Pse euro është kaq e dobët aktualisht në Shqipëri dhe pse çmimet e larta?

Pse euro është kaq e dobët aktualisht në Shqipëri dhe pse çmimet e larta?

Sipas historisë dhe zhvillimit të tendencave inflacioniste është vënë re se vendet me inflacion më të lartë zakonisht shohin zhvlerësim të monedhës së tyre në lidhje me monedhat e partnerëve të tyre tregtarë. Kjo zakonisht shoqërohet edhe me norma më të larta interesi.

Si rregull në ekonomitë që kanë të strukturuar tregun financiar, si dhe kanë të kufizuar informalitetin dhe paranë informale është vënë re gjithashtu, se normat e interesit, inflacioni dhe kurset e këmbimit janë të gjitha shumë të lidhura.

Si funksionon në vendet me treg të zhvilluar kapitali?

Duke manipuluar normat e interesit[1], Bankat Qendrore ushtrojnë ndikim si mbi inflacionin ashtu edhe mbi kursin e këmbimit, dhe ndryshimi i normave të interesit ndikon në inflacionin dhe vlerat e monedhës. Normat më të larta të interesit u ofrojnë huadhënësve një kthim më të lartë në krahasim me vendet e tjera. Prandaj, normat më të larta të interesit tërheqin kapitalin e huaj dhe vendas kryesisht dhe bëjnë që kursi i këmbimit të rritet. Megjithatë, ndikimi i normave më të larta të interesit zbutet nëse inflacioni në vend është shumë më i lartë se në të tjerët, ose nëse faktorë shtesë shërbejnë për të ulur monedhën. Lidhja e kundërt ekziston për uljen e normave të interesit – domethënë, normat më të ulëta të interesit kanë tendencë të ulin normat e këmbimit.

A vlen për Shqipërinë kjo mënyrë funksionimi si më lart?

Nga gjithë analizat e përmendura më lart, por dhe nga analiza të ndryshme historike dhe aktuale të ekonomistëve dhe analistëve në vend mund të thuash në mënyrë të përmbledhur se nuk mundet të funksionojë në mënyrë të plotë një skemë e tillë. Problemet që lidhen me prezencën masive të informalitetit, mungesa e një tregu plotësisht të lirë, niveli i lartë i korrupsionit në dëm të shtetit ligjor, problemet e mprehta me strukturimin dhe modelin e biznesit, politika polarizuese dhe shfaqje të qasjeve klienteliste në politikën fiskale, institucione qendrore me pavarësi dhe integritet të cunguar nuk mundësojnë dot funksionimin e skemës për uljen e inflacionit dhe rritjen e ekonomisë dhe mirëqenies në të njëjtën mënyrë si më lart.

Nga ana tjetër, në kushtet, kur ekonomia e vendit po shpenzon shumë më shumë për tregtinë e jashtme sesa fiton dhe se po merr hua kapital nga burime jashtë tregut monetar formal, i cili po ndikohet kryesisht nga importet e lëndëve të para të ndërtimit, pra kërkohet më shumë euro se sa merret përmes shitjeve të eksporteve, atëherë kërkesa e tepërt për euro duhet të rriste kursin e këmbimit të euros.

Në situatën, ku importet shkojnë për konsumin e përditshëm, për një pjesë të industrisë dhe bujqësisë, për lëndë të para dhe matëriale ndërtimi për të krijuar më shumë pasuri të paluajtshme[1], në një treg informal monetar, ku ka Euro më shumë se sa ka nevojë tregu (pra qarkullimi i euros është në mënyrë të pakontrolluar nga institucionet) ndodh që edhe pse ka kërkesë të shtuar nga importet, prania e tepërt e monedhës europiane i zhbën politikat dhe veprimet në tregun e këmbimit dhe kemi një treg këmbimi të paparashikueshëm që krijon pasiguri dhe orientim të gabuar për bizneset dhe familjet shqiptare që ndërveprojnë me tregun monetar.

Por, një argument i rëndësishëm që teston praninë e një ekonomie dhe paraje informale të pakontrolluar nga institucionet është fakti se në kushtet, kur buxheti i shtetit, prej disa vitesh është i ekspozuar me një borxh të madh publik duhet të kishte ndikuar në një inflacion të lartë. Kjo nuk ka ndodhur në ekonominë kaotike shqiptare, dhe inflacioni ndodhi vetëm në momentin kur u ngacmua nga importi dhe lajmet e egzagjeruara nga burime publike për rritjen e çmimeve për arsye të luftës në Ukrainë etj.

Në skenarin më oportun, qeveria duhet të komunikonte me Bankën e Shqipërisë për nevojën për të shtypur para për të paguar një pjesë të borxheve të mëdha, duke e nxitur nga brenda inflacionin e mundshëm dhe në kohën kur ky nuk ishte present në vendet europiane. Mirëpo, tashmë  qeveria në situatën që ndodhet ku nuk është në gjendje të shërbejë deficitin e saj përmes mjeteve të brendshme, atëherë ajo ka dalë në public duke rritur ofertën e letrave me vlerë, për individët shqiptarë. Në fakt, adresimi më i madh duhet të ishte për të huajt, kryesisht shqiptarët përtej kufijve, por dhe qytetarë të vendeve ballkanike. Në fakt thirrja ndaj shtetasve shqiptarë është një pjesë e vogël e tregut.

Së fundmi, ajo që ka nevojë jo vetëm tregu i këmbimit por në të vërtetë e ka nevojë tregu actual dhe gjenerata e ardhme është një politikë ndryshe nga deri më sot që duhet të garantojë me përgjegjshmëri qëndrueshmërinë e një performance të fortë ekonomike, e cila të nxitë investitorë me integritet të investojnë kapitalin e tyre dhe jo shfrytëzimin e mundësive të burimeve vendase.

Nëse Shqipëria arrin të bëhet një vend me atribute të tilla pozitive do të tërheqë fondet e investimeve nga vendet e tjera duke shfrytëzuar avantazhet politike dhe gjeografike në disfavor të vendeve të tjera që perceptohen të kenë më shumë rrezik politik dhe ekonomik.

Ka tre arsye kryesore që importohen si ndikime nga jashtë Shqipërisë për dobësinë e euros.

Së pari, ekonomitë e eurozonës po vuajnë më shumë me kalimin e kohës nga lufta në Ukrainë dhe kjo ka prishur raportet tregtare edhe me gjithë ato mallra dhe shërbime që duhet të rikuperohen nga tregu amerikan, apo aziatik e më gjerë. Atë që ekonomia europiane humbet në fuqinë blerëse në rolin e saj si konsumator energjie, deri më tani ende nuk po e fiton në rolin e saj si prodhuese energjie.

Së dyti, Banka e Shqipërisë, ashtu si Banka Qendrore Europiane ka rritur normat bazë të interesit[2] dhe si rrjedhojë pritshmëritë ishin që kapitali hyrës në vendet e eurozonës të ishte më i lartë për të përfituar nga këto norma më të larta interesi. Por, në realitet në tregun europian nuk rezulton një fluks më i lartë i investimeve të huaja[3]. Ndërsa, në tregun monetar europian nuk shikohet kërkesë më e lartë për euron, me efekt rivlerësimin e saj në tregun e këmbimit. Kjo tendencë është e ndryshme nga dollari amerikan që tashmë është më i kërkueshëm në treg. Ndërkohë, investimet e huaja në Shqipëri kanë një prurje me tendencë të rritur. Përfitimet në ekonomi janë ende të vogla, pasi këto investime tashmë po kryhen nga investitorë që janë prezentë në tregun shqiptar dhe përfaqësojnë më shumë lëvizje dhe sistemim kapitalesh, në vend të diversifikimit të portofolit egzistues të investimeve[4].

Së treti, në kohë pasigurie, investitorët kërkojnë një siguri për investimet e tyre dhe në këtë kohë të pasigurisë ekonomike dhe monetare perceptohet se euro mund të mos jetë fort e sigurt .

A ka përparësi për një euro të dobët?

Avantazhi qendror ekonomik i një monedhe të dobët është një përmirësim në mundësitë e importit. Produktet evropiane, të llogaritura në lekë bëhen më të lira në Shqipëri. Duke konsideruar se taksat dhe kostot e tjera përbërëse të çmimit nuk ndryshojnë, atëherë nëse një euro vlen 115 lekë, atëherë një lavatriçe italiane me çmim 1.000 euro kushton 115.000 lekë në Shqipëri.

Me një kurs këmbimi 112 lekë, çmimi bie në 112,000 lekë. Kërkesa për lavatriçe sipas llogaritjeve dhe rregullit të tregut duhet të rritet. Por, në fakt edhe pse kursi I këmbimit është ulur mjaftueshëm për ta bërë tërheqës çmimin e shitjeve, pasiguria e të ardhmes, si dhe kultura e dobët tregtare e sipërmarrësve shqiptarë bën që ky efekt të mos shfrytëzohet për të rritur më shumë qarkullimin. Në vend të rregullit të një tregu normal, në kulturën e sipërmarrësve shqiptarë funksionon përfitimi më i lartë për njësi shitje, në vend të përfitimit të shtuar bazuar te një qarkullim i shtuar.

Nëse çmimet do të kishin patur sadopak ulje, ose edhe nëse do të ishin me të njëjtat nivele si të një viti më përpara, atëherë edhe tregu që varet nga importet do të kishin një qarkullim më të lartë duke shfrytëzuar mundësitë e një euro më të dobët për të rikuperuar rritjen e çmimit të blerjes së mallrave nga importi.  Fatkeqësisht nuk ndodh kështu dhe bizneset shqiptare me treg të kufizuar synojnë që të shfrytëzojnë çdo mundësi jo në favor të konsumatorit, por të biznesit të tyre.

Por, nëse të paktën këto përfitime në kohë do të përdoreshin për të rritur pagat dhe shpërblimet e punonjësve në një nivel më të lartë, e gjitha kjo do të rriste prodhimin apo dhe shitjet e bizneseve, duke synuar edhe zgjerimin e tregut të tyre. Kështu, bizneset importuese nëpërmjet rritjes së vlerës së punës, por edhe formalizimit të biznesit do të jepnin një efekt të ngjashëm me një paketë stimulimi ekonomik, duke bërë që ekonomia vendase të rritej më fuqishëm.

Fatkeqësisht, ky avantazh ekonomik për ekonominë shqiptare kompensohet vetëm nga shtytja dhe motivimi për të përfituar nga dobësitë e tregut dhe kontrollit të institucioneve në disfavor të konsumatorit dhe ekonomisë formale.

Çmimet më të larta ulin fuqinë blerëse të të ardhurave të familjeve. Kur qytetarëve këtë vit dhe vitin tjetër e vijim do tu duhet të shpenzojnë më shumë për mallra importi, atyre do t’u mbeten më pak para për produktet evropiane. Kompanitë shqiptare të varura nga importi nuk do të bëjnë gjë tjetër por do të bien në “kurthin e çmimeve” që e kanë ngritur për konsumatorët. Nisur nga kjo frymë e tregut konsumator me besim të ulët bizneset do të përshtaten me kërkesën më të ulët, pra do të qarkullojnë më pak me kalimin e muajve. Kështu, euroja e dobët e përdorur jo si avantazh, por si disavantazh kontribuon në rënien ekonomike në vend, apo në frenimin e rritjes.

[1]  https://www.investopedia.com/trading/factors-influence-exchange-rates/
http://www.instat.gov.al/media/11094/tregtia-e-jashtme-nentor-2022.pdf
[2] https://www.ecb.europa.eu/press/pr/date/2022/html/ecb.mp221215~f3461d7b6e.en.html
[3] https://www.ceicdata.com/en/indicator/european-union/foreign-direct-investment
[4]https://www.bankofalbania.org/Statistikat/Statistikat_e_Sektorit_te_Jashtem/Investimet_e_huaja_direkte/Pozicioni_i_investimeve_te_huaja_direkte.html?evb=agregate&evn=agregate_parent_sel&Cgroups=

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: