NDRYSHIMET EKONOMIKE NË VLORË DHE EFEKTET E PRITSHME PREJ RRITJES EKONOMIKE
Efektet rrjedhëse prej rritjes ekonomike, nëse shpërndarjet e të ardhurave nëpërmjet fondit të mbrojtjes sociale janë relativisht të qëndrueshme me kalimin e kohës, ato mund të zbusin por jo të ulin varfërinë.
Në një krahasim të treguesve të buxhetit të bashkisë Vlorë për vitet 2021 dhe 2019 shikohet se:
- Fondet e kujdesit social për personat e sëmurë dhe me aftësi të kufizuara u rrit 30.6% më shumë në 2021, duke konsideruar edhe faktin e rëndimit të situatës financiare prej pandemisë, por edhe për shkak të rritjes së pjesëmarrjes në këtë skemë sociale.
- Kujdesi social për familjet dhe fëmijët ka një rritje të ndjeshme prej 162.8% në vitin 2021, me një logjikë të njëjtë në përballje të kostove të rritura prej situatës së pandemisë, nisur edhe nga rritja e familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike.
Ndryshimet ekonomike në Vlorë vijnë kryesisht nga zhvillimet infrastrukturore të ndodhura ndër vite, megjithëse niveli i investimeve të kryera në 5-6 vitet e fundit nuk ka shërbyer për të rritur efektin direkt në vlerën ekonomike të shtuar. Kështu, në vitin 2017 është viti i vetëm që nuk ka një vlerë të shtuar, por tkurrje të PBB rajonale me – 2.0%. Në dy vitet pasardhëse rezulton një vlerë e shtuar ekonomike + 4.7%, por me një tkurrje tjetër në 2019 duke zbritur në +0.27%, që konsiderohet një rënie e prodhimit të brendshëm (shih Grafikun 10).
Megjithatë, në aspektin e vlerësimit të aseteve të paluajtshme në zonën qytetëse, si dhe në zonat rurale ku është investuar në infrastrukturën rrugore ka një rritje të numrit të bizneseve nga 4.703 biznese aktive në vitin 2018 në 5.324 biznese aktive në vitin 2021 dhe kryesisht në zonën e qytetit.
E gjitha kjo nuk duket se ka gjeneruar rritje të prekshme të punësimit, si mund të ketë ndodhur në zonën e Tiranës dhe Durrësit. Kryesisht në zonat turistike dhe bregdetare janë krijuar vende pune të mjaftueshme për të zbrazur madje edhe fushat e fermerëve.
Në vitin 2019, Vlora shihet se e ka pjesën më të madhe të të punësuarve me 40% në Shërbime, tregti, me një ulje me 8% krahasuar me vitin 2016. Ndërkohë, ka një rritje të numrit të të punësuarve në bujqësi me një rritje 8% krahasuar me 2016. Sektori i industrisë (prodhime dhe përpunimeve bujqësore dhe industriale etj.) paraqitet në të njëjtat nivele punësimi me 27% në strukturën e tregut të punës. Nëse krahasohet me Shkodrën dhe Durrësin shihet se tregu i punës në 2019, në të dyja është më i lartë se në Vlorë në sektorin e Tregtisë dhe shërbimeve dhe në industri, që janë të mëdha në orientimin e punësimit sipas sektorëve të ekonomisë.
Punësimi i lartë në bujqësi ka të bëjë edhe me praninë e investimeve në sektorin bujqësor nga fondet private të fermerëve, të cilët janë edhe histori suksesi për mënyrën e produktivitetit të arritur ndër vite. Në këtë drejtim duhet përmendur fakti i mosdhënies së fondeve dhe subvencioneve të nevojshme dhe të duhura nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për fermerët e Vlorë[1] që vlejnë për prodhimin dhe produktivitetin në kohën dhe sezonin që u duhet fermerëve për ti vënë në shfrytëzim si ndihmë direkte për sektorin bujqësor dhe veçanërisht peshkimin që është specifike për qytetet bregdetare[2].
Kreu i shoqatës së peshkimit në Vlorë shprehet se “Peshkatarët vuajnë se nuk kanë as subvencionim materialesh, as subvencionim karburanti, por as një pikë për të shitur”. Megjithatë, nga monitorimi i ekspertëve tanë në alokimin e fondeve nga Buxheti i Shtetit konstatohet një projekt i filluar në vitin 2019 “Ndërtimi i tregut të peshkut Vlorë”, me një nivel shpenzimesh të kryera deri në 122 milion lekë nga 172 milion lekë që është kostoja e plotë e projektit[3], ende i pambyllur.
Investimet e kryera aktualisht, sipas performancës së PBB së Vlorës ende nuk e kanë efektivizuar ekonominë, megjithatë rritja e vlerës së pasurive të paluajtshme dhe lejeve të ndërtimit për hotele dhe ndërtesa[4] ka ndikuar në buxhetin e bashkisë me mbledhjen më të lartë të të ardhurave të veta. Por ajo që vlen për diskutimin tonë, një situatë e rikthimit të investimit në më shumë mirëqenie do të nxirrte një numër të madh njerëzish nga varfëria. Kjo do të gjeneronte një treg të ri të madh dhe një bazë prodhuese për biznesin vendor.
Kujdes!
Nëse një qasje e tillë do të përhapej do të ndryshonte ekuilibrin rajonal të fuqisë së ekonomisë së Shqipërisë duke krijuar një kundërpeshë më të madhe ndaj Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në prodhime tradicionale dhe të reja bujqësore dhe blegtorale, por edhe produkte të tjera nga burimet natyrore me shumicë të mbitokës.
Kujdes!
Investimet e reja (porti dhe aeroporti) në pritje për tu ankoruar në ndihmë të ekonomisë rajonale mundet të krijojnë hapësira të reja për hyrje të vizitorëve, të cilët kërkojnë tashmë edhe një shërbim cilësor dhe kjo shtron nevojën e rritjes së fondeve për edukimin profesional. Ne do ta prezantojmë shqetësimin
Premtimi dhe programi politik për punësimin rajonal dhe ndikimi nga investimet e planifikuara publike dhe private duket se ende nuk është i përmbushur. Në një shikim të statistikave për papunësinë, duket se niveli aktual është në rritje në krahasim me vitin 2017. Ky fakt statistikor, si dhe ecuria e Prodhimit të Brendshëm rajonal tregojnë një pamundësi reale të rimarrjes mbrapsht të vlerës së investimeve të kryera, pasi zbatimi i tyre ka hasur në probleme të paparashikuara në Planin e Zhvillimit Vendor. Kjo pasaktësi në parashikim, mund të vërehet edhe në mënyrën e hartimit të tyre, ku analiza e fizibilitetit është e munguar për asnjë nga sektorët ekonomikë dhe jetësorë. Por disa probleme lidhen me përdorimin e investimeve publike për politika kundërciklike. Shqyrtimi i këtyre problemeve nxjerr në pah parakushtet që duhet të konsiderohen përpara se investime të tilla të përdoren me sukses.
Së pari, përgjigja ndaj krizave sugjeron që bashkitë nuk kanë mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar pjesën e tyre të punës për fizibilitetin e projekteve. Ky fakt përmendet shkarazi, si në Strategjitë sektoriale, por edhe në PPV dhe PDV. Me përjashtim të blerjeve të mallrave të qëndrueshme dhe ndoshta edhe të projekteve të rehabilitimit të aseteve (mirëmbajtja periodike e rrugëve ose rehabilitimi i aktiveve në inventar), investimet në infrastrukturë kërkojnë kohë për t’u projektuar dhe vlerësuar përpara se shpenzimet e konsiderueshme të mund të fillojnë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për projektet e investimeve që hapin terren të ri për sa i përket teknologjive ose rrjeteve infrastrukturore[5].
Së dyti, vonesat ligjore mund të vonojnë më tej zbatimin e një programi investimi infrastrukturor, ku janë të lidhura kryesisht me shpronësimet.
Së treti, problemet teknike dhe të natyrave të papritura në sektorin e ndërtimit ose në kapacitetin e ministrive për të shpenzuar mund të kontribuojnë gjithashtu në vonesa të konsiderueshme të zbatimit.
Së katërti, një vështirësi tjetër me përdorimin e investimeve publike si një armë fiskale për rilindjen e ekonomisë është se prej 10 vitesh buxheti i shtetit, por edhe ai i Bashkisë kanë marrë përsipër realizimin e projekteve të mëdha me një pozicion fiskal tashmë të mbivlerësuar. Kur raportet e borxhit publik ndaj PBB-së janë tashmë të larta, përdorimi i levave të politikës fiskale për stimulim të mëtejshëm mund të jetë më pak efektiv.
Zgjidhje!?
Në këto momente zgjidhja më oportune e rekomandueshme është stimulimi i ekonomisë duke rritur fondet për konsumin (mbrojtje sociale, aktivizim biznesi dhe lehtësi reale, asistencë teknike për aktivitete performuese tradicionale). Pas periudhës stimuluese dhe forcimit të kapaciteteve vendore, planifikohen edhe aktivizimi i fondeve të investimeve në projekte të mëdha. Gjithsesi, pa pretenduar për të qenë shterues mendojmë se projektet për rritje punësimi duhet të bazohen mbi masterplane dhe të dhëna që të kenë më shumë realizëm dhe më pak optimizëm në parashikimet që vijnë të orientuara nga qeverisja qendrore.
Pagesat për infrastrukturën duhen parë në një raport të drejtë me shpenzimet për mbrojtjen sociale.
Në një lexim të të dhënave të Buxhetit të Shtetit për fondet e investimeve për infrastrukturën në 2021 për Vlorën, si dhe financimet nga Buxheti i Bashkisë me fondet e buxhetit vendor, shikohet se ka një nivel shpenzimi mesatar vjetor për çdo banor të Vlorës prej 26 mijë lekë. Ndërkohë, që shpenzimet për mbrojtje sociale mesatarisht janë në nivelin e 8.000 lekë për banor të varfër apo në nevojë. Në bazë të këtij krahasimi arrijmë të analizojmë faktin se shpenzimet për infrastrukturë janë më shumë se 3.25 herë më të larta se fondet që nevojiten për të ndikuar në uljen e varfërisë.
Edhe pse një shpenzim për infrastrukturën është bërë sistematikisht për të paktën gjithë periudhën 2017-2021 ajo që rezulton nga ballafaqimi me pagesën për mbrojtje sociale, tregon se varfëria nuk është ulur. Pra ndikimi nga rimarrja e investimeve infrastrukturore është ende larg premtimit për një rritje ekonomike të qëndrueshme rajonale e aftë të ripaguajë më shumë edhe për qytetarët e varfër dhe personat me aftësi të kufizuar.
Investimet e kryera nga fondet e buxhetit vendor dhe buxhetit qendror më së shumti në infrastrukturë nuk zgjidhin problemet e thella të tilla si mjedisi dhe mbrojtja sociale. Fondet në periudhë afatgjatë do të ndihmojnë ekonominë e Vlorës, si pjesë e rigjallërimit të sektorëve. Por, investimet në infrastrukturë nuk arrijnë që të ndikojnë një rritje të shpejtë ekonomike dhe pse ka rritje të kufizuar të disa zonave të preferuara.
Që Vlora të rritet me efekte të ndjeshme edhe për shtresat në nevojë, atëherë llogaritjet që janë kryer nga ekspertë të ndryshëm paraqesin se duhet të jetë në nivelet e 7% ose 8% për vitet në vijim. Kjo është pjesa më e rëndësishme për të matur edhe efektivitetin e investimeve infrastrukturore, të cilat shpenzohen mesatarisht deri në 3.5 miliard lekë në vit për Vlorën, ku mbi 96% vijnë si fonde nga FSHZH dhe fonde të huaja të buxhetit dhe 4% janë financime me fonde nga buxheti i Bashkisë.
Fondet vendore për pagesat e personelit dhe për mallra dhe shërbime kanë kosto, që duhet të rishikohen në raport me efektivitetin e punonjësve për të patur një raport më të mirë të strukturës së shpenzimeve, por edhe të luajnë një rol më efektiv tashmë pas digjitalizimit të 95% të shërbimeve publike. Sipas Ligjit për Asistencën sociale[6], përfitimet janë si më poshtë:
- Familjet në nevojë përfitojnë jo më shumë se 150% e pensionit social (8.102 lekë) ose afro 10.000 lekë, sipas strukturës së familjes
- Personat me statusin e jetimit përfitojnë 3.000 lekë në muaj
- Prindërit (familje në nevojë) me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh (a)Trinjakë – 000 lekë (për çdo fëmijë), (b) Katërnjakë – 4.000 lekë (për çdo fëmijë), (c) Pesënjakë – 5.000 lekë (për çdo fëmijë);
- Viktimat e trafikimit përfitojnë 3.000 lekë
- Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare përfitojnë 3.000 lekë
Fondet që i takojnë mbrojtjes sociale, referuar sfidës shumë të rëndësishme mbi aftësinë e pushtetit vendor për të planifikuar dhe menaxhuar fondet e cituara nga Strategjia[7] duket se ende nuk kanë arritur nivele të ndjeshme për nevojtarët. Fondet sociale në Vlorë, ku janë edhe pjesa e ndihmës së njerëzve të varfër, rezultojnë me një peshë ndaj shpenzimeve gjithsej të Bashkisë në vitin 2021 sa 3% e totalit të tyre.
Ndërkohë që shpenzimet për pagat dhe sigurimet e personelit të punonjësve publikë në bashki dhe institucionet e vartësisë është sa 25.7% e totalit të shpenzimeve. Nëse bëjmë një krahasim në lidhje me nivelin e shpërndarjes së fondeve sipas grupeve të qytetarëve, në nivel page mesatare me pagesat që përfitohen për ndihmë sociale rezulton një raport 4.1 me 1.
Në rastin e shpërndarjes së shpenzimeve për njerëzit e varfër dhe familjet e fëmijët sipas bonuseve të miratuara nga qeveria, niveli mesatar i shpenzimeve është i pamjaftueshëm për ta konsideruar se varfëria është ulur dhe kjo është ndikuar edhe më shumë me fillimin e inflacionit të jashtëzakonshëm në fillim të vitit 2022.
Kujdes!
Duke parë disbalancën e madhe midis pagave të sektorit publik me pagesat për mbrojtje sociale nevojitet një zgjidhje me një formulë të re buxhetore të dedikuar për të rishpërndarë më shumë tek njerëzit e zakonshëm që votojnë, por rrallë shohin përfitime të menjëhershme nga reformat ekonomike: një sistem dixhital të mirëqenies direkte, në kohë reale, që në pagesa mujore mund të ndihmojë mijëra qytetarë.
[1] http://www.azhbr.gov.al/wp-content/uploads/2020/05/LISTA-FERMERE-QARKU-VLORE.pdf
[2] https://euronews.al/al/vendi/sociale/2021/11/09/vshtiresite-e-peshkimit-mungojne-subvencionet-vendet-e-ankorimit-dhe-tregu-per-shitje/
[3] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2021/10/Lista-e-Investimeve-Publike-2022-2024.xlsx
[4] http://www.instat.gov.al/media/9432/vjetari-statistikor-2021_final-29122021.pdf, faqe 65
[5] https://unctad.org/system/files/official-document/webdiae20091_en.pdf
[6] https://qbz.gov.al/eli/ligj/2019/07/18/57/37004448-df0e-4768-9e88-35766f95ee4f
[7] http://www.sherbimisocial.gov.al/wp-content/uploads/2020/01/Strategjia-kombetare-2020-2023-okay.pdf
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.