Popullsia në moshë pune në rënie, por punësimi në rritje
Tregu i punës në 2024, sipas publikimit të INSTAT prezanton më pak popullsi aktive, më shumë të punësuar dhe më pak të papunë.
Të dhënat e fundit tregojnë një realitet të dyfishtë për tregun e punës në Shqipëri. Nga njëra anë, popullsia në moshë pune (15+ vjeç) ra me rreth 24.4 mijë persona në vitin 2024 krahasuar me 2023. Nga ana tjetër, numri i të punësuarve u rrit ndjeshëm, ndërsa papunësia shënoi rënie.
Në total, të punësuarit arritën në 1.177 mijë persona, me mbi 22 mijë më shumë se një vit më parë. Rritja më e dukshme është në punësimin me pagë (+12.2 mijë), duke treguar për një tendencë drejt formalizimit. Megjithatë, është rritur ndjeshëm edhe numri i atyre që punojnë në biznese familjare pa pagesë (+8.9 mijë), çka tregon se, paralelisht me formalizimin, mbetet i pranishëm edhe dimensioni i punësimit informal apo i mbijetesës ekonomike.
Ndërkohë, numri i të papunëve ra me afro 11.8 mijë persona, ndërsa ekonomikisht joaktivët u pakësuan me rreth 34.8 mijë. Në pamje të parë, kjo sugjeron një përmirësim të tregut të punës, por në thelb, një pjesë e uljes së papunësisë lidhet me vetë faktin se baza e popullsisë në moshë pune është tkurrur. Më pak njerëz në tregun e punës nënkupton më pak presion mbi papunësinë, duke ndikuar në uljen e saj edhe pa rritje proporcionale të vendeve cilësore të punës.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur nga 62.4% në 63.7%, duke treguar se tregu po tërheq më shumë individë, por sfidat mbeten: emigracioni, plakja demografike dhe cilësia e punësimit.
Në përmbledhje, 2024 sjell një treg pune më aktiv, me më pak papunësi, por mbi një bazë demografike që vazhdon të tkurret. Ky kombinim tregon se përmirësimet e shifrave duhet parë me kujdes, pasi një pjesë e tyre shpjegohen jo nga fuqizimi i tregut, por nga zvogëlimi i vetë fuqisë punëtore.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.