Siguria ushqimore, një mospërmbushje që po rëndon koston e jetesës dhe shëndetin
Siguria ushqimore mbetet një objektiv i rëndësishëm zhvillimi në programet e qeverisë, por kjo është vetëm në letrat që janë shkruara njëherë në çdo fillim mandate qeverisje dhe më tej vetëm zoti mund të jetë kujtuar për ta zbatuar, pasi nuk duket se ka një qasje zbatuese të integruar dhe në avancim të duksëhm në këtë drejtim.
Nga verifikimi i kryer edhe nga ana jonë duket se si shumë nisma të tjera të përfshira në reformat e qeverisë ka një mungesë të thellë të rezultateve nga gjithë shpenzimet dhe koha e humbur në zhvillimin e duhur të menaxhimit të çështjes së sigurisë ushqimore.
Përtej prodhimit dhe disponueshmërisë së ushqimit, një sërë fërkimesh të prodhuesve vendorë me oligopolet në treg, shihet se roli i institucioneve që duhet të kryejnë detyrat e tyre po pengojnë furnizimin e vazhdueshëm të ushqimit të sigurt, të mjaftueshëm, të përballueshëm dhe ushqyes, me efekte negative joproporcionale mbi familjet në fundin e poshtëm të shpërndarjes së të ardhurave (pensionistë dhe familje me paga/ të ardhura mujore minimaliste).
Këto fërkime përfshijnë pengesa në aksesin në treg, boshllëqet e infrastrukturës së transportit, informacionin e kufizuar i produktit, kapacitetin e kufizuar të ruajtjes së prodhimeve, mbështetjen shumë të ulët në bujqësinë që lidhet me ushqyerjen dhe bujqësia e përhapur e pamekanizuar në shkallë të lartë. Këto janë disa prej faktorëve stresues të sigurisë ushqimore.
Sipas autoriteteve të larta të politikave të sigurisë ushqimore synimi politikave të tyre është te “Qasja e integruar në BE e sigurisë ushqimore që Shqipëria synon të ndjekë, e cila ka për qellim të siguroj një nivel të lartë të sigurisë ushqimore nëpërmjet masave koherente dhe monitorimit te pershtatshem nga ferma ne tryezë, duke siguruar funksionimin efektiv të tregut te brendshëm dhe eksportin e produkteve ushqimore shqiptare ne tregun europian e me gjere.
Objektivi strategjik i Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujrave (MBZHRAU) është garantimi në shkallën më të lartë te shëndetit të qytetarëve shqiptar dhe perfeksionimi i sistemit të mbikëqyrjes dhe garantimit të sigurisë ushqimore. Ky sistem do të shërbejë për mbrojtjen sa më të mirë të shëndetit të konsumatoreve nga sëmundjet/dëmtimet si pasojë e konsumimit të produkteve ushqimore me origjinë bimore ose shtazore. Nga ana tjeter do te garantoje dhe nje konkurence te ndershme ne treg te operatoreve te biznesit ushqimor.”
Sipas një analize të kryer për verifikimin e agjendës mbi sigurinë ushqimore është konstatuar, se “Në marrjen e mandatit qeveritar prej vitit 2017, anketimi i kryer nga qeveria e re në publik diktoi se siguria ushqimore përbënte çeshtjen e tretë më të rëndesishme prej së cilës qytetarët prisnin përmirësime gjatë mandateve qeverisëse (shënimi jonë).”
Në situatën aktuale në Shqipëri pavarësisht ekzistencës së një sërë organizmash që janë përgjegjës për garantimin e sigurisë ushqimore, procedurat e duhura për të mundësuar përmbushjen e qëllimit të tyre janë larg objektivit, me një nivel mosveprimi dhe arritjesh që përbën një kosto të vazhdueshme për mirëushqyerjen dhe shëndetin e njerëzve.
Sipas Progres raportit të këshillit të Europës në 2023 për Shqipërinë për këtë çështje të rëndësishme të politikës vëren se “Ka pasur progres të kufizuar në zbatimin e acquis për sigurinë e përgjithshme të ushqimit. Njëfarë progresi u bë në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit duke rigjallëruar sistemin AKU-net për statistikat e inspektimit, menaxhimin e të dhënave dhe transparencën. Duhet ende punë e rëndësishme për të reduktuar barrën administrative për planifikimin dhe raportimin mbi kontrollet zyrtare të bazuara në rrezik dhe për të siguruar që të dhënat kombëtare të jenë transparente. Pavarësisht krijimit të Panelit Shkencor në qershor 2022 dhe shkurt 2023, rezultatet e punës së tij nuk janë ende publike”.
Edhe pse ka një kuadër ligjor të miratuar duket se mungojnë mekanizmat konkrete që e mundësojnë zbatimin e detyrimeve ligjore dhe kryerjen e shërbimeve për të cilën paguhen, tashmë edhe me paga më të larta se më përpara.
Ajo që vlen në gjithë këtë qasje me një përpjekje minimnale në këtë sezon mjaft të gjallë të konsumit të produkteve ushqimore është e nevojshme zbatimi i kontrolleve dhe ruajtja e cilësisë së tyre, pasi në radhë të parë është shëndeti.
Në radhë të dytë është edhe adresimi ende pa zgjidhje i mirë (keq) ushqyerjes së qytetarëve (veçanërisht fëmijëve), ku përveç cilësisë së dobët dhe problemeve me vlerat ushqimore është edhe kostoja e lartë që paguajnë familjet madje edhe më shumë se në vendet e BE-së (Ciko. I, Qershor 2024). Studimet i rendisin produktet ushqimore të pasigurta, si një ndër shkaktarët kryesorë të shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme.
Nga gjithë parashtrimi i problemit në dukje këto diskutime duhet të ishin tejkaluar nëse institucionet përkatëse do të ishin duke punuar për gjithë këto vite që kanë kaluar dhe të mos ishim duke përsëritur shqetësime që janë lënë në shekullin e kaluar e më përpara tij në vendet e zhvilluara.
Në thelb të jetesës së përditshme siguria ushqimore e lidhur me cilësinë e produkteve ushqimore mbetet një sfidë që rëndon koston e jetesës, por edhe shëndetin e secilit.
Ndërkaq, nëse përfshijmë këtu edhe sfidat që vijnë lidhur me përballimin e fluksit të vizitorëve, atëherë përveç emrit të keq që përhapet me shpejtësi, do të kemi të bëjmë edhe me pasoja që ndikojnë në gjithë industrinë, që në kushtet e një konkurence të ashpër rajonale do të dëmtojë direkt edhe ekonominë e vendit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.