Studimi i ri propozon modelin për arritjen e standardit të BE në rezervat e sigurisë së naftës
Një studim i ri i publikuar nga ALTAX vlerëson se Shqipëria mbetet vendi më i ekspozuar energjetikisht në Europë për sa i përket rezervave strategjike të naftës, duke disponuar aktualisht vetëm rreth 15 ditë furnizim, shumë larg standardit europian prej 90 ditësh.
Studimi me titull “Rezervat Strategjike të Naftës në Shqipëri: Situata Aktualе, Integrimi në BE, Kapacitetet, Pozicionimi Rajonal dhe Perspektivat e Ardhshme” paraqet për herë të parë një analizë të plotë teknike, fiskale dhe institucionale të kapaciteteve të vendit për të ndërtuar dhe menaxhuar rezervat strategjike të karburanteve.
Sipas analizës, Shqipëria përballet me një paradoks energjetik: vendi prodhon naftë bruto dhe disponon rreth 150 milion fuçi rezerva të provuara, por për shkak të mungesës së kapaciteteve funksionale të rafinimit importon pothuajse të gjitha produktet e rafinuara që konsumon. Kjo situatë e bën ekonominë shqiptare të varur nga tregjet ndërkombëtare dhe nga zinxhirët e importit për furnizimin me karburant.
Studimi thekson se për të përmbushur standardin e kërkuar nga Bashkimi Europian, Shqipëria duhet të krijojë një rezervë strategjike prej rreth 270 mijë deri në 300 mijë ton produkte nafte, që përfshijnë diesel, benzinë, karburant aviacioni dhe mazut. Me çmimet aktuale të tregut, vetëm vlera e produktit do të arrinte 228–255 milion euro, ndërsa kur përfshihen kostot e ndërtimit të depozitave dhe të menaxhimit të sistemit, investimi total mund të arrijë deri në 480–520 milion euro, plus rreth 26–34 milion euro në vit për kostot operative.
Sipas autorëve të studimit, një investim i plotë i financuar vetëm nga buxheti i shtetit do të ishte i vështirë për t’u përballuar nga financat publike. Me borxhin publik që luhatet rreth 54–55% të PBB-së, një projekt i tillë mund ta çonte këtë tregues në 70–74%, duke kufizuar hapësirën për investime të tjera prioritare në ekonomi.
Për këtë arsye, studimi propozon një “Model Hibrid Gradual”, që kombinon financimin publik, kontributin e industrisë dhe mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare. Ky model mbështetet në katër shtylla kryesore: përdorimin e instrumenteve financiare të Bashkimit Europian dhe bankave zhvillimore, vendosjen e një tarife të dedikuar mbi karburantin për krijimin e fondit të rezervave, partneritete publike-private për ndërtimin e depozitave dhe bashkëpunimin rajonal për përdorimin e përkohshëm të kapaciteteve të vendeve fqinje.
Sipas analizës së ALTAX, kombinimi i instrumenteve financiare ndërkombëtare mund të mobilizojë 240–410 milion euro, përmes programeve si Growth Plan, fondet e investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe kreditë e institucioneve financiare zhvillimore. Një tarifë prej rreth 2 lekë për litër karburant do të mund të gjeneronte rreth 30 milion euro në vit, duke krijuar një burim të qëndrueshëm financimi për rezervat strategjike pa shkaktuar një ndikim të madh në çmimin final të karburanteve.
Analiza krahasuese rajonale tregon gjithashtu se Shqipëria ka një hendek të dukshëm krahasuar me vendet fqinje. Maqedonia e Veriut ka arritur rreth 51 ditë rezerva, Serbia rreth 45–55 ditë, ndërsa Greqia, si vend anëtar i BE-së mban rezervat e plota prej 90 ditësh.
Studimi paralajmëron se përmbushja e objektivave të rezervave strategjike është një element i rëndësishëm edhe për procesin e integrimit europian. Mosrealizimi i tyre nuk bllokon automatikisht negociatat, por mund të ndikojë negativisht në vlerësimet e progresit në kapitullin e energjisë të negociatave me Bashkimin Europian.
Sipas ekipit kërkimor të ALTAX, ndërtimi i rezervave strategjike duhet parë jo vetëm si një detyrim formal ndaj standardeve europiane, por edhe si një investim strategjik për ekonominë e vendit. Përveç rritjes së sigurisë së furnizimit, rezervat mund të kontribuojnë në stabilizimin e çmimeve të karburanteve në periudha krize, në rritjen e besimit të investitorëve dhe në reduktimin e informalitetit në tregun e hidrokarbureve.
Studimi përfshin një plan veprimi deri në vitin 2031, që parashikon miratimin e kuadrit ligjor, krijimin e autoritetit për menaxhimin e rezervave, mobilizimin e financimit ndërkombëtar dhe ndërtimin gradual të kapaciteteve të depozitimit.
Raporti i plotë është i disponueshëm në faqen zyrtare të ALTAX dhe përmban analiza të detajuara, modele financimi dhe rekomandime për politikëbërësit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.