimeve shoqërore kombëtare duhet të përfshihen sistemet private me qëllim zgjerimin e fondit të kontributeve për të përfshirë më shumë nga gjithë individët që sot nuk janë pjesë e tregut formal apo janë sa për të thënë pasi kanë një rrogë, e cila shpesh ka nivele më të ulëta se të ardhurat minimale të jetesës, të shoqëruara edhe me shumë periudha papunësie dhe më shumë fitime të parregullta, që vijnë si pasoja të tregut të çrregullt shqiptar.
Në koment të projekt rregullores së re[2] që duket se po konsultohet me një pjesë të publikut Fondet e pensioneve duhet që të mbahet gjithsesi nga gjithë palët pjesëmarrëse në tregun e pensioneve, se:
- Tregu i pensioneve nuk duhet të jetë edhe më tej një monopol i shtetit, pasi nuk arrin dot të përmbushë objektivin e vetëm që është të ofrojë pensione të përshtatshme për individët nëpërmjet menaxhimit me një portofol , por të hapet dhe të zgjerohet nëpërmjet forcimit të rolit të tij, por me një mbikqyrje të përforcuar të institucioneve përkatëse për të rritur besueshmërinë dhe sigurinë e individëve, të cilët besojnë te shteti. Prandaj, sfida është që të balancohen interesat më të mira aktuale të individëve me nevojat e tyre të ardhshme për pension, pa rrezikuar nivelin e jetesës për hir të përshtatshmërisë.
- Duke konstatuar se nivelet e kontributit dhe parametra të tjerë në sistemin e pensioneve private janë të përcaktuara strategjikisht, ato janë pothuajse të pandryshueshme për të ardhmen dhe në këtë mënyrë janë strukturuar për të ofruar të ardhura të qeta deri në moshën e pensionit. E gjitha kjo vlen për tu promovuar në shërbim të një marëdhënie besimi se pensioni i përshtatshëm për të ardhmen bazohet mbi kontribute të vazhdueshme dhe të arsyeshme.
Është e rëndësishme të mbahet mend se asnjë sistem, sado i projektuar mirë, të mund të kompensojë krizën aktuale të rënies së përfitueshmërisë së kontributeve, pasi sistemi nuk punon për sot, por për të ardhmen. Totali i kursimeve shkon në të llogaritë të cilat arrijnë të justifikojnë nivelin e shpenzimeve të ardhme për një jetesë të qetë dhe me fonde të mjaftueshme për një jetesë dinjitoze.
Por, nëse njerëzit do të prekin kursimet e tyre kur shpenzimet e përditshme janë të mjaftueshme për të financuar jetesën e tyre, atëherë duhet ngulitur fakti se tërheqja e fondeve nuk do ti shërbejë asnjë synimi për sigurinë financiare të së ardhmes.
[1] https://documents1.worldbank.org/curated/en/757001551715193169/pdf/Early-Access-to-Pension-Savings-International-Experience-and-Lessons-Learnt.pdf
[2] “Për përcaktimin e gjobave që zbatohen në rastin e tërheqjes së parakohshme nga fondi privat i pensioneve”
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.