Pse produktet e importuara në Shqipëri shpesh shiten më shtrenjtë se në vendin e origjinës?

Pse produktet e importuara në Shqipëri shpesh shiten më shtrenjtë se në vendin e origjinës?

Logjika ekonomike thotë se nëse një vend importon mallra nga një treg më i lirë, çmimi përfundimtar për konsumatorin duhet të jetë më i ulët. Megjithatë, në praktikë ndodh shpesh e kundërta dhe produktet e importuara në Shqipëri rezultojnë më të shtrenjta sesa në vendet nga ku vijnë.

Sipas analizës ekonomike, arsyeja kryesore lidhet me mënyrën se si ndërtohet çmimi përfundimtar i një produkti.

Çmimi që shihet në Itali, Turqi apo Greqi nuk është çmimi real, pasi përveç çmimit të importit, mbi të shtohen kostot e transportit, sigurimit, tarifat doganore, TVSH-ja, si dhe marzhet e fitimit të importuesit dhe të shitësit.

Në një shembull ilustrues për një produkt që kushton 1 euro në Itali dhe çmimi që paguan importuesi shqiptar (wholesale) është 0.60 €[1]

Shembull i formimit të çmimit (me kursin efektiv EUR/ALL = 96)
· Çmimi shumicë në Itali = 0.60 € (pa TVSH)
· Transport & sigurim = 0.15 € (pa TVSH)
· Doganë & tarifa = 0.10 €
· Marzh importuesi = 20%
· Marzh shitësi = 30%

· TVSH = 20%
Hapi 1 – Kosto reale neto (pa TVSH)

0.60 + 0.15 + 0.10 = 0.85 €
Në lekë, kjo shumë është 0.85 × 96 = 81.60 leke

Kosto reale neto = 81.60 lekë

Hapi 2 – Marzhet reale (pa TVSH)
Marzh importuesi = 20% × 81.60 = 16.32 lekë
Marzh shitësi = 30% × 81.60 = 24.48 lekë
Çmimi neto i shitjes (pa TVSH) = 81.60 + 16.32 + 24.48 = 122.40 leke

Hapi 3 – TVSH (neutral për biznesin)
TVSH mbi shitje = 20% × 122.40 = 24.48 lekë
TVSH mbi blerje = 20% × (0.60 + 0.15) € × 96 = 20% × 72 = 14.40 lekë
TVSH për t’u paguar në shtet = 24.48 – 14.40 = 10.08 lekë
Çmimi final për konsumatorin
Çmimi neto = 122.40 leke TVSH
Çmimi ne raft = 122.40 + 24.48 = 146.88 leke (1.53 €)

Kujdes! Nga pikëpamja ekonomike reale, biznesi nuk e paguan TVSH-në nga xhepi i vet, pasi TVSH në shitje zbritet nga TVSH në blerje. TVSH nuk është kosto reale për biznesin, por një mekanizëm transferimi drejt shtetit, ku biznesi vepron thjesht si ndërmjetës. Për rrjedhojë, TVSH nuk justifikon rritjen e çmimit përtej mekanikës kontabël, ku:

çmimi real formohet nga P(real) = P(shumica) + T + D + M(imp) + M(shitje) ​

Por, nëse do ta krahasonim me çmimin e produkteve po te prodhoheshin ne Shqiperi, atehere situate rezulton si vijon:

Produkt i prodhuar në Shqipëri
· Kosto prodhimi (materiale + punë + energji) = 0.60 € (57.6 lekë)
· Transport lokal = 5 lekë
· Doganë/tarifa = 0 lekë
· Marzh prodhuesi = 20%
· Marzh shitësi = 30%
· TVSH = 20%

Hapi 1 – Kosto reale neto
57.6 + 5 + 0 = 62.6 leke

Hapi 2 – Marzhet
Marzh prodhuesi = 20% × 62.6 = 12.52 lekë
Marzh shitësi = 30% × 62.6 ≈ 18.78 lekë

Çmimi neto pa TVSH = 62.6 + 12.52 + 18.78 = 93.9 leke

Hapi 3 – TVSH
20% × 93.9 = 18.78 leke
Çmimi final për konsumatorin është 93.9 + 18.78 = 112.7 leke (1.17 €)

Krahasimi i shembullit të çmimit Itali – Shqipëri

ProduktÇmimi final në lekë
I importuar nga Italia146.88 lekë
I prodhuar në Shqipëri112.7 lekë
Diferenca34.2 lekë (~30% më lirë me prodhim vendor)
Edhe duke përdorur të njëjtat kosto bazë të lëndëve të para, prodhimi vendor rezulton më i lirë për konsumatorin. Diferenca vjen kryesisht nga transporti ndërkombëtar, doganat dhe marzhet e importuesve. Eliminimi i kosto-ve joformale dhe strukturave oligopolistike do të përmirësonte çmimin e importit dhe do të bënte prodhimin vendor një alternativë reale për uljen e çmimeve.

Pse nuk ndihet zhvlerësimi valutave në rënien e çmimeve?

Në praktikë, zhvlerësimi i euros shpesh kalon pothuajse i padukshëm në tregun shqiptar. Edhe kur euro/dollari humbet vlerë ndaj lekut, çmimet e produkteve të importuara nuk bien automatikisht. Arsyeja është se çmimi final nuk përbëhet vetëm nga kursi i këmbimit. Importuesit dhe shitësit shtojnë marzhe fitimi, paguajnë transport, sigurim, dogana dhe taksa, dhe shpesh llogarisin edhe një “premium rreziku” për vonesat, inflacionin ose luhatjet politike.
Për më tepër, struktura e tregut nuk e lejon konsumatorin të përfitojë lehtësisht nga ndryshimet e kursit. Me pak konkurrentë dhe një treg të vogël, çmimet që vendosen në raft reflektojnë më shumë fuqinë oligopoliste sesa luhatjet reale të euros. Si rezultat, edhe pse euro mund të dobësohet dukshëm, efekti i saj shpesh humbet mes kostove shtesë dhe kontrollit të pak aktorëve mbi tregun.
Në thelb, zhvlerësimi i euros ndikon më shumë në xhepin e importuesit sesa në çmimin që paguan konsumatori, i cili shpesh mbetet i pandryshuar.

Kur fillon abuzimi real ekonomik për mallrat e importit?

Abuzimi real ekonomik fillon kur vërehet një diferencë e pajustifikueshme midis çmimit të të njëjtit produkt në vendin e origjinës dhe në tregun shqiptar. Një skenar tipik është kur një produkt shitet me çmim me pakicë 1.00 euro në Itali dhe 2.50–3.00 euro në Shqipëri.

Në këtë rast, kostoja reale e justifikueshme për tregun shqiptar është rreth 1.50 euro, ndërsa çmimi real në treg arrin rreth 2.80 euro. Diferenca prej rreth 1.30 euro nuk lidhet më me transportin, taksat apo TVSH-në, por përfaqëson rentë oligopolistike, marzhe abuzive dhe mungesë reale konkurrence.

Një faktor përcaktues në këtë proces është vetë struktura e tregut shqiptar. Shqipëria operon si një treg i vogël, me volume të ulëta blerjeje dhe fuqi të kufizuar negociuese. Importuesit shqiptarë nuk blejnë në sasi masive, por në volume relativisht të vogla, çka i privon nga përfitimet e ekonomive të shkallës që karakterizojnë tregjet e mëdha si Italia apo Gjermania. Për pasojë, edhe çmimi “wholesale” me të cilin blejnë është strukturalisht më i lartë për njësi.

Kjo do të thotë se edhe kur importuesi shqiptar blen me çmim shumice nga distributori ose fabrika, diferenca në çmim mes vendit të origjinës dhe Shqipërisë nuk zhduket, por vetëm reduktohet. Në kushte normale tregu, vetëm nga transporti, doganat, TVSH-ja dhe marzhet standarde, çmimi përfundimtar në Shqipëri mund të rezultojë rreth 40–60% më i lartë se çmimi në raft në vendin e origjinës. Kjo përbën rritje strukturore legjitime dhe është ekonomikisht e justifikueshme për një ekonomi të vogël importuese.

Problemi real fillon kur kësaj rritjeje strukturore i shtohet struktura oligopolistike e tregut të importit. Në shumë sektorë operojnë vetëm dy ose tre importues dominantë, të cilët kontrollojnë furnizimin, krijojnë barriera hyrjeje për konkurrentët e rinj dhe shpesh koordinojnë në mënyrë informale politikat e çmimeve. Kjo situatë deformon konkurrencën dhe krijon çmime artificialisht të larta edhe në mungesë të rritjes së taksave. Fenomeni është veçanërisht i dukshëm te karburantet, ushqimet bazë, materialet e ndërtimit dhe barnat.

Një rol përforcues luan edhe struktura fiskale, sidomos TVSH-ja. Norma prej 20% aplikohet pothuajse mbi të gjitha produktet, përfshirë ushqimet bazë, energjinë dhe transportin. Ndërkohë, në shumë vende europiane këto kategori përfitojnë norma shumë më të ulëta ose zero, çka e bën sistemin fiskal shqiptar regresiv, pasi barra tatimore rëndon proporcionalisht më shumë mbi shtresat me të ardhura të ulëta.

Importuesit përfshijnë gjithashtu në çmim edhe rrezikun financiar, si luhatjet e kursit të këmbimit, inflacionin, vonesat e pagesave dhe rrezikun politik. Këta faktorë përkthehen në një “premium rreziku” që shtohet mbi koston reale dhe kalon drejtpërdrejt te konsumatori.

Në disa sektorë, mbi këto kosto formale shtohen edhe kosto joformale, si ryshfete doganore-tatimore-vendore, rregullatore, tarifa informale apo pagesa shtesë për procedura administrative. Këto nuk reflektohen në fatura, por përfshihen në çmim dhe paguhen përfundimisht nga konsumatori.

Një faktor shpesh i nënvlerësuar është edhe psikologjia e tregut shqiptar. Konsumatori është i mësuar me çmime të larta dhe reagon pak në mënyrë kolektive përmes bojkoteve, presionit publik apo mekanizmave të organizuar të mbrojtjes së interesit. Kjo krijon një elasticitet të ulët të kërkesës dhe u jep bizneseve mundësinë të ruajnë çmime të larta për periudha të gjata.

Pra, ekzistojnë dy nivele të qarta të rritjes së çmimeve në Shqipëri:

Niveli i parë është rritja legjitime strukturore, rreth 40–60%, që vjen nga tregu i vogël, kostot e transportit, TVSH-ja dhe marzhet normale tregtare. Ky nivel është i pashmangshëm dhe nuk përbën abuzim.

Niveli i dytë është rritja abuzive, që shpesh arrin 120–200%, dhe nuk shpjegohet më nga kostoja reale, por nga oligopolet, mungesa e konkurrencës dhe kontrolli privat i tregut. Ky është problemi real strukturor i ekonomisë shqiptare.

Nga pikëpamja ekonomike, formula reale e çmimit nis nga çmimi me shumicë:

P(AL) =  (P(shumica)+ T + D) + M(imp) + M(shitje)​

Në këtë logjikë, çdo diferencë mbi 80–100% nga çmimi në vendin e origjinës është sinjal i qartë i abuzimit strukturor.

Në gjuhë politike-ekonomike, kjo situatë nuk përfaqëson një treg të lirë funksional, por një formë “kapitalizmi oligarkik të vogël”, ku pushteti i çmimit është i përqendruar në pak aktorë dhe jo te mekanizmi i konkurrencës.

Sipas analizës, ulja reale e çmimeve do të ishte e mundur vetëm nëse realizohen njëkohësisht pesë kushte strukturore:

(a) hapje reale e tregut të importit
 (b) zhvillim real i konkurrencës në tregjet e brendshme
 (c) aplikim i TVSH-së së diferencuar për ushqimet bazë
 (d) funksionim efektiv i autoritetit të konkurrencës
 (e) transparencë publike e çmimeve përmes platformave të krahasimit

Realizimi i këtyre pesë masave e transformon importin në një mekanizëm funksional të tregut të lirë, duke e kthyer çmimin në reflektim të konkurrencës reale dhe jo në burim rente për pak aktorë. Në mungesë të konkurrencës reale, çdo politikë fiskale, reformë ligjore apo institucion mbikëqyrës ka efekt të kufizuar dhe nuk mund të garantojë uljen e çmimeve për konsumatorin.


[1] importuesi shqiptar nuk blen me çmimin me pakicë (retail) në Itali, por me çmimin me shumicë / ex-factory / distributor price, i cili zakonisht është 30–60% më i ulët se çmimi në raft në supermarket apo njësi tregtare të vogla.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.