Ndryshimi i normave tatimore dhe pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave kombëtare
Rishpërndarja e të ardhurave të buxhetit pasqyron nivelin e taksave për kryerjen e shpenzimeve për transfertat e parave drejt popullsisë në moshë pune dhe jo vetëm. Ajo gjithashtu synon edhe të arrijë që taksat mbi të ardhurat personale të arkëtohen në mënyrë progresive sipas niveleve të të ardhurave dhe orientimin në të cilën transferimet në para shkojnë aty ku nevojat e popullsisë janë më të domosdoshme në raport me përmirësimin e jetesës.
Niveli i lartë në rritje i pabarazisë në të ardhura në Ballkan vazhdon të marrë vëmendje në rritje nga qeveritë, pavarësisht krahut politik. Ajo kuptohet nga qeverisjet se pabarazia është një sfidë që secili vend duhet ta adresojë, por tashmë është domosdoshmëri që rishpërndarja e të ardhurave të adresohet qartësisht nëpërmjet politikës dhe administrimit fiskal.
Përpara se të trajtohet si një difekt në zmadhim i sistemit kapitalist, nevpojitet që së pari vendet të përditësojnë të dhënat dhe të ndërgjegjësojnë gjithë segmentet lidhur me mjetet për korrigjimin e polarizimit social. Matja e pabarazisë në të ardhurat individuale, sipas indeksit (koeficientit) GINI[1] duhet parë i lidhur me faktin se pabarazia ndikohet prej tatimeve dhe taksave. Një nga studimet e kryera[2] i publikuar nga OECD së fundmi, pabarazia e të ardhurave kryesisht pasqyron ndikimet që vijnë prej pabarazisë së tregut të punës, por jo vetëm. Pabarazia e të ardhurave prej punës është kontribuesi kryesor i shpërndarjes në të ardhurat e familjeve. Nëse shikojmë rastin e Shqipërisë, pjesa më e madhe e të ardhurave nga puna shkon në nivelet e pagave të larta për një pakicë më pak se 1% e punëmarrësve.
Gjithashtu, rënia e efektit të rishpërndarjes sipas politikës fiskale aktuale është shoqëruar me rritje të pabarazisë në tregun e punës, por dhe në të taksimin e të ardhurave që qarkullojnë në tregun informal. Në disa raste, ky i fundit qarkullon më shumë të ardhura, se sa vetë tregu formal i punës.
Në periudhën 2009-2017, deri 96% e individëve kanë zotëruar 40% deri 48% të totalit të parasë në banka. Ndërsa, 4% e individëve kanë zotëruar 52% deri 60% të depozitave.
Në vitin 2018[3], depozitat e individëve shqiptarë në banka arrijnë në shumën 979.3 mld lekë (79% e parasë në qarkullim), ku paraja jashtë sistemit bankar është në shumën 267 miliard lekë (21% e parasë në qarkullim), duke përbërë 78.5% të totalit të parave në qarkullim.
Depozitat e sigurueshme nën nivelin 2.5 milion lekë ishin sa 38% të totalit të shumës së depozitave të sigurueshme, kurse depozitat mbi nivelin këtë nivel arritën sa 62% të totalit të shumës së depozitave të sigurueshme. Sipas shumës që disponohet nga individët në depozita shikohet se 96.4% e individëve zotërojnë 42.5% të shumave të depozituara, apo mesatarisht 185 mijë lekë depozita për individ. Në fakt, nga këta 40% e individëve kanë llogari që kanë lekë deri në vlerën 100 lekë. Pra, pjesa tjetër e këtij grupi (56.4%) ka kursime individuale në shuma që arrijnë deri 2.5 milionë lekë. Ndërkohë, 5.6% e depozituesve zotërojnë 57.5% të totalit të depozitave, ku çdo individi të këtij grupi i takon mesatarisht 5.7 milion lekë.
Transfertat e parave nga buxheti në grupet e ndryshme të popullsisë, siç janë pensionistët, të papunët dhe shtresat e paafta për punë dhe në nevojë përbëjnë 12.6% të shpenzimeve buxhetore në vitin 2018 në vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto transferta, kryesisht kanë për qëllim rishpërndarjen e të ardhurave gjatë gjithë jetës së individëve duke ndjekur parimin e shpërndarjes së tyre sipas nivelit historik të kontributit të individëve në buxhet. Edhe pse vlerat e këtyre transfertave për individ përfaqësojnë shuma parash modeste ose shumë të vogla në raport me konsumin individual, ato mbeten një instrument permanent i rishpërndarjes së të ardhurës për periudha afatgjata apo të përhershme.
Sipas Grafikut më lart, Indeksi GINI në Ballkanin Perëndimor, tregon nivelin më të lartë të pabarazisë të të ardhurave në Maqedoninë e Veriut (0.36), e pasuar nga Serbia (0.34). Në vend të tretë renditet Bosnjë-Hercegovina (0.33). Në vend të katërt është Mali i Zi (0.32). Kroacia mban vendin e pestë (0.31) dhe vendin e parafundit e mban Shqipëria (0.29) dhe Kosova (0.27) mban nivelin më të ulët të pabarazisë, megjithëse duhet përmendur fakti se të dhënat për të dy shtetet e fundit janë respektivisht të viteve, 2012 dhe 2013.
Është e nevojshme, që të qartësohet niveli real i Indeksit GINI bazuar te fakti se sa të ardhura u mbeten individëve pas pagesës së taksave. Por, qartësimi ka nevojë njëkohësisht të njihet me nivelin e informalitetit dhe kjo e dhënë zyrtarisht nuk është e mundur.
P.sh., kur shikojmë situatën e shpërndarjes së të ardhurave në Shqipëri dhe pabarazisë, nëpërmjet pozicionimit sipas Indeksit GINI shikohet një nivel relativ i pabarazisë, por i pozicionuar më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Por, kjo e dhënë nuk mund të argumentojë gjithë treguesin e pabarazisë, pasi indeksi GINI ndikohet edhe nga elementë të tjerë, si: informaliteti, barra e taksave, mosha mesatare e popullsisë. Megjithatë, nëse shikojmë rastin e Shqipërisë, pas aplikimit të tatimit progresiv mbi pagat, vërehet se prej vitit 2014 progresiviteti i tatimit mbi pagat duket se e ka zvogëluar pabarazinë e vërejtur në të ardhurat bruto dhe neto të raportuara. Kjo shpjegohet me faktin se vendet që ushtrojnë presion fiskal të drejtë kanë ndikim në uljen e pabarazisë. Këtë fakt e gjejmë në raportet e FMN, OECD, Bankës Botërore.
Nëse fokusohemi te rishpërndarja e të ardhurave sipas barrës fiskale dhe tipit të taksave të aplikuara mund të thuhet se barra e taksave tregon pak progresivitet në rishpërndarjen e të ardhurave sipas zonave gjeografike dhe segmenteve të punëmarrësve sipas sektorëve ekonomikë, pasi vetë zhvillimi i sektorëve ekonomikë dhe zonave gjeografike ka diferenca historike, ekonomike, kulturore, edukative dhe ambjentaliste. Por edhe lëvizjet demografike bashkë me ndryshimin e moshës mesatare janë faktorë që ndryshojnë barazinë e të ardhurave. Ndërkohë transfertat e qeverive në këto 5 vitet e fundit, p.sh. në Shqipëri kanë ruajtur të njëjtin nivel prej 11.8% të PBB-së.
Ndryshimi i progresivitetit në shkallët e sipërme të taksimit të pagave është më efektiv në uljen e pabarazisë sesa ndryshimet e ngjashme në fundin e shkallës së të ardhurave. Në veçanti, sa më e lartë të jetë barra fiskale, aq më i ulët është Indeksi Gini. Kjo mund të argumentohet nga shpjegimi pse vende si Suedia, Gjermania dhe Franca, të cilat kanë norma të larta tatimore për të pasurit, vuajnë më pak nga pabarazia në krahasim me SHBA, e cila ka relativisht barrë të ulët fiskale.
Megjithëse nuk është e mundur të gjenden të dhëna zyrtare për secilin vend të Ballkanit, në mënyrë eksplicite ky konkluzion mendojmë se është gjithashtu i qëndrueshëm edhe për Ballkanin Perëndimor nisur edhe nga rasti i Kroacisë. Për arsye se evazioni fiskal është kaq i përhapur në vendet e Ballkanit Perëndimor, treguesit e barrës dhe produktivitetit fiskal nga gjetjet e studimit mund të qartësojmë se shtetet përballen me kosto më të ulëta të efikasitetit në drejtim të ngushtimit të pabarazisë nëpërmjet taksave.
[1] Indeksi Gini ose Koeficienti Gini mat shpërndarjen e të ardhurave, apo shpërndarjen e pasurisë në popullsinë e një vendi e më gjerë. Koeficienti shkon nga 0 (ose 0%) në 1 (ose 100%), ku me 0 kuptohet barazia perfekte dhe me 1 kuptohet pabarazia në nivelet më të larta.
[2]https://www.oecd-ilibrary.org/docserver/3b63e61c-en.pdf?expires=1553334091&id=id&accname=guest&checksum=48884A0F71A77F8FFFB0CFEDE640F527
[3] Raporti tremujor i politikës monetare, 2018/IV
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.