Modernizimi i shërbimeve publike në Shqipëri, efikasitet apo imazh?

Modernizimi i shërbimeve publike në Shqipëri, efikasitet apo imazh?

Kur hyn në një zyrë të administratës në një qytet të madh shqiptar, ndjenja e parë është ajo e përzier. Gjithçka duket e re dhe e rregulluar. Mobilim i ri, dritare që lejojnë më shumë dritë natyrale, ambjente shlodhëse, tabela digjitale që tregojnë numrin e radhës, madje edhe ngjyrat e freskëta në mure krijojnë një përshtypje moderniteti.

Megjithatë, pas kësaj fasade të jashtme, shumë gjëra mbeten të njëjta. Radhë që ende vijojnë të zgjaten, procese dhe kërkesa burokratike që ngadalësojnë shërbimin dhe procedura që kërkojnë dokumente të shumta.

Qytetari, i cili shpreson për një përvojë më të shpejtë dhe më të thjeshtë kur dëgjon reklamat e qeverisë për modernizim të godinave dhe ambjenteve, shpesh e gjen veten duke pritur për një shërbim që në parim mund të ishte shumë më efikas.

Çdo vit, nga paratë e taksapaguesve i dedikohet një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të administratës për mirëmbajtjen e godinave publike, rinovimin e mobilimit dhe pajisjet teknologjike, rreth 8–9% të shpenzimeve operative totale.

Për një shtet me burime të kufizuara, kjo është një shifër e konsiderueshme që duhet të justifikohet me përfitime reale.

Por këtu lind dilema, nëse shkojnë këto fonde për të përmirësuar vërtet shërbimin ndaj qytetarëve, apo modernizimi përdoret më shumë si një fasadë vizuale që krijon përshtypjen e efikasitetit?

Ky fenomen intensifikohet në periudha zgjedhore.

Çdo rinovim, çdo tavolinë e re apo ekran digjital shfaqet si një mjet për të fituar simpati politike, ndërsa problemi i vërtetë, vonesat, burokracia dhe mungesa e kapaciteteve të stafit mbetet i paprekur.

Efikasiteti i shërbimeve nuk matet nga ngjyrat e mureve apo nga tabela digjitale, por nga mënyra se si funksionon institucioni, sa shpejt përfundojnë kërkesat, sa pak gabime ndodhin dhe sa i aksesueshëm është shërbimi për qytetarin.

Kur modernizimi kryhet pa një plan të qartë kosto-përfitim dhe pa analizuar ndikimin afatgjatë financiar, ai mund të shndërrohet thjesht në një “kostum i bukur” mbi të njëjtën strukturë burokratike të ngurtë, që konsumon fonde pa sjellë përmirësime reale.

Nga këndvështrimi i menaxhimit buxhetor, çdo investim duhet të ketë një orientim të qartë drejt prioriteteve: qendrat më të ngarkuara dhe shërbimet me ndikim më të madh për qytetarët duhet të përfitojnë së pari, ndërsa teknologjitë dhe mobilimi duhet të zgjidhen në mënyrë që të ulën kostot operative dhe shpenzimet e mirëmbajtjes në të ardhmen.

Nëse këto aspekte injorohen, çdo investim modernizimi mund të ketë kosto të fshehta që shfaqen në buxhetet e ardhshme, duke shtuar presion financiar dhe kufizuar mundësitë për të financuar sektorë të tjerë të rëndësishëm.

Analiza e shpenzimeve operative dhe e modernizimit të shërbimeve publike tregon një kontrast të qartë midis qëllimeve strategjike dhe praktikave aktuale.

Trendet tregojnë se shpenzimet operative kanë pasur një rritje graduale, duke mbetur rreth 9–10% të totalit të shpenzimeve, një nivel që ka siguruar stabilitet buxhetor.

Por pas vitit 2022, rritja e tyre është përshpejtuar, kryesisht për shkak të kostove të mirëmbajtjes, teknologjisë dhe projekteve të mëdha modernizimi. Në teori, kjo mund të interpretohet si një përpjekje për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike; në praktikë, sfidat janë të tjera.

Përvoja e vendeve të Bashkimit Evropian ofron shembuj të qartë se si duhet të organizohet modernizimi.

Në Gjermani dhe Finlandë, për shembull, çdo investim në digitalizim të shërbimeve publike kalon përmes analizave të detajuara kosto-përfitim dhe pilotimeve lokale.

Projektet prioritarizohen sipas impaktit në qytetar: zyrat që shërbejnë numrin më të madh përdoruesish apo shërbime kritike si regjistrimi i pronave, taksat apo shëndetësia digitalizohen së pari.

Një projekt për regjistrimin elektronik të pronave në Estoni, që kushtoi rreth 50 milion euro për disa vite, solli një reduktim dramatik të gabimeve administrative dhe kohës së pritjes për qytetarët, duke ulur edhe kostot operative në afat të gjatë.

Në Shqipëri, shpenzimet për modernizim janë të dukshme, por pa një plan strategjik dhe prioritet të qartë.

Investimet e nxituara në infrastrukturën digjitale ose teknologji shpesh rezultojnë në tavolina të reja, ekrane digjitale apo sisteme të papërdorura, që nuk ndryshojnë përditshmërinë e qytetarëve. Kostoja e këtyre projekteve mund të variojë nga disa qindra mijëra deri në disa milion euro, duke mbajtur një barrë të konsiderueshme mbi buxhetin, pa prodhuar përfitime reale në mënyrë proporcionale.

Për shembull, investimet në infrastrukturën digjitale fiskale ose teknologji anti informalitet prej mbi 5 vitesh po kryhen të nxituara dhe pa analiza të detajuara të nevojave dhe mundësive e matur me kapacitetet financiare dhe njerëzore, duke rezultuar në tavolina të reja, ekrane digjitale apo sisteme me siguri të cënuar dhe që ende shfaqen me mjaft probleme në cilësinë e shërbimit dhe në uljen e informalitetit, ndryshe nga sa promovohet pambarim prej lidershipit qeverisës.

Qytetari shqiptar nuk ka nevojë për shfaqje imazhi.

Ai ka nevojë për shërbime funksionale, për zyrtarë të trajnuar dhe të aftë, për sisteme që vlerësojnë kohën dhe paratë e tij. Modernizimi duhet të arrijë përmirësimin real të shërbimit dhe jo promovimin politik të përkohshëm.

Përpara se të shpenzohen fonde të mëdha për mobilim apo teknologji, duhet të investohet në arsimin, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave për shtresat në nevojë. Me këtë qasje të ndryshme mund të krijohet një bazë reale që i lejon institucionet të shfrytëzojnë çdo investim modernizimi me efikasitet maksimal.

Modernizimi pa prioritet, planifikim dhe kosto-përfitim është vetëm një kostum i bukur mbi të njëjtën burokraci të ngurtë.

Një model i ri bazuar te përvoja e mirë e vendeve të BE-së mund të krijojë një shërbim publik funksional, të drejtë dhe të qëndrueshëm, ku çdo lek i shpenzuar reflekton përfitime reale për qytetarin dhe për buxhetin e shtetit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.