Rezistenca ekonomike e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor ndaj goditjeve globale

Rezistenca ekonomike e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor ndaj goditjeve globale

Një analizë e re studimore me titull “Rezistenca ekonomike e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor ndaj goditjeve globale sjell në vëmendje një realitet të dyfishtë për rajonin: nga njëra anë, një përmirësim i dukshëm i qëndrueshmërisë makroekonomike; nga ana tjetër, rreziqe strukturore dhe institucionale që e bëjnë këtë stabilitet të pasigurt në afat të gjatë.

Studimi përshtat dhe zgjeron gjetjet e punimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar “Emerging Market Resilience: Good Luck or Good Policies?” (2025), duke argumentuar se rezistenca e shtuar e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj goditjeve financiare globale pas vitit 2008 nuk është rezultat i “fatit të mirë”, por i politikave më të mira makroekonomike.

Politikat, jo fati, pas stabilitetit të ri

Sipas analizës, Shqipëria dhe vendet fqinje kanë bërë përparim të ndjeshëm në 15 vitet e fundit. Kornizat monetare janë bërë më të besueshme, bankat qendrore më profesionale, rregulloret makroprudenciale më të rrepta dhe inflacioni më i ankoruar.

Në vitet 2024–2025, rajoni ka shënuar rritje ekonomike mesatare 3–4%, inflacion nën 3% dhe rezerva valutore që mbulojnë 5–7 muaj importe. Ndryshe nga e kaluara, krizat globale, përfshirë pandeminë dhe shtrëngimin financiar ndërkombëtar nuk kanë sjellë më “sudden stops”, pra ndërprerje të menjëhershme të flukseve të kapitalit.

Shqipëria, e cila dikur binte në recesion sa herë goditej ekonomia globale, ka arritur të ruajë rritje 3.5–4% edhe në një mjedis ndërkombëtar të pasigurt. Një ecuri e ngjashme vërehet edhe në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi.

Dobësi strukturore që mbeten

Megjithatë, studimi thekson se ky stabilitet është ndërtuar mbi themele ende të brishta. Euroizimi mbetet shumë i lartë, nga 40 deri në 60%, duke kufizuar fuqinë reale të bankave qendrore. Varësia nga remitancat dhe turizmi e bën rritjen ekonomike të ndjeshme ndaj ngadalësimeve në vendet kryesore të BE-së, si Gjermania dhe Italia.

Ndërhyrjet e shpeshta në tregun valutor, presionet fiskale për rritje pagash, pensione dhe projekte të mëdha publike, si dhe centralizimi i vendimmarrjes ekonomike, rrisin rrezikun që pavarësia institucionale të cenohet.

Ekonomia dhe politika të pandara

Një element kyç i analizës është lidhja mes rezistencës ekonomike dhe cilësisë së qeverisjes. Rajoni karakterizohet ende nga modele të centralizuara pushteti dhe prirje autokratike, çka e bën stabilitetin e sotëm të varur më shumë nga vullneti politik sesa nga institucione të forta dhe të pavarura.

Në një mjedis ku demokracia konsiderohet “hibride”, politikat e mira ekonomike mund të zhbëhen shpejt nëse mungojnë mekanizmat e llogaridhënies dhe kontrollit institucional.

Mesazh i dyfishtë për të ardhmen

Për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, mesazhi i studimit është njëkohësisht pozitiv dhe paralajmërues. Po, politikat më të mira kanë funksionuar dhe kanë rritur ndjeshëm rezistencën ndaj goditjeve globale. Por pa reforma të thella, si ulje të euroizimit, pavarësi reale të bankave qendrore, disiplinë fiskale të besueshme, diversifikim ekonomik dhe forcim të demokracisë stabiliteti aktual rrezikon të jetë i përkohshëm.

Sfida e radhës për rajonin nuk është më shmangia e krizave të shpeshta, por ndërtimi i institucioneve që e bëjnë rezistencën ekonomike të qëndrueshme dhe të pavarur nga fati apo nga individë të veçantë në pushtet. Analiza thekson se plotësimi i kësak arkitekture të ndryshuar ndikon, që Shqipëria dhe fqinjët e saj të mund të kalojnë nga rezistenca e rastësishme në një rezistencë të vërtetë strukturore.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.