Rritja e pagës minimale në Shqipëri nga janari 2026 në dritën e gjetjeve të reja të FMN-së

Rritja e pagës minimale në Shqipëri nga janari 2026 në dritën e gjetjeve të reja të FMN-së

Rritja e pagës minimale është gjithmonë një prej ndërhyrjeve më të debatuara në politikën ekonomike. Ajo përbën një përpjekje të drejtpërdrejtë për të rritur të ardhurat e punonjësve me paga të ulëta, por njëkohësisht ngre dilema të thella për ndikimin në punësim, produktivitet dhe strukturën e tregut të punës. Në Shqipëri, kjo dilemë është edhe më e ndjeshme, pasi tregu i punës mbart dallime të mëdha rajonale, sektorë me produktivitet të brishtë dhe një histori të gjatë migracioni ekonomik.

Në këtë sfond të ndërlikuar, vendimi i qeverisë për të rritur pagën minimale në 50 mijë lekë nga janari 2026, një rritje me 25% nga niveli aktual, përbën një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të viteve të fundit. Rreth 307 mijë punonjës do të preken drejtpërdrejt, ndërsa objektivi politik synon rritjen e saj në 60 mijë lekë deri në vitin 2028. Ky vendim ndërmerret në një ekonomi ku paga mesatare mujore ka arritur 83.9 mijë lekë (TM2 2025), duke e çuar raportin paga minimale / paga mesatare në nivele të larta sipas standardeve europiane.

Kjo rritje vjen në një kohë kur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar një studim të ri dhe të thelluar, “Minimum Wage and Employment: Sectoral and Regional Perspectives” (Chen & Yao, 2025), i cili sjell një vështrim shumë më nuancuar mbi ndikimin e pagës minimale në sektorë dhe rajone të ndryshme. Ky studim është veçanërisht domethënës për Shqipërinë, pikërisht sepse evidenton se efekti i një page minimale të unifikuar nuk është kurrë uniform, ai është shumë më i ashpër në sektorët dhe zonat me paga mesatare më të ulëta.

Një pagë minimale e njëjtë, një realitet ekonomik me shumë fytyra

Shqipëria ka një pagë minimale kombëtare unike, por realiteti ekonomik nuk është unik. Teksa Tirana është një qendër ekonomike me paga më të larta dhe biznese më produktive, rajonet e tjera, sidomos ato veriore dhe jugore operojnë nën kushte krejt ndryshe. Sektori i tekstilit, bujqësia, agropërpunimi dhe shërbimet bazë kanë paga mesatare dukshëm më të ulëta, duke bërë që çdo rritje e pagës minimale të jetë më “e rëndë” dhe më kufizuese për veprimtarinë e tyre.

Studimi i FMN-së e shpjegon këtë përmes indeksit Kaitz, raportit midis pagës minimale dhe pagës mesatare.

Kur ky raport është i lartë, firmat me paga të ulëta përballen me rritje të menjëhershme të kostove, të cilat ato shpesh e kanë të vështirë t’i amortizojnë.

Me pagën minimale prej 50 mijë lekësh, Shqipëria do të qëndrojë rreth 60% të pagës mesatare, një nivel që sipas studimit të FMN-së është dukshëm mbi pragun ku efektet negative në punësim bëhen të qëndrueshme.

Çfarë tregon studimi i FMN-së dhe pse këto gjetje janë të rëndësishme për Shqipërinë?

FMN analizon qindra raste rritjesh të pagës minimale në vende evropiane dhe arrin në një përfundim të qartë, se efektet e pagës minimale nuk janë lineare dhe nuk shfaqen menjëherë.

Efekti i parë është me një “qetësi” të përkohshme, pa goditje në punësim

Në vitin e parë pas rritjes, efekti mesatar është pothuajse neutral. Bizneset përshtaten, kostot shpërndahen, me disa rritje çmimesh ose riorganizime të brendshme, ose ndoshta edhe tendenca informaliteti. Për Shqipërinë, kjo do të thotë se viti 2026 nuk pritet të prodhojë tronditje të mëdha në punësim, duke qenë se ekonomia merr kohë të reagojë.

Kjo “qetësi” shpesh keqinterpretohet politikisht si sukses i menjëhershëm.

Efekti i dytë është presioni që rritet me kalimin e 2–4 viteve

Kur rritja e pagës minimale është e madhe dhe raporti me pagën mesatare është i lartë, efektet negative dalin në pah në vitet e dytë, të tretë dhe të katërt. FMN vlerëson se një rritje prej 10% e pagës minimale ul punësimin me rreth 0.1 pikë përqindje pas disa vitesh.

Për një ekonomi si ajo e Shqipërisë, kjo mund të nënkuptojë mijëra vende pune më pak deri në vitin 2029, veçanërisht në rajonet me:

  • nivel të ulët produktiviteti,
  • mungesë investimesh,
  • mungesë diversifikimi ekonomik.

Kukësi, Dibra, Elbasani dhe Berati pritet të jenë ndër zonat më të ndjeshme.

Kush përfiton dhe kush goditet?

Studimi evidenton një dinamikë të veçantë.

Të rinjtë (sidomos meshkujt) shpesh përfitojnë në periudhën e parë pas rritjes së pagës minimale. Ky efekt lidhet me rritjen e atraktivitetit të punësimit dhe faktin që të rinjtë shpesh lëvizin më shpejt midis vendeve të punës.

Gratë në sektorë me paga të ulëta janë më të ekspozuara ndaj efekteve negative, sidomos pas disa vitesh. Në Shqipëri, kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin tekstil dhe fasoneri, ku punojnë dhjetëra mijëra gra.

Në shumë raste, punësimi nuk bie përmes pushimeve nga puna, por përmes:

  • uljes së orëve të punës,
  • moszëvendësimit të punonjësve që largohen,
  • rënies së pjesëmarrjes në tregun e punës.

Kjo e fundit është veçanërisht problematike për Shqipërinë, pasi lidhet me rritjen e emigracionit, sidomos tek të rinjtë që kanë perspektivë të kufizuar në tregun vendas.

Një prag i rëndësishëm është pragu 35% i raportit pagë minimale/ pagë mesatare

FMN identifikon një prag kritik: kur paga minimale shkon përtej 35% të pagës mesatare sektoriale, efektet negative bëhen sistematike. Firmat fillojnë të:

  • reduktojnë orët e punës,
  • frenojnë punësimet e reja,
  • shtyjnë investimet,
  • zvogëlojnë aktivitetin,
  • kërkojnë alternativa informale.

Shqipëria do të jetë mbi 60%, jo vetëm mbi prag, por shumë përtej tij, nëse paga minimale do të vendoset politikisht të rritet deri 70 mijë lekë pas 3 vitesh. Kjo e bën ekonominë shqiptare veçanërisht të ekspozuar në sektorët:

  • tekstil,
  • përpunim ushqimor,
  • bujqësi,
  • shërbime të ulëta në vlerë të shtuar.

Aspekte dytësore që nuk duhen nënvlerësuar

Studiuesit e FMN-së theksojnë disa efekte anësore që shpesh humbin vëmendjen në debatet publike:

Migracioni neto ndikohet nga rritja e pagës minimale në rajonet me produktivitet të ulët, sepse rrit koston e punës për firmat lokale, ul punësimin ose orët e punës, dekurajon investimet dhe zvogëlon pjesëmarrjen në tregun e punës. Si pasojë, rajonet e varfra humbasin vende pune dhe perspektiva ekonomike, duke shtuar largimin e të rinjve drejt qendrave urbane ose jashtë vendit, ndërsa njëkohësisht bëhen më pak tërheqëse për migrantët e rinj.

.

Formalizimi mund të rritet pak, por nuk neutralizon efektet negative të kostove të larta, pasi do tentojë përsëri të ndikohet nga informaliteti dhe korrupsioni. Edhe pse rritja e pagës minimale mund të shtyjë disa biznese drejt formalizimit – për të qenë në përputhje me ligjin dhe për të shmangur penalitetet, ky efekt është i kufizuar. Rritja e madhe e kostove të punës i nxit një pjesë të firmave të vogla të kërkojnë rrugë alternative për të mbijetuar, duke përfshirë praktikat informale (si deklarimi i pjesshëm i pagave) ose korrupsionin administrativ për të shmangur detyrimet. Për këtë arsye, edhe pse formalizimi rritet pak, ai nuk arrin të kompensojë presionin e kostove të larta dhe rrezikun e rënies së punësimit.

Firmat e mëdha dhe me produktivitet të lartë e përballojnë më lehtë rritjen, ndërsa firmat e vogla e kanë pothuajse të pamundur.

Për Shqipërinë, me një ekonomi ku mbi 95% e ndërmarrjeve janë mikro ose të vogla, ky është një sinjal serioz.

Çfarë nënkupton kjo për politikëbërjen shqiptare?

Nga analiza e gjetjeve të FMN-së dhe realitetet e tregut shqiptar, dalin disa përfundime të rëndësishme.

Së pari, një pagë minimale unike nuk pasqyron realitetin ekonomik të vendit.
Dallimet rajonale dhe sektoriale janë shumë të theksuara për të justifikuar një qasje uniforme.

Së dyti, rritjet e mëdha dhe të shpejta duhet të shoqërohen domosdoshmërisht me politika aktive:

  1. programe trajnimi,
  2. subvencione për punësimin,
  3. mbështetje të targetuar për të ardhurat e ulëta,
  4. lehtësira fiskale për firmat e vogla.

Së treti, duhet vlerësuar diferencimi sektorial ose rajonal i pagës minimale, edhe pse kjo ka sfida administrative.

Së katërti, monitorimi i tregut të punës pas 2026-s duhet të jetë intensiv, pasi efektet e vërteta shfaqen pas 2–4 vitesh.

Së fundmi, emigracioni dhe pjesëmarrja në tregun e punës duhet të vëzhgohen veçanërisht, pasi janë dy nga kanalet ku rritja e pagës minimale jep efektet më të forta në vendet në zhvillim.

Në vend të mbylljes, rritja e pagës minimale është një instrument i rëndësishëm politik, por jo neutral.

Ajo sjell lehtësim të menjëhershëm për punonjësit me të ardhura të ulëta, por krijon presion të shtuar në sektorët dhe rajonet më të brishta të ekonomisë. Studimi i FMN-së e bën të qartë se ndikimi real shfaqet jo në ditët e para, por pas disa vitesh, kur bizneset përballen me kosto të akumuluara dhe duhet të marrin vendime strategjike mbi investimet, punësimet dhe vetë ekzistencën e tyre. Për Shqipërinë, rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë është një vendim politik me efekte ekonomike të thella. Ajo sjell përfitime të menjëhershme, por krijon një horizont rreziku që kërkon vëmendje, politika shoqëruese dhe një analizë të kujdesshme të tregut të punës në vitet që vijnë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.