Rënia që nuk shihet në PBB

Rënia që nuk shihet në PBB

Në horizontin ekonomik të Shqipërisë, viti 2024 përfaqëson një pikë kthese të heshtur, ku pas një periudhe ekspansioni të moderuar dhe shprese për diversifikim të eksporteve, shifrat u përmbysën. Të dhënat statistikore tregojnë se eksportet ranë me 15.4%, ndërsa importet u rritën me 2.5%.

Ky zhvillim asimetrik, në thelb, është më shumë se një sinjal i dobësisë së kërkesës së jashtme. Ai është pasqyra e një ekonomie që mbështetet në pak sektorë eksportues, me përmbajtje të ulët vlerë-shtuese, dhe me një profil importues të thellë, ciklik dhe të përqendruar.

Kjo disbalancë është jo thjesht statistikore, por thellësisht strukturale, dhe për t’u kuptuar, kërkon një interpretim përtej kontabilitetit të zakonshëm tregtar.

Shkëputja mes rritjes ekonomike dhe performancës tregtare dhe fenomeni me paradoksin

Në vitin 2024, ekonomia shqiptare nuk regjistroi rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik, të paktën në kuptimin formal. Prodhimi i Brendshëm Bruto mbeti në nivele pozitive, falë një kombinimi faktorësh që mbajtën të gjallë kërkesën e brendshme, si: investimet publike të nxitura nga projektet infrastrukturore, remitancat e qëndrueshme, dhe një kreditim i butë në sektorin bankar që përkrahu konsumin privat.

Kjo tablo makroekonomike do të sugjeronte një mjedis të përshtatshëm për rritje të eksporteve, por ndodhi e kundërta.

Eksportet e mallrave ranë me 15.4%, një rënie dramatike që nuk është e justifikuar nga dinamika e kërkesës agregate. Në të njëjtën kohë, importet u rritën me 2.5%, duke thelluar më tej deficitin tregtar dhe duke zhbalancuar strukturën e llogarive të jashtme. Kjo moskoherencë mes tregtisë dhe aktivitetit ekonomik të brendshëm është një fenomen që sfidon modelet klasike makroekonomike, të cilat zakonisht parashikojnë që eksportet dhe importet ndjekin me afërsi të njëjtin drejtim në PBB-në reale.

Kjo çon te ajo që në literaturën ndërkombëtare njihet si “puzzle i tregtisë së munguar”, një shkëputje e papritur dhe e pashpjeguar midis zhvillimeve në tregtinë e jashtme dhe aktivitetit të brendshëm.

Por ky “puzzle” nuk është rastësi.

Përgjigjja qëndron në strukturën e brendshme të kërkesës agregate dhe në përbërjen sektoriale të ekonomisë shqiptare.

Në vend që të analizohet vetëm niveli i kërkesës agregate, vëmendja duhet të kalojë te përbërja e saj.

Cilat komponente të kërkesës u rritën?

Cilat ranë?

Cilat janë karakteristikat tregtare të tyre?

Për shembull, një rritje e shpenzimeve qeveritare për paga ose për mirëqenie sociale nuk ka të njëjtin ndikim në kërkesën për importe siç do të kishte një rritje në investime industriale apo eksportim inputesh. Po ashtu, një rikompozim nga investime në makineri drejt investimeve në pronësi intelektuale apo shërbime ka efekte të ndryshme në tregtinë e mallrave.

Në rastin shqiptar, eksportet janë shumë të përqendruara në disa grupe produktesh (tekstil, minerale, energji, produkte bujqësore), të cilat janë të ndjeshme ndaj kërkesës së jashtme, politikave monetare të partnerëve dhe ndryshimeve në çmimet globale, por gjithashtu janë të ekspozuara ndaj faktorëve strukturorë brenda vendit, si: mungesa e teknologjisë, kostot e larta të prodhimit dhe mungesa e rrjetit të zinxhirit të vlerës.

Nga ana tjetër, importet janë të dominuara nga mallra të konsumit, inpute për prodhim dhe produkte kapitale, që mbështesin strukturën aktuale të prodhimit dhe konsumit. Kur kërkesa e brendshme është e orientuar më shumë drejt konsumit dhe jo drejt prodhimit eksportues, importet vazhdojnë të rriten, ndërsa eksportet bien.

Në thelb, deficiti tregtar i vitit 2024 nuk është rezultat i dobësisë ekonomike, por pasojë e një modeli ekonomik që favorizon konsumim të huaj dhe nuk prodhon në mënyrë konkurruese për tregjet e jashtme. Rënia e eksporteve në këtë kontekst nuk është një rënie e përgjithshme e ekonomisë, por simptomë e paaftësisë strukturore për të përkthyer rritjen ekonomike në rritje të qëndrueshme të eksporteve.

Një ekonomi e ndjeshme ndaj jashtmëve dhe pa mbrojtje strukturore

Në vitin 2024, mbi 72% e eksporteve shqiptare shkuan në BE, me 44% drejt vetëm një shteti – Italisë. Kjo varësi e lartë territoriale u shoqërua me një rënim të eksporteve drejt BE-së me 15.5%, ku Italia kontribuoi me një tkurrje prej -13.9%.

Në të njëjtën kohë, importet nga BE-ja u rritën me 3.6%, duke thelluar disbalancën. Partneriteti kryesor i vendit rezulton, në këtë kontekst, një burim ekspozimi më shumë sesa përparësi strategjike.

Struktura e eksporteve është e përqendruar në produkte me cikël të lartë dhe përmbajtje të ulët teknologjike (tekstile, këpucë, minerale, metale dhe energji). Këto sektorë janë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare, ndaj ndryshimeve në zinxhirët e furnizimit dhe ndaj politikave të huaja monetare e fiskale.

Kështu, nëse BE përfshihet në një cikël shtrëngues monetar, ose në një rikompozim të kërkesës nga mallrat drejt shërbimeve apo IPP-ve (siç ndodhi në 2023), kërkesa për eksportet shqiptare goditet drejtpërdrejt, pa amortizues alternativ.

Në pesëmujorin e parë të 2025, eksportet u rritën me 2.1% dhe importet ranë me 2.4%. Deficiti tregtar u ngushtua me 6.1%. Në pamje të parë, ky është një lajm i mirë, por pas shifrave qëndrojnë ndryshime sektoriale që tregojnë një dinamikë më të ndërlikuar:

  • Rritjen e eksporteve e udhëhoqën produktet minerale, energjia dhe lëndët djegëse – të ndjeshme ndaj ciklit të çmimeve, por jo domosdoshmërisht të qëndrueshme.
  • Materialet e ndërtimit dhe metalet vijuan rënien, reflektim i një kërkese investuese në stanjacion.
  • Importet u reduktuan kryesisht në të njëjtat kategori ciklike, jo si rezultat i rritjes së prodhimit vendas, por për shkak të ngadalësimit të kërkesës së brendshme në ndërtim dhe energji.

Rritja e eksporteve në këtë kontekst duket më shumë si efekt sezonal ose i çmimeve sesa si tregues i një rikuperimi strukturor.

Kanalet e përbërjes së kërkesës dhe roli i ndërmarrjeve

Një aspekt që e përforcon këtë interpretim është struktura e ndërmarrjeve eksportuese dhe importuese:

  • 55% e eksporteve realizohen nga 50 ndërmarrje të mëdha.
  • 97% e ndërmarrjeve eksportuese janë mikro ose të vogla, me akses të kufizuar në tregjet ndërkombëtare, kapital, teknologji dhe diversifikim produkti.
  • Ndërmarrjet që eksportojnë vetëm në një shtet zënë 29% të eksporteve, një nivel i lartë varësie gjeografike.

Nga ana tjetër, importet janë më të përhapura, por gjithsesi dominohen nga 100 kompani të mëdha. Kjo tregon se strukturat e zinxhirit të furnizimit në Shqipëri janë më të ndërlidhura me ofertën e huaj sesa me kapacitetet vendase.

Në terma makroekonomikë, kjo do të thotë se çdo goditje në kërkesën e jashtme (apo politikë monetare në BE) ka ndikim shumë më të madh në eksportet, ndërsa importet janë më të qëndrueshme për shkak të strukturës së konsumit dhe prodhimit vendor.

A ekziston një kanal i brendshëm i transmetimit të politikës monetare?

Ndryshe nga eurozona, Shqipëria nuk ka një politikë monetare me ndikim të fortë në tregti. Por ndikimi indirekt përmes politikave të partnerëve, si edhe ndikimi në strukturën e investimeve brenda vendit, është i pranishëm.

Importet e mallrave kapitale, ndërtimore dhe inputeve industriale janë të ndjeshme ndaj ritmit të investimeve, që varet nga klima fiskale, kredidhënia, dhe kursi i këmbimit.

Një ngadalësim në investimet publike ose private, siç sinjalizohet nga rënia e importeve të materialeve ndërtimore, përkthehet në rënien e kërkesës për importe, ashtu siç ndodhi në 5-mujorin 2025.

Në këtë kuptim, kompozimi i kërkesës së brendshme midis konsumit, investimit, apo prodhimit për eksport përfaqëson një kanal të heshtur por real të ndikimit mbi tregtinë.

Rënia e eksporteve shqiptare në vitin 2024, me një tkurrje të thellë prej 15.4%, e ndjekur nga një rimëkëmbje modeste në 5-mujorin e parë të 2025 (+2.1%), nuk mund të konsiderohet thjesht një lëkundje ciklike e shkëmbimeve ndërkombëtare, por as raste të izoluara.
Përkundrazi, ky është një sinjal i qartë për dobësitë e brendshme strukturore të modelit tregtar shqiptar, i cili është i ndjeshëm ndaj goditjeve të jashtme dhe pa aftësi për të reaguar në mënyrë simetrike përmes eksporteve.

Kjo asimetri ndërmjet eksportit dhe importit, ku të parat bien ndjeshëm, ndërsa të dytat vazhdojnë të zgjerojnë praninë e tyre në ekonomi tregon jo vetëm për një mungesë konkurrueshmërie strukturore, por edhe për një ekspozim të tepërt ndaj një game të ngushtë produktesh dhe tregjesh.

Ekonomia e vendit duhet të braktisë varësinë nga tregtia e pabalancuar dhe sektorët me vlerë të ulët të shtuar dhe të orientohet të ndërtojë një arkitekturë të re tregtare, që kombinon diversifikimin, industrializimin inteligjent dhe ndërlidhjen rajonale. Secili nga bizneset lidere në treg dubhet të shërbejë si modeli i qasjes së re duke koordinuar me qeverinë dhe faktorët e tregut Brenda vendit dhe jashtë tij.

Në fund, ashtu si studimet më të avancuara për eurozonën, edhe rasti i Shqipërisë na mëson se bilanci tregtar nuk shpjegohet vetëm përmes ndryshimeve në PBB, por përmes përbërjes së brendshme të kërkesës dhe strukturës së sektorëve ekonomikë. Për një vend si Shqipëria, që përpiqet të dalë nga periferia e tregjeve dhe nga profili i një eksportuesi të lëndëve të para, kjo është një mundësi për reflektim strategjik dhe një thirrje për ndërhyrje strukturore urgjente.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.