Përgjegjshmëria politike për tregun e prodhimeve bujqësore
Hallkat e kushtueshme të zinxhirit të furnizimit në prodhimin bujqësor janë shfaqur si një pengesë kryesore për rimëkëmbjen ekonomike të sektorit. Kostot e rritura nga importi dhe kostot fiskale dhe rregullatore janë mbivendosur mbi inflacionin në këto produkte. Pikërisht ky moment dhe këto hallka të dobëta duhet të diskutohen për tu kthyer në çështje të rëndësishme të politikës bujqësore.
Si duhet të rritet përgjegjshmëria e politikës përballë zhvillimeve inflacioniste dhe kostove të rritura për lëndët e para dhe teknologjinë dhe ato të mbartura?
Përgjigja fillestare lidhet me tregun dhe varet nga fakti nëse pengesat rrjedhin nga kërkesa më e lartë ose oferta e ndërprerë, dhe sa të vazhdueshme mund të jenë ripozicionimi i gjithë hallkave të zinxhirit të furnizimit në funksion të njëjtë si përpara.
Ndërsa me përhapjen e pandemisë, kërkesa e konsumatorëve u zhvendos nga shërbimet në mallra të prodhuara, rihapja e ekonomive të vendeve partnere tregtare me Shqipërinë fillimisht rritën prodhimin. Por rikthimi i bllokimeve dhe mungesa e inputeve të ndërmjetme dhe fuqisë punëtore shkaktuan ndalimin e rimëkëmbjes sipas parashikimeve për vitin 2021.
Çmimet e shumë lëndëve të para dhe kostot e shtuara për pagesat e punonjësve të prekur nga pandemia u rritën me shpejtësi. Si rezultat, u rrit gjithashtu inflacioni i çmimeve të konsumit të mallrave bazë, duke ndezur një debat të nxehtë për rrjedhën e politikës monetare.
Në këtë moment, kur vendet me të cilat Shqipëria ka pjesën kryesore të importeve dhe eksporteve (Itali, Turqi, Greqi, Gjermani, Kinë) janë në fazën e një rritje të lehtë të prodhimit të tyre, por jo me kapacitete të plota, vlen të përmendet se hartimi i përgjigjeve të duhura të politikave të qeverisë do të kërkojë fillimisht një kuptim të ndikimeve relative të fuqisë së kërkesës dhe kufizimeve të ofertës në inflacion dhe më pas të vlerësohet se sa të vazhdueshme mund të jenë këto ndryshime.
Nëse shikojmë ndikimin e bujqësisë në ekonomi gjatë vitit 2021, do të vërejmë se rritja e vlerësuar e ekonomisë shqiptare i dedikohet rimëkëmbjes së kërkesës së konsumatorit shqiptar për mallra dhe shërbime. Bujqësia shqiptare edhe pse jo e subvencionuar si dh sa i nevojitet e dha kontributin e vet. Megjithatë ekonomia duket se më së shumti i mbështet nga rritja e kërkesës konsumatore për pasuritë e paluajtshme, nga eksporti energjisë, nga bumi i ndërtimeve kryesisht në Tiranë dhe zonat turistike, si dhe prej shërbimeve të turizmit[1].
Por, inflacioni i cili filloi të ndikojë ekonominë prej tremujorit të katërt 2021 duket se ndikoi pikërisht si një pengesë e panevojshme për prodhimet shqiptare. Inflacioni në fund të vitit 2021 regjistroi nivelin e 3.7% që llogaritet 2.6 herë më i lartë se në fund të vitit 2019 (periudha para pandemisë) duket se u ndikua direkt nga çmimet e larta të produkteve hidrokarbure, si dhe një spekulim i bizneseve tregtare, të cilët kanë aplikuar rritje të çmimit të produkteve dhe shërbimeve, përpara se të ndodhte efekti i çmimeve të produkteve dhe shërbimeve nga importi[2].
Megjithatë çmimet e konsumit mund të ishin me rritje edhe më të madhe nëse do të kishte ndodhur rritje e madhe e çmimeve të shërbimeve, të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e shportës së çmimeve të konsumit. Duke qenë se çmimet e shërbimeve janë më pak të ndjeshme se çmimet e mallrave ndaj goditjeve të ofertës dhe kërkesës në treg ndikimi i tyre duket se ka dhënë në efekt në një frenim të vogël të rritjes së mëtejshme të çmimeve[3].
Ndërkohë, inflacioni i çmimeve të të mallrave të prodhuar në eurozonë ishte rreth 10 pikë përqindjeje më i lartë krahasuar me periudhat para pandemisë në tre tremujorët e parë të vitit 2021, sipas një studimi të fundit i publikuar nga FMN[4]. Në këtë studim vlerësohet se “goditjet e ofertës mund të shpjegojnë rreth gjysmën e rritjes së çmimeve të prodhimit. Pjesa tjetër shpjegohet kryesisht nga kërkesa më e lartë. Ka pasur më pak ndikim nga mungesa e ofertës në pjesën e inflacionit të çmimeve të konsumit duke përjashtuar çmimet e energjisë dhe ushqimeve. Kjo masë bazë e inflacionit ishte vetëm rreth 0.5 pikë përqindjeje më e lartë gjatë së njëjtës periudhë sesa do të kishte qenë ndryshe pa kufizime në ofertë në prodhim.”
Linja e parë e mbrojtjes për politikëbërësit është të trajtojnë pengesat e furnizimit drejtpërdrejt me masa rregullatore kudo që është e mundur, për shembull duke lehtësuar barrat rregullatore për integrimin në ekonomi të punonjësve të transportit dhe logjistikës, duke lehtësuar përkohësisht kufizimet në orët e funksionimit të aktiviteteve, duke përmirësuar inspektimet dhe kohwn e procedurave doganore, duke lehtësuar rregullat e imigracionit për të lehtësuar mungesat e fuqisë punëtore dhe praktikat e detyrueshme që kufizojnë përhapjen e virusit dhe mbrojnë shëndetin e punëtorëve.
Qeveria edhe pse nuk ka detyrë ndërhyrjen në treg duhet të reflektojë përgjegjshmërinë e detyrueshme ku së pari nuk duhet të ndalojë së formatuari frontin e anti evazionit dhe së dyti në një masë të madhe të efektivizojë skemat e subvencioneve që edhe pse të pakta duket se mund të ndikojnë në “shkretëtirën” financiare në sektorin bujqësor.
Ndërsa shohim përpara në vitin 2022 – 2023 lidhur me pasiguritë shëndetësore që kanë shkaktuar tronditje të mëdha financiare është e qartë se ndikimet e lidhura me punën dhe furnizimin do të kenë ende një ndikim të madh në ekonomi për të paktën në të ardhmen e afërt të parashikueshme.
Por sigurisht që nuk janë faktorët e vetëm për t’u parë teksa nevojitet që për bujqësinë të ketë një fokus të veçantë, njësoj si duket se po i kushtohet pastrimit të ambjentit.
Kërkesa është e lartë për shumicën e mallrave bujqësore dhe blegtorale, duke rritur parashikimet e të ardhurave, por gjithashtu duhet të fillohet të shqetësohemi për furnizimet adekuate dhe ndikimin e mundshëm të çmimeve edhe më të larta të ushqimeve.
Nga parashikimet e ndikimit në zinxhirin e furnizimit duket se inflacioni do të jetë në nivele që nuk e kemi parë që nga fillimi i viteve ‘90 dhe e gjitha lidhet me atë çfarë u ndikon qytetarëve në nivelet e të ardhurave të disponueshme.
Inflacioni do të vijojë me një ndikim të madh te zinxhiri i furnizimit, i cili ende nuk po funksionon në mënyrë efikase, ku ndikimi kryesor i çmimeve të inputeve që po rriten shumë vijon mban me shumë pasiguri tregun e prodhimeve bujqësore e blegtorale.
Dhe të mos harrojmë klimën fiskale që është ndikuar në mënyrë joefektive për prodhuesit duke filluar me pasoja të reja nga viti 2022. Në mënyrën se si janë hartuar dhe zbatuar normat dhe regjimi i TVSH-së për prodhuesit bujqësorë ka ndikuar në mënyrë negative ndaj sektorit.
Ndërsa, në vitin 2014 u mendua se një politikë e fortë ndaj evazionit duhej të shoqërohej me një politikë rregullatore në funksion të formalizimit të sektorit, pas disa vitesh rezulton se masat e ndërmarra nëpërmjet planit të veprimit midis institucioneve për bujqësinë dhe për administrimin fiskal nuk kanë arritur të përmbushen sipas objektivave.
Politika fiskale ka nevojë që të angazhohet në një qasje efektive dhe të pandryshueshme për të paktën 5 vite e ardhme, me synimin si të formalizimit, por edhe të efektivizimit të sektorit duke synuar modernizimin dhe rritjen e produktivitetit për ato kultura bujqësore që përbëjnë konkurencë në tregun rajonal.
Si një spirale që nuk mbaron, sa më të larta të rriten çmimet e tregut bujqësor, aq më shumë blerësit do të rritin kërkesën për produktet e ndryshme dhe aq më i pasigurtë do të jetë konsumatori shqiptar duke akumuluar pakënaqësitë logjike ndaj qeverisë.
Duke munguar analiza e plotë e sektorit, qeveria duhet të ndërhyjë në faktorët që ndikojnë mbi çmimet e produkteve, pasi ato gjithsesi vijnë nga një tërësi elementësh që ndikohen nga politikat e shkëputuar dhe jo konsistente.
Disa nga këto politika dhe nxitje të cilat burojnë nga roli rregullator i qeverisë do të ishin të lidhura në fakt me parregullsitë që mbart ekonomia shqiptare në shumë vite.
Kështu, p.sh, aksesi i kufizuar në financa dhe rritja e dobët e kredisë për sektorin duket se nuk kanë ndryshuar me kalimin e viteve, por me ndikim në koston e prodhimit. Kjo kosto shtesë nuk lidhet me tregun dhe fermerin më shumë se sa me përgjegjshmërinë e politikës veçanërisht në krijimin e ngërçit të pronësisë mbi tokën.
Në mbyllje, për sa kohë produktiviteti bujqësor do të vijojë të mbështetet në një vlerë të ulët të punës, në teknologji dhe aftësi të dobëta konkuruese, mungesë e tregut të garantuar, si dhe integrim mjaft i dobët në zinxhirin e furnizimit rajonal, si dhe nga ndikimet që vuajnë gjithë bizneset e tjera duket se për shtimin e eksporteve bujqësore edhe pse do të premtohet shumë nga të gjithë faktorët politikë, qeveritarë apo jo, në realitet do të vijohet të ruhet e njëjta situatë që duket se dikton produktivitetin e ulët të sektorit edhe për dekadën e ardhme.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.