Rritja ekonomike në tremujorin I 2025, një vazhdimësi me sfidat e një modeli të njëanshëm
Sipas të dhënave nga INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e parë të vitit 2025 regjistroi një rritje reale prej 3.39%, duke vijuar trendin pozitiv me 4.05% në vitin 2024, por me një ngadalësim të dukshëm.
Kjo tregon se ekonomia ka ende energji për të ecë përpara, por ngadalësimi është një sinjal paralajmërues që sfidat strukturore dhe modelorë të ekonomisë shqiptare mbeten të pazgjidhura dhe kërkojnë vëmendje të menjëhershme.
modeli Ekonomik vazhdon i dominuar prej Shërbimeve Publike dhe Konsumit
Një nga pikat kyçe që evidentohen nga analiza e kontributit të sektorëve është dominimi i sektorit publik dhe shërbimeve sociale.
“Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia” janë motor i rritjes me një kontribut të jashtëzakonshëm prej +2.24 pikë përqindje dhe një rritje vjetore prej 18.92%. Ky fakt pasqyron rëndësinë dhe ndikimin që kanë rritjet e pagave dhe shpenzimeve publike në ekonominë shqiptare.
Po kështu, sektorët e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit tregojnë aktivitet pozitiv, megjithëse ndërtimi po rritet më ngadalë (+0.16 pikë, rritje 1.78%), duke treguar një ngadalësim në zhvillimet kapitale.
Nga ana tjetër, sektorët prodhues përsëri paraqesin dobësi të theksuara.
Industria, energjia dhe uji shënojnë rënie prej -0.66 pikë përqindje dhe -5.66% në vlerë reale; bujqësia dhe sektorët ruralë vazhdojnë të jenë në trend rënës (-0.46 pikë dhe -2.76%), ndërsa informacioni dhe komunikacioni pësojnë rënie modeste (-0.07 pikë, -2.93%). Ky është tregues i qartë se baza prodhuese nuk po arrin të kontribuojë në mënyrë të qëndrueshme në rritjen ekonomike.
Konsumi dhe eksportet, një histori me dy anë, ku roli kryesor vjen prej turizmit
Në anën e shpenzimeve, konsumi final mbetet shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare:
- Konsumi i popullatës u rrit me 2.47%, pak më ngadalë se në 2024, por ende në nivele që mbajnë ekonominë në lëvizje.
- Konsumi publik u rrit më shpejt me 7.34%, duke treguar një mbështetje të fortë nga sektori publik.
Në aspektin e eksportit, rritja e ndjeshme prej 9.51% e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve mbështetet kryesisht në sektorin e turizmit, i cili dominohet nga shërbimet e lidhura me vizitorët dhe turistët. Ky faktor tregon se zhvillimi i turizmit mbetet elementi kyç për përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe për të siguruar një rritje më të qëndrueshme dhe diversifikuar.
Nga ana tjetër, importet u rritën më ngadalë (+1.69%), duke sinjalizuar një përmirësim të lehtë në balancën tregtare, megjithatë varësia e lartë ndaj importeve mbetet një sfidë e rëndësishme për ekonominë.
A ka gjasa për ndryshime në realitetin struktural të ekonomisë shqiptare?
Në thelb, modeli ekonomik shqiptar vazhdon të jetë i njëanshëm dhe i brishtë. Konsumi i brendshëm dhe shpenzimet e sektorit publik dominojnë rritjen, ndërsa sektorët me vlerë të shtuar të lartë, si industria përpunuese, bujqësia moderne dhe teknologjia nuk kanë arritur të ngrihen nga rënia ose stagnimi që i ka karakterizuar prej vitesh. Kjo situatë tregon një varësi të thellë ndaj faktorëve që janë të paqëndrueshëm në afat të gjatë dhe e ekspozon ekonominë ndaj rreziqeve nga ndryshimet e jashtme apo brenda vendit.
Megjithatë, rritja e ndjeshme e eksporteve në tremujorin e parë të vitit 2025 përbën një sinjal pozitiv që nuk duhet të injorohet, megjithëse duhet interpretuar me kujdes. Ky rritje prej 9.51% e eksporteve, e cila dominohet kryesisht nga sektori i turizmit dhe shërbimeve të lidhura me të, tregon se ka potencial për përmirësim në aftësinë e ekonomisë për të fituar nga tregjet e jashtme. Në thelb, kjo është një shenjë që sektori prodhues dhe eksportues mund të ketë nisur një lëvizje pozitive, por është shumë herët për të nxjerrë përfundime afatgjata vetëm nga një tremujor.
Sidoqoftë, ky potencial ende nuk është shfrytëzuar në mënyrë të mjaftueshme, sidomos kur shikohet mungesa e investimeve të forta në kapitalin fikse, element kyç për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike. Rritja e investimeve mbetet e ngadaltë dhe e pamjaftueshme për të adresuar sfidat strukturore që kanë bllokuar ekonominë për vite me radhë.
Kjo do të thotë se, pa një rritje të qëndrueshme dhe të konsiderueshme të investimeve në teknologji, infrastrukturë dhe inovacion, si dhe pa reforma të thella në sektorët prodhues, ekonomia shqiptare ka shumë gjasa të mbetet e varur nga konsumi i brendshëm dhe shpenzimet publike. Kjo e fundit, megjithëse e rëndësishme për stabilitetin social dhe ekonomik në afat të shkurtër, nuk mund të jetë baza e një rritjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në afat të gjatë.
Çfarë duhet të dijnë bizneset, investitorët dhe qytetarët?
Bizneset prodhuese ndodhen përballë një sfide të qartë: mbështetja në konsum dhe shërbime mund t’u sigurojë një treg të brendshëm përkohësisht, por kjo nuk mjafton për të krijuar vlerë të qëndrueshme dhe për të konkuruar në tregjet globale. Për të pasur sukses afatgjatë, bizneset duhet të përqendrohen fuqimisht në inovacion, efikasitet operativ dhe zgjerim të eksportit. Pa këtë fokus, rritja do të mbetet e brishtë dhe e varur nga faktorë të jashtëm.
Investitorët duhet të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë ndaj natyrës së njëanshme të ekonomisë. Megjithëse ka potencial rritjeje, rreziku struktural dhe politikat e papërmbajtura mund të pengojnë kthimin e qëndrueshëm të investimeve. Ata duhet të kërkojnë sinjale të qarta nga qeveria dhe sektorët privatë për reforma të thella dhe mbështetje specifike ndaj sektorëve prodhues dhe inovativë, për të siguruar që investimet të mos jenë thjesht shërbëtorë të konsumit, por të mbështesin një zhvillim të qëndrueshëm dhe të diversifikuar.
Qytetarët duhet të kuptojnë se rritja e pagave dhe e konsumit publik është një fitore e rëndësishme në afat të shkurtër, por ajo nuk garanton një të ardhme të sigurt. Pa rritje të produktivitetit dhe zhvillim të sektorëve me vlerë të shtuar të lartë, perspektivat për punësim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale mbeten të pasigurta. Arsimi i mirëfilltë dhe trajnimet profesionale janë thelbësore për t’u përgatitur për pjesëmarrje aktive në një ekonomi që synon diversifikim dhe avancim teknologjik.
Në fund të fundit, vetëm përmes një angazhimi të përbashkët të bizneseve, investitorëve dhe qytetarëve për transformim strukturor dhe zhvillim të qëndrueshëm do të mund të ndërtohet një ekonomi rezistente dhe e qëndrueshme, që të ofrojë mirëqenie për të gjithë.
Tendencat e tremujorit të parë të vitit 2025 tregojnë qartë se zhvillimi ekonomik po përballet me sfida të rëndësishme që nuk mund të injorohen. Ky tremujor i dytë, që mbyllet për pak ditë ndoshta na tregon diçka më ndryshe.
Por koha që vjen kërkon vëmendje të menjëhershme.
Në këtë kuadër, qeveria duhet të marrë rolin organizator për të koordinuar dhe mundësuar bashkëpunimin efektiv midis sektorëve të ndryshëm ekonomikë dhe aktorëve të tjerë.
Nevojiten ndërhyrje të qëndrueshme dhe investime të synuara në sektorët kyç, pasi përndryshe ritmet aktuale të rritjes nuk do të arrijnë të krijojnë një bazë të fortë për progres afatgjatë. Për të siguruar që ekonomia të përfitojë plotësisht nga potenciali i saj është i nevojshëm një përkushtim i përbashkët dhe veprime konkrete nga të gjithë aktorët ekonomikë, që të sigurojnë stabilitet dhe përmirësim të vazhdueshëm për të gjithë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.