Nga rregullator në operator, apo kur qeveria kthehet në lojtar kryesor dhe tregu humbet lirinë
Në një kohë kur tregu shqiptar duhet të përpiqet të konsolidojë rregullat e konkurrencës, të strukturojë marrëdhëniet mes aktorëve dhe të fitojë besim pas dekadash ndërhyrjesh politike dhe rregullimesh ad hoc, qeveria shqiptare shpall dy politika që shënojnë një kthesë të thellë në modelin ekonomik të ndjekur deri më sot.
Së pari, propozohet krijimi i një shoqërie shtetërore për transportin publik ndërqytetas, që do të veprojë si operator i drejtpërdrejtë në treg duke ofruar vetë shërbime, ndërkohë që mban edhe rolin e rregullatorit, përmes licencimit dhe monitorimit të operatorëve privatë.
Së dyti, qeveria shpall synimin për të marrë në dorë importin e naftës dhe shpërndarjen e saj tek subjektet private, duke e pozicionuar veten si aktor kryesor në një nga tregjet më strategjike dhe të ndjeshme të ekonomisë.
Në dukje, këto ndërhyrje prezantohen si përgjigje ndaj problematikave reale, si çmime të larta, shërbime të dobëta, ose pasiguri në furnizim.
Por mënyra e zgjedhur për të adresuar këto probleme përmes shtetëzimit të ofertës në tregje që nuk kanë kaluar asnjë analizë zyrtare të dështimit të konkurrencës ngre shqetësime serioze për lirinë ekonomike, për balancën e roleve në treg dhe për vetë drejtimin zhvillimor që Shqipëria po ndjek në dekadën e integrimit evropian.
Shembujt ndërkombëtarë dhe rajonalë nuk e justifikojnë këtë qasje ndërhyrëse në treg
Në kontekstin e një ekonomie të hapur dhe aspiratave integruese europiane, propozimi për të bashkuar në një dorë rolin e ofruesit të shërbimit dhe njëkohësisht rregullatorit të tregut, siç synohet në rastin e Operatorit të Shpërndarjes së Karburanteve apo Entit të Mbikëqyrjes së Çmimeve, përfaqëson një rikthim të rrezikshëm në logjikën e ekonomive të mbyllura dhe shtetërore. Ky model është i papërputhshëm jo vetëm me parimet e tregut të lirë, por edhe me praktikat e vendeve që kanë kaluar apo po kalojnë tranzicionin e ekonomisë së centralizuar.
Në vendet me ekonomi të zhvilluara, ndërhyrje të ngjashme janë përdorur vetëm në kushte ekstreme, si kriza energjetike, pandemia apo kolaps i infrastrukturës kritike.
Në Gjermani, ndërhyrja publike u kufizua në garantimin e stoqeve strategjike të gazit gjatë krizës energjetike, por pa e shndërruar shtetin në operator aktiv të tregut të karburanteve.
Në Francë, ndërmarrjet publike operojnë në sektorë strategjikë, por respektojnë rregullat e konkurrencës dhe janë subjekt i kontrollit të BE-së për ndihmën shtetërore.
Në Itali, ofrimi i shërbimeve publike, përfshirë energjinë apo transportin bëhet përmes kontratave të hapura konkurruese, ku operatorët shtetërorë garojnë në kushte të barabarta me sektorin privat.
Në Ballkan dhe vende në zhvillim me struktura të krahasueshme me Shqipërinë, ndodh po ashtu njësoj lidhur me rolin e shtetit në ekonomi.
Në Maqedoninë e Veriut, ndërhyrjet shtetërore në tregun e energjisë janë të kufizuara në rregullimin e tarifave bazë për konsumatorët vulnerabël dhe nuk ka një entitet publik që shpërndan karburant në konkurrencë me tregun.
Në Serbi, ndërmarrjet publike si “Naftna Industrija Srbije” funksionojnë në tregje të liberalizuara dhe janë pjesërisht të privatizuara, duke operuar me kritere biznesi dhe jo si instrumenta të politikës ditore.
Në Gjeorgji, ndërhyrjet shtetërore në sektorin energjetik u shkaktuan vetëm pas krizave të thella, dhe edhe atëherë, institucionet ndërkombëtare kërkuan kufizim të rolit të shtetit si operator tregu.
Pra, asnjë nga këto shtete, qofshin anëtare të BE-së apo në rrugën e integrimit nuk ka ndërtuar modele ku shteti grumbullon, shpërndan dhe njëkohësisht kontrollon çmimet, duke u vënë në pozita të privilegjuara përballë sektorit privat.
Kjo përzierje funksionesh, siç po synohet në Shqipëri, nuk është zgjidhje e përkohshme për një situatë emergjente, por një formë e kamufluar e shtetëzimit të tregut, me pasoja afatgjata:
- Dëmtim i konkurrencës së ndershme,
- Shtrembërim i sinjaleve të tregut,
- Pengim i investimeve private,
- Rritje e perceptimit të rrezikut rregullator.
Në vend që të krijojë një mekanizëm mbrojtës për konsumatorët, ky model rrezikon të shndërrohet në një instrument të kapjes së tregut dhe të thellojë edhe më tej pasiguritë në ambientin e biznesit.
Një kthesë e rrezikshme: Rreziqet e modelit shtetëror në tregun e hapur shqiptar
Ndërsa qeveria shqiptare shpall rikthimin e ndërhyrjes direkte në sektorë strategjikë si transporti publik dhe tregu i karburanteve, rreziku nuk qëndron vetëm te shkelja e balancës mes shtetit dhe tregut, por te transformimi gradual i modelit të zhvillimit ekonomik. Pas një periudhe të gjatë përpjekjesh për të krijuar një treg të hapur, konkurrues dhe tërheqës për investime, ky model shtetëror rrezikon të zhbëjë disa nga themelet që Shqipëria është përpjekur të ndërtojë.
Së pari është deformimi i konkurrencës si dështim institucional, Krijimi i një operatori shtetëror në një treg ku tashmë operojnë kompani private sfidon jo vetëm barazinë e kushteve të lojës, por edhe vetë autoritetin rregullator që duhet të garantojë konkurrencë të ndershme. Një ndërhyrje e tillë u pa edhe në Serbi, kur ndërmarrja shtetërore e naftës “NIS” përfitoi akses preferencial në furnizim dhe infrastrukturë, duke bërë që shumë kompani të huaja të tërhiqeshin nga tregu. Ky precedent tregon se prania e një aktori me privilegje publike nuk ndihmon konkurrencën, por e shtrembëron atë në mënyrë sistematike.
Së dyti kemi të bëjmë me çmime artificiale që fshehin koston reale. Një nga argumentet më të përdorura për justifikimin e këtij modeli është ulja e çmimeve për konsumatorët. Por kjo ulje është shpesh iluzore dhe e përkohshme. Në Kosovë, subvencionimi i ndërmarrjes publike “Trafiku Urban” çoi në tarifa të ulëta, por me humbje të përhershme që mbuloheshin nga buxheti i shtetit. Në vend që të reflektonte eficiencën, ky sistem gjeneroi varësi nga fondet publike, duke fshehur koston reale që paguhet nga qytetarët përmes taksave, jo përmes biletave.
Së treti është dekurajimi i investimeve private dhe të huaja. Investitorët kërkojnë rregulla të parashikueshme, konkurrencë të ndershme dhe role të qarta mes sektorit publik dhe privat. Kur shteti bëhet edhe lojtar edhe rregullator, ai dërgon një sinjal konfuz dhe negativ për tregun. Në Shqipëri, një skenar i ngjashëm u pa me ndërhyrjen në tregun e ndërtimit ku roli i shtetit si përfitues përmes kontratave të drejtpërdrejta uli besimin e investitorëve të rinj. Tregjet që zhvillohen mbi bazën e frikës dhe pasigurisë nuk mund të ndërtojnë zhvillim afatgjatë.
Së katërti është rrisku i shtuar për rritje të informalitetit dhe faliment të mundshëm të aktorëve të vegjël. Në një treg ku shteti ofron produkte me çmime të kontrolluara dhe përfitime fiskale të paqarta, operatorët e vegjël nuk kanë mundësi reale për të garuar. Si rrjedhojë, ata shtyhen drejt informalitetit, shmangies së detyrimeve ose daljes nga tregu. Një situatë e tillë u vu re në Maqedoninë e Veriut kur ndërhyrjet publike në tregun e energjisë elektrike lanë jashtë loje shumë aktorë privatë, duke rritur varësinë nga një furnizues i vetëm dhe duke dobësuar gjithë zinxhirin ekonomik përreth.
Në vend që të shërbejnë si ndërhyrje për të korrigjuar dështimet e tregut, politikat që vendosin shtetin në rolin e ofruesit kryesor të shërbimeve rrezikojnë të thellojnë problemet ekzistuese. Shqipëria ka ende mundësi të ndërtojë një model ku shteti garanton rregulla të qarta, ndëshkon abuzimet dhe mbështet konkurrencën,pa u bërë vetë aktori që i cenon të gjitha këto.
Në këtë klimë të njëanshme hartimi politikash, shqetësimi kryesor nuk është thjesht mungesa e konsultimit formal, por mënyra si kjo përjashton logjikën e tregut dhe thellon deformimet ekzistuese në funksionimin e tij. Shqipëria nuk po përballet për herë të parë me ndërhyrje të tilla. Shembujt janë të freskët.
Bordet e kontrollit të çmimeve të karburanteve dhe produkteve bazë, të cilat u prezantuan si mekanizma të përkohshëm, por që faktikisht vendosën çmime në mënyrë arbitrare dhe jashtë çdo logjike konkurrenciale krijuan përfitues të privilegjuar, nxorën jashtë loje aktorë të vegjël dhe rritën paqartësinë për investitorët.
Vendimmarrja pa transparencë, pa analizë dhe pa pjesëmarrje, jo vetëm që dëmton besimin te rregullat e tregut, por kthen shtetin në aktorin më të madh dhe më të paparashikueshëm ekonomik. Kjo është shenja më e qartë e një tregu të shtrembëruar, ku politikat zëvendësojnë konkurrencën dhe ku qëndrueshmëria ekonomike i nënshtrohet arbitraritetit qeveritar. Nëse ky model zgjatet, rreziku është që Shqipëria të rrëshqasë drejt një ekonomie të komanduar përmes klientelizmit dhe jo të rregulluar përmes ligjit dhe barazisë në treg. Kjo e bën urgjente nevojën për të ndalur procesin aktual të imponimit, për të rivendosur konsultimin e vërtetë dhe për të rikthyer zhvillimin ekonomik në një shteg ku transparenca dhe konkurrenca janë shtylla dhe jo pengesa.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.