Taksat vs. Tarifat në Shqipëri
Taksat dhe tarifat lindin dhe paguhen nga çdo person, i cili ushtron një të drejtë apo merr një shërbim publik. Taksat janë pagesa për buxhetin e shtetit, por që në këmbim mund të mos lidhen me një përfitim shërbimi specifik për individin apo biznesin që i paguan ato. Një taksapagues nuk mund të kërkojë një favor të veçantë nga autoritetet tatimore për taksat që paguan. Nisur nga fakti që taksa është e detyrueshme për t’u paguar, ajo është e llogaritur që të shërbejë jo sipas thjesht emërtimit të saj, por sipas nevojave të buxhetit të shtetit.
Ndërsa tarifat janë më ngushtë të lidhura me një shërbim apo përfitim nga individi që i paguan. Tarifa është një pagesë direkte që në këmbim i jep paguesit një avantazh apo garanci nga pushteti (vendor apo qendror) për paguesin e tarifës. Shuma e tarifës llogaritet duke u bazuar në shpenzimet që qeveria (vendore apo qendrore) do të kryejë për të dhënë shërbimin që është objekt tarifimi dhe me këtë bazë llogaritje bëhet edhe përcaktimi i shumës që duhet të paguhet nga personat që duhet të paguajnë tarifën.
Taksat mund të kenë shtrirje sipas një territori të një njësie të qeverisjes vendore duke u emertuar në këtë rast si taksa apo tarifa vendore dhe aplikohen sipas autoritetit të qeverisë vendore, por mund të kenë edhe shtrirje kombëtare dhe në këtë rast emërtohen si taksa kombëtare.
Po ashtu, tarifat kanë shtrirje në nivel njësie qeverisjeje vendore, si edhe në nivel kombëtar.
Shembuj të taksave vendore janë: taksa mbi tokën bujqësore, taksa mbi truallin, taksa mbi ndërtesën, taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e fjetjes në hotel, taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve etj.
Shembuj të tarifave vendore janë: tarifa e pastrimit, tarifa për mjetet e transportit (parkim, shërbim për tonazh, tarifa për dhënie leje për ushtrim aktivitetit, tarifë për shërbime veterinare, tarifa për shërbime urbanistike, për shërbime administrative, tarifa e zënies së hapësirës publike etj.
Shembuj të taksave kombëtare janë: taksa e mjeteve të përdorura, taksa portuale, taksa e rentës minerare, taksa e akteve dhe pullës, taksa për automjete luksozë, taksë regjistrimi fillestar për automjetin, taksë mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror etj.
Shembuj të tarifave kombëtare janë: tarifa e pajisjes me leje drejtimi automjeti, tarifa shërbimi konsullor, tarifa për shërbime nga sistemi drejtësisë, tarifa për transmetimet radiotelevizive etj.
Në pamje të parë taksa me tarifën duket sikur janë të njëjta për nga tipi, por në fakt ato ndryshojnë pasi kanë ndryshimin në mënyrën se si ato përdoren, si dhe formës detyruese për të kryer pagesën.
Taksa është një pagesë e detyrueshme dhe e pakthyeshme në buxhetin e shtetit dhe që paguhet nga çdo person që ushtron një të drejtë apo përfiton një shërbim publik. Objekti i taksës është mbushja e arkës së buxhetit të shtetit. Ndërsa tarifa është një pagesë e natyrës vullnetare, e vendosur nga qeverisja vendore apo qendrore, në këmbim të shërbimeve të veçanta që bëhen në interes të publikut, por që i japin një avantazh personit që paguan në krahasim me të tjerët (p.sh. tarifat e pajisjes me leje lundrimi).
Paratë e mbledhura nga një tarifë, si rregull ndërkombëtar janë të ndara në buxhet posaçërisht për qëllimin e shërbimeve për të cilat është vendosur (emërtuar) tarifa dhe nuk shkrihen bashkë me të ardhurat e tjera të buxhetit të shtetit. Është kjo lidhje mes tarifës dhe shërbimit të kryer që e bën atë të dallueshme nga taksa.
Taksa vendore paguhet në buxhetin e njësive të vetëqeverisjes vendore, nga çdo person që ushtron një të drejtë apo përfiton një shërbim publik në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore. Ndërsa taksa kombëtare është pagesa e detyrueshme dhe e pakthyeshme në Buxhetin e Shtetit që paguhet nga çdo person apo nëpërmjet një agjenti, pavarësisht vendndodhjes ku jeton dhe punon personi (qytetar apo fshatar).
Me raste, vija ndarëse midis taksës dhe tarifës nuk është mjaftueshëm e qartë. Në disa raste, kostoja e dhënies së një shërbimi mund të llogaritet direkt dhe në këtë mënyrë tarifa mund të lidhet lehtësisht me shërbimin e përfituar (p.sh. tarifa e parkimit). Por në rastet kur kostot janë të paqarta, atëherë edhe pagesa e tarifës mund të ketë një lidhje të paqartë me shërbimin e përfituar.
Në disa raste, taksa mund të ngatërrohet me tarifën thjesht për arsye politike. P.sh. nëse një politikan ka premtuar që nuk do të ketë rritje taksash, por që në fakt ka nevojë për të ardhura shtesë, atëherë ai bën një ndryshim apo rritje tarife egzistuese me qëllim që të arrijë qëllimin e tij të fshehtë.
Në çdo rast të vendosjes së një takse apo tarife nga qeverisja nevojitet një proces transparent, me qëllim që individët dhe bizneset të kenë informacionin e duhur dhe të qartë për atë që u duhet të llogaritin dhe paguajnë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.