Mundet ekonomia shqiptare të krijojë punësimin masiv?

Mundet ekonomia shqiptare të krijojë punësimin masiv?

Punësimi dhe politikat për rritjen e tij nuk janë të shkëputura nga ekonomia në zhvillim dhe ajo që është në proces investimi. Politika e punësimit është e pazgjidhshme edhe nga politika ekonomiko-fiskale, si dhe sociale.

Si e tregojnë të vërtetën statistikat ekonomike dhe të punësimit llogaritjet mbi to?

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, numri i të punësuarve në vitin 2000 (1 milion e 68 mijë të punësuar gjithsej) me vitin 2016 (1 milion e 43 mijë të punësuar gjithsej) është pakësuar në tregun e punës me 25 mijë punëmarrës.

Ndërkohë në vitin 2001 e deri në 2015 tregu i punës ka qëndruar në të njëjtat nivele nga 902 mijë deri 973 mijë punonjës gjithsej.

Nëse shikojmë tregun e punës mund të kuptohet qartë se kriza botërore e fundit të viteve 2000 ka goditur edhe Shqipërinë, edhe pse kjo nuk u pranua asnjëherë nga qeveria. Në vitin 2008 numri i punonjësve është më i ulëti në gjithë këto 18 vitet e fundit, me një numër prej 902 mijë punonjës gjithsej.

Në vitin 2000 numri i punëkërkuesve është 215 mijë.Ndërkohë, ajo që është e paqartë dhe kontradiktore në lidhje me numrin e tregut të punës është ulja e numrit të punëkërkuesve. Në këtë vit (2008) ky numër është më i ulëti (140 mijë) në harkun kohor të 18 viteve të fundit, përveç vitit 2016, kur numri i punëkërkuesve është 120 mijë. Kontradikta midis uljes së numrit të punësuarve, si dhe ulja e numrit të punëkërkuesve, në kushtet kur nuk ka punësim masiv jashtë vendit tregon se edhe vetë statistikat tregojnë për një ekonomi pa stabilitet dhe me një treg të dobët të punës.

Natyrisht, puna informale në vitet e fundit pati një formalizim të madh, por megjithatë mbetet rezervë e pashfrytëzuar ende efektivisht puna informale qe duhet te shërbejë direkt për rritjen dhe formalizimin e tregut të punës. Nëse llogaritim se puna informale është ende në kufijtë deri 33 përqind ndaj totalit të numrit të punësuarve aktualë, atëherë sfida mbetet ende tek ky treg me gjithë të këqijat ekonomike dhe sociale që ai i mbart mbi vete.

Shqipëria tashmë ndodhet në një fazë vendimtare të reflektimit mbi gjendjen aktuale të tregut të punës duke patur potencial me një kapital njerëzor të vlefshëm, por të vështirë për tu integruar në tregun e punës. Një pjesë e konsiderueshme e punëkërkuesve u përkasin moshave të reja. Arsyeja qëndron brenda rezistencës së informalitetit dhe ende një kulturë të vakët institucionale dhe edukate të burimeve njerëzore. Nuk mund të ngelet e pa përmendur edhe pjesa e pa zbatuar, që i përket programeve të zhvillimit ekonomik të qeverive të 20 viteve dhe që ky vit i fundit nuk mund ti japë dot ende energjinë për të transformuar prapambetjen e tregut të punës.

Kur shikohen statistikat e tregut të punës, ku paraqiten zhvillimet e reja, ajo që e bën interesant diskutimin është elementi i kostos së punësimit për ta ballafaquar me mundësinë e ekonomisë së vendit dhe për tu qartësuar pak më shumë.

Llogaria duhet të përkojë me koston dhe investimet. Nisur nga elementët që shpenzohen për të mbajtur një vend pune të hapur, kostoja për llogaritet në shumën prej 380 mijë deri 400 mijë lekë në vit. Nëse formalizohen 50 mijë vende pune atëherë, kostoja përkon me 19 deri 20 miliard lekë dhe dyfishi i kësaj shume llogarit një kosto të zbardhur në ekonomi nga bizneset dhe të vetëpunësuarit me dyfishin, apo 38 deri 40 miliard lekë. Kjo shumë do të thotë sa 1.8 – 2 përqind e prodhimit të brendshëm.

Por, nëse shikojmë vendet e reja të punës duke i krahasuar me realitetin e investimeve kapitale në vend (vendase dhe të huaja), situata duhet të rezultojë me disa dhjetëra mijë vende pune të reja.

Sipas llogaritjeve të krijimit të vendeve të punës nga vlera investuese, mesatarisht për çdo 1 miliard lekë investime arrijnë të krijohen deri 170 vende pune direkte.

Nisur nga fondet e investimeve publike në harkun kohor 2011 deri 2016, me një vlerë absolute prej 2.73 miliard Euro (ku gjysma i përket qeverisë së djathtë dhe gjysma i përket qeverisë së majtë), si dhe afër 4.85 miliard Euro investime të huaja, atëherë llogaritja tregon se ndikimi ne zgjerimin e tregut te punës qe mundet te jepnin këto investime nuk mundet të jetë më shumë se 94 mijë vende pune. Nëse krahasojmë rritjen e punësimit në sektorin publik dhe privat për vitin e fundit duket se qëndrueshmëria dhe stabiliteti i tregut te punës nuk është në sektorë të tillë që të flitet për punësime afatgjata dhe stabël.

Në këtë mes ndikon më shumë se çdo faktor tjetër politika e gabuar e orientimit te ekonomisë shqiptare. Për gjithë këto vite është mbështetur mbi modelime punësimi sezonal dhe shëtitës (fasonet), si dhe mbi një treg informal pune që nuk ka arritur të jetë stabël në ekonominë shqiptare. Ndërkohë, mburrja dhe ftesat miope të politikës shqiptare se kemi krah të lirë pune është ndër gabimet më të dukshme për zhvillimin e kapaciteteve dhe krijimin e një tregu pune konkurrues për kohën dhe me rajonin.

Nga ky prezantim i shkurtër lindin disa konkluzione paraprake, që kanë nevojë për analizë të detajuar faktesh dhe statistikash.

Nisur nga harta e shpërndarjes së investimeve në sektorët e ekonomisë rezulton se ato kanë shkuar kryesisht në infrastrukturë (fondet publike), industrinë e përpunimit aktiv, shërbime telekomunikacioni dhe duke krijuar më së shumti fronte pune, që kanë nevojë të konfirmohen në ekonomi për një koherencë me tendencën zhvilluese. Shumë pak nga investimet kanë krijuar rritje të numrit të të punësuarve të bazuar te investimet kapitale. Kjo duket nëse shikojmë rritjen e vendeve të reja të punës krahasuar me ato që vijnë nga formalizimi i tregut për të paktën dy vitet e fundit.

Edhe pse është përmendur edhe më parë, përsëri mbetet logjika ekonomike, se zbatimi i Strategjisë dhe akteve ligjore për nxitjen e punësimit të shoqëruara nga vullneti i sinqertë i politikanëve do ta rriste ekonominë nëpërmjet tregut të punës në Shqipëri, të paktën në tre mënyra:

1. Hapje vende pune sa më pranë nevojave të pushtetit vendor dhe ekonomisë lokale, të cilët kryejnë direkt programet lokale dhe mbështetin nismat e pushtetit qendror;

2. Mbështetje e programeve për vendet e punës indirekte dhe të bashkëlidhura me projektet vendore duke krijuar rrjetin e profesioneve dhe punëve të nevojshme dhe të munguara apo të harruara për komunitetin;

3. Nxitja e konkurueshmërisë në tregun e brendshëm me objektiv tregun rajonal nëpërmjet konkurrencës me diferencën që përmban produkti i tokës dhe ekonomisë shqiptare.

Por, a mundet ekonomia shqiptare të gjenerojë punësim masiv?

Pritshmëria nuk mund të shikohet vetëm dhe thjesht te investimet me fonde publike dhe investimet e huaja. Gjenerimi i punësimit masiv mundet të krijohet duke rritur nxitjet për bizneset e vogla apo vetëpunësimet në një garë për të diversifikuar burimet për krijimin e vlerës së shtuar. Kjo do të thotë, që Shqipëria mundet të konkurojë dhe gjenerojë vende pune me diversitetet e saj mbështetur te (a) tradita e avancuar (aty ku ajo konkuron me tregjet e tjera), mbështetur te (b) kapacitetet e reja që futen në treg bazuar te edukimi dhe inteligjenca artificiale, që aktualisht investohet privatisht nga familjet, mbështetur te c) meritokracia për sektorin publik, ku punonjësit duhet të kenë shanse të barabarta.

Motorri i punësimit në vende të ndryshme të zhvilluara mbetet gjithnjë komuniteti i të vetëpunësuarve me vizionin e rritjes dhe daljes përtej tregut vendas.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: