Rritja e pagës minimale me syzet e qeverisë dhe biznesit

paga minimale

Rritja e pagës minimale me syzet e qeverisë dhe biznesit

Paga minimale në Shqipëri prej fillimit të vitit 2021[1] është 30 mijë lekë në muaj. Me këtë rritje të pagës tashmë ora e punës kushton 172.4 lekë (1.4 Euro/ora), pra 15.7 përqind më e lartë (19 cent Euro/ora) krahasuar me vitin 2020. Por, paga minimale pritet të rritet edhe më tej duke arritur në nivelin e 40 mijë lekë në muaj (229.9 lekë/orë, ose 1.9 Euro/orë).

Nëse do të pyesnim drejtuesit e bizneseve të mesme dhe të mëdha në vend ata kanë të gatshëm argumentin se një pagë më e lartë mund të çojë në humbje të vendeve të punës, për arsye të rritjes së kostove dhe vështirësive mjaft serioze financiare në këtë kohë ende pandemie.

Por, pyetja që lind me rritjen e pagës duhet të japë së pari një përgjigje për diskutimin mjaft të nevojshëm të lidhur me koston e jetesës.

A është mjaftueshëm kjo rritje minimale page në përmbushje të kostos së jetesës?

Nëse shikojmë vlerat statistikore lidhur me koston mesatare të jetesës së familjeve, në botimin e fundit të INSTAT për vitin 2019, përmendet se shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje, të përbërë mesatarisht nga 3,7 persona janë 82.235 lekë[2] (41.117 lekë për person të rritur).

Në analizën e pagës minimale dhe shpenzimeve mesatare mujore familjare shikohet që ka një mospërmbushje të ardhurash prej të paktën 11 mijë lekë në muaj (90 Euro/muaj). Kjo do të thotë se disa shpenzime, si ato për restorante, për argëtim dhe kulturë, dhe një pjesë e shpenzimeve për mobilim dhe mirëmbajtje nuk arrihen dot të përmbushen nga një familje me paga minimale apo edhe pak më lart se ajo minimale, apo thënë ndryshe nga një familje me paga të ulëta.

Ndërkohë, e gjithë kjo nuk do të thotë se familjet me të ardhura të ulta jetojnë në varfëri, pasi vlera e ditës së tyre te punës është 1.379 Lekë (11.2 Euro) dhe larg rrezikut për tu konsideruar të varfër[3].

Rritja e pagës nuk ka mbajtur kryesisht në konsideratë zhvillimet e konsumit familjar, por gjithsesi është duke u afruar me të paktën 10 përqind më shumë në përmbushjen e shpenzimeve të familjes në vitin 2021.

Duke jetuar dhe punuar nën kushtet e një krize shëndetësore dhe ekonomike, që ka shumë pjesë të panjohura, dilema e madhe në lidhje me rritjen e pagës minimale përqendrohet përgjithësisht te efektet në tregun e punës dhe në ekonomi. Lidhur me ekonominë, për shkak se paga minimale ka një rritje në terma realë në raport me mesataren e rritjes së ekonomisë, atëherë ajo ndikon drejtpërdrejt te më shumë se gjysma e punonjësve të tregut formal në Shqipëri, por ka edhe një ndikim jo të drejtpërdrejtë te tregu informal.

Kështu, statistikat zyrtare tregojnë, se Indeksi i çmimeve të konsumit për periudhën 2011 – 2020 është rritur me 16.1%[4]. Paga minimale nga 2011 deri në 2020 është rritur me 30%[5]. Ndërkohë, rritja ekonomike është 16.3%[6], nëse marrim në konsideratë edhe të dhënat paraprake për performancën e ekonomisë në 2020[7]. Të tre këta treguesë, në analizën e tyre së bashku nuk kanë një ecuri që përkon me zhvillimin e njeri-tjetrit, apo të jenë ndikuar domosdoshmërisht nga efektet mes tyre. Vendimet politike për pagën minimale kanë ndjekur një kurbë ndryshe në raport me ecurinë e inflacionit dhe rritjes ekonomike.

Por, ku është bazuar vendimi politik për rritjen e pagës minimale në gjithë këto vite?

Paga minimale është përdorur si një instrument politik për të mbrojtur punëtorët nga ulja e të ardhurave duke krijuar një dysheme efektive të pagës. Por efektiviteti i mjeteve të përdorur ka qenë kaotik në disa raste, pasi menaxhimi i tyre nuk është bërë në përputhje me synimet e dëshiruara. Në të gjitha rastet e marrjes së vendimeve përdoren llogaritjet teknike të bazuara në informacione statistikore dhe treguesit socio-ekonomikë për të vendosur nivelin e ri.

Sidoqoftë, duke patur një historik me mangësi në transparencën për këto vendime, nga analiza të ndryshme lexohet se përdorimi i informacioneve dhe faktorëve që ndikojnë në metodat e matjeve për ta përdorur si argument për vendimet politike ndryshojnë shumë, që lë edhe hapësira për interpretime dhe spjegime të shtrembërta. Natyrshëm, që në mungesë të një matje zyrtare të nivelit të informalitetit në ekonomi dhe në tregun e punës mbetet shumë vend për dyshime në llogaritjet reale të Prodhimit të Brendshëm dhe treguesve të tjerë që përdoren si bazë për llogaritjen e pagës minimale dhe me këtë rast lë mundësinë edhe për ndërhyrje në vendimarrjen e qeverisë për nivelin e rritjes së dyshemesë së pagës minimale edhe për qëllime partiake.

Këto perceptime janë ndihmuar edhe me kulturën e dobët të debatit mbi pagën minimale, i cili nuk ka një qasje interaktive mes qeverisë dhe palëve të tjera që përfaqësojnë interesat e biznesit dhe punonjësve. Megjithatë, në mënyrë sipërfaqësore ka një dialog me përfaqësuesit e sindikatave dhe organizatave dhe këshilltarëve të biznesit, por pa dialoguar mbi baza studimesh dhe analizash, por më shumë bazuar mbi perceptime dhe dëshira të palëve dialoguese. Ndërkohë, në çdo rritje të pagës minimale në dekadën e fundit ka patur përgjithësisht vetëm reagime kundra këtyre vendimeve të qeverive, me arsyetimet që lidhen me mungesën e një tregu të formalizuar, me problemet e ristrukturimit të bizneseve dhe problemeve të vazhdueshme financiare.

A ka patur ndikim negativ rritja e pagës minimale në nivelin e punësimit?

Me fjalë të tjera, a e kanë ulur punëdhënësit numrin e të punësuarve për të kompensuar rritjen në pagën minimale?

Disa studime mbi tregun e punës në Shqipëri në dekadën e fundit, si dhe të dhëna nga INSTAT tregojnë se një rritje e pagës minimale nuk ka patur ndikim negativ në punësim. Paga minimale është rritur 5 herë nga viti 2011. Efekti në shtimin e kostove për punëdhënësit është të paktën 30 përqind më i lartë. Ndërkohë, që shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është rritur me 1.5 pikë përqind[8]. Megjithatë, kjo përgjigje është e lidhur ngushtësisht me efektin që ka prurë edhe formalizimi i tregut të punës, i cili realisht ka rolin e vet me të paktën 1/4 e rritjes së numrit të të punësuarve në vend.

Rritja e pagës minimale natyrshëm që ndikon në uljen e nivelit të varfërisë, pasi rrit nivelin e rishpërnmdarjes të të ardhurave, por nga ana tjetër ka edhe përfitime ekonomike pasi p.sh. rritja e pritshme e pagës minimale në 2021 me 10 mijë lekë më shumë ndikon në rritjen me të paktën 0.2 përqind konsumin duke rritur edhe kërkesën e brendshme në tregun shqiptar.

Rritja e pagës minimale do të rritë edhe pagën mesatare, si një reagim shkak-pasojë duke ndikuar veçanërisht në pjesën e poshtme të të ardhurave të nivelit të mesëm duke ndikuar në të paktën në vitin e parë të aplikimit në një shtim të kërkesës për konsum, që është në vetvete një mbështetje për bizneset. Por, ky vendim do të zvogëlojë edhe pabarazitë në pagë për gratë dhe të rinjtë që janë pjesa më e goditur edhe nga ndikimet e pandemisë.

Një përfitim më i madh është në buxhetin e shtetit në drejtim të fondeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me një rritje të kontributit në të ardhurat tatimore sa 0.3 përqind e totalit të tyre.

Kjo rritje e pagës minimale me vendim qeverie mundet të hasë në problemin, që nuk është vetëm në këtë rast, por në përgjithësi në kulturën e përgjithshme të të jetuarit dhe të bërit biznes, atë të moszbatimit të akteve ligjore. Ashtu si edhe në vendimet e kaluara, drejtuesit e bizneseve të mesme dhe të mëdha kanë devijuar nga zbatimi de facto i vendimit për rritjen e pagave duke shmangur realisht këtë kosto të shtuar.

Megjithatë, edhe në rast të zbatimit të vendimit për rritjen e ndjeshme të pagës mininale në 2021, gjithsesi mund të mbetet i papërmbushur një detyrim i mbartur nga qeveria dhe bizneset. Ata tashme duhet të reagojnë në një bashkëpunim mjaft të ngushtë për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve të punonjësve, që do të paguhen më mirë se më përpara.

Nëse kjo rritje e pagës minimale do të shoqërohet me një rritje te formimit të tyre teknik e profesional, atëherë mund të konfirmohet se kjo politikë e qeverisë po i shërben zhvillimit afatgjatë të tregut të punës dhe një rritje që orientohet drejt konkurueshmërisë me tregun rajonal.

Në tërësi, vendimi për rritjen e pagës minimale mund të rritë formalizimin e tregut të punës dhe raportimet e bizneseve, në një farë kuptimi duke bërë një shtytje të deklarimit të ardhurave më afër formalitetit dhe duke nxjerrë më shumë të ardhura buxhetore prej gjithë kësaj qasje.

Nga ana tjetër, një pasojë e padëshiruar mund të jetë edhe humbja e nivele aktuale të kostos së bizneseve nga te vetëpunësua rit deri te bizneset me te mëdha ne vend.  Një rrisk tjetër është edhe rritja e barres ndaj bizneseve lidhur me kontributet e sigurimeve, per arsye te formalizimit “me dhune” nëpërmjet rritjes se pages minimale. Në rast se nuk do të reagohet edhe me veprime administrative dhe bashkëpunim të ngushtë me gjithë faktorët që rrethojnë biznesin, rrisku me i madh mbetet moszbatimi de facto i vendimeve te qeverise per rritjen e pages minimale.

Politika e kufizuar në instrumente të paqarta, si tatimi progresiv i të dypunësuarve, mungesa e një deklarate individuale e të ardhurave personale e konsoliduar me një format gjithpërfshirës (pra të ardhura dhe shpenzime gjithpërfshirëse për individët), si dhe një realitet i kontrolleve tatimore në nivele të dobëta dhe me përmbajtje korrupsioni janë referencë e kundër argumentit se nëse do të korruptohet vullneti në administrimin e gjithë sa lidhet me rritjen e pagës minimale bruto nuk do të ketë efektin e pritshëm. Nëse politika do të mbetet e ndarë nga administrimi e gjitha kjo do të transformohet në një zëvendësuese e politikave të planifikimit social në vend të planifikimit ekonomik e fiskal.

[1] https://qbz.gov.al/eli/vendim/2020/12/16/1025/ffd1a46f-1967-436b-ad72-427b5bb0ab54

[2] http://www.instat.gov.al/media/7531/abf_2019_.pdf

[3] http://www.instat.gov.al/media/6543/anketa-e-t%C3%AB-ardhurave-dhe-nivelit-t%C3%AB-jetes%C3%ABs-2017-2018_.pdf

[4] http://www.instat.gov.al/al/temat/%C3%A7mimet/indeksi-i-%C3%A7mimeve-t%C3%AB-konsumit/#tab3

[5] https://sq.wikipedia.org/wiki/Paga_minimale_n%C3%AB_Shqip%C3%ABri

[6] https://data.worldbank.org/indicator/NY.GDP.MKTP.KD.ZG?locations=AL

[7] https://www.monitor.al/shifrat-e-fmn-se-ekonomia-shqiptare-pritet-te-arrije-nivelin-e-parakrizes-qe-kete-vit/

[8] shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç në 2011 ishte 58.7%, ndërsa në 2020 ishte 60.2%

http://www.instat.gov.al/media/1889/rezultate-t%C3%AB-anket%C3%ABs-s%C3%AB-forcave-t%C3%AB-pun%C3%ABs-2011.pdf

http://www.instat.gov.al/media/8132/atfp-t4-2020.pdf

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: