Tatimi mbi të ardhurat personale dhe diversifikimi fiskal

Tatimi mbi të ardhurat personale dhe diversifikimi fiskal

Nëse qeveria synon në përmirësimin e të ardhurave për frymë të individëve, nëpërmjet ndryshimit të mënyrës së jetesës, zakoneve dhe normave, ajo nuk mund ti bëjë këto ndryshime pa patur parasysh ndjeshmërinë e tyre ndaj tatimit mbi të ardhurat personale. E ardhura personale është një matëse e përshtatshme e potencialit të konsumit dhe kursimit personal. Është ky tatim, i cili nga njëra anë duhet të bëhet ndër kontribuesit kryesorë në buxhet dhe nga ana tjetër duhet të jetë dhe promotorri i diversifikimit të bazës së të ardhurave buxhetore.

Përvoja ndërkombëtare për TAP tregon se një përcaktim i saktë i tatimit dhe një matje e kujdesshme e të ardhurave të biznesit, profesioneve dhe investimeve personale është problem me shumë të panjohura, delikat dhe themelor për TAP. Në këtë drejtim elemente të tillë, si: kostoja për magazinimet, amortizimet e aktiveve dhe raporti midis shpenzimeve të biznesit dhe atyre personale, etj. duhet të vendosen te mekanizmat qendrore të matjes së kujdesshme dhe korrekte të të ardhurave personale.

Le të marrim një nga elementet për diskutim.

Për sa kohë që % e amortizimeve, sipas ligjit te tatimit mbi te ardhurat do te jene jo në përputhje me interesat ekonomike te individit, ato do të jenë ndikuese direkte në vendimet për investime, si ato vendase dhe ato të huaja. P.sh., nëse do të mbahen % amortizimi të ulta ose shumë të ulta, kjo do të çonte ne tendencën për të përdorur gjerësisht makineri, pajisje e teknologji dhe do t’i jepte zhvillim më të madh shitjes me shumice, në vend të prodhimit, bizneseve të vogla dhe sipërmarrjeve, të cilat përdorin teknologji të përdorur për të prodhuar mallra.

Tatimi i te ardhurave mbi investimet e individëve është çështja me e rëndësishme por dhe më e diskutueshme e TAP. Tatimi i të ardhurave nga investimet e individëve e bën TAP të ngjashëm me tatimin mbi kapitalin. Në shumë vende ky lloj tatimi trajtohet veçmas, duke patur parasysh efektin e tij në shumën dhe strukturën e investimeve ne vend. Në praktikë ky trajtim i veçantë vjen nga fakti se tatimi i te ardhurave nga investimet kërkon një treg të zhvilluar sigurimesh, pronash të patundshme dhe këmbimi valutor. Por gjithashtu duhet dhe një bursë aksionesh dhe pjesëmarrje masive në këtë treg aksionesh.

Ne gjithë vendet e zhvilluara, ku të gjitha palët kanë një pjesëmarrje të vazhdueshme në tregjet e kuotuara, vlerësimi vjetor i fitimit nga investimet nuk përbën problem. Tatimi i këtyre te ardhurave i lidhur me tregun e këmbimit valutor dhe atë te sigurimeve krijon një qark te mbyllur midis të ardhurave qeveritare dhe atyre prej tregut financiar. Kjo do ta ndihmonte dhe qeverinë të rregullonte dhe të mbikëqyrte tregjet financiare me mjaft eficencë duke ushtruar presion spekulimeve në këto tregje. Dhe këto tregje natyrshëm do të pasqyronin më mirë realitetin ekonomik.

Vende të ndryshme kanë aplikuar skema të tatimit mbi të ardhurat personale duke tentuar të harmonizojnë zhvillimin ekonomik me TAP dhe tatimet e tjera. Ato lejojnë tatimpaguesit të zbresin nga të ardhurat totale të tyre shpenzimet e njohura të biznesit, kontributet e sigurimeve, shpenzimet mjekësore, interesat e paguara, taksat lokale, sigurimet e jetës, shpenzimet për fëmijët, shpenzimet e jashtëzakonshme (demet nga zjarret, përmbytjet, grabitjet etj.), shpenzimet për arsimim dhe edukim, kontributet për mirëbërësi dhe shpenzime të tjera në funksion të jetesës së individit. E ardhura Neto që mbetet tatohet me përqindjen tatimore përkatëse dhe paguhet në buxhet.

Efekti i arritur nëpërmjet kësaj politike fiskale ka arritur te ndikoje ne qëndrimet personale dhe ka përhapur frymën e shpërndarjes së barabartë të të ardhurave dhe shpenzimeve në shtresa e grupime të ndryshme të popullsisë.

Jo se kjo mënyre e TAP nuk krijon shtrembërime, por qëllimi i saj kryesor është zgjidhja e problemeve sociale nëpërmjet përjashtimeve.

Natyrisht nuk është mënyra më e mirë, por një prej mënyrave të mira!

Çdo reformim tatimor duhet të prezantojë modelin e qartë dhe të ri, ku çdo formë tatimi, sidomos tatimi mbi të ardhurat personale të jetë në kërkim të përshtatjes dhe harmonizimit të rregullave të tij me kushtet ekonomiko-shoqërore lokale.

Ndryshe, duhet që tatimet të gjejnë dhe fiksojnë pikat e përbashkëta me ekonominë dhe individin.

Tetor 2003

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: