Rritja e pagës minimale dhe barra financiare për bizneset në 2026

Rritja e pagës minimale dhe barra financiare për bizneset në 2026

Rritja e pagës minimale nga 40.000 në 50.000 lekë, me një shtesë prej 10.000 lekësh për punonjës në muaj, dhe mbështetja e qeverisë për 9 muaj përmes mbulimit të kontributeve të diferencës, krijon një situatë ku bizneset përballen me një kombinim kostosh shtesë dhe nevoje për përshtatje. Norma e kontributeve nga punëdhënësi që përdoret për llogaritjen e kostos shtesë është 16,7 për qind, që përfshin rreth 15 për qind për sigurimet shoqërore dhe 1.7 për qind për sigurimet shëndetësore. Ky supozim është përdorur për të përllogaritur koston financiare për punëdhënësit dhe bazohet në praktikat e referencës së publikuara zakonisht nga konsulenca fiskale.

Në këtë kuadër janë përllogaritur skenarë të ndryshëm që kombinojnë madhësi të xhiros mujore si 100.000. 200.000, 300.000, 500.000 dhe 1.000.000 lekë, numrin e punonjësve me pagë minimale që varion nga 1 deri në 5, si edhe fitime bruto që variojnë ndërmjet 20% dhe 40%.

Për secilin skenar janë llogaritur tre elemente të drejtpërdrejta të barrës financiare: kosto ekstra mujore e pagës, që llogaritet me formulën

Kosto ekstra mujore e pagës = ΔW × numër punonjësish

ku ΔW = 10.000 lekë për punonjës në muaj, kosto ekstra mujore e sigurimeve në rast se qeveria nuk e mbulon, që llogaritet si

Kosto ekstra sigurimesh = Kosto ekstra page¨×16.7%

dhe ndryshimi i fitimit bruto në varësi të xhiros dhe fitimit bruto, i cili llogaritet si

Fitimi bruto pas ndryshimit = (Xhiro × fitimi në raport me xhiron)  − (Kosto ekstra page + Kosto ekstra sigurimesh)

Gjatë periudhës së subvencionit 9-mujor, qeveria mbulon plotësisht kontributet për diferencialin e pagës, kështu që bizneset mbajnë vetëm koston e pagës së rritur që është 10.000 lekë për punonjës në muaj. Pas përfundimit të subvencionit barra e plotë i transferohet punëdhënësit, pra shtesa totale bëhet 11.670 lekë për punonjës në muaj duke marrë parasysh edhe kontributet.

Skenarët konkretë tregojnë qartë intensitetin e ndikimit. Për shembull, për një biznes me 1 punonjës dhe xhiro mujore 200.000 lekë, kosto ekstra e pagës është 10.000 lekë në muaj ndërsa kosto ekstra e sigurimeve në kushtet kur shteti nuk mbulon është 1,670 lekë. Për të mbuluar vetëm sigurimet nga xhiroja, përdoret formula

Rritje e nevojshme e çmimeve = Kosto ekstra sigurimesh/ Xhiro × 100 = 1,670 / 200.000 ×100 ≈0.835%

Nëse shteti mbulon sigurimet, biznesi duhet të përballojë vetëm 10.000 lekë, që është 5% e xhiros mujore. Një rast tjetër më kompleks është 3 punonjës me xhiro 500.000 lekë. Kostoja ekstra e pagave arrin 30.000 lekë në muaj dhe kostoja ekstra e sigurimeve pa subvencion shkon 5.010 lekë.

Për të mbuluar vetëm sigurimet përdoret formula:

5,010 / 500.000×100≈1.002%

Ndërsa për të mbuluar pagë + sigurime (pa subvencion) formula jep

30,000 + 5,010 / 500.000 × 100 ≈ 7.002%

Nëse shteti mbulon sigurimet, për të përballuar vetëm koston e pagave mjafton 6% rritje çmimesh.

Rastet tregojnë se ndryshe nga pritshmëritë e zakonshme, barra e mbijetesës së biznesit është shumë e ndjeshme ndaj raportit midis xhiros, fitimit bruto dhe numrit të punonjësve. Për biznese me xhiro të ulët, p.sh. 200.000 lekë dhe dy punonjës me pagë minimale, me fitim bruto 25%, fitimi bruto para ndryshimit është 50.000 lekë, humbja gjatë subvencionit për shkak të kostos ekstra prej 20,000 lekësh ul fitimin me 40%, ndërsa pas përfundimit të subvencionit kur barra ngrihet në 23.340 lekë humbja arrin rreth 46.7% të fitimit. Në disa skenarë ekstrem, fitimi bruto mund të bëhet negativ, duke futur biznesin në humbje operative.

Periudha nëntëmujore e mbështetjes mund të konsiderohet një dritare tranzitore që i lejon bizneset të organizojnë rritjen graduale të çmimeve, të rishikojnë koston e strukturës së tyre dhe të analizojnë produktivitetin. Megjithatë, për një pjesë të konsiderueshme të bizneseve të vogla, veçanërisht ato me fitim bruto të ulët dhe kontrata fikse, 9 muaj nuk janë të mjaftueshëm për të amortizuar barrën e shtuar, sepse rritja e kostos është mujore dhe e përhershme. Në mungesë të rritjes së çmimeve apo të xhiros, kostoja ha drejtpërdrejt nga fitimi bruto dhe shpesh është e rëndë.

Nëse xhiro dhe çmimet nuk ndryshojnë, barra prej 11.670 lekë për punonjës në muaj pas përfundimit të subvencionit godet fitimin bruto dhe shpesh ul 20 deri në 40% të tij për shumë biznese tipike, ndërsa për biznese me xhiro të vogël ose shumë punonjës me pagë minimale, fitimi bruto mund të kthehet negativ.

Për të shmangur efektet e padëshirueshme, rekomandohet që periudha e mbështetjes të zgjatet të paktën në 12 muaj me një kalim gradual të barrës nga shteti tek punëdhënësi.

Në mungesë të kësaj, duhet të merren masa komplementare si lehtësime për financime investimesh, programe për rritje produktiviteti, lehtësime fiskale të synuara dhe masa për efikasitetin operacional.

Bizneset e vogla duhet të bëjnë analiza skenarësh 3, 6 dhe 12 mujore, të rishikojnë portofolin e produkteve, të rrisin gradualisht çmimet për të shmangur humbjen e klientëve, të negociojnë me furnitorët afate më të mira dhe të forcojnë disiplinën e likuiditetit. Mbështetja nëntëmujore e shtetit është e dobishme në afat të shkurtër, por e pamjaftueshme për shumë biznese me normë fitimi të ulët dhe xhiro të kufizuar.

Nëse xhiroja nuk rritet dhe çmimet mbeten të pandryshuara, ndikimi mbi fitimin është i drejtpërdrejtë dhe i konsiderueshëm, duke shkaktuar ulje të fitimit bruto nga 20 deri në 40 për qind për një pjesë të madhe të bizneseve tipike dhe humbje operative për ata me xhiro shumë të ulët ose me shumë punonjës të paguar me pagë minimale.

Kjo është arsyeja pse politika e rritjes së pagës minimale kërkon menaxhim të kujdesshëm të tranzicionit dhe masa të shoqëruara për të shmangur efektet e padëshirueshme ekonomike.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.