Mbi trajtimin e TVSH-së për automjetet elektrike të importuara dhe të shitura në territorin shqiptar
Në kuadër të politikave fiskale nxitëse për përdorimin e mjeteve me ndikim të ulët mjedisor, ligjvënësi shqiptar ka parashikuar disa përjashtime specifike nga TVSH për automjetet që funksionojnë vetëm me motor elektrik. Këto përjashtime lidhen si me momentin e importit, ashtu edhe me furnizimin e parë të automjeteve në tregun vendas.
Bazë kryesore ligjore për këtë trajtim është neni 51, pika (p) e Ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, i ndryshuar, i cili përcakton se:
“Janë furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja transaksionet me interes të përgjithshëm si më poshtë:
(p) furnizimi i automjeteve vetëm me motor elektrik, të reja, me zero km e që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, përveç atyre të përcaktuara në pikën 7, të nenit 49, të ligjit.”
Kjo dispozitë ka për qëllim të qartë nxitjen e tregtimit dhe përdorimit të automjeteve elektrike të reja, përmes lehtësimit të barrës tatimore në fazën e parë të qarkullimit të tyre, duke i përjashtuar nga TVSH si në import, ashtu edhe në furnizimin e parë në tregun vendas.
Në interpretimin ligjor të këtij përjashtimi, duhet bërë dallimi ndërmjet përjashtimit në import dhe përjashtimit në furnizim (shitje):
- Përjashtimi në import
Importimi i automjeteve elektrike përjashtohet nga TVSH në momentin e hyrjes në doganë, në bazë të akteve nënligjore që zbatojnë dispozitat fiskale të ligjit për TVSH. Kjo do të thotë se në momentin e importit nuk llogaritet dhe nuk paguhet TVSH, duke u trajtuar si veprim i përjashtuar. Megjithatë, si çdo përjashtim nga TVSH, edhe ky nuk krijon të drejtë për zbritjen apo kreditimin e TVSH-së së inputeve të lidhura me këtë aktivitet.
- Përjashtimi në furnizimin e parë
Neni 51, pika (p), zgjeron efektin e përjashtimit edhe mbi furnizimin e parë në treg të automjeteve elektrike të reja, me zero kilometra dhe të paregjistruara më parë në asnjë shtet. Kjo do të thotë se shitja e parë në tregun shqiptar, e kryer nga importuesi apo tregtari i këtyre automjeteve, është e përjashtuar nga TVSH.
Për pasojë, shitësi nuk llogarit TVSH në faturë dhe nuk ka të drejtë të kreditojë TVSH-në e shpenzimeve që lidhen me këtë furnizim, pasi ligji e klasifikon atë si furnizim të përjashtuar, jo si furnizim me normë zero.
- Shitjet e mëvonshme
Pas regjistrimit dhe përdorimit të automjetit elektrik, përjashtimi nuk gjen më zbatim. Në momentin që automjeti konsiderohet “i përdorur”, çdo furnizim i mëvonshëm trajtohet sipas rregullave të përgjithshme të TVSH-së.
Në rastet kur shitësi është person i tatueshëm (p.sh., një tregtar i makinave të përdorura), ligji lejon zbatimin e regjimit të marzhit, ku TVSH llogaritet vetëm mbi diferencën ndërmjet çmimit të shitjes dhe atij të blerjes.
Ndërsa kur shitja kryhet nga individë që nuk janë persona të tatueshëm (pra, nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike), transaksioni është jashtë fushës së TVSH-së dhe nuk lind detyrim tatimor.
Në përmbledhje:
- Në import zbatohet përjashtim nga TVSH;
- Në furnizimin e parë (shitja e automjetit të ri me 0 km) zbatohet përjashtim nga TVSH sipas nenit 51, pika (p);
- Në furnizimet e mëvonshme (shitja e automjetit të përdorur) konsiderohen të tatueshme me TVSH.
Ky interpretim harmonizon kuadrin ligjor me qëllimin e politikës fiskale të shtetit shqiptar, e cila synon të lehtësojë dhe të nxisë përdorimin e automjeteve elektrike, duke aplikuar përjashtimin nga TVSH vetëm për fazën e parë të qarkullimit të tyre, importin dhe shitjen e parë, ndërkohë që ruan trajtimin tatimor të zakonshëm për transaksionet e mëvonshme në treg.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.