Pse vetëm pak shqiptarë deklarojnë të ardhurat, ndërsa shpenzojnë si të pasur?
Në vitin 2025, vetëm 124 mijë individë dorëzuan Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVAn) në Shqipëri.
Kjo shifër përfaqëson jo më shumë se 25–30% të individëve që duhet të deklarojnë bazuar në ligjin aktual dhe mbi të gjitha në vlerësimet për popullsinë aktive që ka më shumë se një burim të ardhurash apo që realizon të ardhura në 2024 mbi pragun 2 milionë lekë në vit duhet të ishin pjesë e këtij procesi deklarimi. Fenomeni nuk është vetëm një çështje statistikore apo teknike, por ai flet për një boshllëk të thellë ndërmjet sistemit formal dhe realitetit ekonomik që përjetojnë dhe manifestojnë qytetarët në jetën e përditshme.
Ky nivel i ulët i përfshirjes në sistemin e deklarimit përballet në mënyrë të qartë me sjelljet reale të konsumit të individëve. Duket sikur ekziston një Shqipëri që nuk pasqyrohet në të dhëna, por që është shumë e dukshme në rrugë, në bregdet, në qendrat tregtare, në kartat e kreditit dhe në jetën e përditshme që nuk përputhet me të ardhurat e raportuara.
Kostoja reale e jetesës për një familje tipike me dy të rritur dhe dy fëmijë në qytetet kryesore, si Tirana, Durrësi apo Vlora llogaritet të jetë ndërmjet 120,000 dhe 170,000 lekë në muaj. Kjo përkthehet në mbi 1.5 deri në 2 milionë lekë në vit për çdo individ, nëse merret parasysh pjesa e tij në konsum.
Megjithatë, mijëra individë që përfshihen në këtë standard jetese, madje e tejkalojnë atë, nuk figurojnë në sistemin e deklarimit të të ardhurave.
Kjo nuk është vetëm një anomali fiskale, por një sfidë e drejtpërdrejtë për legjitimitetin dhe efektivitetin e administrimit tatimor në vend.
Konsumi i dukshëm luksoz është një tjetër aspekt që nxjerr në pah këtë mospërputhje.
Vetëm në vitin 2025 janë importuar mbi 4,500 automjete me vlerë mbi 30 mijë euro, kryesisht në emra individësh, nga të cilët shumë nuk figurojnë si deklarues të të ardhurave apo figurojnë me të ardhura minimale.
Po ashtu, është rritur ndjeshëm numri i blerjeve të pasurive të paluajtshme, sidomos në zonat bregdetare si Dhërmiu, Lalëzi apo Palasa, nga persona që nuk kanë asnjë profil ekonomik të regjistruar.
Udhëtimet jashtë vendit janë në rritje me më shumë se 40% krahasuar me periudhën 2022–2023, sipas të dhënave të operatorëve turistikë. Ndërkohë, bankat raportojnë një përdorim të shtuar të kartave të kreditit për shpenzime mujore që kapin vlerën mbi 5,000 euro nga individë që nuk deklarojnë të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar këto shpenzime.
Nën këtë sipërfaqe të një sistemi të deklaruar me persona që kanë të ardhura ditore më pak se 45 Euro në ditë qëndron një realitet ekonomik informal dhe shpesh i financuar nga të ardhura të fshehura. Diskrepanca midis të ardhurave të deklaruara dhe fuqisë reale shpenzuese nuk është thjesht një devijim i rastësishëm, por një fenomen i gjerë, që e thellon hendekun midis qytetarëve të ndershëm dhe atyre që përfitojnë nga mangësitë e sistemit.
Në analizë të parë, kjo mospërputhje nxjerr në pah një qasje fiskale problematike, ku deklarimi fiktiv dhe mosdeklarimi mbeten ende normë për një pjesë të madhe të individëve.
Më tej, qasja institucionale vuan nga mungesa e ndërveprimit dhe integrimit të burimeve të të dhënave. Aktualisht, Administrata Tatimore nuk ndërthur ende në mënyrë efikase informacionin nga bankat, kadastra, doganat, tatimet lokale dhe institucionet e tjera publike.
Mungesa e një regjistri të unifikuar të pasurisë dhe të ardhurave e bën të pamundur krijimin e një profili të saktë për individët, duke pamundësuar kështu identifikimin automatik të pasurive të pajustifikuara.
Ekziston një qasje socio-ekonomike që e normalizon mosdeklarimin.
Ai nuk përballet si problem nga pjesa më e madhe e shoqërisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për qira, remitanca apo të ardhura nga aktivitetet dytësore.
Kjo “normë e tolerancës ndaj informalitetit” shoqërohet me një administratë që shpesh është pasive ndaj individëve me profil të lartë ekonomik, qoftë për mungesë kapacitetesh teknike, qoftë për shkak të ndikimeve politike.
Kostot që sjell ky fenomen janë shumëdimensionale dhe të rënda për ekonominë dhe shoqërinë. Humbjet vjetore nga mosdeklarimi vlerësohen të jenë mbi 8 deri në 10 miliardë lekë,një shumë që, për ilustrim, mund të mbulojë një rritje të konsiderueshme pagash në sektorin e shëndetësisë.
Për më tepër, tatimpaguesit e rregullt ndihen të penalizuar nga pabarazia tatimore që rezulton nga ky informalitet i pandëshkuar. Pa të dhëna të sakta mbi të ardhurat reale, hartimi i politikave të targetuara bëhet gati i pamundur, qoftë për mbështetje sociale, qoftë për politika krediti, subvencione apo planifikim buxhetor. Mosidentifikimi i pasurive të pajustifikuara dobëson rëndë kapacitetin e administratës për të luftuar korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Rrugëdaljet nga kjo situatë kërkojnë ndërhyrje të thelluara dhe të koordinuara:
- Zgjerimi i spektrit të individëve të detyruar për deklarim, duke përfshirë jo vetëm ata me të ardhura mbi pragun ligjor, por edhe ata me më shumë se një burim të ardhurash ose me pasuri të konsiderueshme.
- Zbatimi i krahasimit midis deklarimeve dhe stilit të jetesës, përmes ndërlidhjes së të dhënave nga tatimet, bankat, kadastra, sigurimet dhe doganat, nëpërmjet një sistemi risku të integruar dhe të automatizuar.
- Forcimi i transparencës së pasurive personale, sidomos për zyrtarët dhe profesionet e lira, për të ndërtuar një klimë llogaridhënieje dhe besimi.
- Fushatë publike për ndërgjegjësim dhe denoncim të shpenzimeve të pashpjeguara, që do të ndihmonte në edukimin fiskal dhe presionin shoqëror.
- Ristrukturimi i sistemit të incentivave dhe penaliteteve, duke stimuluar deklarimin vullnetar dhe goditur në mënyrë sistematike dhe të drejtë shkeljet.
Në përfundim, deklarimet vjetore të të ardhurave individuale janë ende larg pasqyrimit real të fuqisë financiare të individëve në Shqipëri.
Përballja mes një numri të kufizuar deklaruesish dhe një realiteti të shfrenuar konsumi luksoz pa mbulim fiskal ngre një alarm serioz për funksionalitetin e sistemit tatimor. Nëse nuk ndërmerret një reformë gjithëpërfshirëse, informaliteti do të mbetet jo vetëm një hije, por një barrikadë që pengon zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtë të vendit. Ai do të vazhdojë të dëmtojë barazinë, besimin në institucionet dhe kapacitetin e shtetit për të ofruar shërbime publike cilësore.
P.S. Kontrolli që Administrata Tatimore ka paralajmëruar ndaj 400 individëve me makina të shtrenjta është një hap i nevojshëm, por vjen tepër vonë dhe në mënyrë simbolike përballë përmasave të realitetit informal. Ndërsa vetë fakti që ekziston një listë e tillë dëshmon se informacioni mbi mospërputhjen midis stilit të jetesës dhe të ardhurave ekziston prej kohësh, veprimi i tanishëm tregon më shumë për presionin publik apo ndërkombëtar sesa për një strategji të qëndrueshme fiskale. Për më tepër, përzgjedhja e vetëm 400 rasteve në një ekonomi ku mijëra automjete luksi dhe pasuri të paluajtshme qarkullojnë jashtë çdo deklarimi fiskal, nuk mjafton për të rikthyer besimin dhe barazinë në sistemin tatimor. Kontrolli duhej të ishte pjesë e një mekanizmi sistematik dhe të përhershëm, të bazuar në analizën e riskut dhe krahasimin ndërinstitucional të të dhënave, jo një ndërhyrje sporadike me vlerë më shumë simbolike sesa strukturore.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.