Misioni i administrimit fiskal jo plani, por ngushtimi i boshllëkut (hendekut) tatimor

Misioni i administrimit fiskal jo plani, por ngushtimi i boshllëkut (hendekut) tatimor

Qëllimi kryesor i sistemit tatimor është financimi i shpenzimeve publike dhe mos ndikimi në vendimet e biznesit dhe qytetarëve. Në këtë të dytën është e rëndësishme përdorimi i burimeve të brendshme në funksion të uljes së boshllëkut tatimor dhe barazisë në shpërndarje të barrës tatimore. Ajo që ndodh me efektin që vjen nga rritja e boshllëkut tatimor është prishja e barazisë midis konsumit dhe kursimeve në përgjithësi, apo ndryshe midis përpjekjeve për thithjen e investimeve dhe vendosjen e filtrave që diferencojnë penetrimin e tyre në ekonomi (njësoj si syzet e diellit për rrezatimin diellor).

Por, ndërsa diskutojmë mbi ngushtimin e boshllëkut tatimor, politika e administrimit vijon ti bjerë “fyellit” vetëm në vrimën e realizimit të planit buxhetor. Ndërkohë, luftën ndaj evazionit e trajton si një mjet në funksion të qëllimit të administrimit për maksimalizimin e mbledhjes së të ardhurave tatimore. Nisur nga ky mision i administratës kuptojmë se pikërisht aty lind nevoja e modifikimit dhe qasjes së administrimit, i cili duhet të përshtatet me zhvillimet e politikës dhe kërkesave për konkurrencën e ekonomisë shqiptare.

Koha e maksimalizimit të mbledhjes, si mision i administrimit tashmë është një objektiv që duhet të pësojë transformimin e tij drejt misionit më të ri, atij të garantimit të të ardhurave buxhetore nëpërmjet rritjes së kapaciteteve dhe ngushtimit të boshllëkut tatimor.

Ndërsa, diskutojmë termin “planifikim” mund të thuhet me plot gojën se ai I përket një ekonomie dhe periudhe që bazohet mbi ekonominë e planifikuar.

Plani buxhetor është detyrë që i jepet me ligj administratës tatimore dhe doganore në momentin kur buxheti miratohet nga parlamenti. Në rastin më të keq, realizimi me deficite i planit tregon qartë se ose evazioni ka fituar betejën me ligjin, ose ekonomia nuk performon sipas parashikimit buxhetor, ose planifikimi ka patur probleme qysh në gjenezën e tij.

Por, gjithsesi plani nuk duhet dhe nuk ka pse të jetë treguesi i vetëm i performancës së administratave. Performanca më e mirë duhet të jetë pikërisht ngushtimi i boshllëkut tatimor, i cili pasi niset nga një pikë x duhet të ngushtohet me y% në krahasim me pikën fillestare.

Vlera e studimeve te ALTAX Center dhe e studimeve të tjera të ngjashme është pikërisht e orientuar në informimin mbi të mirat dhe rrisqet e lidhura me përdorimin e politikave dhe administrimit të tyre në funksion të kushteve konkrete të ekonomisë së vendit. Kjo e drejtë u lind atyre e njohin situatën ekonomike dhe fiskale, e rrethuar nga edukata fiskale në përshtatje me nivelin e qytetarisë dhe kulturës demokratike në vend.

Efekti i zbatimit të politikave tatimore në Shqipëri nuk lidhet vetëm me kufijtë e vendit, por në disa raste këto efekte mund të jenë ndërkombëtare. Aq më keq nëse, politikat janë edhe të qëllimshme për interesa të ngushta, apo pa transparencë për qytetarët. Në këto raste, politika të tilla ndikojnë për keq ne terma afatshkurtër dhe afatmesëm ne buxhetin e vendit. P.sh. Nëse miratohen politika për taksim të karburanteve apo kafes, ndikimi i tyre për aq sa kanë lidhje tregjet ndërkombëtare me volumin e transaksioneve të kompanive rezidente shqiptare mund të japë efekte në rritjen apo uljen e boshllëkut tatimor dhe ndikimin në politikat e brendshme ekonomike dhe fiskale të vendit.

Administrimi aktual me objektiv arkëtimin e te ardhurave me çdo mjet me qellim arritjen e planit, si dhe rritja e numrit te kontrolleve tatimore pa u fokusuar te rritja e bashkëpunimit vullnetar te qytetareve me ligjin japin ndikime në ambientin e biznesit dhe konkurueshmerine e ekonomisë. Shpesh administrimi tatimor ndikohet nga politika fiskale qe modifikojnë kuadrin rregullator fiskal të detyruara nga kapacitete të dobëta të administrimit tatimor. Mirëpo ndryshimet e politikes fiskale te diktuara nga halli i një administrate te dobët qe mbetet njësoj për çdo qeveri prishin kërkesë-ofertën në tregun që preket nga këto politika.

Qasjet drejt ngushtimit të boshllëkut tatimor

Ndikimi i politikave fiskale për ngushtim të boshllëkut tatimor kanë efekt edhe në kulturën fiskale dhe sjelljen e qytetare dhe bizneseve. Aktivitete të caktuara, që janë formale apo mendojnë të bëhen formale mund të mos bëhen në të ardhmen pjesë e skemës formale të ekonomisë, për shkak të barrës tatimore që nuk e mbajnë dot.

Kjo do të thotë se shërbimet apo mallrat e tyre bëhen më të shtrenjta dhe ato nuk janë më të kërkueshme nga tregu. Në këtë grup përfshihen më së shumti aktivitetet e shërbimeve dhe tregtare që konsiderohen si vetëpunësime apo me punëmarrës familjarë. Arsye të njëjtë mund të ndikojë edhe për biznese formale, të cilat janë në tregun formal, por nuk kanë një trajtim të barabartë nga administrata tatimore.

Nisur nga kjo logjikë është mëse e natyrshme që boshllëku tatimor dhe politikat për ngushtimin e tij të hartohen bazuar në segmente të kufizuara dhe aktivitete të përcaktuara sa më shumë e mundur të jetë, të konsideruara si më problematiket e ndikimit në boshllëkun tatimor.

Në matjet e kryera të boshllëkut tatimor, një analizë e vëmendshme i është kushtuar edhe hartës së shpërndarjes së boshllëkut tatimor sipas segmenteve të tatimpaguesve (biznes mikro dhe të vetëpunësuar, biznes i vogël, biznes i madh, bizneset më të mëdha).

Pjesa kryesore e boshllëkut tatimor kryhet nga bizneset shumë të mëdha apo të mëdha me një peshë mbi 70% të totalit të boshllëkut tatimor. Një pjesë mirë e boshllëkut tatimor për vende të ndryshme vjen nga segmenti i biznesit  mikro dhe të vogël, ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit.  Studime të tilla janë kryer në vite të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. P.sh. Në Danimarkë ky segment krijon një boshllëk tatimor sa 3.4% e totalit të boshllëkut tatimor në nivel vendi; në Suedi është sa 9% e totalit; në Britaninë e Madhe është sa 8% e totalit; në Shtetet e Bashkuara është sa 16% e totalit; në Kili është sa 11% e totalit dhe në Meksikë është sa 27% e totalit.

Për gjithë vendet që kanë probleme me boshllëkun tatimor një rrezik i madh vjen në aspektin e shtrirjes ndërkombëtare të boshllëkut tatimor. Kategori të ndryshme të segmenteve të tatimpaguesve duke përfshirë edhe individë të pasur janë në kërkim të vendeve që mbajnë sisteme fiskale me lehtësira tatimore dhe kushte të lehta për të investuar paratë dhe kapitalet, pa patur shumë kërkesa të forta mbi burimet e tyre, që në gjuhën e përditshme konsiderohen si parajsa fiskale (ang. tax heavens, offshore, etc.).

Administratat tatimore që kanë nevojë për të identifikuar problematikat dhe mbartësit e tyre e kanë mjaft të vështirë të kenë informacionin e duhur për vlerësimet e barrës tatimore për këtë kategori, ku këta të fundit janë shfrytëzuesit më të suksesshme të boshllëqeve të legjislacionit dhe gjithë instrumenteve që i ndihmojnë tu shmangen apo të mashtrojnë sistemet tatimore të vendeve ku janë rezidentë. Fakte të freskëta ka çdo shtet. Mjafton të studiohen dhe të mësohet nga dështimet dhe sukseset e tyre.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: