Skemat e sigurimeve shoqërore: Si të funksionojnë më mirë?
Sigurimet shoqërore janë të lidhura dhe të kushtëzuara vetëm nga legjislacioni kombëtar, ndryshe nga taksat. Në skemat e sigurimeve shoqërore, shuma e përfitimeve, kushtet e dhënies dhe kohëzgjatja e derdhjeve përcaktohen nga legjislacioni kombëtar. Fusha e zbatimit e skemave të sigurimeve shoqërore është e kufizuar brenda territorit të shtetit. Ky aspekt territorialisht i kufizuar shprehet nëpërmjet rregullave kombëtare që përcaktojnë përfitimet vetëm për ata që banojnë brenda kufijve të shtetit. Ky tipar i skemës së sigurimeve shoqërore, i lidhur ngushtësisht me trashëgiminë ekonomike, politike, sociale, gjeografike dhe kulturore shpjegon faktin se pse skemat kombëtare të sigurimeve shoqërore janë të zhvilluara secila në mënyrën e vet.
Përgjithësisht, skema sociale përfituese përfshin sigurimin shoqëror dhe ndihmën sociale. Sigurimi shoqëror është baza e sistemit të mbrojtjes sociale. Ai përfshin sigurimin e pensioneve dhe kujdesin shëndetësor. Nëpërmjet legjislacionit, gjithë shtetasit në Shqipëri për të përfituar nga skema aktuale janë të detyruar të paguajnë kontribute shoqërore dhe shëndetësore duke u garantuar nga shteti me të ardhmen e plotësimit të nevojave jetike bazë për vete dhe për pjestarë të familjes. Fondet kryesore për fondet e mbrojtjes prej skemës së sigurimeve garantohen nga fondet e derdhura në buxhet nga kontribuesit. Pjesa që plotëson gjithë fondin e nevojshëm për zbatimin e skemës së përfitimeve në vend mbulohet nga qeveria nëpërmjet financimit nga buxheti për çdo vit.
Për të siguruar vazhdimësinë e ruajtjes së fondeve të duhura, qeveria duhet të specifikojë dhe të bëjë të zbatueshme në mënyrë të qartë dhe me hapa të matur një skemë kapitaliste në përshtatje me sistemin që jemi, e përshtatur ngushtësisht e lidhur me grupet e kategoritë e ndryshme të shoqërisë shqiptare.
Për të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët sot janë kontribuesë, si dhe ata që janë përfituesë, apo edhe për ata që porsa kanë hyrë në këtë skemë është me rëndësi që të marrin atë përfitim që ata kontribuojnë duke ja besuar dy agjensive së shtetit shqiptar: Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Por, aktualisht skema nuk funksionon mbi këtë parim. Ajo ka mbetur e bazuar kryesisht sipas modelit të sistemit socialist. Mbi dy dekada histori janë mjaftueshëm që skema e sigurimeve të bëhej pjesë e modelit global të organizimit sipas sistemit botëror. Edhe pse janë bërë përpjekje për të bërë përshtatjet ligjore sipas këtyre skemave të administrimit kryesisht nëpërmjet modeleve me të zhvilluara, ende nuk ka një strukturë të qartë të tregut për t’u përmbushur transferimi dhe më pas shkëputja nga platforma e vjetër e skemës së kontributeve.
Në këtë kontekst, legjislacioni kombëtar mund të ndikohet fuqimisht nga legjislacioni ndërkombëtar.
Po të vërejmë modelin amerikan shikohet lehtësisht se sistemi i sigurimeve shoqërore amerikane është zhvilluar gradualisht për disa dekada me radhë. Megjithëse patronazhi politik ishte prezent në kohën e reformimit dhe u harxhuan mjaft para për programe me radhë, që hartoheshin dhe nuk dilnin me suksesin e pritur, sistemi kontributeve nuk pati pasoja serioze, si për qytetarët amerikanë, po ashtu edhe për qeverinë federale. Futja e tipeve të ndryshme të përfitimeve dhe përcaktimi i mënyrës dhe nivelit të pagesës së tyre u mbështetën fort në situatën ekonomike dhe traditat e kulturën e SHBA.
Përcaktimi i përfitimeve prej sigurimeve shoqërore nisur nga nevojat bazë
Pagesat, që skema e sigurimeve shoqërore u bën kontribuesve në Shqipëri bazohet në nevojat bazë të tyre. Këto nevoja bazë përfshijnë nevojat biologjike, si dhe pjesërisht ato sociale, kulturale dhe fetare. Megjithatë, ato variojne nga një grup shoqëror në tjetrin. Megjithëse skema në vitet ‘90 ishte ende në gjendje të mbante barrën duke garantuar raportin 3 kontribues me 1 përfitues, në fund të dekadës së dytë ky raport arrin në 1.5 kontribues me 1 përfitues dhe sot mezi arrin 0.9 kontribues për 1 përfitues. Arsyet janë te informaliteti, papunësia, emigrimi i njerëzve duke u bërë rezidentë të shteteve të tjera si dhe për arsye të kulturës së pakët në lidhje me të drejtat dhe detyrimet fiskale të tyre ne këtë sistem. Me rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit në këto dy dekada e gjysëm, skema e kontributeve shoqërore nuk eci paralelisht me to. Nisur nga kjo, vendosja e nivelit të përfitimeve nuk ka qenë i përputhur mire me nivelin e zhvillimit sistemit të ri ekonomik dhe politikave fiskale të vendit.
Në Shqipëri, përfitimet nga kontributet shoqërore janë instrument i politikave qeveritare që kanë tingëlluar te përfituesit dhe kontribuesit si të padrejta me modelin ekonomik aktual dhe një model që mban zvarrë të ardhmen.
Në SHBA sektori privat financon një pjesë të konsiderueshme të programeve te sigurimeve shoqërore. Pagesat e bëra nga ky sektor privat financojnë dëmtimet në punë, pensionet, ndihma shoqërore dhe shpesh përdoren për të paguar shërbimet mjekësore, shërbimet arsimore apo kujdesjet ambulatore. Sigurimet shoqërore shtetërore me ato private plotësojnë njëra-tjetrën. Sa më shumë që zhvillohet sektori privat i sigurimeve aq më pak boshllëqe mbeten pa u plotësuar njerëzve nga përfitimet sociale sipas kontributit që kanë paguar.
Ky sistem akoma nuk ka gjetur përhapje edhe pse tregu informal i kapitaleve ka potenciale mjaft tunduese për të zhvilluar këtë sektor. Një sektor mjaft nxitës është pikërisht futja e skemës së mbrojtjes shoqërore. Ajo përfshin shuma te mëdha financiare. Edhe shteti më i pasur në botë (SHBA) nuk mund ta mbartë i vetëm barrën e pagesës së pensioneve dhe programeve të mbrojtjes shoqërore.
Nisur nga kjo vështirësi qeveritë e shteteve të zhvilluara janë munduar ta shtrijnë skemën edhe mbi sektorin privat duke e inkurajuar të jetë pjesë e skemës. Ky zgjerim i skemës mbi dy sektorët e bën më të vogël rriskun, si dhe shpërndan faturën buxhetore te një sektor jetik i ekonomisë, sektori privat. Edhe pse qeveria ka mbajtur disa pjesë të skemës të pacënuara, të cilat janë objekt i politikave më jetike qeveritare qendrore (programet për punonjësit e moshuar dhe sigurimi për paaftësitë në punë janë përgjegjësi e qeverise federale), pjesët e tjera të skemës (sigurimi i shëndetit dhe pagesat për papunësinë) janë ndarë midis qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Pjesët e mbetura të skemës së sigurimeve janë nxitur nëpërmjet kuadrit ligjor të shtrihen si politika të bizneseve private dhe të mbajnë barrën e tyre në këto pjesë të skemës.
Edhe në Shqipëri do të ishte mirë të shpallej dhe të strukturohej në nivel kombëtar një skemë e ngjashme funksionale. Investimi i fondeve të kontribuesve, i bazuar mbi parimet e sigurisë, krijimit të të ardhurave të larta për kohë të shkurtra dhe në interes të kontribuesve do të ishte mbyllja e derës përfundimisht modelit të sistemit të kaluar ekonomik dhe do ti orientonte brezat drejt sistemit të ri kontributiv. Por duhet thënë se reforma ka prekur pjesërisht sistemin per pensionet, por pa patur nderthurje harmonike me tregun e liberalizuar të sigurimeve.
Krijimi i skemës së sigurtë të investimit të fondeve të kontributeve në sektorë dhe industri fitimprurëse, si dhe menaxhimi i fondeve të kontribuara nga vetë kontribuesi (dhe jo shteti në masën 100% si ndodh në Shqipëri) do të përbënte një rimodelim të tregut financiar dhe një rritje të kërkesës së vetë këtij tregu për tu formalizuar dhe globalizuar.
Po të mbështetemi mbi këto përvoja të shteteve më të zhvilluara mund të gjejmë skema dhe mundësi për ti përshtatur këto përvoja të mira në drejtim të:
– reformimit të sistemit të mbrojtjes shoqërore në etapa graduale
– zgjerimit të fushave të përfitimeve prej skemës së mbrojtjes shoqërore
– krijimit të një sistemi të mbrojtjes shoqërore me disa nivele
– sigurimit të burimeve të fondeve për secilin nga programet
– unifikimit të menaxhimit të programeve të mbrojtjes shoqërore
Sugjerimet duhet të jenë objekt debati dhe jo kundërshtimi. Punët e mira bëhen dalë nga dalë është thënia e duhur për këtë rast.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.