Nga prodhimi me vlerë të ulët në integrimin e avancuar, si qasje e pashmangshme në zinxhirët globalë të vlerës
Në dekadat e fundit, zinxhirët globalë të vlerës (eng. GVC) kanë transformuar strukturën e prodhimit ndërkombëtar, duke ofruar mundësi të reja për rritje produktiviteti, eksport dhe inovacion, por njëkohësisht duke sjellë edhe vulnerabilitete të reja ekonomike.
Pjesëmarrja në GVC ka treguar se mund të rrisë produktivitetin dhe të nxisë përmirësime teknologjike përmes aksesit në inpute të avancuara, shpërndarjes së njohurive dhe lidhjeve me investimet e huaja.
Megjithatë, këto përfitime varen nga kapacitetet vendase që bazohen te produktiviteti i punës, kualifikimi i kapitalit njerëzor, cilësia e infrastrukturës dhe e institucioneve, si elementë vendimtarë për përfitimet që mund të nxirren nga integrimi në GVC.
Sipas raportit të Bankës Botërore për Zhvillimin Botëror 2020 dhe të dhënave të fundit nga (FMN 2026), vendet që avancojnë nga faza e prodhimit të kufizuar në atë të avancuar shohin rritje të produktivitetit total të faktorëve (eng. TFP) deri në 2-3% në nivel vjetor. Por, Shqipëria, me produktivitetin e ulët të punës (rreth 18 USD/orë në 2024-2025, 35% nën mesataren rajonale), rrezikon të ngecë në segmente të ulëta të zinxhirëve të vlerës, pasi nuk po i kryen reformat urgjente në tregun e punës dhe ekonomi. Kjo duket se do vazhdojë në këtë drejtim të gabuar kur lexon edhe Programin e reformave Ekonomike (ERP) 2026-2028, e cila e shikon rritjen te sektorët që nuk e krijojnë mundësinë e integrimit në zinxhirët globalë të vlerës.
Pozicioni i Shqipërisë në zinxhirët globalë të vlerës
Shqipëria aktualisht është në një fazë fillestare të integrimit në zinxhirët globalë të vlerës. Ekonomia mbetet e orientuar drejt sektorëve me vlerë të ulët të shtuar, si tekstilet, këpucët dhe turizmi, ndërsa pjesëmarrja e saj në eksportet me teknologji të lartë është minimale.
Sipas të dhënave të INSTAT për 2025, eksportet arritën në 346.1 miliardë lekë, me një rënie 6.1% krahasuar me 2024, kryesisht për shkak të uljes së kërkesës globale për mallra të ulët teknologjikë.
Shkalla e hapjes tregtare është e ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit (rreth 70% e PBB-së në 2025, kundrejt 80-90% në Maqedoninë e Veriut apo Serbi), dhe investimet e huaja direkte (IHD) janë të përqendruara kryesisht në sektorë me intensitet të ulët teknologjik, si pasuritë e paluajtshme (23% e stokut IHD në fund të 2024, sipas Bankës së Shqipërisë).
Në periudhën 9 mujore 2025, IHD arritën rekord të ri me 1.2 miliardë euro, por mbetën të përqendruara në pasuri të paluajtshme dhe energji, duke kufizuar diversifikimin.
Kjo strukturë kufizon potencialin e Shqipërisë për të përfituar nga rrjetet ndërkombëtare prodhimi dhe për të përmirësuar produktivitetin total faktorik. Nga këndvështrimi praktik, integrimi në GVC kërkon përfshirje të aktiviteteve si montimi i pjesëve automobilistike ose përpunimi agro-industrial, ku Shqipëria mund të shfrytëzojë afërsinë me BE-në për nearshoring. Për shembull, kompani si Fiat apo Volkswagen kanë shtuar furnizuesit rajonalë dhe Shqipëria mund të integrohet duke trajnuar fuqinë punëtore në aftësi specifike si saldimi apo logjistika dixhitale.
Analizat e bazuara në të dhëna makroekonomike dhe modele të avancuara (p.sh., të mësimit të makinerive) tregojnë se faktorët kryesorë që përcaktojnë pjesëmarrjen në GVC janë:
– Produktiviteti i punës dhe kostot e punës, sepse një nivel më i lartë i produktivitetit mundëson konkurrueshmëri në segmentet më të sofistikuara të zinxhirit të vlerës, ndërsa kosto të ulëta të punës mund të ofrojnë avantazh në aktivitetet që kërkojnë intensitet të lartë punëtor. Në Shqipëri, produktiviteti i punës ra me 4.32% në tremujorin e tretë të 2025 (sipas CEIC Data), duke e renditur vendin të fundit në rajon dhe Evropë (vetëm pas Moldavisë, sipas OECD 2024-2025). Praktikisht, kjo kërkon aktivitete si trajnime në linja prodhimi për të rritur efikasitetin, duke synuar kalimin nga montimi i thjeshtë në dizajn ose R&D.
– Kapitali njerëzor, sepse arsimi, trajnimi profesional dhe aftësitë teknike janë thelbësore për të kapur mundësitë e avancimit në zinxhir. Indeksi i Kapitalit Njerëzor (HCI) i Shqipërisë është 0.63 në 2025 (Banka Botërore), nën mesataren rajonale 0.69, me fëmijët që arrijnë vetëm 63% të potencialit të tyre produktiv. Reformat arsimore 2025-2029, si dixhitalizimi i 95% të shkollave deri në 2025 dhe trajnimi i mësuesve në kompetenca dixhitale, ofrojnë qasje praktike: për shembull, integrimi i programeve STEM në kurrikulë mund të përgatisë të rinjtë për role në GVC si programimi për industrinë automotive.
– Infrastruktura dhe baza prodhuese, ku transporti, energjia, teknologjitë digjitale dhe kapaciteti prodhues ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë për të integruar procese komplekse prodhimi. Në 2025, Shqipëria mori 171 milionë euro nga BE për infrastrukturën broadband dhe sistemin e transmetimit të energjisë (EC 2025), duke përfshirë modernizimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Praktikisht, kjo lehtëson aktivitete si logjistika për eksporte, duke ulur kohën e transportit dhe duke tërhequr IHD në zona ekonomike si Durana Tech Park, i hapur në 2025 (edhe pse i komentuar jo real si investim nga një grup i shoqërisë civile dhe media opozitare).
– Cilësia e qeverisjes dhe institucioneve, pasi stabiliteti makroekonomik, efikasiteti administrativ dhe transparenca juridike janë faktorë vendimtarë për tërheqjen e investimeve dhe sigurimin e vazhdimësisë së marrëdhënieve tregtare. Shqipëria ka avancuar në Indeksin Global të Inovacionit 2025 (WIPO), por mbetet në vendin e 64-77, duke kërkuar reforma si harmonizimi me standardet EU për certifikime.
Në të gjitha këto dimensione, Shqipëria ka ende mangësi dhe hapësirë të madhe për përmirësim. Produktiviteti i punës mbetet i ulët, infrastruktura mbetet e fragmentuar dhe kualifikimi i fuqisë punëtore është ende larg standardeve të kërkuara për pjesëmarrje në aktivitete me vlerë të lartë. Tendencat tregojnë një pritshmëri për rënie të produktivitetit edhe në 2025, por projeksionet për 2026-2030 (FMN) parashikojnë rritje nëse reformat e Planit të Rritjes EU (922 milionë euro deri në 2027) implementohen, duke dyfishuar ekonominë rajonale.
Integrimi në GVC ofron potencial për rritje, por gjithashtu ekspozon ekonominë ndaj disa rreziqeve.
Përdorimi i sektorëve të kufizuar dhe eksporteve me vlerë të ulët mund të krijojë varësi nga kërkesa e jashtme dhe luhatjet e tregut global.
Në 2025, deficiti tregtar arriti 541.1 miliardë lekë (u rrit 3% nga 2024), duke theksuar vulnerabilitetet.
Një fokus vetëm te kostoja e ulët e punës pa përmirësuar produktivitetin dhe aftësitë teknologjike kanë ngadalësuar përparimin drejt integrimit më të avancuar.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka patur mundësi për të shfrytëzuar avantazhet konkurruese të saj, si: kosto relativisht të ulëta të punës, afërsia me tregun e Bashkimit Evropian dhe potenciali për zhvillimin e sektorëve emergjentë, si pjesë të zinxhirëve rajonalë të prodhimit, për shembull në industrinë e pjesëve automobilistike dhe agrobiznes, por në tërësi ka anashkaluar kryesrjen e reformimit për tu përfshirë më gjerësisht në tregun global rajonal dhe europian.
Sipas EBRD (2025-2030), integrimi në GVC mund të rriste PBB-në me 3-4% në vit deri në 2030, vetëm duke shfrytëzuar SEPA (anëtarësim në 2025) për pagesa më të lira dhe tërheqje investimesh të huaja në prodhim.
Praktikisht, aktivitete si partneritete publike-private për parqe teknologjike ose trajnime në eksport mund të diversifikojnë destinacionet, duke ulur varësinë nga Italia (71% e eksporteve në 2025), por masat deri më tani janë ende larg këtyre synimeve.
Tendencat dhe projeksionet bazuar mbi rritjen e IHD nga 2015-2025 tregojnë një trend pozitiv, me pikë kulmore në 2025, por projeksionet për 2026-2030 (World Bank) parashikojnë ngadalësim nëse nuk avancohen reformat që përbëjnë edhe thelbin e integrimit ekonomik në EU. Një tabelë e thjeshtë e tendencave na tregon një situatë si vijon:
| Viti | IHD (milionë EUR) | Eksporte (miliardë lekë) | Produktiviteti i Punës (ndryshim %) | Projeksion PBB Rritje (%) |
| 2024 | 1,584 | 368 | +4.60 | 3.9 |
| 2025 | 1,710 (vlerësim) | 346 (-6.1%) | -4.32 | 3.6 |
| 2026 | Proj. 1,800 | Proj. 360 | Proj. +2.0 | 3.5 |
| 2030 | Proj. 2,500 | Proj. 450 | Proj. +3.5 | 3.5-4.0 |
Kjo tregon një rimëkëmbje të mundshme nëse integrimi EU përshpejtohet, duke arritur konvergjencë me 60-70% të mesatares EU deri në 2030.
Nisur nga analizat tona në vijimësi mbi këtë temë, ne mendojmë se për të avancuar integrimin në GVC dhe për të përfituar nga përfitimet e tregut të hapur, politika ekonomike duhet të synojë:
- Rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, përmes arsimit profesional, inovacionit dhe trajnimeve të specializuara. Praktikisht, implementimi i Planit Kombëtar të Arsimit 2025-2029 mund të integrojë aktivitete si partneritete me kompani të huaja për trajnime on-the-job.
- Zhvillimin e infrastrukturës dhe digjitalizimit, duke përmirësuar lidhshmërinë transporti-logjistik dhe aksesin në teknologji të reja. Me fondet EU 2025-2027, fokus në broadband mund të lehtësojë GVC dixhitale.
- Diversifikimin e bazës prodhuese dhe të eksporteve, duke shfrytëzuar sektorë me potencial për vlerë të shtuar dhe për tërheqje investimesh strategjike. Praktikisht, zona ekonomike si Durana Tech Park (nëse zbatohet si janë në letër) mund të tërheqin IHD në IT, AI dhe industrinë automotive.
- Forcimin e institucioneve dhe qeverisjes ekonomike, për të përmirësuar transparencën, efikasitetin dhe stabilitetin makroekonomik, duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm për investime afatgjata.
- Përshpejtimin e integrimit në tregun e Bashkimit Evropian, duke përforcuar standardet e produktit, certifikimet dhe harmonizimin ligjor me praktikat e BE-së, që do të lehtësojë aksesin në zinxhirët rajonalë dhe globalë. Me Planin e Rritjes EU, Shqipëria mund të dyfishojë ekonominë deri në 2030.
Gjithsesi, Shqipëria në fillim të 2026 ndodhet në një fazë fillestare të pjesëmarrjes në zinxhirët globalë të vlerës.
Një strategji e qartë për përmirësimin e këtyre kapaciteteve, e shoqëruar me politika të orientuara drejt inovacionit, diversifikimit dhe harmonizimit me standardet evropiane, mund të përshpejtojë integrimin e vendit në GVC, të rrisë produktivitetin dhe të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Projeksionet e FMN për 2026-2030 tregojnë rritje të stabilizuar rreth 3.5%, por me reforma, mund të arrihet deri në 4-5% duke shfrytëzuar EU anëtarësimin ambicioz deri në 2030. Ne po presim, pasi deri tani reformat kanë ngecje apo ecjNe po presim, pasi deri tani reformat kanë ngecje apo ecuri të ngadaltë dhe jo efektive për këto synime
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.