Reforma fiskale, opinioni publik dhe besimi te shoqëria civile
Taksimi është një burim themelor i shtetit, që mund të përkthehet si forca e tij dhe për këtë arsye tatimet janë një mjet thelbësor për zhvillimin.
Përveç produktit fiskal, ne dimë relativisht pak për ato faktorë të rëndësishëm, që përcaktojnë mbështetjen publike për reformën fiskale. Kjo vjen për shkak se fokusi konvencional mbetet te qëndrimet e publikut ndaj zbatimit vullnetar te ligjit, i cili në vend të uljes së evazionit duhet që t’i japë mbështetje politikës për kryerjen e reformës fiskale.
Ky këndvështrim i publikut duhet të jetë mjaft i rëndësishëm për qeverisjen. Mbështetja publike luan një rol themelor në përcaktimin e qasjesve politike duke u konsideruar si një përfaqësim aktiv apo përgjegjshmëri e lidershipit politik karshi kërkesave të publikut. Ky raport tregon qëndrimin e politikës si të varur nga vullneti publik.
Çfarë faktorësh ndikojnë mbështetjen publike për rritjen fiskale?
Mjaft studime kanë theksuar se midis opinionit publik dhe politikës së faktit ka një lidhje të patjetërsueshme. Politikanët, qoftë edhe formalisht përpiqen të paraqiten si liderë, që i përshtatin parimet e politikës së tyre në funksion të kërkesave të opinionit publik duke i bashkërenduar me faktorë të tjerë. Ky qëndrim vjen për të treguar se vullneti i opinionit publik është ai që ata e kërkojnë që t’a tjetërsojnë në vepra dhe të mira publike.
Megjithatë, vendimet politike nuk janë pronë e opinionit publik. Ai nuk është i vetmi faktor që ndikon. Presioni që bëhet nga elita e vendit janë një faktor që edhe pse nuk ka masivitetin e publikut ka një forcë të krahasueshme me të.
Kështu, nëse qeveria në rastin e tatimit mbi të ardhurat do të kishte vendosur vetëm nëpërmjet opinionit publik, atëherë do të ishte i zbatuar taksimi progresiv edhe për të ardhurat individuale në vend të taksimit progresiv vetëm mbi të ardhurat nga punësimi.
E njëjta elitë politike mund të kishte dëgjuar më tepër opinionin publik për një taksim progresiv të tatimit mbi fitimin. Por, në këtë rast elita financiare dhe elita politike të lidhura mes tyre nuk e kanë lejuar që një politikë e tillë të jetë temë diskutimi dhe aq më pak të jetë në kalendarin e reformës së politikës së sotme.
Reforma fiskale në specifikat e saj është ngushtësisht e lidhur me betejat legjislative duke e vendosur opinionin publik në mes të tyre. Kjo situatë krijon me këtë rast një opinion, që luhatet midis barrës fiskale të momentit dhe asaj që ka qenë më përpara pa i lënë hapësira për të reaguar më shumë se kaq.
Betejat elektorale, por dhe betejat legjislative pas zgjedhjeve e kanë futur opinionin publik në ato pak propozime që politikanët bëjnë kryesisht për shkallë fiskale më të ulta. Në fakt duhet sqaruar se një reformë fiskale nuk përfaqësohet vetëm nga ulje taksash. Më e pakta është ato nuk janë tema kryesore e reformimit fiskal.
Reformë fiskale do të thotë futja e një elementi shtesë, futja e një risie në politikën fiskale me synimin e rritjes së kontributit të atyre shtresave sociale (individëve) dhe kategorive të biznesit që kanë përfituar nga politikat e mëparshme. Qëllimi i një reforme fiskale duhet të jetë parimi i rishpërndarjes së barrës fiskale duke harmonizuar më së miri taksat mbi punën e konsumin me taksat mbi kapitalin.
Gjithë produkti i reformës fiskale është përgjigja ndaj kërkesës së opinionit publik për dhënien fund të pandershmërisë në shpërndarjen e barrës tatimore.
Në kushtet e një mungese të kulturës fiskale, kur edhe pagesa e faturave të shërbimeve dhe mallrave (energjia, uji), që shpërndahen nga sektori publik konsiderohen nga qytetarët e thjeshtë shqiptarë si një taksë, në momentin kur u shtohet edhe një barrë fiskale e pandershme, ata mund ta shprehin pakënaqësinë e tyre në kutinë e votimit.
Përveç faktit nëse publiku është i gatshëm ti kuptojë efektet nga reformat që zgjasin në kohë, liderët aktualë duhet të nxjerrin përgjegjësinë e tyre, por dhe faktet të cilat tregojnë se ky proces nuk komprometon aftësinë e qeverisë për të rritur sigurimin e të mirave publike të cilësisë.
Kërkimet dhe anketat që edhe pse nuk janë të plota, tregojnë se nëse politikat fiskale që formatojnë një reformë do të bëhen duke i parë me këndvështrimin e opinionit publik, ato do të jenë më shumë të pranuara dhe të suksesshme. NË rastin, kur opinioni publik njehsohet me zërin e opozitës dhe nuk vlerësohet për mesazhin publik që përcjell ndodh që elementët e reformës të jenë të pazbatuar si duhet dhe të ngelen peng i justifikimit të zyrtarëve që i kanë pranuar ti zbatojnë ato.
Qeveria mund të kryejë edhe reforma që nuk kanë popullaritetin e publikut, por dihet që kostoja politike do të jetë e ndjeshme në zgjedhjet më të afërta.
Nisur nga kostoja e lartë që mbartin reformat, sidomos ajo fiskale politikanët që kanë synim rizgjedhjen e tyre kanë një tregues të përbashkët: atë të të qenurit mjaft reflektuesë ndaj këndvështrimit të publikut.
Në mbajtjen e një profili politik që tregon se zëri i publikut dëgjohet, reflektimi më i madh i qeverisë është transparenca dhe qartësia e politikës së saj.
Nëse tatimpaguesit do të ndihen të sigurtë se lekët që paguajnë shpenzohen sipas një adresimi të qartë dhe menaxhohen me kujdes, atëherë gadishmëria për të paguar detyrimet në mënyrë vullnetare do të ketë një rritje që do të ndjehet shpejt. Megjithëse, qeveria ka ndërtuar dhe përsosur kuadrin ligjor dhe strukturat që mbikqyrin performancën e financave publike dhe shpërndarjen e të mirave publike, ndjeshmëria e publikut është ende në kufijtë e pasigurisë dhe paqartësisë.
Reduktimi i paqartësisë dhe forcimi i sigurisë mundet të ribalancohen vetëm nëse shoqëria civile e përfaqësuar nga organizatat joqeveritare me integritet mundet të tregojnë se kredibiliteti i financave publike është në nivelet që ata kanë monitoruar dhe ja kanë prezantuar publikut.
Ndërhyrja e shoqërisë civile për të sqaruar atë që bën qeveria dhe elitat e vendit rrit besimin e publikut te qeveria dhe lidershipi politik dhe ekonomik. NË kushtet, kur historitë me korrupsion qeveritar të përzier me korruptimin e pjesës kryesore të elitave nuk kanë mbaruar, është shumë më i vështirë që besimi i publikut të arrihet vetëm duke dëgjuar zërin e qeverisë dhe përfaqësuesve që paguhen nga elitat për të folur në interes të tyre.
Nëse do të vijojmë të kemi një investim si deri më sot te rritja e besimit të publikut te qeverisja, atëherë do të kemi më shumë qytetarë cinikë që nuk do të kenë dëshirën të dëgjojnë zërin e qeverisë për përfitimet që mund të marrin nga kryerja e reformës fiskale, si pjesë e reformës strukturore.
Për arsye të mosbesimit te qeveria në veçanti, si dhe te politika në përgjithësi qytetarët nuk do t’i konsiderojnë politikat që shpallen në emër të reformës si realiste apo që lidhen me ta.
Njerëzit të cilët kanë mosbesim te qeveria besojnë se mekanizmat që përdoren janë një mashtrim, dhe se ata në fund të fundit nuk do të gëzojnë përfitimet që fliten.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.