Ndikimi i objektivit të ri të NATO-s në buxhetin afatmesëm të Shqipërisë dhe marrëdhëniet me BE-në

Ndikimi i objektivit të ri të NATO-s në buxhetin afatmesëm të Shqipërisë dhe marrëdhëniet me BE-në

Vendimi historik i Samitit të Hagës më 25 qershor 2025, që kërkon nga vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri më 2035, shënon një ndryshim rrënjësor në paradigmat e sigurisë transatlantike.

Në këtë kontekst, Shqipëria, e cila deri tani i është afruar objektivit të mëparshëm prej 2%, përballet me një sfidë të rëndësishme buxhetore, politike dhe strategjike. Ky objektiv i ri do të kërkojë ndryshime substanciale, që potencialisht mund të krijojnë tensione midis detyrimeve të reja ndaj NATO-s dhe pritshmërive nga Bashkimi Evropian.

Analizë e ngarkesës buxhetore

Bazuar në skenarin e rritjes ekonomike të projektuar nga Strategjia Afatmesme e Financave Publike dhe llogaritje të kryera nga ana jonë, kjo rritje do të përkthehet në një ngarkesë të konsiderueshme financiare:

VitiPBB (mld €)*Shpenzimet për mbrojtjen në 5% të PBB-së (mld €)Rritja vjetore e shpenzimeve për mbrojtjen (milion €)
2025~26.11.3Aktualisht rreth 0.52 (2% e PBB-së)
2027~28.51.42+200 mln € shtesë çdo vit
2030~31.51.57Më shumë se trefishim krahasuar me 2024

* llogaritjet janë bërë nga ALTAX

Për të përmbushur këtë objektiv, buxheti i mbrojtjes duhet të rritet me një mesatare prej 150-180 milionë eurosh në vit, duke vendosur një presion të fortë mbi financat publike dhe duke kërkuar ulje ose zvarritje të investimeve sociale, arsimore, dhe infrastrukturore jo-ushtarake.

Në mungesë të rritjes së të ardhurave publike përmes formalizimit të ekonomisë dhe rritjes së efikasitetit fiskal, kjo ngarkesë buxhetore mund të rezultojë në zvarritje apo devijim të shpenzimeve prioritare për zhvillimin social.

Rreziqe fiskale dhe alternativa financimi

Shqipëria përballet me dy rrugë kryesore financimi të kësaj rritjeje:

  • Rreziku i borxhit publik. Nëse rritja financohet kryesisht përmes huamarrjes, borxhi publik mund të kthehet mbi 70% të PBB-së, duke rrezikuar qëndrueshmërinë fiskale dhe kapacitetin e qeverisë për të menaxhuar shpenzimet e tjera thelbësore.
  • Alternativa më të qëndrueshme. Bashkëpunimi nëpërmjet partneriteteve publike-private, si dhe ndihmat, donacionet dhe bashkëfinancimet me SHBA dhe NATO, sidomos për projekte infrastrukturore që kanë përdorim të dyfishtë civil dhe ushtarak (p.sh. baza ushtarake, rrugë strategjike).

Megjithatë, këto fonde nuk do të jenë të mjaftueshme për të plotësuar të gjithë nevojën financiare, duke bërë të domosdoshëm një plan të mirëstrukturuar dhe të monitoruar.

Pasojat në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe një dinamikë komplekse

Ndërsa NATO-ja ka vendosur objektivin ambicioz të rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen deri në 5% të PBB-së, Bashkimi Evropian ndjek një qasje më të balancuar dhe të përqendruar në efikasitetin, koordinimin dhe integrimin e kapaciteteve mbrojtëse në nivel kolektiv.

Strategjia e BE-së synon të shmangë konkurrencën e panevojshme midis vendeve anëtare në shpenzime të larta, duke promovuar instrumente bashkëpunimi si Fondi Evropian i Mbrojtjes (EDF), Bashkëpunimi i Përforcuar Strukturor (PESCO) dhe iniciativat për inovacion në teknologjinë ushtarake dhe mbrojtjen kibernetike.

Për vendet kandidate si Shqipëria, procesi i integrimit kërkon jo vetëm rritje të shpenzimeve, por edhe përputhje me standardet e BE-së në buxhetim dhe transparencë, që kërkojnë balancim të kujdesshëm mes shpenzimeve mbrojtëse dhe prioriteteve sociale.

Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të orientohet drejt një modernizimi të qëndrueshëm dhe të menaxhuar mirë të kapaciteteve të saj mbrojtëse, në përputhje me kërkesat e BE-së për efektivitet dhe kontroll fiskal.

Rritja e konsiderueshme e shpenzimeve për mbrojtjen në kushtet e një ekonomie në zhvillim, mund të shqetësojë Brukselin dhe institucionet e BE-së në dy aspekte kryesore:

  • Devijimi nga prioritetet kyçe të integrimit. BE-ja ka fokus të qartë në sektorë si arsimi, shëndetësia, reforma në drejtësi, mbrojtja sociale dhe zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. Një alokim i konsiderueshëm i burimeve drejt mbrojtjes mund të perceptohet si pakësim i përkushtimit ndaj këtyre prioriteteteve, duke ndikuar negativisht në procesin e negociatave dhe vlerësimeve të progresit.
  • Dominimi i dimensionit ushtarak në politikën kombëtare. Nëse prioriteti i sigurisë ushtarake perceptohet si i tepruar në raport me zhvillimin institucional dhe ligjor, ekziston rreziku që Shqipëria të shihet si një vend që i jep përparësi dimensionit gjeopolitik ushtarak (NATO) mbi dimensionin institucional dhe ligjor të integrimit në BE. Kjo mund të krijojë tensione diplomatike dhe të komplikojë marrëdhëniet me partnerët evropianë.

Ky perceptim i pashmangshëm do të kërkojë nga Shqipëria strategji të komunikimit transparent dhe veprime konkrete që tregojnë përkushtim të balancuar ndaj të gjitha aspektëve të integrimit.

Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në kuadër të NATO-s është një sfidë me dimensione të shumta për Shqipërinë, që kërkon nga vendi të gjejë një balancë delikate mes dy përparësive ndërkombëtare.

Nëse nuk menaxhohet mirë, kjo mund të ndikojë negativisht në besueshmërinë dhe ecurinë e integrimit në BE, duke nxitur perceptime të pabarabarta dhe tensione institucionale. Prandaj, Shqipëria duhet të ndërmarrë një qasje strategjike, transparente dhe të integruar që harmonizon kërkesat e sigurisë me reformat strukturore të BE-së.

Kjo është një provë e rëndësishme për aftësinë e vendit për të menaxhuar interesat e tij strategjike në arenën ndërkombëtare, pa sakrifikuar progresin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Një nga mundësitë më të rëndësishme për Shqipërinë në këtë sfidë të dyfishtë, të rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe të integrimit në Bashkimin Evropian  është harmonizimi i politikave të mbrojtjes me kërkesat evropiane për zhvillim të qëndrueshëm dhe efikasitet. Një qasje inteligjente dhe e mençur do të ishte që shpenzimet për mbrojtjen të pozicionohen si një kontribut i drejtpërdrejtë në sigurinë evropiane dhe rajonale, duke e konsideruar atë jo vetëm si detyrim ushtarak, por edhe si mundësi për zhvillim ekonomik dhe social.

Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të kërkojë mbështetje për investime me funksion të dyfishtë. Kjo do të thotë, që për shembull, rrugët dhe infrastruktura që ndërtohen për nevoja ushtarake të jenë gjithashtu përdorur për zhvillimin rural dhe për lehtësimin e aksesit në zona të izoluara, duke krijuar një impakt të dyfishtë, si në sigurinë kombëtare, po ashtu dhe në zhvillimin ekonomik lokal. Ky model, që ka gjetur përkrahje në nivele ndërkombëtare mund të ulë presionin buxhetor duke e bërë investimin më efikas dhe më të qëndrueshëm.

Një tjetër mundësi strategjike është përfshirja aktive në programet evropiane të mbrojtjes, siç janë EDF (Fondi Evropian i Mbrojtjes) dhe EDIDP (Programi Evropian i Inovacionit dhe Bashkëpunimit Industrial në Mbrojtje). Këto instrumente jo vetëm që financojnë teknologjitë e avancuara dhe bashkëpunimin industrial, por krijojnë edhe rrugë për vendet si Shqipëria të modernizojnë kapacitetet e tyre pa ushqyer presionin e madh buxhetor. Pjesëmarrja në këto programe do të forcojë lidhjet me partnerët evropianë dhe do të rrisë besueshmërinë e Shqipërisë si një kontribuese serioze në sigurinë kolektive.

Një element tjetër kyç është kërkesa për fleksibilitet fiskal brenda kuadrit të BE-së për vendet që kontribuojnë në sigurinë rajonale. Duke argumentuar se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen është një kontribut strategjik për stabilitetin e Europës Juglindore, Shqipëria mund të kërkojë nga institucionet evropiane një trajtim të veçantë fiskal, që i lejon të rrisë shpenzimet ushtarake pa dëmtuar progresin në reforma të tjera të rëndësishme sociale dhe ekonomike.

Nga ana e buxhetit, presioni për të rritur shpenzimet ushtarake me mesatarisht 150-180 milionë euro në vit deri në 2030 do të krijojë tension mbi investimet sociale dhe infrastrukturore, duke kërkuar një menaxhim shumë të kujdesshëm të prioriteteve.

Nëse kjo rritje do të financohet kryesisht me huamarrje, rreziku për qëndrueshmërinë fiskale është i lartë, duke u kërkuar qeverive që të gjejnë mënyra të tjera për bashkëfinancim dhe mbështetje ndërkombëtare.

Nga ana e procesit të integrimit, sfida kryesore është ruajtja e balancës delikate midis detyrimeve ndaj NATO-s dhe pritshmërive të Bashkimit Evropian. Shqipëria duhet të pozicionohet si një kontribuese e besueshme në sigurinë rajonale, pa e humbur fokusin nga reformat sociale, ligjore dhe ekonomike që janë thelbësore për anëtarësimin në BE.

Për këtë arsye, rekomandohet që qeveria të rindërtojë një strategji kombëtare të mbrojtjes 2025–2035 që të integrojë nevojat ushtarake me aspektet sociale dhe ekonomike të zhvillimit.

Një model buxhetimi i dyfishtë, ku investimet ndahen qartë midis kapaciteteve ushtarake dhe infrastrukturës me përdorim të përbashkët civil-ushtarak, do të ndihmojë në menaxhimin e transparencës dhe efikasitetit. Gjithashtu, një koordinim i ngushtë me Bashkimin Evropian do të sigurojë që rritja e shpenzimeve ushtarake të mos dëmtojë reformat fiskale dhe prioritetet sociale.

Në thelb, problematika kryesore e Shqipërisë është se si të balancojë presionin financiar që vjen nga nevojat strategjike ushtarake, me kërkesat e integrimit evropian për zhvillim dhe stabilitet social. Kjo kërkon një qasje të matur, planifikim afatgjatë dhe përdorim maksimal të mekanizmave ndërkombëtarë për mbështetje, në mënyrë që vendi të mos ngecë mes dy prioriteteve, por të përfitojë nga të dyja në një mënyrë të qëndrueshme dhe përparimtare.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.