Bashkohuni me ekipin tonë. A jeni gati të rrisni biznesin tuaj? Mëso më shumë
Rezistenca ekonomike e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor ndaj goditjeve globale
0 €
Kjo analizë ka për qëllim të përshtatë dhe të zgjerojë gjetjet e punimit të FMN-së “Emerging Market Resilience: Good Luck or Good Policies?” (2025) për rastin specifik të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor (Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi).
Duke pranuar tezën qendrore të FMN-së se rezistenca e ekonomive në zhvillim buron kryesisht nga politika më të mira dhe jo thjesht nga fati, analiza synon:
- Të vlerësojë deri në ç’masë kjo tezë vlen për rajonin tonë, ku rezistenca është reale, por ende e brishtë dhe e kushtëzuar nga faktorë strukturorë dhe institucionalë unikë (euroizim i lartë, varësi nga remitanca dhe turizmi, integrim i pjesshëm me BE-në, qeverisje e centralizuar).
- Të identifikojë pikat e forta dhe dobësitë kryesore të arkitekturës makroekonomike të Shqipërisë dhe BBP-së në dritën e kritereve të FMN-së (korniza monetare, makroprudenciale, fleksibilitet valutor, pavarësi institucionale).
- Të ofrojë një vlerësim realist të perspektivës 2026–2030 dhe rekomandime konkrete operative, duke marrë parasysh jo vetëm aspektin teknik, por edhe kontekstin politik të rajonit, ku centralizimi i pushtetit dhe dobësitë demokratike ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e politikave ekonomike.
Në vitin 2025, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një studim me konkluzionin pozitiv për ekonominë globale, ku shumë tregje në zhvillim nuk vuajnë më si dikur nga goditjet e mëdha financiare.
Arsyeja kryesore nuk është fati, si rritja e fortë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo çmimet e larta të lëndëve të para, por politika më të mira, ku banka qendrore janë më të pavarura, inflacioni më i ankoruar, si dhe borxhet janë më të pakta në dollarë shoqëruara me rregulla më të rrepta për bankat.
Ky është mesazhi qendror i punimit “Emerging Market Resilience: Good Luck or Good Policies?”.
Për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor ky mesazh është njëkohësisht lajm i mirë dhe paralajmërim i rëndë.
Lajmi i mirë është i qartë.
Në dhjetë–pesëmbëdhjetë vitet e fundit, rajoni ka ndryshuar rrënjësisht.
Shqipëria, që dikur me çdo krizë globale binte në recesion, tani rritet 3.5–4 % çdo vit edhe kur bota dridhet.
Inflacioni u ul nga 6–7 % në 2–3 %, rezervat valutore u dyfishuan, bankat janë më të forta dhe “sudden stops”, pra ato ndërprerje të menjëhershme të kapitalit që dikur i binin si bombë thjesht nuk ndodhin më.
E njëjta histori vlen për Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi. Rritje më e qëndrueshme, inflacion i kontrolluar, borxhe bankare të pastra dhe rezerva që mbulojnë 5–7 muaj importesh.
Në krahasim me vitet ‘90 apo edhe me krizën e 2008-ës, ky është një transformim spektakolar.
Por paralajmërimi është po aq i fortë.
Ky stabilitet i ri është ndërtuar mbi një themel akoma të brishtë dhe, në shumë raste, mbi një politikë që varet shumë nga vullneti i një qendre të vetme pushteti.
Euroizimi mbetet i lartë, me një përhapje deri në 50–60 % në Shqipëri, në Bosnje dhe Serbi 40–55 %, që do të thotë se bankat qendrore e humbin një pjesë të fuqisë kur lekët, dinari apo marka zhvleftësohen.
Ndërhyrjet valutore janë bërë rutinë (Shqipëria bleu gati 1 miliard euro vetëm në 2024 për të mos e lënë lekun të forcohet shumë).
Borxhi publik është ulur, por presioni për rroga, pensione dhe projekte madhështore vazhdon të rrezikojë pavarësinë e bankave qendrore. Mbi të gjitha, rritja vazhdon të mbështetet te dy burime jashtëzakonisht të ndjeshme: remitancat e emigrantëve dhe turizmi.
Kur Gjermania apo Italia ngadalësojnë, efekti ndihet menjëherë në Tiranë, Beograd apo Podgoricë.
Në sfond qëndron një problem edhe më i thellë.
Rajoni qeveriset ende me modele të forta të centralizuara, shpesh me tendenca autokratike. Vendimet ekonomike nuk rrjedhin gjithmonë nga institucione të pavarura dhe transparente, por nga qendra politike.
Kjo e bën rezistencën e sotme të varur nga cilësia e liderëve të momentit dhe jo nga rregulla të forta e të qëndrueshme.
Në një rajon ku demokracia është konsideruar “hibride” për më shumë se një dekadë (sipas V-Dem dhe Freedom House), politikat e mira mund të zhbëhen shpejt nga një qeverisje që i jep përparësi imazhit dhe jo institucioneve.
Prandaj teza e FMN-së në Ballkanin Perëndimor fiton një kuptim të dyfishtë:
- Po, politika më të mira kanë funksionuar dhe na kanë shpëtuar nga krizat e vjetra.
- Por, pa reforma të thella institucionale me ulje të euroizimit, pavarësi reale të bankave qendrore, disiplinë fiskale të besueshme, diversifikim të vërtetë të ekonomisë dhe forcim të demokracisë ky stabilitet i ri mund të jetë vetëm një pushim i përkohshëm para një goditjeje të re globale.
Shqipëria dhe fqinjët e saj kanë fituar shumë betejë në 15 vitet e fundit. Tani u mbetet të fitojnë luftën e madhe: të ndërtojnë institucione që rezistenca të mos varet më nga fati apo nga vullneti i një njeriu të vetëm, por të bëhet pjesë e pandashme e ADN-së së tyre ekonomike dhe politike.
Vetëm atëherë do të mund të thonë se e kanë kaluar vërtet nga “dilema” në “trilemë” dhe nga rezistenca e rastësishme në rezistencë të qëndrueshme.
- Përshkrim
Përshkrim
Ky studim përshtat tezën qendrore të punimit të FMN-së “Emerging Market Resilience: Good Luck or Good Policies?” (2025) për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, duke argumentuar se rezistenca e shtuar ndaj goditjeve globale financiare (risk-off) pas vitit 2008 nuk është kryesisht rezultat i “fatit të mirë” (rimëkëmbja e SHBA-së, kushte financiare të lehta), por i politikave më të mira makroekonomike: korniza monetare më të besueshme, rregullore makroprudenciale më të rrepta dhe pavarësi më e madhe e bankave qendrore. Në rajon, kjo rezistencë është e dukshme: rritje mesatare 3–4 % në 2024–2025, inflacion i ankoruar nën 3 %, rezerva valutore që mbulojnë 5–7 muaj importe dhe mungesë të plotë e “sudden stops” pas pandemisë.
Megjithatë, rajoni operon në një kontekst të brishtë strukturor dhe institucional: euroizim i lartë (40–60 %), varësi e madhe nga remitancat dhe turizmi, integrim i pjesshëm me BE-në dhe modele qeverisjeje të centralizuara me tendenca autokratike. Këto dobësi kufizojnë efektivitetin e politikave dhe e bëjnë rezistencën e sotme të varur nga vullneti politik më shumë sesa nga institucione të forta e të pavarura. Pa reforma të thella de-euroizimi, pavarësi reale institucionale, diversifikim ekonomik dhe forcim demokratik, kalimi nga “dilema” në “trilemë” mbetet i paplotë dhe stabiliteti i arritur rrezikon të jetë i përkohshëm.










