Si mund të nxitet rritja dhe qëndrueshmëria ekonomike në Kosovë në 2025?

Si mund të nxitet rritja dhe qëndrueshmëria ekonomike në Kosovë në 2025?

Rritja ekonomike në Kosovë mbështetet në tre shtylla kryesore: investimet, konsumi privat dhe reformat ekonomike. Këto faktorë mundet të ndërveprojnë edhe në 2025 për të krijuar një ekonomi më të fuqishme dhe të qëndrueshme. Investimet, konsumi privat dhe reformat ekonomike janë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik në Kosovë. Megjithëse janë arritur rezultate të dukshme, si rritja e investimeve dhe fuqizimi i sektorëve të ndryshëm, mbetet sfida për të reduktuar varësinë nga remitancat dhe për të rritur qëndrueshmërinë ekonomike. Nëse këto prioritete trajtohen me strategji afatgjata, Kosova ka potencialin të ndërtojë një ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme në rajon.

Investimet janë një komponent themelor për zhvillimin ekonomik. Investimet e huaja direkte (IHD) luajnë një rol të rëndësishëm duke ofruar kapital, teknologji dhe vende të reja pune.

Në vitin 2024, Kosova tërhoqi mbi 269 milionë euro në investime të huaja, me sektorë kryesorë si ndërtimtaria, energjia e rinovueshme dhe teknologjia e informacionit. Projektet si ndërtimi i parkut fotovoltaik në Ferizaj dhe përmirësimet në infrastrukturë, si autostrada “Morinë-Merdare,” janë dëshmi e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike. Investime të tilla rrisin prodhimin vendas dhe krijojnë vende pune për të rinjtë, të cilët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë. Por, vëmendja për 2025 duhet që IHD-të të mos përqendrohen në sektorë që nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e varfërisë. Për shembull, ndërtimi i qendrave tregtare ka ndihmuar në punësimin e përkohshëm, por jo domosdoshmërisht ka përmirësuar ekonominë afatgjatë. Për më tepër, pjesa më e madhe e IHD-ve nuk shtrihet në sektorin bujqësor, i cili është jetik për shumicën e popullsisë rurale të Kosovës. Kritikët argumentojnë se mungesa e projekteve për përmirësimin e bujqësisë ka lënë pas dore rajonet rurale, ku papunësia mbetet mbi 20%.

Ndërkohë, projekte si ai i ndërtimit të termocentralit diellor në Lipjan, i financuar nga investitorë gjermanë, ka krijuar mbi 150 vende pune të përkohshme.

Po ashtu, investimet publike dhe private në infrastrukturë dhe shëndetësi kanë qenë thelbësore. Qeveria ka ndërtuar rrugë dhe spitale, si autostrada “Morinë-Merdare,” ndërsa sektori privat ka ndihmuar në fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë.

Konsumi privat është një tjetër shtyllë e rritjes ekonomike, duke përbërë rreth 60-65% të PBB-së së Kosovës. Kjo lidhet drejtpërdrejt me shpenzimet e individëve dhe familjeve për mallra dhe shërbime. Një pjesë e madhe e konsumit privat mbështetet nga remitancat e dërguara nga diaspora, të cilat arritën në 800 milionë euro në vitin 2024. Remitancat jo vetëm që ndihmojnë në mbulimin e nevojave të përditshme, por gjithashtu përmirësojnë standardet e jetesës dhe fuqizojnë bizneset lokale.

Varësia nga remitancat gjithsesi paraqet një dobësi strukturore të ekonomisë. Nëse diaspora përballet me sfida ekonomike në vendet pritëse, remitancat mund të bien ndjeshëm, duke lënë boshllëqe të mëdha në ekonomi. Për më tepër, remitancat shpesh shkojnë për konsum afatshkurtër dhe jo për investime prodhuese që do të krijonin të ardhura të qëndrueshme. Në Prishtinë, 40% e blerjeve të pronave të reja financohen me remitanca. Ky trend ka nxitur një bum në sektorin e ndërtimit, por nuk ka adresuar sfidat e papunësisë strukturore dhe mungesën e aftësive në tregun e punës.

Reformat ekonomike dhe përmirësimi i klimës së biznesit në Kosovë janë çelësi për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe integrimin e vendit në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, përballjet me sfida të brendshme si korrupsioni, burokracia dhe konkurrenca e padrejtë janë ende pengesa kryesore.

Qeveria e Kosovës krijoi një skemë lehtësuese për investimet e huaja, duke ulur tatimet për kompanitë që operojnë në sektorët e energjisë së rinovueshme dhe teknologjisë së informacionit. Kjo ka tërhequr investitorë të rinj nga Gjermania, Suedia dhe Turqia. Në vitin 2024, një kompani suedeze investoi 15 milionë euro për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e pajisjeve të energjisë diellore në Prizren, duke krijuar 300 vende të reja pune.

Në vitin 2024, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) implementoi një platformë të re digjitale për raportimin e taksave, e cila lehtësoi proceset për bizneset dhe rriti transparencën. Për më tepër, modernizimi i shërbimeve doganore zvogëloi ndjeshëm kohën e pritjes për mallrat që hyjnë dhe dalin nga vendi. Sistemi i digjitalizuar për deklarimin tatimor uli kohën mesatare për plotësimin e formularëve nga 5 ditë në vetëm 2 ditë. Kjo përmirësoi eficiencën e biznesit, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), që përbëjnë 90% të ekonomisë së Kosovës.

Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar transparencën, korrupsioni mbetet një pengesë e madhe për bizneset. Sipas raportit të Transparency International për vitin 2024, Kosova mbeti në vendin e 84-të në indeksin e perceptimit të korrupsionit, duke treguar një përparim të ngadaltë.

Bizneset raportojnë ende vonesa në procedura dhe konkurrencë të pandershme për shkak të lidhjeve politike. Për shembull, në vitin 2024, qeveria miratoi një politikë për lehtësimin e importit të pajisjeve bujqësore pa taksa. Megjithatë, fermerët nga rajoni i Gjilanit raportuan vonesa të zgjatura për shkak të procedurave të komplikuara doganore.

Ekonomia joformale përbën ende rreth 30% të aktivitetit ekonomik, duke krijuar një terren të padrejtë për bizneset që operojnë në mënyrë të ligjshme. Konkurrenca e padrejtë ndikon në rënien e besimit të investitorëve të huaj dhe vendës.

Në sektorin e ndërtimit, mjaft kompani raportuan ulje të të ardhurave për shkak të operimit të kompanive të paautorizuara që shmangnin taksat dhe rregulloret.

Edhe pse ka përimrësime në aksesin për financim të bizneseve të vogla dhe të mesme ato ende hasin vështirësi në sigurimin e financimit për të zgjeruar aktivitetin e tyre. Bankat vendase aplikojnë norma të larta interesi, ndërsa grantet dhe subvencionet qeveritare mbeten të pamjaftueshme. Në vitin 2024, vetëm 25% e kërkesave për kredi të NVM-ve u aprovuan nga bankat komerciale, ndërsa pjesa tjetër u refuzua për shkak të mungesës së kolateralit.

Për të përmirësuar ekonominë e Kosovës në vitin 2025, është e nevojshme të ndërmerren hapa të menduar dhe të koordinuar, duke adresuar dobësitë ekzistuese dhe duke maksimizuar potencialin e sektorëve kyç ekonomikë.

Së pari është përshpejtimi i luftës kundër korrupsionit dhe burokracisë. Për 2025 duhet të fillohet me krijimin e një sistemi elektronik të monitorimit të prokurimit publik, duke lejuar transparencë në tenderat shtetërorë. Po ashtu edhe fuqizimi i institucioneve të pavarura kundër korrupsionit dhe përfshirja e organizatave ndërkombëtare për të monitoruar progresin. Shqipëria përdori një platformë të tillë në vitet e fundit për të ulur korrupsionin në prokurimet publike dhe është vlerësuar për transparencën e rritur nga Banka Botërore, por gjithsesi duhet të mësohet edhe nga gabimet që kanë shoqëruar këtë proces.

Së dyti nevojiten politika tërheqëse për investitorët e huaj dhe vendas. Ndryshimi me 2024 e më përpara konsiton në modelimin e disa zonave ekonomike speciale me taksa të ulëta dhe lehtësira për investitorët që hapin fabrika ose ndërmarrje prodhuese, e ngjashme me modele që janë zbatuar në Shqipëri, por edhe vende të tjera të rajonit. Natyrisht, që pas analizash të thella nebojitet edhe një rishpoërndarje e barrës fiskale,  ku reduktimi i barrës fiskale për binzeset e vogla, veçanërisht për sektorët që krijojnë shumë vende pune (bujqësia, energjia e rinovueshme dhe teknologjia) ka nevojë të rishikohet me qëllim stimulimin e përkohshëm të tyre.

Së treti është formalizimi i ekonomisë joformale. Formalizimi i bizneseve është një sfidë tejet komplekse, por një nga instrumentet që mund të aplikohet në 2025 është ulja e ndjeshme të kostove të formalizimit për bizneset mikro dhe të vogla, të tilla që të lehtësojë barrën që ngarkohet në momentin e formalizimit, me shpenzimet fiskale, operacionale dhe kostot e punonjësve. Masa të ngjashme kanë dhënë efekte kur janë zbatuar të përshtatura me mentalitetin e ekonomisë vendore.

Së katërti janë investimet në Energjinë e Rinovueshme dhe në efiçencën energjitike. Zhvillimi i politikave për diversifikimin e burimeve të energjisë, duke investuar me ritme më të larta në energjinë diellore, të erës dhe hidrocentrale të vegjël, si dhe alternimin me burimet energjetike nga përdorimi I gazit të lëngshëm dhe biomasës sipas specifikave vendore është harmonizimi më i pranu8eshëm për ekonominë, mjedisin dhe konsumin. Vijimi i programit për subvencionimin e bizneseve dhe familjeve që instalojnë panele diellore ka nevojë të rishihet me termat praktikë dhe të shtyhet më tej. Një shembull për tu analizuar është Maqedonia e Veriut, e cila në 2024 arriti të prodhojë 20% të energjisë së saj nga burimet e rinovueshme, duke tërhequr investime të huaja në këtë sektor.

Së pesti duhet të rishihet reforma e arsimit dhe zhvillimi i aftësive profesionale. Themelimi i qendrave të ekselencës profesionale në bashkëpunim me sektorin privat për të trajnuar punonjës në sektorë specifikë si teknologjia, turizmi dhe prodhimi janë kërkesa që I dikton koha dhe e ardhmja. Në këtë qasje nevojitet nxitja e programeve të edukimit dual (arsim + praktikë në biznes), një model i suksesshëm në Gjermani. Bashkëpunimi i qeverisë me kompanitë IT në Kosovë mund të trajnojë më shumë të rinj për të konkurruar në tregjet globale.

Së gjashti, shihet si e nevojshme të rritet qasja në financim për bizneset. Përvojat dhe shembujt janë të shumtë, por vendimi më oportun është themelimi i një Fondi Kombëtar për NVM-të, i mbështetur nga donatorët ndërkombëtarë, për të ofruar kredi me norma interesi të ulëta në konkurencë me systemin banker në Kosovë, I cili ka të njëjtën ngurtësi sin ë Shqipëri. Po ashtu, nga përvoijat e ndryshme ne mendojmë edhe lehtësimin e qasjes në kapital përmes krijimit të një platforme për crowdfunding[1]. Polonia, si një shembull për tu kuptuar nga politika dhe biznesi ka përdorur fonde kombëtare dhe të BE-së për të mbështetur startupe, duke rritur ndjeshëm zhvillimin e sektorit të teknologjisë.

Së shtati është vijimi me investimet e zgjuara për zhvillimin e infrastrukturës së transportit dhe logjistikës. Përfundimi i projekteve kyçe si autostrada Prishtinë–Gjilan dhe modernizimi i hekurudhave si dhe krijimi i qendrave logjistike në afërsi të pikave kufitare për të përshpejtuar qarkullimin e mallrave ndihmon jo vetëm tregtinë e brendshme, por ndikon mbi përshpejtimin e proceseve të eksportit duke nxitur edhe diversifikim të burimeve të furnizimit dhe të qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve. Një shembull në këtë drejtim është Shqipëria, e cila ka përmirësuar logjistikën për eksportet duke ndërtuar qendra industriale dhe logjistike në Durrës.

Së fundmi, si një përmbledhje e gjithë shtysave sa më lart është mobilizimi gjitpërfshirës për diversifikimin e ekonomisë dhe nxitjen e eksporteve. Në kushtet e një ekonomie në zhvillim si ajo e Kosovës, diversifikimi ekonomik dhe nxitja e eksporteve janë elemente kyçe për një rritje të qëndrueshme dhe të qëndrueshme. Kjo kërkon një mobilizim gjithëpërfshirës, duke përfshirë qeverinë, sektorin privat, diasporën, donatorët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile.

Kjo shtysë mjaft e madhe përfshin diversifikimin drejt bujqësisë dhe agrobiznesit, zhvillimin cilësor të teknologjisë dhe inovacionit dhe energjitë e rinovueshme. Ky diversifikim duhet të synojë zhvillimin e kapaciteteve prodhuese për konsum vendor, por më së shumti për eksport duke shfrytëzuar marrëveshjet dhe integrimet në organizata, por edhe krijimin e paltformave alternative të financimit dhe përkrahjes. Në këtë megaqsje nëvojitet angazhimi i grupeve të interest dhe jo përjashtimi I tyre duke filluar nga konsultimet e rregullta dhe llogaridhënia e detyrueshme, por edhe mobilizimi në sinkron i gjithë burimeve brenda një qëllimi

Në vitin 2025, ekonomia e Kosovës ka nevojë për reforma strukturore, fokus në formalizimin e ekonomisë, tërheqjen e investimeve të huaja, dhe zhvillimin e burimeve njerëzore dhe energjetike. Zbatimi i këtyre masave me efikasitet mund të krijojë një ekonomi të qëndrueshme, të hapur dhe konkurruese.

Përmes mobilizimit gjithëpërfshirës, Kosova mund të diversifikojë ekonominë dhe të nxisë eksportet, duke krijuar një bazë më të gjerë dhe më të qëndrueshme për zhvillim ekonomik. Bashkëpunimi ndërsektorial dhe një qasje strategjike do të jenë çelësi për të realizuar këtë vizion në 2025 dhe më tej.

[1] Një platformë për crowdfunding (financim në grup) është një mekanizëm që lejon individët dhe bizneset të mbledhin fonde nga një numër i madh njerëzish përmes internetit. Kjo formë financimi është veçanërisht e dobishme për startup-et dhe projektet kreative që nuk kanë akses në financime tradicionale si bankat apo investitorët e mëdhenj

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.