Nga e-Albania tek Arkitektura Tatimore, pasi vetëm digjitalizimi nuk mjafton

Nga e-Albania tek Arkitektura Tatimore, pasi vetëm digjitalizimi nuk mjafton

Shqipëria ka hedhur hapa të dukshëm në digjitalizimin e marrëdhënieve shtet-qytetar. Portali e-Albania është kthyer në një pikë hyrëse të detyrueshme për një sërë shërbimesh publike, përfshirë edhe ato tatimore. 

Formularët nuk dorëzohen më me dosje plastike. 

Qytetari dhe biznesi prej disa vitesh nuk i ngjiten më shkallëve të DPT-së me fletë deklarimesh në duar. 

Por, përtej sipërfaqes së “shërbimeve online”, një pyetje mbetet pezull: 

A ka ndryshuar realisht mënyra si shteti administron të ardhurat e tij?

Në vend që të ndërtojmë një arkitekturë të re besimi fiskal, ne kemi mbështjellë një model të vjetër kontrolli dhe pasigurie me formën moderne të një portali elektronik.

Administrata tatimore endet ndërmjet teknologjisë dhe mungesës së filozofisë

Teknologjia ka avancuar. 

Portali e-filing funksionon, deklarimet janë online, pagesat kryhen elektronikisht dhe fiskalizimi është shtrirë në pothuaj çdo sektor. Por ky progres teknik nuk është shoqëruar me një ristrukturim të brendshëm të administrimit tatimor

Ndaj problemi nuk është më “mungesa e digjitalizimit”, por mungesa e një logjike të re administrative.

Strategjia egziston dhe ka filluar të zbatohet.

Çfarë ka mbetur tjetër ende e pa ndryshuar, atëherë?

Administrata ka mbetur e organizuar territorialisht, pa specializim funksional sipas tipologjisë së bizneseve, sektorëve apo profileve të riskut.

Auditimi është ende i fokusuar tek kontrolli formal, shpesh mbi deklarime të ndershme, ndërkohë që bizneset informale lulëzojnë pa shqetësim.

Analiza e të dhënave është rudimentare, e përdorur më shumë për statistikë retrospektive sesa për vendimmarrje proaktive.

Komunikimi institucional është një-drejtimësh. Administrata dërgon mesazhe, afate, gjoba, por rrallë dëgjon, këshillon apo edukon.

Në këtë kuptim, kemi një shtresë teknologjie të vendosur mbi një kulturë institucionale që nuk ka ndryshuar. Si të thuash, kemi lyer muret e një ndërtese të vjetër, por themelet janë ende të dobëta.

Çfarë na mësojnë Franca, Kroacia dhe Sllovenia?

Franca jo vetëm thjesht dixhitalizoi proceset. Ajo ristrukturoi administratën e saj për të funksionuar në kohë reale me tatim në burim, me ndërveprueshmëri të thellë midis tatimeve, bankave, sistemit të pronës dhe të punësimit.

Kroacia nuk u mjaftua vetëm me një portal. Ajo krijoi sistemin më të sofistikuar të fiskalizimit në Ballkan, ku çdo transaksion raportohet në kohë reale dhe bëhet pjesë e një platforme analitike që ndihmon administratën të ndjekë aktivitetin ekonomik në mënyrë inteligjente.

Sllovenia nuk qëndroi tek kontrolli tradicional. Ajo ndërtoi një administratë funksionale, ku auditimi nuk është qëllim më vete, por instrument për të ndërtuar besim dhe për të ulur riskun sistemik.

Çfarë duhet të ndryshojë në Shqipëri?

Shqipëria nuk ka më nevojë për aplikacione të reja, por për ndryshim paradigme

Duhet të kalohet nga një administratë që “kontrollon” tek një që ndërton marrëdhënie të zgjuara me tatimpaguesit.

Kjo nënkupton:

Ristrukturim funksional të administratës tatimore, me njësi për biznese të mëdha, sektorë të ndjeshëm dhe mikro-biznese me nevoja ndihme;

Ndërveprueshmëri reale të të dhënave mes tatimeve, bankave, doganave, kadastrës dhe institucioneve të punës;

Zhvillim të inteligjencës fiskale, për të ndjekur zinxhirin ekonomik dhe për të parashikuar sjellje me risk të lartë;

Model i shërbimit si filozofi pune, ku tatimpaguesi perceptohet si partner, jo si i dyshuar;

Një llogari tatimore e unifikuar për çdo individ dhe subjekt, me histori, detyrime dhe ndërveprim të personalizuar.

Pra, nga kjo që përshkruajmë duket se Portali nuk është reforma.

Nëse nuk ndryshon struktura, nuk ndryshon përmbajtja. 

Portali elektronik mund të jetë një dritare më e shpejtë, por nëse administrata pas saj nuk sheh, nuk analizon dhe nuk vepron me drejtësi, atëherë është thjesht një makinë për të shpërndarë gjoba dhe afate.

Administrata tatimore është shumë më tepër se një aparat publik grumbullimi të ardhurash dhe detyrimesh nga qytetarët dhe bizneset.

Ajo është themeli i kontratës fiskale mes shtetit dhe qytetarit. 

Në Shqipëri, kjo kontratë ende nuk është e nënshkruar me besim të ndërsjellë.

Është nevoja që reformat fiskale të mos matin më sa shpejt e plotëson formularin një qytetar, por sa e drejtë dhe funksionale është mënyra si shteti e trajton atë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.