Pagë minimale më të lartë duke kufizuar rritjen e kostove të punës për punëdhënësit
Niveli ligjor i pagës minimale me kalimin e viteve po përdoret si instrumenti më i drejtpërdrejtë politik i qeverive për të ndikuar në nivelet e pagave në fund të shpërndarjes.
Mirëpo edhe pse pagat minimale konsiderohen si një veprim i politikës për (a) sigurimin e pagës së drejtë dhe kundërbalancimin e efekteve negative të fuqisë së tregut (b) pagesën e punës; (c) përballimin e rritjes së kostove të jetesës, si dhe (d) rritjen e të ardhurave të kontributeve sociale duke ndikuar edhe në rritjen e pajtueshmërisë tatimore, nga ana tjetër paga minimale duhet të hyjë si një kulturë në krijim e sipër për respektimin e të drejtave të punës, lidhjen ekonomike me minimumin jetik (ende i pamiratuar nga Qeveria), si dhe një ndikim të rinovuar për kontratat e punës në respekt të punës së denjë.
Kjo vëmendje duket se është pjesë e një konsensusi në rritje midis politikëbërësve dhe punonjësve, ku rritja e pagës minimale komentohet se ka patur një efekt pozitiv në të ardhurat e ulëta, por gjithashtu ka kufizuar efektet negative në punësim. Por, kujdes! Janë anashkaluar nga dialogu për konsensus gjysma tjetër e politikës së pagave, punëdhënësit.
Nga sa duket qeveria, në kushtet e një tregu pune në Shqipëri ku fuqia e bizneseve për të vendosur pagat në mënyrë të njëanshme është shumë e përhapur, përbën shtytje që përdoret edhe si një nga mënyrat efikase të imponimit të punës së denjë dhe me paga më të larta ka përforcuar argumentin në interes të politikës së qeverisë për rritjen e pagës minimale tre herë brenda harkut kohor 2022 – 2023 [1].
Nisur nga furia e inflacionit, që nuk është parë prej fillimit të viteve ‘90 duke goditur në mënyrë disproporcionale familjet më të cenueshme, me të ardhura të ulëta, paga minimale mund të bëhet një mjet edhe më i rëndësishëm për të mbrojtur standardin e jetesës së punonjësve me pagë të ulët, duke synuar të mbahet nën kontroll njëkohësisht inflacioni dhe financat publike.
Gjithsesi, përtej vendimeve të qeverisë për rritje të pagës minimale duhet të mobilizohen mjete dhe burime të tjera për të mbrojtur të ardhurat e familjeve në nevojë, nga negociatat me dhe ndërmjet partnerëve socialë për përfitimet në punë, te përmirësimi i tregut të punës, si dhe transferta sociale, por të natyrës së përkohshme.
Megjithatë, edhe sikur këto elementë të plotësohen, gjithsesi punëtorët nuk mund të absorbojnë kostot e inflacionit vetëm. Por, as kompanitë nuk munden po ashtu.
Duket se këto të fundit kanë probleme dhe menaxhim jo të shëndoshë të kostove të tyre.
Menaxhimi i kostos do t’u mundësonte përdorimin më efektiv të burimeve të disponueshme në formën e punës, materialeve dhe makinerive.
Mbajtja e këtyre elementeve të kostove të biznesit brenda kufijve të parashikueshëm do të ndihmonte në përgatitjen e planeve për zhvillim dhe zgjerim dhe ekzekutimin me sukses të tyre.
Mirëpo, tregu shqiptar ka një dinamizëm të dobët të ekonomisë, i cili vërehet te jetëgjatësia mesatare mjaft e ulët e bizneseve. Pak biznese arrijnë të mbijetojnë në treg dhe të kalojnë periudhën e një biznesi të forcuar dhe të konsoliduar.
Shumë biznese nuk arrijnë një fitim të arsyeshëm jo vetëm sepse nuk zbatojnë konceptet bazë të kostos dhe çmimeve të përcaktuara, por për arsye të probleme që mbart tregu shqiptar, si një treg i vogël, me evazion të lartë, para informale me tepri dhe mungesë konkurence të ndershme.
Situata është më e rëndë në biznesin e shërbimeve sepse çdo shërbim i kryer ka një kosto të ndryshme. Është e vështirë të llogaritësh kostot për shërbimet dhe të kuotosh një çmim që është konkurrues dhe që sjell fitim. Pa e kuptuar se çfarë po bëjnë, disa pronarë biznesesh vendosin çmimin e tyre të shitjes nën koston e tyre totale.
Kjo mund të rezultojë në një humbje të shkaktuar. Herë pas here, pronarët e bizneseve të vogla dhe të mesme që nuk kanë njohuri të plota për koston përpiqen ta kompensojnë duke vendosur çmime shumë të larta. Rezultati përfundimtar është se biznesi nuk është konkurrues në çmim dhe nuk tërheq klientë të mjaftueshëm për të vijuar më tej.
Më së shumti ata përfitojnë duke menaxhuar evazionin e tyre, moszbatimin e kuadrit rregullator për kushtet e tregtimit dhe shërbimit, moszbatimin e duhur te kushteve kontraktuale dhe mbajtjen e një cilësie dhe standarti të produkteve dhe shërbimeve poshtë nivelit të pranueshëm të tregut.
Ndërkohë, politika mjaft agresive e qeverisë shqiptare, e cila në periudhën 2022-2023 rrit pagën minimale me 25% realisht ka dhënë një nxitje një vale tjetër inflacioni dhe shtrembërimesh në treg.
Në situatën aktuale të zbatimit të vendimit të qeverisë për rritjen e pagës minimale, biznesi mund të rrisë çmimin e shitjes së shërbimeve të tij ose të bëjë një reduktim të nevojshëm në kostot e tij fikse dhe të tjera variabile për të përthithur rritjen e shpenzimeve të pagave dhe përfitimeve.
Një rritje në pagën minimale shton kostot e përgjithshme të operimit të biznesit, gjë që mund të rezultojë në kalimin e një çmimi më të lartë tek konsumatorët. Me kalimin e kohës, kjo mund të përkthehet në një kosto më të lartë jetese dhe më shumë rritje të pagave minimale. Pra, realisht një rritje e kostove operative të biznesit prodhon edhe më tej inflacion në rritje.
Mirëpo, në fakt paga minimale edhe pse duket e nevojshme që duhet të rritet, pasi është më e ulta në rajon, ka nevojë të rritet duke përmbushur kriteret nëpër të cilat ajo mund të konsiderohet si një kërkesë dhe vendimmarrje bazuar mbi to.
Kufiri minimal i pagës përcaktohet nga faktorë të tillë si pragu i varfërisë, normat mbizotëruese të pagave të përcaktuara nga Anketa e Fuqisë Punëtore dhe treguesit socio-ekonomikë (p.sh. inflacioni, shifrat e punësimit, Prodhimi i Brendshëm Rajonal Bruto, ndër të tjera), që siguron mbrojtje më të mirë të punëtorëve. Thënë ndryshe, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (eng. ILO)[2] “Paga minimale është përcaktuar si “shuma minimale e shpërblimit që një punëdhënës i kërkohet të paguajë rrogëtarët për punën e kryer gjatë një periudhe të caktuar, e cila nuk mund të reduktohet me marrëveshje kolektive ose kontratë individuale”.
Por, a janë marrë parasysh këto nga qeveria?
A ka kryer një studim të thelluar lidhur me këtë vendimmarrje?
Këto pyetje kanë nevojë për adresim duke ditur se nga më shumë se 100 vende, duke përfshirë 22 shtete anëtare të BE-së, që zbatojnë një politikë të bazuar te paga minimale kombëtare[3], po ashtu edhe Shqipëria është një ndër vendet europiane (jo anëtare e BE-së), që ka një minimum të zyrtarizuar të pagës[4].
Ky këndvështrim prezantohet në këtë analizë, pasi vetëm dy dekada më parë, opinioni i zakonshëm ishte se pagat minimale bënin më shumë dëm sesa mirë.
Pikëpamja mbizotëruese midis ekonomistëve ishte se pagat minimale ndërhynin në funksionimin normal të tregut të punës dhe i çonin punëtorët drejt tendencave të pretendimit të një vlere minimale pagese edhe pa dhënë kontributin përkatës nëpërmjet punës së tyre, që në disa raste krizash mund edhe të ndikojnë për një rënie të punësimit.
Tashmë, kur paga minimale është një instrument i politikës, që po përdoret shpesh duhet që edhe debati për mënyrën dhe formulën e llogaritjes të jetë më i zgjeruar me aktorë të shoqërisë dhe ekonomisë. Nga ana tjetër, nevojitet që edhe argumentimi i vendimit për rritjen të deklarohet se është bërë i bazuar mbi disa llogaritje, që mund ti kryejnë institucione të qeverisë, apo jashtë saj, por që në thelb kanë një analizë të fizibilitetit të politikës së reformimit të sistemit të pagave në Shqipëri.
Ndër metodat e shumta për përcaktimin e pagave minimale, shumë vende tani mbështeten në një organ ekspert për të këshilluar qeveritë për normën e duhur të ndryshimeve.
Regjimet e përcaktimit të pagës minimale që përfshijnë një organ ekspertësh të pavarur nga qeveritë mund të ndihmojnë në krijimin e mbështetjes midis grupeve të punëdhënësve dhe punonjësve.
Dialogu me ekspertët vendas është domosdoshmëri, pasi rritja e pagës minimale ka një ndikim direkt në raport me ndryshimet në pagën mesatare.
Edhe pse paga minimale, që ndryshon realisht synon pagat e ulëta dhe shtyrjen në kohë të varfërinë, vendimi për të arritur të ndryshojë pragun e saj duhet të ketë transparencë si përsa lidhet me përdorimin e një formule për përcaktimin e pagës minimale, por edhe për analizën kosto dhe përfitim për punonjësit, për bizneset dhe për buxhetin e shtetit.
Një vendim në kushtet e befasisë, apo një kohe mjaft të shkurtër dhe pa konsultime, përveç krijimit të një klime aspak bashkëpunuese lë pak fleksibilitet për t’iu përgjigjur kushteve të ndryshimit të tregut të punës.
Kur paga minimale përcaktohet nga qeveria dhe jo nga një formulë ose me këshillën e një pale të tretë, ekziston rreziku i vendosjes së saj mbi baza politike dhe jo ekonomike.
Prova të krahasueshme mbi efektivitetin e qasjeve të ndryshme është pothuajse e pamundur të merren dhe shumë ndikime të tjera përveç pagës minimale janë në lojë.
Sipas ILO, paga minimale mund të fiksohet në mënyra të ndryshme, duke përfshirë dhënien e fuqisë së ligjit dispozitave të marrëveshjeve kolektive.[5]
Bisedimet kolektive mund të jenë një mjet për të rregulluar pagat minimale. Megjithatë, ka vetëm disa vende që mbështeten ekskluzivisht në marrëveshjet kolektive për fiksimin e pagës minimale.
Këto janë vende ku kontratat kolektive mbulojnë mbi 90 për qind të punonjësve. Në shumicën e vendeve, mbulimi i marrëveshjeve kolektive është i pamjaftueshëm për të siguruar mbrojtjen e standardeve minimale për një shumicë të gjerë të punëtorëve. Prandaj, në shumë vende, qeveritë kanë miratuar pagat minimale, përveç atyre të përcaktuara me marrëveshje kolektive.
Edhe pse vendi jonë nuk është në kushtet e një kulture të përhapur të marrëveshjeve kolektive, në pagën minimale ligjore, qeveria duhet të bëjë çdo përpjekje për të siguruar konsultimin e plotë dhe, për aq sa është e mundur, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë, mbi bazën e barazisë, të partnerëve socialë në krijimin dhe funksionimin e sistemeve të pagave minimale.
Për të qenë efektive, konsultime të tilla duhet të kryhen në një kontekst të dialogut të hapur social dhe të mbahen përpara se të merren vendimet nga autoritetet publike.
Paga minimale e përcaktuar nga qeveria mbart mbi vete edhe përgjegjësi lidhur me standartin e jetesës, pasi ajo duhet të sigurojë jo vetëm sigurimin e jetës, por edhe ruajtjen e efikasitetit të punonjësve nëpërmjet të ardhurës nga paga[6].
Në këtë diskutim është minimumi jetik ai që përcakton edhe nivelin se deri ku duhet të përfaqësojë paga minimale edhe shpenzime të tjera që përfshijnë një nivel jetese te bazuar përtej efektivitetit që puna i sjell aktivitetit/vendit të punës së punonjësve.
Në periudhën post pandemike, si dhe në situatën e një inflacioni të ndjeshëm në koston e jetës shihet se ka ardhur një “oreks” më i madh si tek publiku ashtu edhe tek politikanët për paga minimale gjithnjë e më të larta edhe në vende të ndryshme europiane.
Por, duke konsideruar fakti që secili shtet ka specifikat dhe politikat e miratuara dhe të zbatuara në nivele të ndryshme nga tjetri atëherë pagat minimale duhet të rishikohen rregullisht për t’u siguruar që ato të ruajnë dobinë e tyre si instrument politikash.
Pasiguria e lartë dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike sugjerojnë kujdes për rritjen e pagave minimale, për të përshtatur të paktën pjesërisht, nivelin ekzistues të pagës minimale në atë nivel që të mbrohen ata punëtorë që janë më të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve.
Megjithatë, është e rëndësishme të merren parasysh me kujdes si efektet ekonomike ashtu edhe ato sociale të rregullimeve të pagave minimale dhe të konsultohet me partnerët socialë dhe palët e tjera të interesuara, pasi shkëmbimet mund të përforcohen nga pasiguria, tregu i ngushtë i punës dhe inflacioni.
Në një kontekst të tillë, promovimi i rregullimeve të pagës minimale ka nevojë për vendime transparente dhe të parashikueshme si për biznesin ashtu edhe për punëtorët është thelbësore.
Për të qenë më efektive, është thelbësore që politika e pagës minimale të bashkërendohet me politikat e taksave dhe përfitimeve, në mënyrë që të sigurohet që rritja e vlerës së pagës minimale të përkthehet në pagë më të lartë, duke kufizuar rritjen e kostove të punës për punëdhënësit.
Kjo është edhe më e rëndësishme në momentin aktual!
[1] Rritja e tretë e pages në nivelin 40 mijë lekë muaj nuk ka ndodhur https://www.youtube.com/watch?v=lz-2KM7G2yE.
Efekti i rritjes fillon nga 1 Prill 2023
[2] https://www.ilo.org/wcmsp5/groups/public/—ed_norm/—relconf/documents/meetingdocument/wcms_235287.pdf
[3] https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php/Minimum_wage_statistics
[4] https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=Minimum_wage_statistics
[5] https://www.ilo.org/global/topics/wages/minimum-wages/setting-machinery/lang–en/index.htm
[6] Paga nënkupton të gjitha pagesat, që mund të shprehen në para, të cilat, nëse kushtet e kontratës së punës, të shprehura ose të nënkuptuara do të përmbusheshin, mund t’i paguhen një personi të punësuar në lidhje me punësimin e tij ose punën e bërë në këtë punësim dhe përfshin kompensime të natyrës kontraktuale apo të detyrueshme nga Kodi i Punës.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.