Shqipëria që po rritet në ajër – Pse duhet një pakt i ri social për banesën?
Në Shqipëri të kesh një apartament nuk është thjesht një e drejtë është një fiksim kombëtar, një garanci për të ardhmen në një vend ku e tashmja është gjithnjë e pasigurt. Por pas fasadës së këtij “ëndrre shqiptare” fshihet një e vërtetë tronditëse.
Ndonëse ndërtohet çdo ditë më shumë, strehimi po bëhet një luks, jo një standard jetese.
Qytetet tona kryesore janë duke u mbushur me ndërtesa, por po zbrazen nga njerëzit. Spekulimi, mungesa e politikave të qëndrueshme dhe zhbalancimi mes ofertës dhe kërkesës kanë prodhuar një treg të pastabilizuar, ku banesa nuk i shërben më qytetarit, por kapitalit të pashfrytëzuar.
Por prapa këtij vrulli ndërtimesh, fshihet një krizë strehimi që po thellohet me heshtje, e që rrezikon të shndërrohet në kërcënim social e zhvillimor në formatin e një rrisku krize financiare[1].
Ndërsa rrisku i një krize financiare të sektorit të ndërtimit duket se po fillon të shfaqë shenjat e pritshme.
Boom ndërtimi pa drejtim: Oqeani i betonit që po mbyt mundësinë për të jetuar
Në dekadën e fundit, ndërtimi është shndërruar në sektorin më të “gjallë” të ekonomisë, por ky gjallëri nuk do të thotë zhvillim i qëndrueshëm. Ai është më së shumti rezultat i kapitalit të kthyer nga emigracioni, të ardhurave të padeklaruara dhe pastrimit të parasë, jo i kërkesës së natyrshme të tregut.
Prandaj, ndërtohet pa kriter social, jo aty ku ka nevojë, jo për ata që kanë nevojë.
Kjo ka sjellë një mbiprodhim banesash luksoze për një treg fiktiv, ndërkohë që mungesa e ofertës së përballueshme është kthyer në krizë.
Ndërtimi nuk ka më funksionin shoqëror të ofrimit të strehimit. Është kthyer në një instrument spekulativ për akumulim pasurie, shpesh të paligjshme. Ndaj, më shumë ndërtime nuk do të thotë më shumë strehim, përkundrazi krijon një iluzion zhvillimi që thellon përjashtimin social.
Miti i rritjes ndërtimore dhe kush përfiton nga boom-i?
Në një sipërfaqe urbane që ndryshon çdo muaj, fshihen mospërputhje të mëdha mes ofertës dhe kërkesës reale për banesa.
Ndërtohet shumë, por për kë?
Investimet janë përqendruar në segmentin luksoz të tregut, me çmime që nuk reflektojnë as kostot reale dhe as fuqinë blerëse të popullatës. Ky fenomen nuk është vetëm ekonomik – është spekulativ.
Shtysat janë të qarta!
Mungesa e një takse reale mbi pronën e shumëfishtë nxit grumbullimin e pasurive, ndërsa mungesa e rregullimit të tregut nxit një formë “financimi” të strehimit, ku apartamenti trajtohet si aseti më fitimprurës, jo si nevojë shoqërore.
Kush nuk ka vend në tregun e banesave
Në këtë model aktual, të rinjtë pa histori kredie, punëtorët në sektorin informal, emigrantët që dërgojnë para por nuk kanë dokumentim të të ardhurave janë të gjithë jashtë sistemit. Ata nuk janë “të padukshëm” nga rastësia, por nga mungesa e politikave gjithëpërfshirëse.
Këta qytetarë janë gjithnjë e më afër kufirit jo vetëm ekonomikisht, por edhe gjeografikisht, pasi përzihen nga qytetet për në periferi pa infrastrukturë, pa shërbime, pa të ardhme. Në një vend me një ekonomi të brishtë dhe emigracion të lartë, ky është një skenar që përgatit rrënimin demografik.
Çmimet fluturojnë, pagat mbeten në tokë, si formulë për ndarje klasore
Në një vend ku paga mesatare neto mezi kalon 800 euro, çmimet e apartamenteve janë rritur në një mesatare deri në 3,000 euro për metër katror në zonat urbane.
Ky është një absurd ekonomik.
Pagat mujore të ulëta bien ndesh me çmimet gjithnjë në rritje të apartamenteve. Në shumë raste, të rinjtë, çiftet e reja apo profesionistët janë të detyruar të hyjnë në kredi të pafundme, një varësi e gjatë dhe e pasigurt që shpesh kalon brez pas brezi.
Kur një familje duhet të marrë një kredi 30-vjeçare për një apartament minimal, ajo nuk po ndërton një të ardhme, por po e mbyll veten në një cikël borxhi të pafund.
Ndërkohë, pjesa tjetër e popullsisë, që nuk ka akses në kredi për shkak të informalitetit apo të ardhurave të pasigurta mbetet jashtë sistemit.
Ky është jo vetëm dështim i tregut, por edhe i shtetit, i cili nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht detyrën për të garantuar strehimin si të drejtë themelore. Në vend të një tregu të rregulluar, kemi një kaos të mbështetur në heshtje nga institucionet.
Realiteti ekonomik i qytetarëve nuk ndjek ritmin e tregut të banesave. Kjo nuk është thjesht një çështje financimi është përjashtim nga e drejta për të ndërtuar një jetë dinjitoze në vendin tënd.
Masa e Bankës së Shqipërisë, një sinjal që nuk duhet keqkuptuar
Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të forcuar kriteret e kredisë për banesë (përmes kufijve të DTI[2] dhe LTV[3]) u perceptua si goditje për qytetarët. Por realisht, ishte përpjekje për të parandaluar një krizë të mundshme financiare si ajo e vitit 2008. Të mbash nën kontroll huadhënien nuk do të thotë të përjashtosh shtresën e mesme, por të parandalosh një spirale kolapsi ku bankat, familjet dhe vetë shteti do të ndëshkoheshin më vonë.
Megjithatë, në mungesë të një ndërhyrjeje aktive nga shteti në ndërtimin e banesave sociale dhe përballueshme, masa e Bankës mbetet e izoluar dhe potencialisht diskriminuese për shtresat që nuk kanë opsione të tjera për strehim.
Shteti duhet të ndryshojë rolin, nga spektator në aktor
Në një treg që ka humbur busullën sociale është vetëm shteti që me një ndërhyrje e mirëorganizuar mund të rivendosë balancën midis të drejtës për strehim dhe interesit të tregut.
Jo me premtime të përgjithshme, por me një Strategji Kombëtare për Strehimin, që të mos mbetet në letër.
Çfarë duhet të përfshijë kjo strategji?
- Ndërtim i banesave sociale dhe të përballueshme nëpërmjet PPP-ve dhe përdorimit të tokës publike në qytetet e mëdha;
- Skema garancie për të rinjtë, çiftet e reja dhe kategoritë e pambrojtura për të blerë banesën e parë;
- Regjistër i detyrueshëm për çmimet reale të shitjeve, për të rritur transparencën dhe luftuar spekulimin;
- Fiskalizim i ndërtimit dhe taksë progresive mbi pronën e shumëfishtë, për të frenuar grumbullimin dhe për të liruar ofertën reale.
Banesa është e drejtë dhe kusht për dinjitetin njerëzor
Pa banesë nuk ka jetesë me dinjitet.
Pa banesë të përballueshme nuk ka familje të qëndrueshme, nuk ka shtresë të mesme nuk ka qytetari aktive.
Le të ndalojmë së trajtuari apartamentin si status dhe fillojmë ta trajtojmë si nevojë.
Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë beton, por për më shumë njerëz që e quajnë këtë vend “shtëpi”.
Nëse nuk ndryshohet kurs, do të përballemi me pasoja të rënda: përqendrime të reja elitash urbane, largim të të rinjve, tensione sociale të akumuluara. Prandaj, Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për apartamente të reja ka nevojë për një pakt të ri social për strehimin, që të garantojë të drejtën për të jetuar, jo vetëm për të investuar.
[1] https://altax.al/product/a-jemi-ne-prag-te-nje-flluske-financiare/
[2] Përcakton se pagesa mujore e kredisë nuk duhet të kalojë një përqindje të caktuar të të ardhurave mujore të huamarrësit (zakonisht 35–40%)
[3] Kufizon shumën e kredisë në raport me vlerën e pronës. P.sh. qytetari nuk mund të marrë më shumë se 80% të vlerës së apartamentit
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.