Mbi tarifat e SHBA-së ndaj partnerëve tregtarë dhe pasojat e luftës tarifore

Mbi tarifat e SHBA-së ndaj partnerëve tregtarë dhe pasojat e luftës tarifore

Vendimi i Presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa të reja mbi importet nga Kanadaja, Meksika dhe Kina ka për të patur ndikime të mëdha në tregtinë globale. Kjo situatë aktuale e luftës tarifore mes të mëdhenjve të ekonomisë botërore është nga sa duket një çështje komplekse e ekonomisë globale dhe politikave tregtare proteksioniste.

Analiza jonë do të shqyrtojë arsyet pas këtij vendimi, kundërpërgjigjen e Kinës, ndikimin e proteksionizmit mbi ekonominë botërore dhe efektet që mund të ketë mbi Shqipërinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Duke e parë më nga afër problematikën dhe qasjet e palëve ne jemi ndalur në  shqyrtimin e disa pyetjeve për tu dhënë komentin tonë.

Pse Trump vendosi tarifa të reja, por pezulloi përkohësisht për Kanadanë dhe Meksikën?

Vendimi i administratës Trump për të vendosur një tarifë prej 25% mbi importet nga Kanadaja dhe Meksika, por duke pezulluar për një muaj zbatimin e saj dhe një politikë më agresive dhe direkte ndaj Kinës ka disa arsye strategjike dhe :

Së pari, Presidenti Trump kërkon të ndryshojë termat e NAFTA-s[1], duke e zëvendësuar atë me USMCA[2], e cila u miratua në 2020. Pezullimi i tarifave është një taktikë presioni për të detyruar këto vende të pranojnë kushte më të favorshme për SHBA-në. Nga ana tjetër, pezullimi i tarifave është një mënyrë diplomatike për të mos tensionuar më tej marrëdhëniet me këto vende partnere. Kanadaja dhe Meksika janë partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së, me shkëmbime tregtare vjetore që kalojnë 1.3 trilionë dollarë. Vendosja e tarifave do të kishte efekte negative të drejtpërdrejta në industrinë amerikane, veçanërisht në prodhimin e automjeteve, bujqësinë dhe energjinë. Kur SHBA vendosi tarifa mbi çelikun dhe aluminin, Kanadaja dhe Meksika u prekën ndjeshëm, duke bërë që të rriteshin kostot për prodhuesit amerikanë të automobilave si Ford dhe General Motors, të cilët importonin lëndë të para nga këto vende. Ky është një faktor që ndikoi në pezullimin e përkohshëm të tarifave për këto dy vende.

Së dyti, qeveria e SHBA kërkon fokusimin te Kina si kundërshtari kryesor ekonomik duke u përballur drejtpërdrejtë. Në strategjinë ekonomike të administratës Trump, Kina shihet si konkurrenti kryesor, sidomos në sektorët e teknologjisë dhe prodhimit. Tarifat janë një taktikë për të frenuar rritjen e Kinës si superfuqi ekonomike, ndaj administrata Trump e pa të nevojshme të aplikonte tarifa të menjëhershme ndaj saj, ndërsa me aleatët rajonalë mund të përdorë një qasje më të butë dhe të bazuar në negociata.

Si kuptohet kundërpërgjigja e Kinës me tarifa ndaj SHBA-ve?

Kundërveprimi i Kinës është një masë e pritur, pasi edhe ajo ka një reagim strategjik, nëse shikojmë se çfarë tarifa ka rritur si kundërpërgjigje mbi disa produkte kyçe amerikane:

  • Qymyr (15%) dhe gaz të lëngshëm natyror (15%)
  • Naftë bruto dhe makineri bujqësore (10%)
  • Kamionë dhe pajisje industriale (10%)

Kjo përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj proteksionizmit amerikan synon të godasë eksportet amerikane në sektorët që mund ta dëmtojnë ekonominë e SHBA-ve, si industria energjetike dhe makineritë bujqësore.

SHBA është një eksportues i madh i energjisë dhe tarifat mbi këto mallra ndikojnë drejtpërdrejt në industrinë e energjisë, duke ulur konkurrencën amerikane në tregjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, këto tarifa të rritura me 15% mund të kenë ndikim mbi bazën elektorale të Trump. Tarifimi i qymyrit, gazit të lëngshëm dhe produkteve bujqësore godet shtetet amerikane që varen nga këto industri dhe që kanë mbështetur Trump në zgjedhjet për president.

Kina po ashtu me tarifat për porduktet bujqësore dhe makinat dhe paisjet synon të godasë shtetet bujqësore amerikane, të cilat janë baza elektorale e presidentit Trump. Prodhuesit e sojës, misrit dhe grurit në SHBA përballuan humbje të mëdha në të kaluarën për shkak të tarifave kineze, duke sjellë presion politik mbi administratën amerikane. Për shkak të tarifave, Kina uli ndjeshëm importet e sojës amerikane në favor të prodhuesve brazilianë, duke i dhënë avantazh ekonomive konkurruese. Vetëm në vitin 2018, importet kineze të sojës nga SHBA ranë me 75%, ndërsa eksportet e Brazilit u rritën ndjeshëm.

Po ashtu, tarifat ndikuan në kompanitë e mëdha amerikane, si p.sh. Caterpillar dhe John Deere, të cilat humbën pjesë të tregut në Kinë.

Në të njëjtën kohë, kjo kundërpërgjigje është një përpjekje e Kinës për të diversifikuar tregjet. Në planin afatgjatë, Kina ka ndjekur strategji për të ulur varësinë nga importet amerikane, duke rritur marrëdhëniet tregtare me vende si Rusia dhe vendet e Lindjes së Mesme për energjinë, apo Brazilin dhe Argjentinën për produktet bujqësore.

Sa e dëmton zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë globale një luftë tarifash?

Lufta tregtare mes fuqive të mëdha ekonomike ka efekte të thella negative, pasi rrit pasigurinë ekonomike, për investitorët dhe kompanitë ndërkombëtare. Investitorët bëhen më të kujdesshëm për shkak të klimës së paqëndrueshme tregtare. Shumë kompani ndërkombëtare që varen nga zinxhirët globalë të furnizimit përballen me rritje të kostove dhe pasiguri të tregut. Po ashtu, pasojë e provuar nga koha e mëpëarëshme është ngadalësimi i rritjes ekonomike. Sipas Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), lufta tregtare SHBA-Kinë uli rritjen globale me 0.5% në vitin 2019. Proteksionizmi mund të ndikojë negativisht në PBB-në globale dhe të zvogëlojë tregtinë ndërkombëtare, duke ulur konsumatorizmin dhe investimet.

Në një plan më të gjerë, kjo luftë dëmton zinxhirët e furnizimit. Shumë produkte kanë lëndë të para ose pjesë të prodhuara në vende të ndryshme dhe tarifat rrisin koston dhe çojnë në inflacion produktet finale dhe ato të ndërmejtme.

Vendet më të varura nga eksportet në tregjet kryesore mund të pësojnë goditje të mëdha, pasi do të përballen me rritje të çmimeve dhe vështirësi në aksesimin e tregjeve ndërkombëtare. Kështu, p.sh. vendet më të vogla si ato në Ballkan, përballen me sfida më të mëdha për të gjetur tregje të qëndrueshme.

Si mund të ndikojë rritja e tarifave ndaj BE-së në eksportet shqiptare për në SHBA?

Shqipëria nuk është një eksportues i madh në SHBA, por një rritje e tarifave amerikane për BE-në mund të ketë ndikime indirekte.

Një ndikim do të ishte në eksportet shqiptare. Nëse kompanitë evropiane përballen me tarifa më të larta, ato mund të ulin kërkesën për produkte shqiptare, si tekstilet dhe produktet bujqësore për të kompensuar kostot e rritura të eksportit në SHBA.

Kështu, në vitin 2018, SHBA vendosi tarifa për çelikun evropian, çka çoi në rritjen e kostove të prodhimit për firmat e BE-së dhe një ulje të importeve nga Shqipëria për materialet ndihmëse që përdoreshin në industrinë e ndërtimit.

Nëse investitorët evropianë preken nga tarifat amerikane, ata mund të rishikojnë zgjerimin e investimeve në vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Kompanitë evropiane që kanë investuar në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit mund të rishikojnë planet e tyre, duke ndikuar negativisht në punësimin dhe zhvillimin ekonomik.

Në një qasje optimiste kjo situatë do të thotë edhe mundësi të reja për Shqipërinë, gjithmonë nëse shfrytëzohet dhe do të gjenden mekanizmat për të përfituar. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja hyjnë në një luftë tarifash, Shqipëria mund të përfitojë duke ofruar alternativa për prodhim ose eksport, veçanërisht në sektorët ku mund të përfshihen marrëveshje të tregtisë së lirë. Por, ashtu si edhe e kemi parë së fundmi, Shqipëria mund të kërkojë të forcojë marrëdhëniet tregtare me tregje alternative, si: Turqia dhe Lindja e Mesme

A ka hapësirë për zgjidhje diplomatike të mosmarrëveshjeve tregtare?

Nga përvoja e periudhave të kaluara mund të gjendet ende hapësirë për dialog, por kjo varet nga vullneti politik dhe strategjia e secilës palë.

Negociatat mund të sjellin marrëveshje reciproke. Siç u pa me Marrëveshjen e Parë të Fazës mes SHBA-ve dhe Kinës në 2020 është e mundur që palët të bien dakord për kushte të përbashkëta, duke ulur tarifat dhe rregulluar disbalancat tregtare, ku Kina u pajtua të rriste importet nga SHBA.
Por a është e gatshme Kina ta bëjë përsëri këtë qasje?
Kjo është pikërisht çështje vullneti dhe strategjie.

Presioni i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) edhe pse SHBA-të e kanë sfiduar autoritetin e OBT-së, mund të jetë një opsion për një ndërhyrje multilaterale mund të ndihmojë në uljen e tensioneve.

Ndikimi i fortë shihet edhe presioni nga sektori privat dhe sektorë biznesesh pranë fokusit të presidentit Trump. Kompanitë amerikane dhe evropiane kanë interesa të forta për të shmangur luftërat tregtare, ndaj mund të ushtrojnë presion dhe të lobojnë mbi qeveritë e tyre për të arritur marrëveshje për një zbutje të tarifave.

Ndërvarësia globale e ekonomisë bën që një luftë tregtare e vazhdueshme të jetë e dëmshme për të gjitha palët, duke krijuar stimuj për arritjen e kompromisit.

Ndërsa proteksionizmi shihet si një taktikë për të mbrojtur industrinë vendase, ai gjithashtu krijon efekte anësore negative si rritja e kostove për konsumatorët dhe bizneset. Proteksionizmi mund të mbrojë disa industri amerikane afatshkurtër, por në planin afatgjatë dëmton tregtinë globale.

Tensionet SHBA-Kinë-BE mund të vazhdojnë, por ashtu si në të kaluarën diplomacia ekonomike mbetet opsioni më i mirë për të shmangur një krizë ekonomike globale.

Për Shqipërinë, ndikimi mund të jetë më shumë indirekt, por gjithsesi duhet të ketë një qasje të kujdesshme për të menaxhuar efektet e mundshme në eksportet dhe investimet.

Qeveria duhet të analizojë me kujdes ndryshimet në tregtinë ndërkombëtare për të minimizuar rreziqet dhe për të shfrytëzuar mundësitë e reja.

[1] Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut

[2] Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.