Ndikimi i taksave te Konkurrenca ekonomike brenda rajonit

Ndikimi i taksave te Konkurrenca ekonomike brenda rajonit

Zbatimi i modelit të tatimit progresiv, në fillimin e vitit 2014 u mbështet në mundësinë e pagimit të tatimit në masë të tillë, që synon të mos prekë stabilitetin në të ardhurat mujore prej pagës, dhe të ardhurës personale në tërësi. Kjo do të thotë se progresiviteti, si një model modern do të marrë, aq pjesë të tatimit sa mban bilanci i tatimpaguesit, pa kërkuar të ndërhyjë në vendimmarrjen individuale, familjare. Mbi të gjitha do të sistemojë shpërndarjen e të ardhurave në Shqipëri.

Modeli i taksimit dje Mënyra e taksimit me një shkallë për të gjithë e vendoste peshën e saj tatimore mbi individin duke i marrë në vlerë më shumë atyre që ishin te baza e piramidës të të ardhurave, dhe më pak atyre që ishin më pranë majës së piramidës të të ardhurave. Baza e tatimpaguesve me të ardhura të ulta deri në të mesme ndante një peshë më të madhe mes njeri-tjetrit, se sa ata që ishin në majë të piramidës të të ardhurave, që ndanin një peshë më të ulët.

TË parëve u mbetej më pak lekë pas tatimit, të dytëve u mbeteshin shumë e më shumë lekë pas tatimit. Edhe pse tatimi i sheshtë ka popullaritet, pasi ai eleminon taksimin e dyfishtë, i vetmi pozitivitet i tij është se u ka mundësuar biznesmenëve që operojnë në tregun shqiptar: – të formatojnë dhe zgjerojnë në një volum të konsiderueshëm kapitalet; – të mbartin më shumë fitime në vite dhe; – të kenë shtim të aktiveve, që presupozohet të prodhojnë vlerë të shtuar për bizneset e tyre.

Por, këto efekte pozitive nëse futim në llogaritje koefiçientët e vështirësive në terrenin shqiptar, që fillojnë me:

• Administrim me mungesa të kapaciteteve për të zbatuar ligjin ashtu si është miratuar;

• Përfshirja e korruptimit në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, duke filluar nga punonjësi më i ulët zbatues deri te drejtuesit më të lartë;

• Zbatimi preferencial dhe në mënyrë të pabarabartë të ligjit si efekt nga ndërhyrja e politikanëve të mazhorancës;

• Moslikujdimi i shërbimeve dhe mallrave që janë prokururar te sektori privat, dhe që ka përdorur administrata publike;

• Kryerja e shpenzimeve buxhetore, pa efektivitet për nxitje të reformave dhe ekonomisë duke u fshehur prapa mungesës së transparencës Atëherë, zbatimi i sistemit të tatimit të sheshtë e ka patur barrën për të paguar të dyfishuar duke arritur deri në nivelet e mbijetesës për pagamarrësit dhe bizneset shumë të vogla dhe të vogla. Në historinë e Tatimit mbi të Ardhurat Personale, në 8 vitet e fundit shikohet rritje e lartë (bashkë me zërat) për dy pragvite.

Në vitin 2007, krahasuar me 2006 ka një rritje të TAP nga paga, dhe në 2008 krahasuar me 2007 ka përsëri një rritje të TAP nga paga. Në vitin 2007, qeveria uli pragun e taksueshëm nga 14.000 lekë në 10.000 lekë dhe ky është një argument që vlejti për rritjen e tatimit. NË 2008 u fut në zbatim tatimi i sheshtë duke ndryshuar edhe nivelet e pagave, që me anë të VKM futën referenca që dhunuan me forcë deklarimet e bizneseve.

Në po këtë vit dhe tjetrin ka një ndikim me mjaft peshë edhe shtimi i kontributeve nga shoqëria Bechtel&Enka, me një efekt në totalin e taksave sa 4.3% e PBB-së. Për këto fakte mjafton shfletimi i disa mediave të shkruara, apo edhe më të detajuara gjenden te botimet e statistikave tatimore. Ndërsa, tatimi mbi interesat dhe mbi dividentët duke përfshirë edhe tatime të tjera personale kanë patur një ecuri me rënie në vite të caktuara, si dhe me ecuri rritje sipas politikave parciale dhe klienteliste (tatimi mbi shitjen e pasurisë së paluajtshme në 2008), por edhe politikave monetare nga Banka e Shqipërisë.

Po kështu, Tatimi mbi dividendin në gjithë këto vite nuk është ndikuar nga aplikimi i normës së tatimit të sheshtë. Modeli i taksimit sot Aktualisht, po preket e ardhura aktuale dhe jo kursimet në banka; po preket shtëpia e dytë dhe jo apartamenti apo shtëpia e parë; po preket kategoria e biznesit që është ndjeshëm mbi 8 milion lekë xhiro dhe jo biznese që janë me gjysmën e tatimit apo dhe më poshtë se kaq që do të paguajnë 0 lekë në vit.

Tatimi progresiv, si model që e orienton barrën mbi të ardhurat e individëve (profesionistëve) me nivele të larta është një përpjekje për të strukturuar edhe formatuar shtresat shoqërore në shqipëri, nisur nga të ardhurat që ata fitojnë dhe mbartin vit pas viti. Tatimi progresiv, ne momentin që do të zbatohet si një tatim gjithpërfshirës mbi të ardhurat nga kapitali dhe puna pritet të rikthejë barazinë sociale nëpërmjet rritjes së kursimeve pak nga pak për familjet me të ardhura të mesme dhe të ulta. Një nxitje te madhe do te sjelle ne rritjen e konsumit nëse do te ketë një ndërthurje midis politikes fiskale me politiken monetare nëpërmjet modeleve qe sot po synojnë te përsosen pervit.

Ndikimi i taksave te Konkurrenca ekonomike brenda rajonit

Po të krahasohet raporti i Konkurueshmerise Globale 2015-2016[1] me raportin e 2013 – 2014, lidhur me efektin e taksimit ne nxitjen e investimeve si dhe ndikimi i gjithë tatimeve te përqindja e fitimit Shqipëria ka rritje ne renditje 36 pozicione (ishte në vend të 97 ne vitin 2014, është në vend të 63 në vitin 2016). Nëse krahasimet midis raporteve bëhen për 9 vende të rajonit ballkanik, atëherë shihet se Mali i Zi dhe Bosnja kanë rënie respektivisht me 6 dhe 25 pozicione.

Ndërkohë, janë ngritur në renditje Rumania me 44 pozicione (ishte 117 është 73), Bullgaria me 20 pozicione (ishte 81 është 61), Greqia me 19 pozicione (ishte 108 është 89), Maqedonia me 11 pozicione (ishte 44 është 33), Kroacia me 6 pozicione (ishte 111 është 105) dhe Serbia me 5 pozicione (ishte 132 është 127). Në rastin kur indeksi më i plotësuar ndërkombëtar, i cili bazohet te 12 indikatorë që përfshijnë treguesë kryesorë si: ekonomia, shëndetësia, edukimi, financa, tregu, punësimi, inovacioni e të tjerë, tregon përparim në pozicione, atëherë analiza kërkon faktorët qe kane ndikuar ne këtë performancë.

Dhe duket se për Shqipërinë 11 indikatorë kanë ecur me mire dhe vetëm njëri prej tyre, ai i ambientit makroekonomik që është prapësuar me 24 pozicione, i cili varet nga ecuria e prodhimit të brendshëm dhe borxhit publik. Natyrisht, që kjo tregon tendencën e reagimit publik ndaj reformave të filluara. Por nuk tregon se Shqipëria mban një pozitë preferenciale konkuruese si ekonomi në rajon, pasi në këtë krahasueshmëri ballkanike Shqipëria renditet ne vend te 7 nga 9 shtete ballkanike.

Megjithatë, Shqipëria është duke patur përmirësim me 1 pozicion më lart nëse krahasohet me indeksin në raportin e 2013 – 2014. Lidhur me politikën se çfarë duhet bërë më mirë, të gjithë aktorët ndikuesë duhet te fillojnë ta shikojnë konkurueshmerine dhe ndikimin nga taksat në një panoramë të gjerë dhe të lidhur me gjithë faktorët që ndikojnë dhe që pengojnë ecurinë.

[1] The Global Competitiveness Report 2015 – 2016 The Global Competitiveness Report 2013 – 2014

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: