Rroga që nuk vjen, një plagë e hapur për shoqërinë shqiptare

Rroga që nuk vjen, një plagë e hapur për shoqërinë shqiptare

Në Shqipëri, historia e punonjësit që pret pagën dhe nuk paguhet në kohën e parashikuar është bërë e zakonshme, gati sa nuk trondit më askënd. Punonjës të sektorëve të ndryshëm, nga ndërtimi tek shërbimet, nga industria fason deri te call center-at e kanë përjetuar atë ndjesi të rëndë kur muaji mbyllet, faturat grumbullohen, qiraja troket dhe buka në tavolinë varet nga një kontratë e pazbatuar ku efekti është rroga që nuk vjen te punonjësi.

Në fillim, një vonesë prej disa ditësh shihet si rastësore, një problem i përkohshëm i kompanisë. Por me kalimin e javëve dhe muajve, punonjësi e kupton se paga në vend që të jetë një e drejtë e sigurt, ajo shpesh shndërrohet në një luks të rrezikuar. Kjo pritje e sforcuar nuk është thjesht një vështirësi praktike, por një dhunim i dinjitetit njerëzor dhe një fyerje për çdo individ që beson se puna duhet të shpërblehet me drejtësi.

Kjo pritje nuk është thjesht e lodhshme, por shkatërruese për dinjitetin dhe jetën e një familjeje që varet nga një burim i vetëm të ardhurash.

Në shumë kompani shqiptare, paga është kthyer në mjet likuiditeti.

Administratorët nuk e shohin më si detyrim moral dhe ligjor, por si një mundësi për të mbuluar boshllëqet e menaxhimit. Paga, që duhet të ishte një detyrim i paprekshëm, kthehet në një mjet manovrimi financiar për biznesin.

Shumë administratorë kompanish, për të mbuluar boshllëqet në menaxhim apo mungesën e likuiditetit, zgjedhin rrugën më të lehtë dhe përdorin punonjësit si kreditorë të detyruar.

Në vend që të marrin hua nga bankat, që do t’u kërkonin interesa dhe garanci, ata ua marrin hua punëtorëve, pa interes, pa afat dhe shpesh pa kthim.

Kjo nuk është sipërmarrje, por abuzim i pastër me kapitalin më të vlefshëm, punën njerëzore. Ironia më e madhe është se kjo praktikë nuk ndodh vetëm në biznese të vogla e të paqëndrueshme, por shpesh edhe në kompani të mëdha e me imazh publik të respektuar, që nuk ngurrojnë të vonojnë pagat ndërsa justifikohen me “vështirësi të përkohshme”, apo edhe të tallen me këtë të drejtë normale për të paghuar punën.

Në këtë panoramë të zymtë, roli i shtetit dhe institucioneve të tij është edhe më shqetësues duke treguar një dobësi të frikshme.

Në një shoqëri funksionale, mosdhënia e pagës do të trajtohej si një krim social, sepse prek të drejtat më themelore të qytetarëve. Prek thelbin e kontratës mes individit dhe shoqërisë.

Në fakt realiteti jofuksnional na shfaqet me ndikime minimale nga institucionet e shtetit. Ky fenomen mbyllet në shumicën e rasteve me një gjobë qesharake, një raport që humbet në sirtar ose një proces gjyqësor që zgjat aq shumë, sa punonjësi kur fiton ka humbur tashmë çdo vlerë të pagës që priste. Inspektorati i Punës shpesh kufizohet në kontrolle formale, pa mekanizma ndëshkues realë. Gjykatat vonojnë aq shumë sa dëmshpërblimi bëhet i pavlefshëm.

Më e rënda, shteti vetë ka dhënë shembullin e keq, me raste të vonesave të pagave edhe në sektorin publik apo në bashki, duke treguar se as punëdhënësi më i madh në vend nuk respekton gjithmonë rregullin.

Kjo heshtje institucionale nuk është thjesht neglizhencë, por një formë bashkëfajësie që e bën të mundur vazhdimin e abuzimit.

Pasojat janë të thella dhe shkojnë përtej individit që nuk merr pagën.

Një punonjës që punon, por nuk paguhet, është i varfër edhe pse është aktiv. Ai nuk mund të përballojë shpenzimet bazike nuk mund të planifikojë jetën e tij, pasi nuk ka siguri për të ardhmen. Kjo e shtyn në huamarrje informale, në borxhe të reja dhe në një cikël pasigurie që e lodh dhe e demoralizon.

Për të rinjtë, ky realitet është një arsye më shumë për të zgjedhur emigracionin. Në një vend ku kontrata nuk respektohet dhe shteti nuk ofron mbrojtje, shumë prej tyre vendosin të kërkojnë një të ardhme më të sigurt jashtë. Kështu, mosdhënia e pagës kthehet në një faktor të fuqishëm që përshpejton shpopullimin e vendit.

Nga ana tjetër, ky fenomen godet rëndë formalizimin e tregut të punës. Shumë punonjës, të zhgënjyer nga papërgjegjësia e punëdhënësve dhe nga mosmbrojtja e shtetit, zgjedhin të punojnë pa kontrata, në informalitet, me mendimin se “më mirë të marr para në dorë sesa të pres kot”.

Ky informalitet jo vetëm që i privon nga të drejtat ligjore, por dëmton edhe të ardhurat e shtetit, duke ulur kontributet për sigurimet shoqërore. Kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta për sistemin e pensioneve, i cili bazohet mbi kontributet aktuale.

Nëse brezat e sotëm nuk kontribuojnë dot në mënyrë të rregullt për shkak të pagave të vonuara apo kontratave të padeklaruara, atëherë nesër pensionet do të jenë edhe më të pasigurta. Kështu, një abuzim i sotëm kthehet në një krizë të ardhshme për brezat e moshuar.

Nëse e krahasojmë Shqipërinë me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian, kontrasti është i fortë.

Kroaci dhe Slloveni, mosdhënia e pagës konsiderohet shkelje e rëndë penale. Punëdhënësi jo vetëm që detyrohet të paguajë, por përballet edhe me burgim në rast përsëritjeje.

Itali, ligji parashikon që çdo vonesë mbi 30 ditë të shoqërohet automatikisht me kamata-vonesë në favor të punonjësit, pa qenë e nevojshme një proces gjyqësor.

Gjermani, mosdhënia e pagës është një nga shkaqet kryesore për falimentim të detyruar të kompanisë, dhe administratorët mbajnë përgjegjësi personale.

Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht sfidave të ngjashme, janë ndërmarrë reforma për të forcuar rolin e Inspektorateve të Punës, duke u dhënë të drejtë të pezullojnë aktivitetin e bizneseve që vonojnë pagat.

Në Shqipëri, ende flasim për gjoba simbolike që nuk kanë asnjë efekt parandalues.

Këto krahasime tregojnë qartë se Shqipëria jo vetëm që ka një problem të brendshëm, por është edhe shumë larg standardeve europiane për mbrojtjen e punëtorëve. Dhe kjo është paradoksale, në një vend që deklaron se synon integrimin në BE.

Është e qartë se nuk mund të mjaftohemi me masa të pjesshme dhe aksione me të kujtuar nga sensibilizme prej situatave të rënda.

Nevojitet një strategji afatgjatë që e sheh pagën jo thjesht si një transaksion financiar mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, por si gur themeli të kontratës shoqërore dhe të së ardhmes ekonomike të vendit.

Ligji duhet të jetë i ashpër dhe i qartë, duke e përcaktuar se mosdhënia e pagës është një shkelje e rëndë me pasoja civile dhe penale.

Çdo vonesë duhet të sjellë automatikisht detyrimin e pagesës së kamatë-vonesës.

Administratorët që abuzojnë duhet të mbajnë përgjegjësi personale, deri në ndalim ushtrimi funksioni dhe përgjegjësi penale në rast përsëritjeje.

Inspektorati i Punës duhet të fuqizohet me kompetenca reale për të pezulluar aktivitetin e bizneseve që shkelin në mënyrë kronike.

Por më tej se kaq, duhet të krijohet një kulturë e re shoqërore, ku vonesa e pagës nuk shihet si normale, por si një padrejtësi e patolerueshme.

Në këtë pikë, lidhet edhe strategjia për frenimin e emigracionit. Nuk mjafton të premtojmë rritje pagash apo stimuj për të rinjtë që të qëndrojnë në vend.

Asgjë nuk ka kuptim nëse paga nuk është e sigurt dhe e garantuar. Një vend që nuk garanton pagesën e punës së bërë nuk mund të kërkojë nga qytetarët e tij besnikëri, sakrificë apo durim. Po kështu, nuk mund të flasim për formalizim të tregut apo për qëndrueshmëri të sistemit të pensioneve pa u përballur me rrënjën e problemit, mungesën e respektimit të kontratës bazike të punës.

Në fund të ditës, paga nuk është vetëm një çështje financiare.

Është garancia që puna ka vlerë, është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi tek shteti dhe tek shoqëria. Një vend që nuk arrin të garantojë pagën e punës nuk mund të pretendojë as të ardhme të sigurt, as integrim europian, as stabilitet social.

Mosdhënia e pagës nuk është thjesht një problem individual i punonjësit.

Është një krizë kombëtare që prek ekonominë, shoqërinë dhe të ardhmen e brezave. Kur paga mungon, nuk mungon në fakt vetëm paraja. Mungon shpresa dhe kur mungon shpresa, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend bosh, pa njerëz dhe pa të ardhme.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.