Të hyrat vetanake komunale, barra e taksave dhe nevoja per progresivitet në taksim
Sipas analizës së barrës së taksave në Kosovë 2021, të hyrat vetanake komunale janë mjetet financiare që mblidhen nga taksat, tarifat, gjobat, pagesat për shërbimet publike të ofruara nga komuna, qiratë nga pronat e paluajtshme në pronësi të komunës, të hyrat nga shitja e pasurive komunale, të hyrat nga ndërmarrjet komunale, dhe nga të hyrat nga bashkëpagesat nga shërbimet në arsim dhe shëndetësi, etj. Komunat i mbledhin të hyrat vetanake në dy forma: si tëhyra të mbledhura drejtpërdrejt nga komuna si aktivitet i komunës dhe si të hyrat e arkëtuara nga niveli qëndror (në tekstin e mëtejmë, të hyrat indirekte) të cilat transferohen në komuna si pjesë përbërëse e të hyrave vetanake.
Tatimi në pronë konsiderohet si një e hyrë shumë e rëndësishme dhe një ndër kategoritë më të qëndrueshme të të hyrave komunale. Kuvendi komunal cakton tarifat tatimore mbi pronën në bazë vjetore në shkallën tatimore prej 0.05 % deri në një përqind 1% të vlerës së pronës në treg. Është me rëndësi fakti që të hyrat e grumbulluara nga komunat rikthehen tek qytetarët në formën më të mirë të mundshme të ofrimit të shërbimeve sa më të mira dhe më cilësore.
Në Kosovë barra tatimore ka ardhur në rritje nga viti në vit. Por, edhe pse barra e taksave ulet kur rritet baza tatimore, kjo nuk ka ndodhur në Kosovë. Regjionet e Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës janë me numrin më të lartë të popullsisë. Por, përveç Prishtinës, të dy regjionet e tjera nuk mbajnë një ngarkesë që të argumentohet nisur nga një bazë e gjerë tatimore. Në këtë këndvështrim, analiza kontaton se nivelet e administrimit të taksave vendore duhet të rritin kapacitetet e tyre për shfrytëzimin e mundësive për rritjen e të hyrave vendore.
Një tregues interesant për shpërndarjen e barrës tatimore edhe në Kosovë është edhe barra e tatimeve të konsumit (TVSH dhe akcizat) për secilin individ, pavarësisht vendodhjes së tij. Në vitin 2021, secili individ rezident fiskal i Kosovës, por dhe jorezidentët (të huajt)[1], ka kontribuar në buxhet me 1,100 Euro në vit (800 Euro TVSH dhe 300 Euro akcizë) për blerjet e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, përfshirë karburantet dhe ushqimet. Kjo llogaritje është më afër perceptimit korrekt, për arsye se ky tatim paguhet nga secili individ kur blen mallra apo shërbime. Edhe pse këto tatime për konsumin janë pjesë e barrës tatimore qendrore, këto i rëndojnë buxhetit të secilës familje shqiptare, dhe janë pjesë shtesë mbi barrën e tatimeve dhe taksave vendore.
Kur marrim në konsideratë faktorët ndikuesë të barrës tatimore vendore, e cila konsiderohet barrë tatimore direkte mbi qytetarët e komunvae kosovare, shihet se nga tabelat fiskale të Buxhetit 2022[2] është mesatarisht 60 Euro në vit. Nëse e llogaritim për një familje mesatare me 4 persona, atëherë barra e taksave dhe tarifave vendore është 120 Euro/vit. Kjo barrë e taksave dhe tarifave vendore është më e lartë në Prishtinë dhe Graçanicë dhe shumë më e ulët në Zveçan dhe Leposaviq.
Taksim progresiv për taksat vendore
Në një mesatare të barrës tatimore të një taksapaguesi llogaritet se pjesa e barrës tatimore vendore (përfshirë tarifat) është nga 50 Euro/familje në vit për komunat e varfra deri në 350 Euro/familje në vit në komunat më të pasura. Nëse barrës tatimore vendore i shtojmë edhe barrën tatimore të tatimeve të konsumit dhe taksave doganore, atëherë barra tatimore për familje varion nga 2.300 Euro në vit në komunat e varfra deri në 2.600 Euro në vit në komunat më të pasura.
Kjo barrë tatimore është mesatarisht nga 190 Euro – 220 Euro në muaj apo pak më shumë sesa minimumi jetik. Nëse llogaritim që përjashtimi nga taksat vendore është për kategori shumë të papërfillshme familjesh dhe individësh[3], atëherë shihet se barra tatimore reale është dukshëm në nivele të ndjeshme për familjet e varfëra dhe kategoritë me të ardhura të ulëta.
Nisur nga llogaritjet mesatare, nevojitet që sistemi fiskal të konsiderojë që të zbatojë një model progresiviteti në normat tatimore për taksat vendore, me qëllimin e zbatimit të politikës së taksimit të ndershëm, ku familjet me të ardhura të larta të paguajnë më shumë dhe për të komensuar edhe për barrën më të ulët për familjet e varfëra dhe me të ardhura të ulëta. Kjo politikë është edhe një ndihmë për të ndikuar mbi frenimin e informalitetit dhe shmangies së pagimit të taksave vendore nga ata që nuk kanë mundësi të paguajnë.
Në një vështrim të shpërndarjes së barrës vendore shikohet se problemi i parë është kapaciteti i ulët i administrimit të taksave vendore.
Ndërkohë, shpërndarja jo e barabartë e barrës së taksave vendore spjegohet në një nivel të caktuar edhe me përqëndrimin e konsumit dhe industrisë e tregtisë jo në mënyrë të harmonizuar në të gjitha qarqet.
Një faktor ndikues gjithashtu lidhet me shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve për konsum, të cilat kanë një prirje të konsumohen jashtë zonës ku krijohen apo prodhohen drejt eksportit apo në zonat me dendësi popullsie.
Por, problemi që ende nuk po kufizohet është evazioni, i cili vjen nga një ekonomi informale e pandryshuar edhe pse të hyrat rriten nga viti në vit. Por kjo rritje e të ardhurave nuk vjen për arsye të betejave të fituara ndaj evazionit, por më së shumti si pjesë e taksimit që i përgjigjet zgjerimit të ekonomisë, si dhe reflektimit të inflacionit. Përqindja më e lartë e shërbimeve të pataksuara është një ndër problemet më të mprehta dhe masive për tregun kosovar.
Lufta ndaj evazionit fiskal, duhet të jetë fokusi kryesor i politikave fiskale, si pjesa e munguar që të mos jetë vetëm një mënyrë për të rritur të hyrat e qeverisë, por gjithashtu të shndërrohet në një mënyrë për të rritur barazinë e sistemit tatimor për tatimpaguesit. Kjo luftë do të diktojë edhe një transparencë më të plotë dhe një nevojë për të përmirësuar besueshmërinë e sistemit tatimor te qytetarët dhe bizneset.
Të gjitha të hyrat që mblidhen në një komunë, i takojnë asaj dhe bëhen pjesë e buxhetit komunal.
Problematika e disbalancimit buxhetor midis të ardhura që mblidhen nga qeverisja vendore komunale dhe transfertave te buxhetit eshte ne raportin 1:7, pra 12% mblidhen nga komunat dhe 88% e buxhetit jane transferta qeveritare.
Kjo situate disbalancimi eshte me poshte se mesatarja e vendeve te BE-se , por edhe se Shqiperia.
Duke qenë se decentralizimi efektiv fiskal kërkon autonomi kuptimplote të të ardhurave, ne duhet të pyesim se çfarë forme e autonomisë është e preferueshme dhe pastaj sa të ardhura nevojitet per kete autonomi. Forma më e dëshirueshme e autonomisë në nivel nënkombëtar është që të lejohen autoritetet e zgjedhura të vendosin normat tatimore për një listë të mbyllur taksash të vendosura në nivel kombëtar. Shkalla e dëshirueshme e autonomisë së të ardhurave
duhet të lejojë qeveritë vendore me baze te vogel dhe ato me baza më të mëdha tatimore për të financuar pjesën më të madhe të tyre përgjegjësitë e shpenzimeve me të hyrat vetanake.
Ndërkohë nevojitet rritja efektive e kapaciteteve të taksimit të pronës dhe taksimit për kapitalet vendore.
[1] https://ask.rks-gov.net/media/6623/vler%C3%ABsimi-i-popullsis%C3%AB-2020.pdf
[2] https://mf.rks-gov.net/page.aspx?id=1,16
[3] https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=2525
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.