Ndikimi i “luftës tarifore globale” në një ekonomi si Shqipëria dhe nevoja për vetëmbrojtje
Shqipëria ndodhet në një pozicion të brishtë në ekonominë globale, për shkak të madhësisë së vogël të tregut dhe kapacitetit prodhues, varësisë nga importet për mallra thelbësore, si dhe struktures së eksportit të fokusuar në sektorë me pak vlerë të shtuar.
Me një PBB prej rreth 25 miliardë euro në vitin 2024, Shqipëria përfaqëson një ekonomi të vogël në krahasim me rajonin apo ekonomitë e zhvilluara.
Në aspektin rajonal, është më e vogël se Serbia apo Greqia, por më e madhe se Mali i Zi apo Kosova.
Integrimi në zinxhirët globalë të furnizimit është ende i pjesshëm dhe kryesisht në sektorë me vlerë të ulët të shtuar (fason, prodhim tekstilesh dhe minerale të papërpunuara).
Megjithatë, Shqipëria ka përfituar nga afërsia gjeografike me BE-në, por mungesa e infrastrukturës konkurruese dhe teknologjisë ka kufizuar pjesëmarrjen e saj në segmente më të avancuara të zinxhirit.
Një problem i madh i ekonomisë shqiptare është varësia nga importet për mallra esenciale, si: energji elektrike (në vitet me reshje të ulëta), ushqime dhe produkte bujqësore, teknologji dhe pajisje industrial, lëndë të para për prodhim.
Shqipëria është importues neto – që do të thotë se importet tejkalojnë ndjeshëm eksportet. Kjo krijon deficit tregtar të qëndrueshëm, i cili mbulohet pjesërisht nga remitancat dhe investimet e huaja.
Eksportet kryesore janë tekstilet dhe veshjet (me karakter fason), minerale dhe materiale ndërtimi (krom, bakër, çimento), energji (kryesisht në periudha me prodhim të lartë hidroenergjetik), produkte bujqësore, por me përqindje më të vogël.
Tregtia është e fokusuar te mallra me vlerë të ulët të shtuar, duke e bërë ekonominë të ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve globale dhe konkurrencës nga tregjet më të mëdha. Mungesa e diversifikimit të produkteve eksportuese është një sfidë për qëndrueshmërinë afatgjatë.
Bashkimi Evropian mbetet partneri dominues, me rreth 65–70% të volumit tregtar. Brenda BE-së, Italia dhe Gjermania janë më të rëndësishmet, kryesisht për eksportet fason dhe importet industriale.
Turqia dhe Kina zënë vend të rëndësishëm për importet, sidomos në tekstile, pajisje dhe mallra konsumi.
Ballkani Perëndimor mbetet i rëndësishëm për tregtinë rajonale, por me vëllime më të vogla.
Një luftë tarifore globale – çfarë do të nënkuptonte për Shqipërinë?
Në një skenar të një lufte tarifore globale, ku fuqitë kryesore ekonomike si SHBA, Kina, BE dhe të tjera vendosin tarifa të larta ndaj njëra-tjetrës, efekti do të përhapej në gjithë ekonominë botërore si një valë zinxhirore. Shqipëria, edhe pse një ekonomi e vogël dhe e pozicionuar në periferi të zinxhirëve kryesorë globalë të furnizimit, nuk do të mbetej e paprekur.
Së pari, do të fillonte me rritjen e çmimeve të importit (inflacion i importuar). Mallrat bazë si drithërat, nafta, pjesë këmbimi industriale dhe produkte ushqimore do të bëhen më të shtrenjta. Kjo do të ushqente inflacionin e brendshëm në një treg me të ardhura të ulëta dhe varfëri të ndjeshme.
Efekti do të ishte më i madh në familjet e varfra dhe të ardhurat fikse (pensionistë, punonjës të sektorit publik).
Së dyti do të ndikonte te dobësimi i mëtejshëm i eksporteve. Ky zhvillim po fillon të trondisë arkitekturën aktuale të tregtisë globale. Partnerët kryesorë të Shqipërisë, sidomos Bashkimi Evropian do të përballeshin me presione të reja në eksport dhe import, çka do të ndikonte direkt edhe në Shqipëri, përmes marrëdhënieve të saj tregtare me këto vende.
Për shembull, nëse BE-ja përballet me tarifa më të larta nga Kina apo SHBA, kjo do të rrisë kostot e mallrave që Shqipëria importon nga BE, si dhe mund të ndikojë negativisht te kërkesa për mallrat shqiptare që hyjnë në BE si pjesë e nënkontraktimeve industriale (fason).
Nëse BE apo shtete të tjera vendosin tarifa ndaj produkteve nga Shqipëria, ose nëse kërkesa bie për shkak të krizës globale, eksportet do të bien. Veçanërisht sektori fason (tekstile, këpucë), i cili është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimeve në zinxhirët e furnizimit.
Së treti, do të ndihet në rënien e investimeve të huaja. Klima e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë globale do të bëjë që investitorët të shmangin tregje më të vogla dhe më pak të sigurta si Shqipëria. Kjo mund të ngadalësojë rritjen ekonomike, veçanërisht në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë.
Së katërti, goditja do të përhapet për buxhetin dhe stabilitetin fiscal. Ulja e eksporteve dhe ngadalësimi ekonomik do të ulen të ardhurat tatimore. Rritja e shpenzimeve për subvencione apo ndihmë sociale do të rrisë presionin mbi buxhetin. E gjitha kjo mund të çojë në rritje të borxhit publik nëse nuk menaxhohet me kujdes.
Së pesti, si efekt i këtyre ndryshimeve në koston e përditshme një mudnësi është edhe rritja e tensioneve sociale. Kombinimi i rritjes së çmimeve, papunësisë, dhe paqëndrueshmërisë mund të rrisë pakënaqësinë sociale. Kjo mund të ndikojë në stabilitetin politik dhe besimin te institucionet.
Por, nga ana tjetër e këndvështrimit të analizës sonë, një luftë tarifore do të përshpejtonte zhvendosjet në zinxhirët globalë të prodhimit dhe furnizimit. Prodhuesit e mëdhenj do të kërkonin alternativa më të lira dhe më të sigurta, për të shmangur tarifat e reja. Kjo mund të sjellë një mundësi për Shqipërinë në formën e “nearshoring”, pra zhvendosje të prodhimit më afër tregut evropian.
Megjithatë, nëse infrastruktura, burokracia dhe kualifikimi i fuqisë punëtore nuk përmirësohen shpejt, Shqipëria mund të mos përfitojë plotësisht nga këto lëvizje.
Një luftë tarifore globale do të ishte një tronditje asimetrike për Shqipërinë, pasi ajo nuk është në pozicion për të ndikuar në ngjarjet globale, por është e ekspozuar ndaj pasojave të tyre.
Në planin afatshkurtër, efekti do të ishte negativ për konsumatorin dhe biznesin.
Në planin afatgjatë, nëse menaxhohen me zgjuarsi investimet publike dhe politikat industriale, mund të shfaqen dritare të reja për integrim më të thelluar në tregje rajonale dhe evropiane.
Kjo e bën të domosdoshme që Shqipëria të forcojë politikën tregtare, prodhimin e brendshëm, dhe sigurinë ushqimore dhe energjetike, si pjesë e një strategjie përballuese ndaj krizave globale.
Në këto kushte, ajo që sugjerojmë është harimi i analizave dhe skenarëve për vetëmbrojtje.
Luftërat tarifore, luhatjet e çmimeve dhe zhvendosjet në zinxhirët globalë të furnizimit nuk janë thjesht sfida, të gjitha janë sinjale të një bote ku vetëmbrojtja ekonomike është po aq e rëndësishme sa konkurrueshmëria. Përballë këtyre realiteteve, Shqipëria duhet të ndërtojë një paketë të strategjive mbrojtëse, të kombinuara dhe të qëndrueshme, si trajtuar përmbledhtazi më poshtë:
- Diversifikimi i tregjeve të eksportit
Prej vitesh, Shqipëria është e lidhur ngushtë me tregun e Bashkimit Evropian, ku shkon rreth 70% e eksporteve të saj. Por varësia nga një treg i vetëm – sado i madh apo i sigurt të duket – e bën ekonominë shqiptare të ndjeshme ndaj çdo krize që ndodh atje. Prandaj, një strategji mbrojtëse urgjente është diversifikimi i tregjeve, duke kërkuar mundësi të reja në tregje si Turqia, Lindja e Mesme, apo Azia Juglindore. Kjo nuk nënkupton largim nga BE, por shtrirje më të gjerë për të minimizuar rrezikun e përqendrimit.
- Rritja e prodhimit të brendshëm
Në një botë ku zinxhirët e furnizimit mund të prishen brenda natës, aftësia për të prodhur vetë atë që konsumon është një garanci sigurie. Shqipëria ka potencial në bujqësi dhe energji – dy sektorë kyç për jetën dhe industrinë. Investimet në prodhimin bujqësor dhe fuqizimi i prodhimit të brendshëm energjetik (hidro, diellor, erë) janë hapa jo vetëm ekonomikë, por strategjikë për vetë-mjaftueshmëri. Në këtë mënyrë, goditjet nga jashtë mund të përthithen më lehtë, pa krijuar varfëri apo kriza ushqimore.
- Marrëveshje të reja tregtare me vende të tjera
Nëse ekonomitë e mëdha kufizojnë qasjen në tregjet e tyre, Shqipëria duhet të hapë rrugë të reja. Kjo nënkupton negocimin e marrëveshjeve tregtare bilaterale apo rajonale me vende si Turqia, vendet e Azisë, apo partnerë në Amerikën Latine dhe Afrikë. Këto marrëveshje nuk janë vetëm për përfitime afatshkurtra, por garanci për akses tregtar kur kanalet tradicionale ngushtohen. Kjo strategji do të kërkojë diplomaci aktive, analiza të tregjeve të reja dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat.
- Politika mbështetëse për sektorët e prekur
Nuk mund të shmangim të gjitha goditjet, por mund të zbusim ndikimin e tyre. Në këtë drejtim, qeveria duhet të jetë gati me instrumente të shpejta mbështetëse:
- Subvencione për prodhuesit që humbin tregje,
- Kredi të buta për ndërmarrjet që kanë nevojë për ristrukturim,
- Përjashtime fiskale të përkohshme për sektorët në krizë.
Këto masa nuk janë vetëm ndihma financiare, por një formë solidariteti ekonomik për të ruajtur prodhimin, punësimin dhe stabilitetin social. - Sigurimi i stabilitetit makroekonomik
Në kohë trazirash, më e rëndësishmja është ruajtja e qetësisë në tregje. Një qeveri që garanton stabilitet makroekonomik – përmes kontrollit të inflacionit, menaxhimit të borxhit publik dhe sigurisë në kursin e këmbimit – dërgon sinjal qartësie dhe besimi te investitorët dhe qytetarët. Pa këtë stabilitet, çdo masë tjetër është e rrezikuar nga paniku dhe pasiguria. Shqipëria duhet të ruajë këtë shtyllë themelore të mbrojtjes ekonomike, si një spirancë në kohë stuhie.
Në fund të ditës, një vend i vogël nuk e ndalon dot një stuhi globale, por mund të forcojë çatinë, të përforcojë themelin dhe të ndërtojë rrugëdalje alternative. Strategjitë mbrojtëse për Shqipërinë nuk janë vetëm plane teknike – ato janë një domosdoshmëri për mbijetesë dhe për rritje të qëndrueshme në një botë që po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.