Ndikimi në ekonomi nga protestat me dhunë

protestat dhe ekonomia

Ndikimi në ekonomi nga protestat me dhunë

Protestat kryejnë një rol të rëndësishëm në një proces demokratik duke lehtësuar zemërimin dhe shprehjen me një ton të ngritur ndaj qeverisë për mungesën e vëmendjes, si dhe pakënaqësitë që kanë mbledhur qytetarët gjatë mandatit qeverisës. Ato kanë mundësi të drejtojnë reformën politike duke sinjalizuar mospranimin e njerëzve ndaj politikave, legjislacionit dhe veprimeve të qeverisë. Nëse bëjmë një retro të kohës së protestave të vitit ’97, duket se ka një ngjashmëri deri diku lidhur me dëshpërimin e njerëzve dhe mungesën e besimit për të ardhmen. Në atë kohë humbi shpresa e njerëzve se do të rimerrnin ndonjëherë paratë që në mirëbesim i flakën në gropën e piramidave financiare. Atëherë protestat filluan të qeta dhe më pas u shndërruan në të dhunshme për të përfunduar në shkatërrimin e ekonomisë dhe perspektivës afatmesme të saj.

Ndërsa sot, edhe pse kemi të bëjmë me dy modele qeverisëse të ndryshme, gjithsesi ka një topitje shprese për të ardhmen dhe ekonominë. Pandemia duket se ka rritur edhe më tej përkeqësimin e nivelit ekonomik dhe punësimi duket se është ulur.

Ndryshimi i protestës aktuale këtë herë me trazirat dhe protestat shoqërore në tre dekadat e fundit është i ndikuar përveç ndarjes politike që ekstremizohet në vijimësi (të paktën si perceptim), sidomos nga polarizimi ekonomik i avancuar në dekadën e fundit dhe i përkeqësuar nga pandemia e koronavirusit.

Momenti kur protestat shpërthejnë edhe nëse i referohemi botës ndodhin pas periudhave, të tilla si recesione të thella, ose kriza lidershipi dhe mungesa në perspektivën ekonomike të vendit. Në çdo rast protestat shkaktojnë humbje të mëdha dhe të rikuperueshme në shumë vite më pas. Rikthimi i ekonomisë pas një periudhe të gjatë dhe të dhunshme protestash shkon përtej një mandati qeverisës. Megjithëse rritja ekonomike fillon përsëri drejt tendencës zhvilluese, ajo mbetet për mjaft kohë nën trendin e saj të para krizës.

Protestat politike në Shqipëri shpesh janë shoqëruar me shfaqje të dhunës fizike ndaj forcave të rendit dhe në dëmtim të pronave publike dhe private.

Sa më gjatë të kenë vazhduar protestat,  madje dhe kur ato kanë patur motivim të fortë, aq më e zbehtë ka qenë mundësia e ndonjë ndryshimi të rëndësishëm.

Historia e tyre në të paktën në këto dy dekada të fundit na ka treguar se protestat masive civile janë më të dëmshme për ekonominë, se sa protestat që nuk janë masive, por me nxitje të segmenteve politike. Arsyeja kryesore që bën dallimin është e lidhur me faktin, se edhe pse pjesëmarrja masive në protestë ka pasoja direkte në ekonomi, nëse ajo identifikohet si një reagim natyral dhe i pandikuar nga palë të interesuara për përfitime, protesta masive civile do të jetë baza e një ndryshimi të dukshëm në raport me të kaluarën. Ndikimi politik me qëllime përfitimi të ngushta edhe pse mund të nxisë pjesëmarrje masive të njerëzve, në finale nuk do të prodhojë efekte pozitive për ta. Ajo fillon të prodhojë efektet duke i shërbyer kthimit mbrapsht të tendencës zhvilluese për të ardhmen e ekonomisë. Interesat e një lidershipi të konsumuar, sado që të ndihen si pjesë e zgjidhjes së krizës së qeverisjes, në fakt janë një zgjatim i mëtejshëm i frymës që prodhon krizë qeverisëse, si një ndikim pesimist që shkon përtej krahëve politikë.

Realiteti shqiptar i periudhave para dhe pas protestave masive ka prodhuar në disa raste efekte rotacioni të krahëve politikë, por jo ndryshim të modelit ekonomik dhe në ndihmë të zhvillimit dhe ridimensionimit të ekonomisë së vendit në raport me fqinjët.

Tashmë duke qëndruar në kohën, që ngjan me atë të kujtimeve të hidhura të më shumë se 23 vite më parë, në javën e dytë të Dhjetorit 2020 u ndezën dhe vijojnë prej disa ditë radhazi protesta dhe trazira civile menjëherë pas vrasjes së një djali të ri nga forcat e policisë.

Këto protesta që nuk po reshtin po ndodhin pas muajsh të lodhshëm dhe të mbushur me pasiguri për jetën nga pandemia e koronavirusit dhe dridhjet e tokës prej tërmeteve pranë zonave me popullsinë më të madhe në vend. Prej disa muajsh nivelet e papunësisë janë rritur dhe përhapur në shumë qytete anembanë vendit.

Ndërsa pronarët e bizneseve dhe qytetarët tentojnë çdo ditë ta fillojnë me përpjekjet për ti mbijetuar pesimizmit ekonomik “kovidian”, ato kanë filluar të shqetësohen edhe për dëmin ekonomik që mund t’u ndodhë nëse dhuna do të vazhdojë për më shumë kohë.

Bizneset dhe zonat ku protestat janë kthyer në dhunë do të duhet të luftojnë jo vetëm me pasojat e protestave, por edhe me faktorë të shumtë rëndues që do ta bëjnë rikuperimin edhe më të vështirë.Shkatërrimi i pronës nuk është vetëm veprimtari kriminale, por ajo po shkakton dëme ekonomike afatgjata në komunitetet ku ato po ndodhin.

Në këtë vit të bllokuar nga pandemia është goditur rëndë edhe ekonomia informale, si dhe dërgesat e shqiptarëve jashtë vendit duke e bërë më dëshpëruese situatën e varfërisë për zonat që njihen si vendet ku njerëzit jetojnë nën apo deri në nivelin e varfërisë.

Ndërsa, goditja e turizmit ka patur pak ndikim në buxhet për arsye të informalitetit, por edhe peshës së ulët në të ardhurat buxhetore, ndikimi më i madh ka ndodhur me tregun e punës dhe gjithë zinxhirin e furnizimit për sektoin turistik, që më së paku jep efekt direkt deri në nivelin e 1/3 të ekonomisë vendase. Ndërsa protestat fillojnë të bëhen të dhunshme, pasojat ekonomike afatshkurtra për njerëzit e do të fillojnë të rriten. Kështu, turizmi dimëror apo llojet e ndryshme të vizitave të shkurtra të vendeve kufitare do të ndërpriten apo rrallohen duke ndikuar edhe në zonat ku protestat janë më pak të përhapura apo më pak të dhunshme.

Së pari, kjo situatë shkatërrimi, e cila është e përsëritur në historikun e pas viteve ’90 ka prodhuar një efekt negativ ndaj biznesit duke ngadalësuar qarkullimin e tij dhe si shumatore edhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Nevoja për te gjetur burimet për të riparuar dëmet nga efekti i protestës së dhunshme ka ndikim direkt në kursimet e tij. Projekte investimi/bashkëpunime në proces do të ndalojnë apo do të shtyhen në kohë duke mos marrë fitimin e planifikuar. Ky efekt është i njëjtë me efektin e bllokimit të ekonomisë nga pandemia, e cila ngadalëson qarkullimin dhe shtyn në kohë projektet.

Së dyti, protestat politike (të dhunshme) rrisin direkt kostot për bizneset, duke ulur produktivitetin e tyre dhe me ndikim edhe në uljen e konsumit, njësoj i ngjashëm edhe ky efekt si ai nga pandemia. Bllokimi i rrugëve dhe mbyllja e bizneseve nga frika e shkatërrimeve ndikon në qarkullimin e tyre dhe natyrisht, nëse kjo dhunë zgjat në kohë ndikon edhe te punësimi dhe planet për të ardhmen.

Rritja e temperaturës politike mund të vijojë, nëse qeveria do të shpallë pikerisht tani një gjendje të jashtëzakonshme për të përballuar efektin e valës së dytë të pandemisë prej koronavirusit.

Ndërsa këto lëvizje shoqërore mund të konsiderohen si burimi i një dinamike pozitive, kjo frymë shpesh ka fshehur edhe zhbalancimet e vërteta të pushtetit midis lëvizjeve të kufizuara të parave dhe kapitalit të papërgjegjshëm.

Në vend që të krijohen kushtet, ku subjekte të tilla garojnë për paratë e tyre, ne duhet dhe mund të kërkojmë ndërtimin e identiteteve të reja politike dhe mbrojtjen e të drejtave civile, madje edhe nëse kjo krijon shqetësime tek ata që kanë aktualisht më shumë akses në kapitale.

Në fund të fundit, shoqëria të cilën e jetojmë  është një bast mbi barazinë sociale dhe politike që politikanët e lodhur të 30 viteve nuk janë të gatshëm të kontribuojnë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: