Sfidë të madhe me informalitetin dhe mospagimin e sigurimeve shoqërore
Shqipëria përballet me një sfidë të madhe në lidhje me informalitetin dhe mospagimin e sigurimeve shoqërore, e cila ka efekte negative në ekonominë dhe sistemet sociale. Megjithatë, krahasimi me vendet fqinje si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia, tregon se ka mundësi për përmirësim përmes reformave në politikën tatimore, forcimin e inspektimeve dhe nxitjen e formalizimit të ekonomisë.
Sipas Drejtorisë së përgjithshme të tatimeve në Shqipëri, vlerësohet se rreth 30% e subjekteve të regjistruara nuk raportojnë korrektësisht të ardhurat e punonjësve, duke shmangur pagesat për sigurimet shoqërore. Ky evazion është veçanërisht i theksuar në sektorët e ndërtimit, turizmit dhe shërbimeve.
Ndërkohë, nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, në vitin 2023, numri i subjekteve që shpallën falimentim është rreth 1,100, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e këtyre subjekteve kishin pasur borxhe të pa-paguara për sigurimet shoqërore.
Statistikat e falimentimeve tregojnë që rreth 20% e bizneseve të falimentuara kishin akumuluar borxhe të konsiderueshme për sigurimet, që varionin nga 500,000 deri në 10 milionë lekë për subjekt.
Mungesa e sigurimeve shoqërore po çon në një rritje të pabarazisë sociale, pasi ata që punojnë në sektorë të informale ose të pasiguruar nuk kanë mundësi të përfitojnë nga shërbimet publike si shëndetësia dhe pensionet. Kjo përkeqëson standardet e jetesës për ata individë dhe rrit varfërinë.
Me një popullsi të plakur dhe një numër të reduktuar kontributorësh, sistemi i pensioneve është në rrezik, pasi kontribuuesit nuk janë të mjaftueshëm për të mbështetur fondet e pensioneve në të ardhmen. Në vitin 2023, rreth 55% e pensionistëve nuk kishin paguar mjaftueshëm gjatë jetës së punës për të marrë një pension të plotë, duke rritur barrën mbi buxhetin shtetëror.
Shkalla e fenomenit është bërë e përhapur edhe më tej pas krizës pandemike në Shqipëri, ku një pjesë e mirë e bizneseve të vogla dhe të mesme përballen me vështirësi financiare, që shpesh i çojnë në evazion fiskal, duke përfshirë mospagimin e sigurimeve shoqërore. Për të kuptuar më mirë situatën, duhet analizuar përhapja, efektet dhe shkaqet e këtij fenomeni.
Sektorët ekonomikë më të prekur janë:
Ndërtimi dhe tregtia. Biznese që zakonisht përdorin punonjës sezonalë dhe shpesh shmangin raportimin korrekt të pagave.
Shërbimet dhe hoteleria. Subjekte që punësojnë me kontrata të pasigurta ose me paga informale.
Ndërkohë, rajonet më të prekura janë zona urbane, si: Tirana, Durrësi dhe Fieri, Vlora për shkak të përqendrimit të lartë të biznesit, kanë shkallën më të lartë të shkeljeve.
Mos-pagimi i sigurimeve shoqërore nga subjektet në Shqipëri, veçanërisht ato që falimentojnë, është një fenomen i përhapur që ndikon ndjeshëm në ekonominë kombëtare dhe mirëqenien sociale..
Nga mospagesa e sigurimeve shoqërore dalin edhe pasoja të ndryshme, të cilat përmblidhen në pasoja juridike, ekonomike dhe sociale. Për të analizuar këtë situatë, mund të trajtojmë disa aspekte kryesore:
Pasoja juridike janë ndër të tjera:
Detyrimet e prapambetura. Subjektet që nuk paguajnë sigurimet shoqërore mbeten me detyrime të pashlyera ndaj administratës tatimore dhe fondeve të sigurimeve. Këto detyrime përfshijnë interesat dhe penalitetet dhe krijojnë situatë borxhi të pashlyer duke penguar riaktivizimin apo fryrjen e regjistrave të borxhit..
Procedurat ligjore. Në rast falimentimi, administratori i falimentimit duhet të adresojë detyrimet për sigurimet në listën e borxheve prioritare për t’u paguar gjatë procesit të likuidimit.
Sanksionet. Përgjegjësia mund të bjerë mbi administratorët apo drejtuesit e subjektit për shkak të shmangies nga detyrimet ligjore.
Pasoja ekonomike janë:
Të ardhura të humbura për buxhetin. Mos-pagimi i sigurimeve ul ndjeshëm të ardhurat e shtetit, duke reduktuar fondet për pensione, shëndetësi dhe përfitime të tjera sociale. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, humbjet nga evazioni fiskal dhe mos-pagimi i sigurimeve shoqërore në vitin 2023 ishin të paktën 1.2 miliardë lekë. Ky shumë përfaqësonte humbje të mundshme për fondet e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve, duke prekur sistemin e shëndetësisë dhe mbulimin e shërbimeve sociale.
Vështirësi në sistemin e pensioneve. Me një pjesë të popullsisë që nuk kontribuon në skemën e sigurimeve, shteti duhet të subvencionojë pensionet përmes buxhetit të përgjithshëm, duke rritur barrën mbi taksapaguesit. Buxheti i shtetit është i detyruar të subvencionojë përfitimet për individët që nuk janë të siguruar. Ky fenomen rrit shpenzimet publike për mbështetje sociale dhe për pensionet, duke bërë që buxheti të jetë më i ngarkuar, veçanërisht në periudha krize ekonomike.
Dëmi për punonjësit. Nëse sigurimet nuk janë paguar, punonjësit mund të humbasin të drejtat e tyre për përfitime, si pensionet apo mbulimi shëndetësor. Humbja e aksesit në kujdesin shëndetësor dhe pensione, ndikon direkt në përkeqësimin e standardeve të jetesës.
Rritja e informalitetit. Mos-pagimi i sigurimeve inkurajon informalitetin ekonomik dhe konkurencën e pandershme midis bizneseve. Sektori informal i ekonomisë në Shqipëri është i konsiderueshëm. Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë, vlerësohet që ekonomi e zezë dhe informaliteti përbëjnë rreth 30% të PBB-së, çka i jep një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e sistemeve të sigurimeve sociale.
Rreth 40% e individëve që punojnë në sektorë të tillë si ndërtimi dhe shërbimi janë të pasiguruar, duke pasur si pasojë një mbështetje të ulët në sistemet e sigurimeve dhe shëndetësisë.
Pasoja sociale janë:
Ndikimi tek individët. Punonjësit që kanë punuar në subjekte të tilla mund të përballen me vështirësi financiare dhe mungesë sigurie për të ardhmen.
Besimi publik. Praktika të tilla minojnë besimin tek sistemet e sigurimeve dhe nxitin një kulturë evazioniste.
Në situatën e krijuar nga mospagimi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ka arsye të ndryshme, pse ndodh kjo, por nga analizat e shkaqeve të evidentuara më së shumti ato lidhen me:
– Vështirësitë ekonomike të bizneseve. Mungesa e kapitalit dhe qasjes në financime të qëndrueshme i shtyn shumë biznese të reduktojnë kostot, përfshirë sigurimet shoqërore.
– Kultura e informalitetit dhe evazioni fiskal. Bizneset shpesh përpiqen të shmangin detyrimet për të mbijetuar në një ekonomi ku informaliteti është i zakonshëm.
– Kontrolli i dobët nga autoritetet ligjzbatuese. Mungesa e inspektimeve të rregullta dhe dënimeve të ashpra për shkelësit krijon një mjedis ku mos-pagimi nuk ndëshkohet.
– Pabarazia e zbatimit të ligjit. Disa biznese më të mëdha kanë akses në favorizime nga politika ose administrata, duke shmangur detyrimet e tyre.
– Ndikimet kulturore dhe mungesa e ndërgjegjësimit. Shumë individë dhe biznese nuk e shohin pagesën e sigurimeve si një prioritet për shkak të besimit të ulët tek sistemi.
Shkaqet e përhapjes së këtij fenomeni përfshijnë kryesisht:
– Koston e lartë për bizneset. Kostoja e pagimit të sigurimeve shoqërore për punonjës është një ngarkesë e konsiderueshme për bizneset, veçanërisht për ato të vogla. Për një pagë mesatare prej 50,000 lekësh në muaj, detyrimi për sigurimet shoqërore (shëndetësor dhe pensioni) mund të arrijë deri në 12,000 lekë (24% e pagës bruto), që për disa biznese mund të jetë një barrë e rëndë.
– Evazionin e nxitur për shkak të konkurrencës së pandershme. Bizneset shpesh shmangin pagesën për sigurimet për të ulur kostot dhe për të mbijetuar në një treg konkurrues, ku shumica e konkurentëve janë informalë ose nuk respektojnë të gjitha detyrimet fiskale.
– Kontrollet e dobëta dhe ligje të pa-zbatuara të ndikuara nga korrupsioni dhe patronazhimi politik. Autoritetet fiskale dhe inspektorët kanë burime të kufizuara dhe shpesh nuk arrijnë të mbikëqyrin të gjitha bizneset. Mungesa e kontrolleve të rrepta nxit evazionin dhe mos-pagimin e detyrimeve.
– Mungesa e ndërgjegjësimit të punonjësve dhe punëdhënësve. Sipas një studimi të Këshillit të Biznesit në Shqipëri, rreth 50% e punonjësve në sektorë të caktuar nuk janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre për sigurime shoqërore, duke i bërë ata më pak të prirur të kërkojnë pagesat përkatëse nga punëdhënësit.
Përhapja e fenomenit në Shqipëri kërkon ndërhyrje të integruar që të adresojë jo vetëm shkaqet e drejtpërdrejta, por edhe sfidat strukturore të ekonomisë dhe kulturën e informalitetit. Vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse mund të sigurohet që subjektet të respektojnë detyrimet e tyre dhe të kontribuojnë në stabilitetin ekonomik dhe social.
Megjithëse duhet të përmendim se institucionet bëjnë përpjekje të përditshme në drejtim të adresimit të problemve duke u angazhuar me shkaqet, ne mendojmë se përgjegjësia e institucioneve është një faktor me shumë ndikim në gjithë qasjen për forcimin e skemës së sigurimeve.
Përgjithësisht në shumë vite të fundit kemi parë politika të pasigurta dhe mangësi ligjore. Një nga shkaktarët kryesorë të mospagimit të sigurimeve shoqërore është mungesa e një politike të qëndrueshme dhe efikase që nxit bizneset të respektojnë detyrimet e tyre. Qeveria është përgjegjëse për krijimin e ligjeve dhe rregulloreve që duhet të sigurojnë një mbikëqyrje të efektshme dhe të krijojnë kushte për nxitjen e pagimit të sigurimeve.
Një faktor tjetër është mungesa e efikasitetit të inspektoratit dhe administrimit nga tatimet. Një tjetër përgjegjësi e qeverisë është mbikëqyrja dhe kontrolli i subjekteve të biznesit. Mungesa e një inspektorati të fortë dhe të mirëpajisur ka çuar në rritjen e informalitetit dhe shmangien e pagesave për sigurimet. Autoritetet tatimore dhe institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pajisura me mjetet dhe kapacitetet për të kontrolluar dhe mbikëqyrur bizneset dhe individët që nuk kontribuojnë.
Po kështu, dështimi në ngushtimin e evazionit fiskal dhe informalitetit është një tjetër faktor ndikues. Qeveria duhet të ndërmerrte hapa të suksesshëm për të luftuar evazionin fiskal dhe për të zbatuar ligjet që ndalojnë informalitetin ekonomik. Nëse autoritetet shtetërore nuk krijojnë një ambient të fortë ligjor dhe nuk ndëshkojnë shkelësit, situata do të vazhdojë të përkeqësohet.
Së fundmi, ndikim negativ ka edhe reformimi i vonuar në sistemin e sigurimeve shoqërore. Një tjetër përgjegjësi e qeverisë është zhvillimi dhe modernizimi i sistemit të sigurimeve shoqërore. Në këtë mes, mospërfshirja e tregut privat është një mangësi e madhe dhe që po jep ndikim në skemë. Nga ana tjetër, reformat që përmirësojnë procesin e regjistrimit dhe mbikëqyrjen e punonjësve janë të domosdoshme për të arritur një sistem të qëndrueshëm dhe efikas.
Por, një përgjegjësi të madhe kanë bizneset dhe punëdhënësit.
Mosrespektimi i detyrimeve nga subjektet private dhe punëdhënësit është një përgjegjësi direkte, që përfshin regjistrimin e punonjësve në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe pagesën e kontributeve të duhura. Shumë biznese shmangin pagesat për sigurimet shoqërore, duke e vendosur barrën e pagimit mbi shtetin dhe mbi individët.
Evazioni dhe informaliteti nga bizneset që veprojnë në sektorë të informalizuar, si ndërtimi, turizmi dhe bujqësia, shpesh kanë shmangur detyrimet për sigurimet shoqërore. Për këtë, punëdhënësit janë përgjegjës që të sigurojnë se punonjësit e tyre janë të regjistruar dhe kontribuojnë në skemat e sigurimeve.
Mbështetje e pamjaftueshme për punonjësit, ku shpesh herë, bizneset e vogla dhe ato të mesme nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme për punonjësit, për shkak të problemeve financiare që mund të kenë është një shkak mjaft i përhapur. Kjo çon në mungesën e sigurimeve dhe përfitimeve për punonjësit.
Në përgjegjësinë për situatën përfshihen edhe punonjësit dhe individët
Mungesa e informacionit dhe vetëdijes, ku një pjesë e madhe e individëve, sidomos ata që punojnë në sektorët e informalizuar, nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e sigurimeve shoqërore dhe për pasojat që sjell mos-pagimi i kontributeve është mjaft i përhapur. Kjo është një përgjegjësi e individëve për të kuptuar se si pagimi i kontributeve mund të ndikojë në sigurimet shëndetësore dhe pensionet e tyre.
Nga ana tjetër, shmangia e detyrimeve nga disa individë, sidomos ata që janë të angazhuar në punë të përkohshme ose të pasiguruara ka qenë tendenca dhe preferencë që ende vazhdon duke shmangur pagesat për sigurimet. Justifikimi i tyre është sidomos te moshat e reja që i konsiderojnë sigurimet një barrë e tepërt financiare.
Përgjegjësia e gjithë tregut ka një ndikim të fortë në situatën e mospagimeve të sigurimeve.
Disa biznese, veçanërisht ato të vogla, përballen me vështirësi financiare dhe nuk kanë mundësi të përmbushin detyrimet për sigurimet. Bankat dhe institucionet financiare mund të ofrojnë mbështetje më të madhe për bizneset përmes linjave të kreditimit që mund të ndihmojnë në përmbushjen e këtyre detyrimeve.
Një rol i rëndësishëm ka edhe monitorimi i flukseve financiare të bizneseve dhe individëve nga institucionet financiare, për të identifikuar mundësinë e shmangies së detyrimeve dhe për të parandaluar abuzimet me sistemin e sigurimeve.
Sindikatat dhe OJQ-të ende nuk e luajnë sa duhet rolin aktiv në edukimin e punonjësve mbi rëndësinë e sigurimeve shoqërore dhe ndihmën që mund të ofrojnë për të përmirësuar kushte për punëtorët, sidomos në sektorët që përballen me informalitetin më të lartë.
Sindikatat duhet të avokojnë për reforma të nevojshme në politikën e sigurimeve dhe për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve. Ata gjithashtu mund të ndikojnë në ndihmën e punëdhënësve për të siguruar që punonjësit të jenë të mbuluar nga sigurimet shoqërore.
Në këto kushte analiza jonë na orienton drejt atyre momenteve për reflektim dhe për të porpozuar qasje që duhet të ndërthuren me politikat në zbatim, si dhe dokumentet e politikave për të ardhmen, në kuadër të azhornimit të reformimit të skemës së pensioneve. Në fakt ne e kuptojmë reformimin e skemës duke kuptuar se si të adresohet zgjidhja e problemeve dhe fuqizimi i luftës ndaj informalitetit.
Ndër komentet tona në këtë drejtim janë:
Fuqizimi i monitorimit, që do të thotë një përmirësim cilësor të kontrollit dhe inspektimeve. Një rritje e inspektimeve për verifikimin e pagesave të sigurimeve shoqërore mund të ndihmojë në zvogëlimin e evazionit. Rreth 70% e subjekteve që janë inspektuar nga autoritetet fiskale janë gjetur në shkelje të rregullave tatimore dhe të sigurimeve.
Autoritetet fiskale dhe sigurimet shoqërore duhet të zbatojnë monitorim më të rreptë për pagesat.
Forcimi i kontrollit dhe inspektoratit është një hap shumë i rëndësishëm për të ulur informalitetin dhe mos-pagimin e sigurimeve. Qeveria duhet të funksionalizojë dhe investojë në programe të avancuar për të mbikëqyrur informalitetin në veprimtaritë ekonomike, si dhe të angazhojë inspektorë të specializuar për të monitoruar pagesat e sigurimeve dhe të ndihmojë në vlerësimin e rrezikut për evazionin fiskal.
Mbikëqyrje më e fortë për sektorët me rrezik të lartë, si ndërtimi, turizmi dhe shërbimet janë të domosdoshme të jenë jo me fushata, por me plane afatmesme dhe si një paketë gjithpërfshirëse kontrolli dhe ndihme. Përdorimi i ndërthurur i teknologjisë dhe analizës së të dhënave mund të ndihmojë për të identifikuar shpejt bizneset dhe individët që nuk përmbushin detyrimet.
Politika lehtësuese për bizneset e vogla. Propozimi i një programi për lehtësimin e pagesave për bizneset e vogla, duke ofruar mundësi për ristrukturim të borxheve, mund të ndihmojë që ato të përmbushin detyrimet e sigurimeve. Skema të ristrukturimit të borxheve mund të ndihmojnë subjektet në vështirësi të shmangin falimentimin.
Dënime më të ashpra për shkelësit. Rritja e masës së gjobës dhe deri në dënimin penal duhet të shkojë në përpjestim me gjithë zhvillimet e tjera të administrimit të skemës së sigurimeve. Dënimi për evazionin fiskal dhe mospagimin e sigurimeve, duhet të përfshijë gjobat dhe pezullimin e licencave për bizneset që nuk përmbushin detyrimet Theksimi i përgjegjësisë për shmangien e pagesave mund të veprojë si mjet parandalues.
Ndërkohë, ndër masat e tjera të mundshme për zhvillim të qëndrueshëm të skemës së sigurimeve ne mendojmë se nevojitet edhe:
– Rritja e shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional por edhe ndërshtetëror
Për të luftuar evazionin fiskal dhe informalitetin, administrata duhet të rifuqizojë bashkëpunimin dhe programet e përbashkëta të zbatimit në terren, bazuar mbi koordinimin e pikave të politikave që kanë për zbatim. Ndërkohë, Shqipëria mund të përfshihet më shumë në projekte rajonale për shkëmbimin e informacionit tatimor dhe të sigurimeve me vendet fqinje. Kjo mund të përfshijë ndihmën nga organizmat ndërkombëtarë dhe banka, si dhe ndihmën teknike nga BE-ja dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
P.sh., Greqia ka një sistem të fortë të shkëmbimit të informacionit për të zbuluar evazionin fiskal. Shqipëria mund të përmirësojë këtë duke implementuar një sistem të centralizuar që lidh autoritetet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore, duke mundësuar një mbikëqyrje më të ngushtë të subjekteve dhe individëve që shmangin pagesat.
Për të ndihmuar në formalizimin e tregut, Shqipëria mund të përfshihet më aktivisht në projekte specifike ndërkombëtare që nxisin formalizimin e bizneseve, veçanërisht ato të vogla. Pjesëmarrja në projekte të BE-së ose të institucioneve financiare ndërkombëtare mund të ofrojë mundësi për të zhvilluar mundësi të tjera për mbështetje financiare dhe teknike.
P.sh. Maqedonia ka implementuar disa projekte të suksesshme për të nxitur formalizimin e biznesve dhe për të ofruar mundësi për subvencionimin e pagesave për sigurimet, veçanërisht për bizneset e vogla. Shqipëria mund të miratojë masa të ngjashme për të lehtësuar mbështetje për punëdhënësit e rinj dhe ata që kanë sfida financiare.
– Reforma në politikat e sigurimeve dhe nxitja e pjesëmarrjes
Shqipëria ka nisur një proces të reformimit të politikave të sigurimeve shoqërore duke përfshirë masat për të inkurajuar më shumë individë dhe biznese të regjistrohen dhe kontribuojnë. Por, ne e shikojmë si një proces të mbyllur me konsultime që nuk përfshijnë grupet e interesit dhe zbatuesit, si dhe në një rrugë dhe mendësi që kanë treguar se janë të dështuara të funksionojnë si të tilla.
Ajo që ne sugjerojmë janë skema fleksibile për bizneset e vogla. Rekomandohet të krijohen skema të pagesave të ulëta të sigurimeve për bizneset e vogla dhe të ndërmarrësve të rinj, për të nxitur formalizimin e aktiviteteve ekonomike.
Po ashtu edhe lehtësimi për punonjësit e rinj dhe të sektorëve të veçantë është një qasje me mend. Krijimi i një “programi nxitës” për punonjësit e rinj dhe ata që punojnë në sektorët e vështirë (si ndërtimi, bujqësia, turizmi) mund të ndihmojë që të rritet pjesëmarrja në sigurime shoqërore duke koordinuar kostot me bizneset për të lehtësuar tranzicionin në treg. Për shembull, mund të ofrohen shtesa në shpërblime apo përfitime për ata që paguajnë në mënyrë të rregullt kontributet.
Përgjegjësia për situatën e mospagimit të sigurimeve shoqërore dhe falimentimit të subjekteve është një përgjegjësi e shpërndarë mes qeverisë, bizneseve, punonjësve, institucioneve financiare dhe sindikateve.
Çdo aktor ka një rol kyç në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe efikas të sistemit të sigurimeve, dhe për të zbutur fenomenin e informalitetit dhe evazionit fiskal. Për të adresuar këtë problem, kërkohet një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet këtyre aktorëve dhe implementimi i një sërë masash të koordinuara që mund të përfshijnë forcimin e ligjit, mbështetje për bizneset e vogla, edukimin e individëve dhe një inspektorat më të fortë dhe më efikas.
Në përfundim, fenomeni i mospagimit të sigurimeve shoqërore dhe falimentimi i subjekteve që shkelin ligjin është një problem kompleks që ka efekte të thella ekonomike dhe sociale. Për zgjidhjen e tij kërkohet një qasje më e ashpër, me reforma në ligj dhe forcimin e zbatimit të tij, si dhe lehtësira për bizneset që angazhohen në pagesat e sigurimeve.
Krahasuar me vendet fqinje duket se Shqipëria ka disa sfida të mëdha në lidhje me informalitetin dhe mos-pagimin e sigurimeve shoqërore, por ka edhe mundësi për të përmirësuar sistemin e sigurimeve dhe të zvogëlojë borxhet që akumulojnë bizneset e falimentuara.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.