Sfida dhe mundësi në parashikimin ekonomik për Shqipërinë
Parashikimi ekonomik në ekonomitë në zhvillim, si Shqipëria përballet me një sfidë të dyfishtë, që lidhet ngushtë me natyrën komplekse të vendimmarrjes politike dhe të planifikimit ekonomik.
Nga njëra anë, ekziston nevoja për parashikime që janë të besueshme, të sakta dhe të stabilizuara në kohë, të cilat ofrojnë një pasqyrë të qëndrueshme të zhvillimeve makroekonomike dhe reduktojnë pasigurinë për politikëbërësit dhe investitorët.
Nga ana tjetër, këto parashikime duhet të jenë në përputhje të plotë me kufizimet e brendshme kontabël, si: identitetet fiskale dhe objektivat strategjike të politikave ekonomike, duke garantuar që çdo variacion në të ardhura, shpenzime apo borxh publik nuk krijon pasoja të papritura në buxhet ose në stabilitetin makroekonomik.
Në praktikë, shumë institucione shqiptare, përfshirë Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë dhe INSTAT, mbështeten kryesisht në modele statistikore bazike dhe programe specifike për të parashikuar variabla të tillë, si: PBB-ja, të ardhurat dhe shpenzimet.
Megjithatë, këto modele shpesh hasin vështirësi në ruajtjen e një kalimi të qetë dhe të harmonizuar të parashikimeve nëpër periudha të ndryshme.
Nisur nga kjo situatë shfaqen variacione të papritura që nuk pasqyrojnë efektivisht realitetin ekonomik, duke përbërë rrisk në përdorimin e tyre për vendimmarrje politike dhe planifikim buxhetor.
Kjo nënvizon nevojën për qasje më të integruar, që jo vetëm prodhon parashikime të sakta, por gjithashtu siguron përputhje dhe elasticitet të ndryshimeve në kohë, duke ofruar një bazë më të besueshme për politikat ekonomike të Shqipërisë.
Studiuesit ndërkombëtarë, si: Ando, Das & Orazbayev (FMN, WP/25/172) kanë propozuar një qasje sistematike për të adresuar këtë problem.
Metodologjia e tyre bazohet në një problem programimi kuadratik që kombinon përputhjen e parashikimeve me kufizimet e përcaktuara dhe elasticitetin e ndryshimeve të tyre në kohë.
Qasja ofron një mënyrë për të siguruar që parashikimet jo vetëm të përputhen me identitetet kontabël dhe objektivat e politikave, por gjithashtu të lëvizin në mënyrë të qetë, duke shmangur mospërputhjet dhe shpërqendrimet që mund të ndodhin kur bëhen rregullime manuale.
Për Shqipërinë, adoptimi i një qasjeje të tillë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për modernizimin e sistemit të parashikimeve makroekonomike, e cila ka zbatime të cilat kanë nevojë të avancojnë dhe përshtaten me kohën dhe sfidën e kërkesave të standartizimit sipas direktivës së BE-së.
Integrimi i qasjes do të mundësonte që institucionet vendase të prodhojnë parashikime më të sakta, më të besueshme dhe më të përdorshme për vendimmarrje politike.
Për shembull, në parashikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve, përdorimi i këtij kuadri mund të sigurojë që balanca fiskale, shpenzimet me interesa dhe të ardhurat të jenë të konsistente me njëra-tjetrën dhe me objektivat buxhetore të vendosura nga autoritetet. Kjo nuk është vetëm një çështje teknike, pasi ajo ka implikime të drejtpërdrejta edhe për planifikimin afatgjatë të politikave fiskale dhe stabilitetin makroekonomik.
Megjithatë, sfidat e zbatimit nuk mund të injorohen.
Kapaciteti institucional, disponueshmëria e të dhënave dhe nevoja për trajnime të specializuara janë elementë kyç që duhet adresuar për të siguruar që metodologjia të funksionojë në mënyrë efektive.
Për më tepër, përshtatja e metodologjisë ndërkombëtare me kontekstin shqiptar kërkon kujdes, pasi modelet duhet të reflektojnë realitetin specifik ekonomik dhe institucional të Shqipërisë.
Në këtë diskutim, përdorimi i një pakete Python si macroframe-forecast përfaqëson një hap konkret dhe modern drejt realizimit të parashikimeve të besueshme dhe të qëndrueshme për Shqipërinë.
Ajo ofron një qasje fleksibile, e cila mund të integrohet me modele të ndryshme, qoftë metodologji statistikore aktuale, qoftë pipeline të avancuara të informacionit teknologjik, duke u përshtatur me kapacitetet dhe nevojat specifike të institucioneve.
Përmes këtij modeli, parashikimet ekonomike mund të harmonizohen në mënyrë të qetë dhe të qëndrueshme ndërmjet periudhave, duke respektuar kufizimet kontabël dhe objektivat e politikave.
Kjo qasje nuk është thjesht një përmirësim teknik, por një mënyrë për të sjellë praktika të njohura ndërkombëtarisht në kontekstin shqiptar, duke fuqizuar vendimmarrjen ekonomike dhe planifikimin buxhetor me një bazë të fortë dhe të besueshme.
Në përfundim, përvoja ndërkombëtare dhe qasjet e propozuara, si më lart tregojnë qartë se integrimi i qasjes në parashikimet ekonomike ofron një potencial të madh për përmirësimin e praktikave në Shqipëri.
Një qasje e tillë nuk siguron vetëm parashikime më të besueshme dhe më të sakta, por gjithashtu lehtëson procesin e vendimmarrjes për politikat ekonomike, duke u siguruar që masat fiskale dhe buxhetore të bazohen në të dhëna të harmonizuara dhe të konsistente.
Për më tepër, implementimi i kësaj metodologjie mund të shërbejë si një praktikë e mirë vendore, e cila harmonizon standardet ndërkombëtare me realitetin dhe kapacitetet lokale, duke forcuar besueshmërinë e institucioneve dhe duke përmirësuar cilësinë e planifikimit ekonomik dhe buxhetor në Shqipëri.
Në këtë mënyrë, parashikimet ekonomike nuk mbeten thjesht një mjet statistik, por një instrument i fuqishëm për politikëbërje të qëndrueshme dhe të informuar.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.